Edhe për rastin e Kavajës nuk vlen zgjidhja e dehumanizmit

Sa herë ndodhin krime të rënda, nxitojmë të gjejmë përgjigje të shpejta dhe të thjeshta. Por gjërat janë më të komplikuara

Nga Enton Palushi

Kur nisi lëvizja ‘MeToo’ e denoncimit të krimeve seksuale në tetor të vitit 2017, u tha se personi që e provokoi atë ishte Harvey Weinstein, producenti i famshëm i filmave të Hollivudit. Dhjetëra femra, të famshme ose jo, e akuzuan atë për abuzime seksuale. Por përpara tij, një tjetër histori kishte tronditur mbarë botën perëndimore. Jimmy Savile, DJ dhe moderator i famshëm britanik, ishte arsyeja se përse nisi fuqishëm vala e akuzave dhe protestave. Pas vdekjes së Savile u zbulua shkalla e vërtetë e krimeve të tij. Më shumë se 500 femra kanë deklaruar se janë abuzuar prej tij dhe kjo nuk është asgjë po të marrësh parasysh detajet e krimeve seksuale të Savile. Femrat e abuzuara prej tij janë femra nga 8 deri në 50 vjeç. Të shumta janë viktimat që janë abuzuar prej tij në disa spitale britanike. Madje ndaj tij ka dyshime se ka abuzuar edhe me trupa femrash të vdekura.

Pyetja që i lind shumëkujt në këto momente është se përse po del në dritë vetëm tani shkalla e vërtetë e krimeve të tij. Arsyeja është më e thjeshtë: Savile dhe krimet e tij ishin një ‘sekret i hapur’. Kishte plot në BBC apo në polici që e dinin se çfarë bënte Savile. Por ndonjëherë shoqëria për shumë arsye e ka të vështirë që të flasë hapur për sekretet e hapura. Derisa vjen një moment dhe lindin lëvizje si ‘MeToo’ si për të thënë: Mjaft!

***

Nëse do iu përmbahesh raportimeve të ndryshme në media dhe të gjitha detajeve të historisë së rëndë të Kavajës, e kupton shumë shpejt se bëhet fjalë për një ‘sekret të hapur’. Një vajzë minorene është abuzuar seksualisht nga një grup djemsh dhe shumë persona kanë zgjedhur të heshtin. Dhe do kishin heshtur sikur lajmi të mos kishte marrë dhenë në media.

Ajo që pason në këtë rast është si një ‘deja vu’ e krimeve të shumta të rënda që ndodhin në vend. Gazetat dhe portalet na bëjnë thirrje me të madhe që të shokohemi, të tronditemi, të lemerisemi. Kurse nga studiot televizive dhe nga ‘muret’ e mediave sociale vërshon zemërimi: Këta janë kafshë, këta janë monstra, shoqëria po vdes, mbyllini diku larg përbindëshat, na pastroni racën etj. Thua se problemi më i madh paska qenë një sekret i hapur në një provincë, sikur Tirana nuk i paska sekretet e saj të hapura, të cilat as nuk ngacmohen sepse aktorët janë shumë më të fuqishëm. Por mbi të gjitha, të duket sikur bota është si e ndarë me thikë: Në krijesa të pastra e të bekuara nga njëra anë dhe nga ‘kafshët e ndyra’, nga ana tjetër.

