Faruk Myrtaj: Koha e tregimit nuk ka mbaruar

 

Faruk Myrtaj një emër i njohur në letrat shqipe, vjen më poshtë me një rrëfim mbi rrugëtimin e tij letrar për MapoLetrare. Të jetuarit në një kohë e gjuhë tjetër, dhe libri që ka në proces.

Nëse hidhemi pas në kohë, çfarë ju çoi tek letërsia?

Nëse pranojmë ta kundrojmë letërsinë si “rrugë e pa-fund për…atje”, si nisje për udhëzën time mbase shërbeu një “mbledhje” në Kinemanë Minatori, në Qytetin Minatori të Selenicës, Vlorë, viti 1974. Si pasqyrim i Revolucionit Masiv Kulturor Kinez në Shqipëri, diskutohej: Cili (s)duhet të shkonte në shkollë të lartë. Dikush u ngrit e tha: “Le të mësoj sa të dojë Faruk Myrtaj. S’merr dot të drejtë studimi nga Pushteti Popullor…!”

Më mbeti të “mbyllem në qelën e vetmisë sime”. Nuk ishte aq e kollajtë për tu pranuar, por kisha ngè të meditoj – edhe për pse-në e kësaj ndërprerje, do të më kthehej natyrë: një formë vetmie me të cilën jo vetëm u mësova, por ishte ajo që më këshilloi llojin e jetës. Edhe leximet, u përzgjodhën sipas kësaj gjendjeje. Më pastaj, ky lloj meditimi dhe leximi do shoqërohej me mbajtje shënimesh dhe mbase kësisoj ndodhi edhe kalimi nga poezia tek proza. Gjatë shërbimit ushtarak mu besua libraria e repartit. Të isha vetëm, të mund të lexoja, të flija vetëm, jo në kapanonin e madh me të tjerët…Vetmia më ishte privilegj edhe atje. Pesë vite në minierë, janë arsyeja e dytë pse jam ai që ndjehem. Mbiemri, prindërit, familja që kam krijuar vet, njeriu në krah me të cilin ndaj gjithçka…

Edhe si student, 1983, diferenca 8-9 vite me të tjerët më ish status i veçantë. Ardhja në Kryeqytet, ku çdo gjë merrte parashtesën “krye”, shënoi kthesë të për gjithnjëshme. Dy vitet e parë studiova rreptë, duhej garantuar diploma e përballjes së jetës, por më pastaj ndjeva se mund të shihja ca më gjerë. Bashkëpunimi me gazetat më dha pamje tjetër, tjetër ishte frymëmarrja e botimeve të para, Drita, Nëntori, Antologjia e Tregimtarëve të rinj, libri me poezi “Dielli i Nëntokës” në proces dhe fill pas tij libri me tregime…

Vetmia/privilegj do të më shoqëronte edhe pas vitit 2003, dhe vazhdon sot e kësaj dite, në dilemë jo aq të kollajtë me mërgimin. Sërish në rrethana e mjedise të panjohur, ndonjë moment “I Huaji”, gjersa përshtatja si përftues vetmie mu bë udhë e pakëmbyeshme e ribërjes dhe rrëfimit të vetes: dëshmi njerëzore si trajtë letërsie. Nuk e kisha menduar por erdhi koha kur qenien mënjanë, vetëm, asnjëherë vetmuar, e përjetoja si luks të plotë. Një lloj besimi, besimtarie. Duke qeshur, e pranova mërgimin (edhe) si murgërim. Vetmi të tillë s’e kisha ëndërruar. Ndonjëherë, siç gjërat serioze thuhen, me të qeshur, shtoj: “Ndjehem në profesion të lirë”! Jo si të viteve kur…(e morëm vesh së fundi)…leja krijuese mund të na jepej ne të rinjve dhe i refuzohej…Mitrush Kutelit!

Ju i përkisni një brezi që hytë në letrat shqipe pas viteve 80-të, fillimisht me poezinë më pas me tregimin…Si e kujtoni atë kohë?

Mbase të gjithë, me vjershërima e nisin. Prej poezisë nuk shpëton dot kurrë, nëse pretendon shkrimin. Por, natyrshëm, ikën koha kur çdo gjë të duket poezi, mjaft të vendosësh rimat! Ndjen “vrasjen e lirikës” në përditësinë e jetës, nis e trishtohesh, ndonjëherë duket se s’ka arsye bërja përpara, vrapimi, mjafton ecja. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, zbrita nëntokë se, tërë burrat në Selenicë në minierë punonin. As sot nuk e artikuloj dot sot çfarë lloj energjie mund të mbante motivuar të punoje nën tokë dhe të shkruaje vjersha. Mbase prej kësaj do ngjizej karakteri i të shkruarit: dëshmi dhe çmim për ikjen prej dritës së diellit të sipërfaqes.

