Është spot elektoral jo Kushtetuta e Shqipërisë

Nga Ervis Iljazaj

Ka ngjallur debat të madh spoti televiziv i Partisë Socialiste ku shihet Kryeministri në rolin e një polici që vendos një gjobë ndaj një shoferi që kalon semaforin me ngjyrën e kuqe. Si shumë mënyra komunikimi të stilit Rama, edhe ky spot duket se ka provokuar shumë opinionin publik.

<

Deri këtu është çdo gjë në rregull. Ka njerëz që mund ta pëlqejnë si gjetje komunikative ose jo. Varet nga shija dhe mendimi i gjithsecilit. Ajo që është absurde në të gjitha kritikat ndaj këtij spoti është rëndësia dhe serioziteti “akademik” me të cilin disa nga zërat e njohur publikë e analizojnë.

Është e rëndësishme që një spot elektoral apo çfarëdolloj spoti të mos paraqesë skena dhune apo skena jo të hijshme që ndikojnë negativisht në masën e madhe të shoqërisë, por kurrsesi nuk duhet të pretendojmë, aq më tepër nga një spot politik në fushatë zgjedhore, që një tillë të përfaqësojnë filozofinë politike, demokratike e shtetndërtuese të një vendi të caktuar.

Komentet rreth këtij spoti arritën deri në atë pikë saqë theksohej mungesa e Kryeministrit për mungesën e uniformës ashtu siç duhet të vishet një polic. Apo të tipit që në një demokraci nuk i bën Kryeministri të gjitha punët. Gjithsecili ka pushtetin e tij. A thua se një marketing politik tregon vërtet ndarjen e pushteteve apo rendin kushtetues të një vendi.

Një spot elektoral është proces komunikimi nëpërmjet të cilit një kandidat ka mundësinë të japë një mesazh politik për të influencuar zakonet, besimet apo sjelljet politike. Ky është qëllimi i vetëm i tij. Dhe kjo nuk është një metodë shqiptare, por, përkundrazi, në fushatat elektorale këtu është një metodë që ka ardhur shumë me vonesa në krahasimi me vendet e tjera më të zhvilluara. Duke qenë se ka një objektiv të tillë, atë të influencimit të sjelljes elektorale, nuk duhet të presim përmbajtjen e tij, por lidhjen direkte emocionale që kërkon të ndërtojë politikani me votuesit.

Ky është realiteti që jetojmë tashmë. Një realitet i cili ka transformuar garën elektorale totalisht. Një garë e cila nuk zhvillohet më midis programeve apo racionalitetit njerëzor, por nëpërmjet lidhjes emocionale dhe besimit që çdo kandidat kërkon të fitojë.

Nëse shohim me kujdes e tillë është edhe kjo fushatë elektorale. Bazohet më shumë te figura e dy liderëve të partive kryesore se sa te një analizë e mirëfilltë platformash.

Andaj, duke parë filozofinë e fushatës të Partisë Socialiste, mesazhi kryesor që ka dashur të japë Edi Rama në këtë spot është pikërisht ideja e tij për të bërë Shtet. Deri në atë pikë sa zbret vetë Kryeministri dhe merret me punët e tij, qoftë duke vënë edhe gjoba. Se sa ia ka arritur të infiltrojë në emocionet apo në mendjen e masave me këtë mesazh publicitar është për t’u parë.

Megjithatë ky është vetëm një spot elektoral, që ka një qëllim të qartë, aq më tepër në një kohë fushate ku “lufta mediatike” është thelbësore. Është absurde të mendojmë që një spot elektoral jep idenë nëse është mirë apo keq të vihen gjobat, është e drejtë apo e gabuar që lekët e tyre të përdoren për spitale, shëndetësi etj. Apo nëse është e drejtë që Kryeministri i një vendi t’i bëjë të gjitha punët e tij.

Në evolucionin mediatik të cilin po përjetojmë dhe që ka ndryshuar mënyrën e të bërit fushatë elektorale, nuk duhen marrë seriozisht spote të tilla. Ato reflektojnë mesazhet emocionale që çdo kandidat për Kryeministër kërkon të ndërtojë me votuesit e tij. Nuk janë as rendi kushtetues dhe as teoritë e demokracisë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Binjakët” e Plaut-it: Pas 2200 vjetësh në Epidamn

U dha premierë në Festivalin “Verë në Epidamn” shfaqja “Binjakët", e cila...
Read More