Filozofia amerikane dhe sovraniteti i Shqipërisë

Dritan HotiNga Dritan Hoti*

Intervencionizmi amerikan i gjysmës së dytë të shekullit XX, si dhe i fillimshekullit XXI, e ka zanafillën po aq sa në veçoritë specifike të krijimit të kombit të ri, edhe në rrethanat e veçanta të dinamikës së zhvillimeve ndërkombëtare, të cilat kërkuan e favorizuan përfshirjen e SHBA-së në ecurinë komplekse të çështjeve ndërkombëtare. E ndërtuar rreth asaj, të cilën parlamentari dhe mendimtari britanik Edmund Burke  e karakterizonte: “Tek amerikanët dashuria për lirinë është pasioni më i madh, tipar mbizotërues i karakterit të tyre që i dallon ata padyshim nga cilido prej popujve të tjerë”. Ja pra, këto gjasa i dhanë jetë e formë asaj që Thomas Jeferson e cilësonte jo si një superfuqi, por si një “perandori e lirisë, një force gjithëvepruese e ngarkuar për të vepruar në emër të gjithë njerëzimit, në garantimin e principeve të mirëqeverisjes”.

Jo vetëm  zhvillimi, pra transformimi i pandërprerë ekonomiko-teknologjik e strukturor, por njëkohësisht edhe premisat e politikës botërore privilegjuan rolin e pozitën e SHBA-ve përbrenda sistemit ndërkombëtar. Nga fundi i luftës së parë botërore, Amerika, pikërisht në zemrën e kontinentit të vjetër, në Paris (1919-1920) do të shënjonte hendekun që e dallon atë me filozofinë e diplomacisë tradicionale evropiane, e cila kishte qenë gjeneza, shkaktarja e dy luftërave botërore, por që paradoksalisht prodhoi  në mënyra të diferencuara rënien e fuqive përfaqësuese të kësaj shkolle. Bëhet fjalë për perandoritë ish-koloniale, duke ravijëzuar botën bipolare të luftës së ftohtë, përgjatë së cilës SHBA iu kundërvunë intervencionizmit subversiv të Bashkimit Sovjetik, ndërkohë që ato vete nuk e respektuan jo-intervencionizmin. Ndërsa ndërhyrja ruse nënkuptonte ekspansionizmin, pra regresin politik, intervencionizmi amerikan nënshkruhej në emër të evoluimit demokratik, mbrojtjes së tregtisë së lirë  e të drejtës ndërkombëtare si diçka normale në emër të mbrojtjes së botës së lirë. Intervencionizmi dhe sovraniteti kanë evoluar që të dyja në një gjendje dichotomie njëra me tjetrën. Nëse doktrina e sovranitetit u sanksionua ne Traktatin e Westfalisë në shekullin XVII, përgjatë 4 shekujve të fundit, ai nuk është aplikuar në mënyrë rigoroze, arsyet e rrethanat e shumta dhe të ndërthurura kanë bërë që nocioni i sovranitetit të jetë reduktuar ose e thënë më mirë, të mos jetë mbajtur aspak parasysh në funksion të intervencionizmit. Në vazhdën e kësaj logjike, çështja shqiptare ka qenë ose është penalizuar ose favorizuar nga intervencionizmi i fuqive të mëdha. Në Kongresin e Berlinit (1878) e mandej në Konferencën e Londrës (1913) që sollën edhe copëtimin e territoreve shqiptare, si dhe në konferencën e Versaille (1919-1920) ku ndërhyrja e presidentit Willson mundësoi mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë, si dhe intervencionin amerikan “sovranitetin”, me rezultat çlirimin e mandej pavarësimin e Kosovës, evolucionin e çështjes shqiptare në tërësi në kahun e duhur historik. Përgjatë historisë, dy janë tipat që spikasin  në reklamimin e sovranitetit dhe që të dyja mvishen me një konotacion negativ: -shtetet diktatoriale si dhe diktatorët e tyre, fenomen që e kemi hasur në kohët moderne tk Milosheviçi, Sadam Huseini apo Kadafi, të cilët reklamonin në mënyrë të paarsyeshme sovranitetin teksa regjimit të tyre po i trokiste fundi. –Pjesa më e rëndësishme e “ elitave” të në vendi, që kane sponsorizuar një sistem si një lloj korporate korruptive, duke penguar apo devijuar mbarëvajtjen e kombit të tyre. Në këtë rast, këto segmente “elitash” politike të përballura me ndryshimin e duhur juridiko-politik, i cili në fakt rrezikon monopolet e tyre frenuese të zhvillimit të duhur të kombit në fjale. Në këto raste ata i bëjnë thirrje në mënyrë dëshpëruese “sovranitet