Më kujtohet, teksa më lexonte një tufë vjershash, I thashë Xhevahir Spahiut: “Është i vetmi vend ku ndalohet kënga!”. Xhevua më pa në sy. E dinë të gjithë këndin që i jep kokës ai, kur kërkon të vështroj sa më drejt! Sigurisht në një mendje, ishte fjala për minierën, jo Shqipërinë. Është një e vërtetë teknike: nën tokë nuk lejohet kënga se sidosi është “zhurmë” dhe, si zhurmë, pengon dëgjimin e ndokujt që kërkon ndihmë në aksident. Me kohë arrija në përfundime të dy-kyptimta. Nën-toka ishte truall i të vdekurve, por minatorët hynin e dilnin përditë atje.  Në se mos-shkuarja në kohë për Universitet ishte nisja në udhën e krijimit, zbritja nën tokë ftoi vëmendje për të mbajtur shënime. Për prozën…

Nën-toka, miniera, nuk ishte e tëra “gri”. E mbaj mend mirë veten e atëhershëm: për në turnin e pasdites ndodhte të shkoja duke vërshëllyer. Mbase ngaqë vjershërimet e shkruaja paraditeve më dukeshin të tëra të shkëlqyera, apo ngaqë e prisja një ditë të lume lejen për universitet. E prisja, pa-pushim. Saviour! Tingëllon absurde, por ndodhi. Jo vetëm me mua. A s’i buzëqeshim përqindjet e nostalgjikëve për kohën që në shumicë bjemë dakord ta quajmë “diktaturë proletariati, me luftë klase, pa pronë private dhe me Zot të ndaluar”. E ardhmja e ndritur, fryt i ajërt propagande, ia dilte të na rrekte si njerëz të shpresave të përjetshme. Si rrallëkush e mbyllur, Shqipëria aplikoi si mbijetesë meditimin, ëndërrimin, iluzionimin. Dhe nëntekstin në letërsi! Tek e fundit, ky është Njeriu…Në këtë botë shumë e shumë njerëz punojnë të përballojnë rentën. Vijnë në apartamentet, sa për të fjetur, deri në ditë-punën tjetër…Jo pak të rinj, trishtohen që s’lexojnë dot një libër deri në fund…

A ia vlente entuziazmi?! Më kujtohen dy vjershat e para, tek “Drita”, të dyja me minierë…Janë ngjarje që s’harrohen për individin. Pastaj vijnë ciklet poetikë, një e dy dhe tri tregime, në gazeta e revista, pastaj miratohet e botohet libri i parë, gjëra të tilladikur janë statistikë e bezdi…Të shkruarit vjen e kthehet në tjetër gjë. Libri i dytë me poezi “Rroba e Fjalëve Ngushtë më rri” doli pak më herët “Piramida”- e përmend si kronologji këtë. Nënteksti s’i hynte në sy kurrkujt! Madje, do duhej paguar haraçi i shpjegimit të nënteksteve përdorur si formë lirie e robërisë. Kalojnë vite të tërë shpjegues: nuk flasim për librat e rinj, por për historinë e librave dikur. Do donim t’i rishkruanim, në mos t’i harronim… Edhe Kadare e ka pranuar se poezia ishte e abuzuara. Nga censura dhe autocensura.

Por, me të gjithë ne, pa dashur, ndodh të mëkatojmë teksa harrojmë se Tjetri është Trajta jonë e pa-provuar. Sa më pak ta paragjykojmë, sa më shumë le të përpiqemi ta marrim me mend Sepërse-të njerëzore që iu imponuan. Dhe nëse na duket ca i çuditshëm, ca absurd, jo aq njerëzor nëse na duket…se mos ishim vet ne në këpucët e tij, dhe vepruam ndryshe…! Cikli njerëzor, ka udhën e vetë. Secili do kërkoj kohën e duhur të bërjes së Vetes. Shikojmë dikë të panjohur në rrugë e sipër dhe është shlodhëse, qetësuese deri në shpirt, po të provojmë ta marrim me mend udhën që mund të ketë për të shkelur, problemet dhe hallet që do t’i bjen në shpinë, të gjitha do t’i duhet t’i kalojë, ndryshe s’bëhet, s’ka se si…Dhe ky Njeriu aty në rrugë, mund të jetë fëmija yt, miku yt, sfiduesi a rivali, hë-për-hë i panjohuri, i pakuptuari nga ti…por mund të jesh ti vet…! Arrijmë dot të bindemi se, sa herë që flasim për tjetrin, rrëfejmë veten?!

Ka shumë debate sot mbi mënyrën sesi duhet parë letërsia e shkruar gjatë soc-realizmit. Ju hyni tek ata shkrimtarë që një pjesë të krijimtarisë e keni shkruar në atë kohë. Si do ta gjykonit veprën tuaj të shkruar në atë periudhë, dhe letërsinë në përgjithësi në atë periudhë?

Fatet e jetët e njerëzve janë të ndryshme, perceptimet po aq të ndryshme. Por realitete të atillë duhen harruar një orë e më parë. Qenia njerëzore s’mund të respektohet pa liri fjale, letërsia dhe krijuesi aq më pak si i tillë. Asnjë përpjekje krahasimative nuk justifikohet. Izolimi total, hedh faj mbi ata pak individë që gëzuan liri relative lëvizje në Europë. S’mund ta pranosh normale letërsinë e shkruar dhe shpërblyer me privilegj, kur bardët e vërtetë, mjeshtrat e kultivuar kulturash të tjera, të hapura, liheshin mënjanë “në shejtninë e tyre”. S’mundet edhe më tej t’i referohemi “Çmimeve të Republikës”, kur e dimë tashmë se Trifon Xhagjika ngriti zërin se atdheu ish (zh)veshur me “rrobe Mbreti”. S’mund të përmenden edhe më tej ato falsitete pleniumesh si hapje dhe thellim i demokracisë popullore, teksa Havzi Nela ekzekutohej në mes të qytetit si në mes të Mesjetës. S’mund t’i gëzoheshim dot një Çmimi Nobel, kur s’mund të përmendnim as përkatësinë shqiptare të Nënë Terezës, fituese të këtij çmimi…

Në këtë kontekst, siç vet Jeta, edhe Letërsia, e pa-fshehëshme. Të shkruarat e propaganduara, rrëfenin tjetër realitet. Kaluan tri dekada, kemi luksin të pranojmë se ishte kohë e pamjaftueshme për të jetuar e respektuar si njerëz, teksa politikës i duhej Letërsia e Re, me personazh Njeriun e Ri. Qoftë edhe vetëm kjo do trishtonte krijuesin e kohës që duhej të shfaqte personazh të vetëm pozitiv figurën e komunistit apo edhe të Enver Hoxhës.

