Ekspertët Rakipi e Gjipali: Vendimi i Holandës, alarm i madh

 

Drejtori ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi, në një prononcim për gazetën “Mapo” e sheh me shqetësim lëvizjen e fundit të Parlamentit të Holandës, sidomos kur kjo nismë vjen pak muaj para se të vendoset për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë si vend kandidat për në BE. “Pas anëtarësimit në NATO, heqja e murit të izolimit ka qenë një fitore e jashtëzakonshme. Pezullimi i lëvizjes së lirë në zonën Shengen nuk varet nga një parlament, mund të shpresohet shumë që kjo nuk do të pasohet nga vendime të ngjashme të vendeve të tjera”- shprehet Rakipi, që shton se: “Është një zhvillim në të gjithë Europën populizmi dhe nacionalizmi, por gjithsesi nuk më duket e drejtë për shkak të krimit të organizuar të ketë penalitete të tilla”.

Nga ana tjetër, drejtori Ekzekutiv i EMA-s, Gledis Gjipali, votimin në Parlamentin e Holandës për pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve, nuk e sheh si rrezik “izolimi”, por një alarm që sipas tij mund të ndikojë në vendimin e ardhshëm për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë me BE-në.

“Propozim i Parlamentit Holandez për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipëri padyshim që nuk është një lajm i mirë. Gjithsesi do të jetë qeveria e Holandës që në fund do të vendosë nëse pretendimet e deputetëve qëndrojnë ose jo dhe nëse mund të ketë një zgjidhje tjetër”– thotë Gjipali. Për të arritur në pezullimin e vizave të zonës Schengen, duhet të ketë një arsyetim nga të gjithë vendet e Bashkimit Europian. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë Shqipëria do bëhej vendi i parë që pasi fiton lëvizjen e lirë, rikthehet pas në kohë, duke izoluar sërish qytetarët e saj.

Kur Europa vetë është në proces zgjedhjesh në maj, duket se po paralajmëron se hapja e negociatave me Shqipërinë, nuk është një votim rutinë. Për Albert Rakipin, deputetët holandezë që votuan për vendosjen e regjimit të vizave, nuk janë nisur vetëm nga çështja e kriminalitetit shqiptar atje, por e ndërlidhin me situatën politike që po kalon vendi yne dhe njëkohësisht kritikat thelbësore shkojnë në drejtim të qeverisë.

“Vendi ndodhet në një krizë politike. Sistemi demokratik funksionon bazuar në sistemet e plota që kanë të bëjnë me parlamentin. Parlamenti është funksional kur ka opozitën e tij. Ne deri tani kemi parë në Shqipëri një demokraci formale. Kam përshtypjen se konsideratat e deputetëve të parlamentit holandez, nuk janë të lidhura vetëm me çështjen e kriminalitetit”– shprehet Rakipi.

Sipas tij, për një shtet normal, ka një ndarje shumë të qartë mes krimit të organizuar dhe politikës, ku kjo e fundit duhet të japë fakte konkrete se është e vendosur në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe se vendi është në normalitet politik. Në lidhje me “justifikimin euroskeptikët…”, Rakipi gjykon se:“të kërkosh armiq është natyrë e shoqërive jomoderne. Mund të fajësojmë lëvizjet populiste, të djathtat ekstreme, por institucionet tona duhet të reflektojne”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Lëshon timonin e makinës, Elvana Gjatës për pak sa nuk i ndodh ‘gjëma’

  Këngëtaraj Elvana Gjata i është kthyer fuqishëm tregut muzikor, pas një...
Read More