absolut”, si dhe të drejtës themelore të vetëvendosjes politiko-juridike. Pikërisht në Shqipërinë tonë, kohët e fundit po vlon debati i respektit të sovranitetit të vendit në miratimin e reformës në drejtësi, konkretisht refuzohet që Vetting-u i famshëm të kryesohet nga ndërkombëtarët, në vijë të parë amerikanët, protektorët, pra aleatët strategjikë natyrorë të popullit shqiptar. Nuk ka vend tjetër, përgjatë 100 viteve të fundit, që të ketë garantuar e kontribuar më shumë sesa SHBA-të në mbrojtje të të drejtave dhe të sovranitetit të Shqipërisë. Ruajtja e pacenueshmërisë së territorit shqiptar nga Presidenti Willson, kontributi në përmbysjen e komunizmit, çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, si dhe aderimi në Nato, të nënvizuar publikisht pak javë më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i shërbenin këtij qëllimi, pra sovranitetit të Shqipërisë, si dhe mbarëvajtjes së çështjes shqiptare. Mirëpo arritjet domethënëse të sipërpërmendura, të cilat mbi të gjitha e fortifikojnë sovranitetin e Shqipërisë, kontrastojnë paradoksalisht me cilësinë e sistemit qeverisës, e cila duhet parë pa mëdyshje si një burim force apo dobësie në raport me shumicën e faktorëve mbi të cilët varet e ardhmja e kombit. Shqipëria në pak më shume se 100 vite të shtetit të saj ka njohur qeverisjen e shkurtër demokratike të Ismail Qemalit, potenciali i së cilës ishte përqendruar në shërbim të garantimit të sovranitetit të shtetit të sapoformuar, ka njohur Monarkinë, diktaturën e egër sfilitëse dhe demokracinë me të meta të mëdha të 24 viteve të fundit. Pikërisht sistemi aktual politik shqiptar është një hibrid i një strukture ligjore të shpallur kinse demokratike, e përmbytur nga praktikat korruptive, paparashikueshmëria që inkurajon kaosin nga marrëveshjet e pamoralshme, instiktive qofshin ato, fryma e “ solidaritetit” klanor në shërbim të justifikimit të vazhdimësisë së sistemit aktual politik. Në një shoqëri të tillë si ajo shqiptare, e cila  nuk ka përjetuar asnjëherë demokracinë reale, për më tepër e shtyrë në kufijtë e mbijetesës ekonomike, mekanizmat e protestave të menjëhershme për të kundërshtuar padrejtësitë sociale dhe abuzivizmin e sistemit politik, kanë prirjen të zvetënohen, prandaj hera-herës segmente të shoqërisë shqiptare ngrenë pyetjen e mëposhtme: “A do të na ndihmojë Amerika në çrrënjosjen e sistemit aktual politik, korruptiv e gërryes siç edhe na ka ndihmuar në momentet e qenësishme të historisë sonë”. Insistimi i zyrtarëve të lartë amerikanë për kalimin e Reformës në Drejtësi duke patur parasysh epokën në të cilën jetojmë, ku ndërvarësia e globalizmit dhe fragmentarizimi politik rrezikojnë jo vetëm stabilitetin e shoqërive të ekuilibrave të brishtë, për më tepër mund t’i shtyjnë ato drejt dezintegrimit, pajiset kështu me një lloj vizioni strategjik. SHBA-të, të cilat nuk kanë ndërmend të ndryshojnë mënyrën e perceptimit të misionit të tyre edhe në epokën aktuale, nëpërmjet përfshirjes dhe drejtimit të projektit të Reformës në Drejtësi kanë për synim një objektiv madhor: çrrënjosjen e korrupsionit, pastrimin e si rrjedhoje transformimin e sistemit politik aktual shqiptar, duke evituar rreziqet e paparashikuara që dikton epoka në të cilën jetojmë. Ky proces i shërben jo vetëm konsolidimit të sovranitetit të mirëfilltë, por për më tepër zhvendos ecurinë e Shqipërisë si dhe pak më gjerë, evolucionin e çështjes shqiptare në një pozitë edhe më favorizuese, duke i dhuruar asaj sensin e duhur të historisë.

Kjo është me pak fjalë historia e filozofisë amerikane me sovranitetin, e thënë më mirë, me fatet e Shqipërisë.

*Pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare

Shkruar Nga
More from admin

Paç fatin e Meghan Markle! Ja 3 princa beqarë, për të provuar fatin tuaj

Sa janë shanset që të hasësh princin Harry të Britanisë në një...
Read More