Të gjithë votonim Frontin…demokratik, subjekt i vetëm elektoral i kohës, jo të gjithë gëzonin besimin për temat e mëdha, Partinë, Socializmin, sistemin…Unë isha me fat: meqë vija nga nëntoka, i thurja vargje vagonit me mineral dhe minatorit. Por tek poezia “Sille djalin në minierë drejtor” shkruaja: “…Nuk e kemi hallin te djali yt, por kemi merakun mos i thua në mbrëmje/ ka kush e nxjerrë mineralin/ duke na pasur Ne/ dhe fëmijët tanë në mendje…!” (“Dielli I nëntokës”, poezi, 1985. Shtëpia Botuese Naim Frashëri).

Befasuese, nëse do rrëfeja me këtë rast, artikulimin e një redaktori te Lidhja e Shkrimtarëve: “Kjo poezi në asnjë mënyrë nuk duhet botuar. E di ti, Faruk se kush punon në minierë? Ata që janë të pa shkollë dhe ata që janë blozë në biografi…” Mbeta pa gojë. Kjo vjershë ishte përfshirë ndërkohë në librin e miratuar. I mblodha fletët me vjershat e mia, zbrita shkallët, por te Porta e Madhe e Rëndë e Lidhjes, u përballa me Xhevahir Spahiun. Duket se e vuri re përskuqjen në fytyrë, që më pyeti ngulshëm: “Mirë, Faruk?” / “Mirë, Xhevo, mirë…” / “Jo, diçka duhet të ketë ndodhur, që ti…” Hezitova, këmbënguli, ia thashë, por u befasova kur tha:

“Do ta bëj problem në organizatë.”

“Jo tani që ndodhi me mua,” i thashë.

Ika. Miqve që u rrëfej emrin e redaktorit në fjalë ulin kryet, buzëqeshin. Është më e kollajtë ta pranojnë ndër sjellësit e pluralizmit…

Nëse ndodhi që studentët e letërsisë nuk e dinin se Lasgush Poradeci ende ishte, gjallë, jetonte diku në Tiranë, se Kutelit pas daljes gjallë nga Këneta e Maliqit, iu desh të krijonte rrëfimet e legjendat si gjini të vetë për të siguruar mbijetesën si krijues, do duhet të pranojmë qetësisht se nderimi duhet të shkoj pikërisht tek ta. Poradeci e “fshehu penën”; Të tjerët si ai, i nxuarën me përdhunë shtetërore prej teksteve mësimorë të letërsisë. Natyrisht s’mund të besohet se ndodhi në pa dijeni të drejtuesve dhe krijuesve më të njohur; në prani të tyre ndodhi edhe mpakja e gjuhës në Kongres. Nëse kërkojmë hapje arkivash si mund të fshihen kronikat. Mjaft të kujtohemi se Fishta ishte i përfoluri si “shkrimtar shoven”. Ia dhamë titullin “Nder Kombi”, por nuk ia kemi blatuar ndjesën kolektive për këtë fajësim të turpshëm…Camajn e botuam, por e dimë se vetëm botimi është pak: do duhet t’i fusim në tekstet, duke nisur prej Abetares, që në Manastirin e Fishtës dhe Frashërlljve nisi…të gërmëzonte. Në pa faj, ndjehemi lexues vetëm të Kadaresë, Agollit, kur për askënd nuk bën mirë të qenit pjesshëm, përderisa bëhet fjalë për gjuhën dhe fjalën shqipe…

Parimisht, meqë ndryshimet politike i përdorim si gurë kilometrik, së paku pas ’90-ës do duhej të ecnim për nga lidhja me kulturën, letrat dhe pluralizmin e Parë, atë të viteve ’30…Ende s’jemi gati. Por, kjo ka për të ndodhur një ditë. Nëse s’presim të gjendemi përballë një Mali në mes të rrugës ku besojmë se po bëjmë përpara…

“Njerëz që kam njohur”, 1987, është përmbledhja juaj e parë me tregime, ku spikat tregimtari, na flisni pak për këtë libër?

Është botuar në vitin 1987 por, ata që e dinë se si funksiononte konvejeri I botimeve, e marrin me mend odisenë. Njerën nga recensat e mbrame për të e shkroi Dh.S.Shuteriqi. “Ky djalë që më thanë se vjen nga miniera, më kujton Bjornsonin dhe Unamunon, të cilët me siguri s’i ka lexuar…” Kam pasur fat në recensat e librave. Adriatik Kalluli e Agim Spahiu, Ilirian Zhupa për poezinë. Vath Koreshi për një libër në prozë. Shuteriqi kishte të drejtë. “S’ka pasur avion ndonjëherë familja ime që të mund të më akuzoni se kam urdhëruar të më blejnë avion të ri!”, do të shprehej Barack Obama 25 vite më pas. “E njeh Shuteriqin ti, Faruk?!”, më pyeti Vito Koçi. “Jo. Të jem i sinqertë, gjithnjë e ngatërroj Shefqet Musarajn”. “Vërtetë?! Ka shkruar një recensë shumë pozitive për librin tënd…!” Ishte ngjarje e madhe. Për mua. Recensa u botua te “Drita”, autori Dh.S.Shuteriqi, i lëvduari…“një letrar I ri, i talentuar…”, anonim. E mendoni nëse “anonimi” do ishte një mbiemër artistësh në fuqi, dhe biri i tyre i thoshte Kryetarit “Xhaxhi”?! Kush t’ja kishte fiksuar se në minierë punonin o të pa-shkollë, o me black-bio?!

Sipas meje, njerëzit atje poshtë, në fund të piramidës sociale të kohës, ishin të bukurit e botës. Ashtu mbeten, edhe pasi dola jashtë shtetit. E ruaj si Kujtesë të Përgjithnjëshme një fotografi me Ata, film që e zbardha në tregimin “Fotografi me të Vdekur Brenda”, që natyrisht është mes tregimeve që më ka përkthyer në anglisht Aida Francis Dismondy. Si tek filmi me Zoron, rrethova me të kuq ndokënd prej tyre që e la jetën atje ku zbritej vdekur. Një pjesë, ndërroi jetë pasi ika nga miniera në Universitet, të tjerë ndërruar jetë teksa unë ndërrova Atdhe…

Dy-tri muajt e mbramë, që u dorëzova në FaceBook, kam rast të pyes, edhe pse kam frikë se është vonë. Por ngushëllohem se as ata, s’kanë ditur nëse unë jam apo s’jam. I mërguari, është si një puntor nëntoke, bllokuar nën shembje të mëdha. Përderisa s’është nxjerrë në sipërfaqe, gjallë-a-vdekur, me ligjet e minierës ai llogaritet si i gjallë!

Nëse pa mëdyshje do duhet dikujt t’i përkulem, zgjedh ata, minatorët. Por…mos prisni të jap emra, them, kur kureshtja, si për heronj politikash, religjionesh a invazionesh, kërkon detaje. Jeta e tyre sigurisht ishte e shenjtë. Atje poshtë, nën dhè, jeta vihet në provë ekstreme, por ata dinë ta  marrin shtruar. Ditëve të para, kujtoj, sa kisha përftuar paranomin “xha Faruk”, (“xha…” thirreshe sapo zbrisje për punë nën-tokë), më nisën me urgjencë të lajmëroja minatorët e një galerie të largët. Vrapova si kurrë më parë. Përplasja kokën tek shtyllet e armaturës, më rrëzohej kapelja, ulesha e merrja, e vendosja sërish, vrapoja. I sigurt se prej shpejtësisë sime varej jeta e atyre atje, për ku duhej të fluturoja! Arrita…më në fund. Jo, nuk e mendova Marathonomakun…”Dilni! Hajd’ të dalim!”, arrita të thosha. Myrdari, i thinjur si minator, më ftoi të ulesha pak, të rregulloja frymëmarrjen. “Ka plasur uji, ej!”, thashë, sërish. “Ik përpara, se erdhëm ne!”, ma pat ai. Vazhdoi të punonte. E unë…ç’të bëja?! Prita pak, ua thashë edhe një herë se po ndodhte përmbytja, jam i sigurt që nuk e mendova Arkën e Noes,…ika! I pashë teksa dolën, pas nja një orë e ca. Më vonë mora vesh se…ata dinin si funksiononte nëntoka, si rridhnin ujrat, sa kohë duhej të…Më vonë, mora vesh edhe se, përpara se të ndodhnin shembjet e mëdha, nëntoka rrëzonte grushte dherash, ca guralecë, shenja që i dinë mirë ata më të vjetrit…

Nga miniera ika më 1983-in, kur Viron Kona, doli me mua nga zyra e Komitetit të Partisë Vlorë, atje anë detit gjithnjë të trazuar të Vlorës, tre vjet pas rekomandimit të D.Agollit dhe ngulmit të gjatë të Hiqmet Meçaj, më tha se më në fund do të ndihmojmë…“Vetëm se s’do shkosh për letërësi, siç ke dashur ti dhe ne… Do të shkosh për inxhinieri minierash, Faruk. Dhe më beso mua, Vironin, ka për të dalë më për mirë…”

Unë nuk thashë se tërë njerëzit e mirë, ndihmues, kishin zbritur atje poshtë, nëntokë, apo jo?! Një pasdite të trishtë, në Toronto, duke gjerbur më ngè kafe, me time shoqe provuam të bënim një listë të atyre që na ishin gjendur për të mirë. Ishte listë e gjatë. Asnjë emër prej atyre të minierës nuk e kujtuam ndër bamirësit. Thjesht kishin ndihur në bërjen e Njeriut tek unë. Libri “Njerëz që kam njohur” ishte drejtëpërdrejtë prej kësaj lënde të parë. Imunitetin dhe qëndresën që më duhej në Krye-Qytet, besoj se e kam marrë nga ato vite prove në Selenicë.

“Koha e tregimit nuk ka mbaruar…”, shprehet një shkrimtare e njohur amerikane mbi rolin që tregimi ka si gjini sot?

Ka zëra që thonë se ka mbaruar “kohë e librit”, të tjerë konsiderojnë Familjen tepër, ka krijues që teksa luten “ah të kishim një çikë burg” nën diktaturë, përpiqen të neglizhojnë lirinë si të domosdoshme për letërsishkruarjen. Është si të privosh krijuesin nga lexuesi. Unë vet lexoj sa më shumë poezi, më pak romane, gjithçka që më intrigon mendimin, ndjesinë, shlodhjen, argëtimin. Fati  i një-një-shëm, i Krijuesit dhe Lexuesit ky besoj se është: të mund të shkoj libri tek ai lloj lexuesi që kap valën e tij!

Në këtë lloj jete, përmbytur informacionesh të pa-doganë, besoj se tregimi është shumë komod: mund të lexohet brenda një udhëtimi një gjysmë orësh në metro, siç katër pesë poezi, harrohesh për pak, por jo aq sa të harrosh të zbresësh në stacionin tënd! Por po, ka plotë që lexojnë romane, kur bëhet fjalë për të shkruarin bestseller. I gjej te lobi i Pallateve këto libra dhe…i nxitoj të shkojnë për riciklim. Letërsia me peshë, është tjetër. Kështu mendoj unë, të tjerë kanë të tjera! S’është fjala te klasikët rusë, francezë, amerikanë që njiheshin kohësh në Tiranë.

Në Kanada është, për fat, o justifikim, lexohet shumë poezi, non fiction, romane. Një autor amerikan prej kohësh në Kanada (që editoi edhe librin poetik “Love is a very long word” të Majlinda Bashllarit), interesimit tim në parim për një libër të mundshëm, ju përgjigjë:

“…Besoj se janë dy barriera të mëdha për një libër me tregime si “Turmat e Dimrit” për tu botuar në Kanada. E para është që krijimi do duhej të latohej që të respektonte nuancën e kuptimeve përmes idiomave; kështu që duhet të pajtoni një editor për librin tuaj. Barriera e dytë është “kulturore”! Pothuaj asnjë botues Kanadez, aq sa jam unë në dijeni, nuk do jetë i tëri i kushtuar për nga tregimet me fabul. Të shumtët e tregimeve që ata pëlqejnë të botojnë janë të një mode “realistike”dhe që kanë një vendosje bashkëkohësie…”

Për fat apo jo-fat, proza më e mirë shqiptare, besoj dhe them, ka ardhur në kahje të përkundërt…Pa asnjë problem për autorë që nxitojnë për t’u përkthyer: ka vend për këdo! Nëse je, je në gjuhën tënde!

“Nudo Zyrtare” fitoi Çmimin “Libri më i mirë me tregime për vitin 1996”. Është libri juaj i parë, pas viteve 90-të. Duket si një libër politik?

S’them dot që s’ka edhe politikë brenda. Teksa qartësoj shikimin, edhe më tepër pas largimit prej mjedisit ngarkuar atyshëm, këto athëtira dhembin edhe më shumë. Edhe viteve ‘90, ngaqë pluralizmi i dytë u dekretua, pra s’erdhi natyrshëm si pluralizmi i parë, i viteve ’30 larushi e Rilindjes, edhe në shkruarje e librave e kishim “politikën në plan të parë”. Tek e fundit, gjenerata e krijuesve kishte në sy modelet e sukseshëm: Kadare, Agolli dhe të tjerët, më shumë a më pak, gjer edhe virtuozë të fjalës si Vath Koreshi, në poezi më shumë por edhe në prozë u ishte dashur të lundronin si varka shembëllake të politikës. Në thelb, nuk mendoj se e keqja qëndron te prania e temave a mesazheve, si virus, apo këmbyer në natyrë me politikën, përderisa tërë jeta -e shkrimtarëve dhe lexuesve- kësisoj gjallonte. Nëse “le t’i këndohej Revolucionit apo Njëshit”, cili të ishte Majakovski?! Për të shëmbëllyer me poetët e shpirtit, duhet të ishe së paku Poradec, të qetësoje veç liqerin. Por sidosi, pati një Viktor…, që ia mori frymën Qyrku i ndjeshmërisë së vetë, siç edhe një Faik tjetër, të cilit ia prishën tërë zili Balancën…

Ndaj tabloja sa vjen e shfaqet më e trishtë: edhe për më të suksesshmit, mrekullisht, bie fjala, duhet gëzuar që “Kronika në Gur” erdhi para “Viteve të vegjëlisë”, por “Dimrit…” sado “…shkrumbëzoi si “I Vetmisë së Madhe”, iu desh të lindte pas shënimeve për “Hrushovianët”; Të dy prozat romaneske “Komisari Memo” dhe “Njeriu me Top”, siç pa dyshim “Nënë Shqipëri”, “Përse Mendohen Këto Male”, “Shqipëria dhe Tri Romat” apo “Shqiponjat Fluturojnë Lartë”, madje edhe “I Përkasim Komunizmit”, u ofruan si kryetituj të kohës dhe, jo krejt për natyrë të vet, u përkundën si Flamuj dhe Himne, kënduar më këmbë…

“Nudo Zyrtare” ishte sfida e parë në atë farë lirie, që po duhej ta përjetonim pa e pasur ende pjesë organike të frymëmarrjes. Praninë politike në libër ma zuri n’goje një koleg i hershëm, i viteve të rinisë në Selenicë. Nuk ndjehesh mirë, por pas kësaj keqardhje mund të nisesh për tu ikur këtyre gjendjeve. Aurel Plasari, kryetar i Jurisë së Çmimeve të atij viti, m’u shpreh (në ligjëratë të zhdrejtë): “…aq sa pashë unë, je në një udhë. Mua kaq më duhet për të thënë ‘po’ për një çmim…”.

Pra: Po, ka politikë brenda librit, por edhe tani shoh se janë një numër motivesh që më joshën më pas t’i ktheja në tregimet e mia më të mira. Shoh me kënaqësi se, intuitivisht, ndaj motiveve kam qenë më përpara se dorës që shkruante. “Njerëz prej buke”, “Fjala”, “Dritarja e Fundit”, “Nëpunës të Zyrës së Vulës”, “Vetëm për të Ndershmit”, “Pallati I Beqarëve” i kanë bërthamat të fshehura tek “Nudo Zyrtare”. Ngjyresa e Nudos, realisht s’ishte asapk zyrtare. Përkundrazi, nëse kujtoj raportet me politikën, aq më pak me Partitë, krejt të ftohta.

Ndërkaq, si për këdo, ç’kripëzimi prej kënetës së politikës ndodh vetëm kur përmendesh e ndjen natyrshëm se krijimtaria s’është dot letërsi e plotë, pa “njeriun brenda”.

Megjithatë, pas gërricjes së pyetjes suaj, vërej se mbase prej ndikimit e joshjes së ditëve krye-qytetase, në këtë libër i jam larguar, përkohësisht, njerëzve të minierës. Mbase prandaj erdhi suksesi, Çmimi, them, kur i ika vetes! Ndaj kam mbetur gjithnjë i shqetësuar, sa herë ftohesha të isha i ditës, i suksesshëm. Si gjithë të suksesshmeve në tranzicion e revolucion, pohoj se më erdhi mirë ai Çmim, atë kohë, aq më tepër kur e ribotoi edhe shtëpia botuese “Vatra”, në Shkup…

I përmenda autorët më sipër, më të njohurit, më të taelntuarit e pa-penguar të periudhës, si edhe veten, jo si të joshur apo zënë në kurth prej politikës. Shqetësimi qytetar, politik, është mesë i natyrshëm, aq më shumë për ne, krijues në Lindje, që rëndomë vijmë nga gazetaria e shtypi, krye-këmbë pjesë e propagandës. Shqetësimi civil bëhet “hall” i Njëshave politikë, veç kur marrim përsipër të ilustrojmë, kur u shërbejmë shefave të politikës, mos më keq për lavdi e favore në shpinë të kolegëve…Në këto raste po, prania e ideologjisë në librat është mallkim.  Përse jo, vjen e bëhet i domosdoshëm ripunimi për arsye ideore, pra jo thjesht për pa-rehatinë estetike, që natyrshëm shoqëron maturimin e shpirtërimin e krijuesit, kudo e kurdo jeton…

Të jetuarit në një gjuhë tjetër, sa ka ndikuar në shkrimin tuaj?

Absolutisht po. Si për humor, kur më ofrojnë ndonjë libër jo aq të pëlqyer, ose kur am në nge, them:”Oh, s’e ditke që nuk lexoj dot më në shqip?! Në mirëkuptim, shtoj se lexoj veç libra shkruar me shqipen e përpara ‘72-it, në s’janë dot të para 1945-ës ose të viteve ’30(!)

E vërteta është se sa më shumë lexojmë në gjuhë të huaj, aq më të shumta e më të hirshme na rrëfehen bukuritë e shqipes. Larg prej mjedisit plotë miq e kolegë në Tiranë, atje larg ndjehesh gjithnjë e më shumë i lirë të lexosh çfarë pëlqen. Madje të lexuarit nuk diktohet nga njëjshmëria në gjuhën amë. Por, përderisa ende vazhdon të na pulsoj vesi për të ndjekur politikën si mund të shkohet ndërmend neglizhimi i autorëve të këndejshëm. Bashkëkohësia e paevitueshme me Letrat Aktuale Shqipe, natyrisht rezistojnë më shumë se nostalgjia për emrat e mëdhenj të Së Djeshmes. Tek “Fjala e Lirë” e Londrës së Fatmir Terziut, bie fjala, për dëshirë e kënaqësi, hera herës shfaq “Dy Fjalë” për krijime të veçanta, të cilat, më besoni nënshkruhen nga autorë të panjohur…

Për aradhën si unë, që iku vonë, ajo që e mban lidhur me Atdheun apo Mëmëdheun apo Vendlindjen, është Gjuha. Gjuha Shqipe. Megjithatë tingëllon e sforcuar predikata e cave që e lënë Shqipërinë, pa plan kthimi për veten, por rreken tu mësojnë doemos nipëve e mbesave të tyre “shqipen amë”. Gjuha e huaj, anglishtja për më tepër, është me “frymëmarrje perandorake”.

Tek proza eseistike “Atdhe Tjetër” kam hedhur edhe ndjesitë reale teksa hyja në mjediset e gjera- sa vet Kanadaja-, të librarive dhe bibliotekave në Toronto. Në fillimet, më bëhej se në to…s’gjeja thuaj asnjë prej librave që popullonin libraritë e bibliotekat shtetërore e familiare në Atdhe… Zhvendosesha si i dehur mes rafteve të librave në gjuhën e huaj dhe besoja se isha unë I Huaji. Instinktivisht, kërkoja ndjesë, lutesha për tërë ata përkthyes të shkëlqyer që sollën kulturë të huaj në shqipe, edhe pse kryesisht atë klasike. Ndjesë, sidomos për ata shumë-gjuhësit prej Kulturës së Veriut, të cilës iu desh të “ri-edukoheshin” në “Akademinë e Kuçit”, me Bursë të posaçme nga Komisioni i Dëbim-Internimeve. Sidosi nderime si përkthyes, në dilemë njerëzore- edhe për ndonjë emër që pasi nënshkroi dënime kapitale -të Anton Harapit bie fjala, bëri ta lehtësonte shpirtin duke sjellë në shqip kryevepra të njerëzimit…Ishin përkthyesit, bekuar prej shpirtrave e kulturës ku qenë ngjizur, ata që me përkthimet mbajtën gjallë etjen instinktivisht europiane. Edhe pse honi midis, jo për faj të tyre, mbeti ku e ku i madh.

Megjithatë, ndodhur në mjedis ku gjithçka ndodh në gjuhë tjetër, bashkëjetesa më të është jo thjesht e pashmangshme. Për sa më sipër preka, të lexuarit në një gjuhë të huaj si anglishtja shndërrohet fat i madh. Gjithnjë është fjala për “të lexuarin”. Të shkruarit në këtë gjuhë, është…vetin i pakalueshëm. S’mund të thuash se paranë e madhe ta dhuroi vjehrri! Edhe pse, para se të nisesha, kisha përkthyer libër me tregime nga William Saroyan, “No Great Mischief” të kanadezit të njohur Alistair MacLeod dhe “The Grass Harp” të Truman Capote. Por, kënaqësinë e fundme të lojës së gjuhëve midis, e provova së fundi, duke përkthyer “The Power of Myth” të Joseph Campbell…Do doja të besohesha pa kusht, kur them se pasi e lexova së dyti shkova aq dëlirësisht tek dëshira se…ky libër le të ishte edhe në shqipen që mundja!

Sa e sa herë,  sjell ndërmend shkurtimën “liria punon”. Harrohesh në mjedis libror, gjen libra për gjithçka, libra nga kulturat e autorët e tërë botës dhe, pashmangshëm, kujton libraritë me vetëm një Politikan, me vetëm një shkrimtar, me vetëm një Ideologji…Atëherë, si shpresojmë rimëkëmbje të shpejt, dy a tri dekadash? Si pretendojmë të bëhemi, si mund të jemi aq të paduruar, edhe nostalgjikë shfaqemi, kur ironizojmë:

“Ja, e sollët demokracinë, u bënë vite që shkruani në liri, ku i kini veprat e mëdha, siç i kishte ajo kohë?”!

Harrojmë që edhe Socializmës iu deshën dekada, dhe as fizikisht nuk i shteri dot shkrimtarët e viteve ’30; Kastës politike iu desh të ndëshkonte dhe të ndalonte të shkruarat, emrat e autorëve të mëdhenj të së shkuarës e megjithatë iu desh të priste, sa përgatiti elitën e saj, duke mbetur edhe kjo heshturazi por deri në fund inferiore, ndaj asaj shtrese të arësimuar e kulturuar në Perëndim, të cilës megjithatë kërkoi t’i zinte vendin. Deri në fund e lutën Lasgushin të shkruante ndonjë vjershë për Partinë a për dëshmorët…E donin nga ai, pikërisht nga ai…

Shtërgut të Mbramë iu desh të ulte kokën, pranoi të hiqej sikur kishte vdekur….teksa hapje-Dosja shqiptare u njoh fare vonë me Amanetin e Mitrush Kutelit. Priti kthimin e Camajt dhe të të ngjashmëve, si për tu trishtuar edhe prej kësaj, teksa vuri re se…lexuesi tashmë nuk ishte dot më (edhe) i Tyre. Lexuesi i dorëzohet bashkëjetesës, përditshmërisë, librave dhe autorëve që ofrojnë gazetat, televizionet, fëmijët mësojnë gjuhën dhe artin e fjalës nga autorët në tekstet shkollorë…

Së fundi lexuesi duket se u është dorëzuar gjer edhe autorëve çfarëdo të botës, përkthyer ndonjëherë shpejt e shpejt, me ngushëllimin të trishtë edhe më, mjaft që t’i ikë të shkruarave të kohës me Zyrë Shtyp Censure dhe shtëpi të vetme botuese…

Çfarë po shkruani tani?

Jo pak prej mërgimtarëve të mbramë, si puna ime, e kanë më lehtë të pretendojnë se janë larguar nga vendlindja për arësye politike, se sa t’i përgjigjem pyetjeve për komoditete të tilla! Dhe, këtë nuk e them me aq shumë gëzim. Ne jemi pothuaj po ata, së paku në fillimet andej por, në viset ku arrijmë, gjejmë mjedis që kultivon ndjesinë e mirë, kahjen e bukur, prirjen për tu sjellë ligjor, kujdesjen për të ecur në vija të bardha…

Ndaj na e vret veshin përsëritja e ndonjë opinion-bërësi teksa habitet: “Si ka mundësi që edhe jo pak shqiptarë të arsimuar zgjedhin të branisen dhe të lodhen aq shumë? Mjaft të jenë në Perëndim, pranojnë të bëjnë punë të rëndomta, dhe nuk e mendojnë kthimin këtu ku… bëhet jo pak jetë, jo pak qejf!” Po t’i marrësh një nga një, tërë elementët e kësaj ftese për reflektim qëndrojnë, janë të vërtetë. Megjithatë, nuk e kam drojtjen të them se, pikërisht që të mos mendojnë/shprehemi kështu, mërgimtarët sakrifikojnë dhimbjen e tyre të bukur që, pa asnjë mëdyshje, është dhe mbetet Atdheu këtu, Shqipëria. Pothuajse askush, sipas meje, nuk e gjen dot “Atdheun Tjetër”, askund më…

Punën e superintendentit, psh, (në shqip duhet kuptuar meremetime e riparime, pastrime hapësirash të përbashkëta brenda pallateve, pastrim dëbore, hedhje kripe, korrje bari, kujdesje lulishtesh, lyerje muresh, shërbime të pafundme nikoqireje brenda pallateve) mund ta kryesh pa tu dashur aq shume koka me vete. Kthehesh në shtëpi dhe je i freskët. Më shumë se mërgimtar, them për shaka të vërtetë në thelbin e bukur,  jam shndërruar në murg! Nuk është aq e kollajtë kjo, për natyra të tjera, por unë ndjehem për bukuri. Të tjerë të këndejshëm kanë hapësira e mundësi të tjera. Miqësitë familjare i kemi të zgjedhjeve nga më të ndryshmet. Tek e fundit, edhe nëse nuk ishte zgjedhje puna që bëj, me kohë i dhashë kuptim, madje e gëzoj. Aq më shumë në ditë me borë e të ftohtë të thekshëm! Tek e fundit, është mënyra se si vazhdoj ta mbaj gjallë iluzionin tim, leximin dhe të shkruarin, që si zgjedhje e hershme, si fat a destinë, kthyer në mënyrë të jetuari.

Kam mundësi të lexoj, kudo, në çdo orë, dëgjoj muzikë, shoh shfaqje, ndjek biseda politike…oh, nga politika nuk heqim dorë, ne Lindorët!, sfond i përhershëm mrekullues muzika dhe, sërish, kur ndodh të lexoj gjëra me të vërtetë të bukura, sipas mënyrës që e përftoj kënaqësinë, them me tërë shpirt se …s’ka më të shenjtë se…becoming reader, bërja lexues!

E di edhe se ç’ndodh më tej: si qenie të pavendosura dot në një kordinatë të vetme të (para)caktuar, fikse, konsoliduar, pandalshëm dyndin ato që na mbajnë lidhur me vendlindjen: gjuha, nënvetëdija e krijuar atje, viruset e virtytet e marra me vete. Tërë e Shkuara vjen, sidomos netëve, dhe nëse arrij ta kaloj përmes filtrit të pastër prej lexuesi të atjeshëm, ndjej ftesën dhe ngasjen që edhe mund ta shndërroj këtë gjendje të shkuar në diçka më të bukur, më të butë, më njerëzore…sa më larg politikës…së këtushme, sa më imune prej “tiranive të pafundme të Tiranës!”, them me të qeshur, si për një rrëmujë të dashur, aq hilanjoze sa arrin megjithatë të më mungojë shumë!

Mërgimtari që pranon të bëj edhe murgun ka ditur t’i gëzohet një kujtese të habitshme! Kujtesë që ngjallet nga lajme e njoftime që vijnë fare pa-qëllimshëm prej vendlindjes, dhe mbushet e ushqehet edhe më habitshëm. Në të gjithë librat e shkruar në Kanada, motivet janë pothuaj të këndejshme, teksa kam kohë, u bënë vite tashmë, që e shtyj veten nga idea se “lokalja që lexohet e mirëkuptohet si universale, s’është kurrë më provinciale.” Në këtë këndvështrim, vetëm duke u larguar prej minierës, Selenicës dhe Shqipëisë bëhet e mundur të kuptoj e të depërtoj kohën dikur, trojet e njerëzit dikur, dhe të vozis lirshëm si nostalgjik në thelbet e atjeshme. Le të marrim një shembull krejt të rëndomtë: Kisha mbajtur shënim, prej kush e di kur, se një shok pune kishte nisur t’i rrëfente tim-vëllai subjektin e një libri. Vëllai, për t’i bërë shoqëri bisedës së tjetrit, kishte vazhduar pa të keq fillin e rrëfimit të tjetrit, që kishte mbetur pa fjalë:

Pse, e ke lexuar edhe ti këtë libër? /Po, e kam lexuar, i kishte thënë im vëlla…/ Si ka mundësi?!, vazhdoi habinë Tjetri. /Si…”si ka mundësi”?!

“Besoja se këtë libër e kisha lexuar vetëm unë…” qe rrëfyer Tjetri.  I Vetmi Libër, lexuar në jetën e tij…nisja, fillesa, ngacmimi i një tregimi, përfshirë në librin e mbramë: “Këpucë për gjyqin e fundit”, UEGEN.

Një varg motivesh, presin të mendoj e meditoj mbi fjalën që duhet në to. Mbase një ditë do ta botoj edhe një libër/selection, me poezi, shkruar veç në dëshirë, në midisin e këtyre tridhjetë vjetëve prozë. Edhe ndonjë prozë më e gjatë, më ngacmon shënimesh. Mund të përmendja ndonjë titull, “Libra të ndaluar”. Duket si konspiracion, si funksiononte qarkullimi i librave të ndaluar në kohën e pa-lirisë. Mbase të gjithë e dimë, por i vlen të edhe të pyesim: pikërisht ata që listonin “librat e Ndaluar”, që sot mëtojnë diferencimin gjer edhe disidencën ndaj asaj kohe, pikërisht ata i kanë porositur dhe pasur në duar këto libra…! Veti e karaktereve njerëzorë, shoqërive, kulturave dhe letërsive të centralizuara…

Fill pas ’81-it, kujtoj, Ismail Kadare botoi një tregim me titullin “Heqja e profesionit të munxëdhënësve”. Isha ende ne në Selenicë, në minierë. Ia ofrova edhe timEti, ta lexonte. Natyrisht i sinqertë, ndaj atij, mënyrës se si lexoja por edhe ndaj autorit siç e dija atë senè, i thashë babait: “E ka për heqjen e profesionit të veteranëve që nisin Letra Anonime!” ImAt, më vështroi për pak në sy dhe, siç dinte ai t’i verifikonte të thënat e të bërat, pyeti: “Domethënë ti mendon se Ismaili nuk është me Ata?!”

Nuk munda t’i jepja përgjigje. Por ishte fjala për mënyrën se si lexojmë, si shkojmë për tek e vërteta. Linearisht, duke kapërcyer veten, pafundshwm…Mirënjohës, tërë atyre që ndodhi të ecnin të njëjtën udhë, sado shkurt…

Shkruar Nga
More from Redaksia

Horoskopi i ditës, 23 janar 2019

Dashi Kjo e mërkurë do i gjejë të lindurit e kësaj shenje,...
Read More