***

Ndoshta ju ka rënë në vesh ose në sy lajmi se aktori Liam Neeson këto ditë po kryqëzohet pasi ka deklaruar se kishte dalë në rrugë me një çomange, i karikuar plotësisht për të vrarë ndonjë ‘bastard të zi’. Historia është e tillë: Neeson zakonisht bën filma ku në qendër është hakmarrja. I tillë është edhe filmi i njohur për shqiptarët, ‘Taken’. Por teksa flet për këto filma, aktori thotë se edhe ai ka një instinkt të fortë të brendshëm për hakmarrje, një thirrje primordiale që nuk e lë të qetë. Kështu i ndodhi atij kur mësoi se një njeriun e afërt e kishin përdhunuar. Pasi u kthye nga udhëtimi jashtë vendit, ai e pyeti atë se kush e kishte bërë krimin. Ajo nuk e njihte, por i tha se ishte person me ngjyrë. Pas kësaj, Neeson doli në rrugë në kërkim të një preteksti për të vrarë dikë. Nuk u desh më shumë dhe rrjeti e linçoi. Moralistët iu hodhën në qafë duke e quajtur racist, anëtar të Ku Klus Klanit e kushedi sa fyerje të tjera. Për ta, Neeson nuk është një njeri.

***

E megjithatë, Neeson tha një të vërtetë të madhe: Ai është njeri si gjithë të tjerët. Është njeri, si ata që kanë vrarë miliona njerëz gjatë Holokaustit. Është si ata që vrasin përditë në emër të fesë e pushtetit. Sepse njeriu është ajo krijesa që kur kapërceu nga mesi i zinxhirit ushqimor drejt kreut, bëri masakra të pazakonta ndaj krijesave të tjera, por edhe brenda llojit. Doni shembuj? Para dy dekadash keni gjenocidin në Kosovë.

Mendoj, se në rrethana të caktuara, në kushtet e duhura, shumica prej nesh janë në gjendje të bëjnë krime të tmerrshme. E kemi parë në kushte laboratorike dhe në realitet, njerëzit mund të manipulohen për të bërë gjëra të tmerrshme. Ndërsa ka disa njerëz që thonë: ‘Jo, nuk e bëj atë gjë’, ata janë thjesht një minoritet, thotë një nga studiuesit më të mirë të psikologjisë njerëzore, Paul Bloom. Ose siç thotë komediani im i preferuar, Louis CK, po të mos ekzistonte dënimi me burg, ai vetë do i kishte bërë ca vrasje me dëshirë.

***

Por le të ndalemi më shumë te dehumanizimi, tendenca që kanë disa për të treguar se ata që bëjnë krime të rënda, nuk janë njerëz. Por a nuk e përdorte edhe Hitleri dehumanizimin për të treguar se hebrenjtë nuk janë njerëz, por vemje?

Nick Haslam, një profesor i Melburnit, thotë se dehumanizimi përdoret edhe në kahun e kundërt. Anëtarët e tërbuar të shoqërisë bëjnë thirrje që abuzuesit seksualë të quhen kafshë. Psikopatët i trajtojnë viktima e tyre si objekte. Të varfrit i tallim. Lypsat na duken si pengesa transparente. Pacientët me demencia na shfaqen si zombie, thotë ai.

Por psikologu Paul Bloom vjen me një tezë shumë më interesante. Ai thotë se për mirë ose për keq, dehumanizimi nuk bëhet për shkak se duam t’i shohim të tjerët si objekte.

“Shumë njerëz mendojnë se mizoritë në botë ndodhin për shkak të dehumanizimit. Ata thonë se gjithçka ndodh kur ne dështojmë në vlerësimin e të tjerëve si humanë. Kjo sjell skllavëri dhe gjenocid. Nuk mendoj se është tërësisht e gabuar. Por mendoj se shumë gjëra ndaj të tjerëve ne i bëjmë nga fakti se ne i shohim të tjerët si njerëz. Ne bëjmë gjëra të tmerrshme me njëri-tjetrin pasi në të vërtetë njohim humanitetin e personit tjetër”.

Personat që kryejnë krime seksuale ndaj të tjerëve nuk e bëjnë këtë për shkak të dehumanizimit, por sepse ndiejnë se dashuria dhe romanca e femrave nuk është shtrirë mbi ta.

Edhe në një kamp përqendrimi shohim njerëz që torturohen dhe mendimi i parë është se po i trajtojmë si kafshë. “Por nëse i sheh këta njerëz si kafshë, nuk do marrësh kënaqësi. Nuk mund të poshtërosh kafshët- vetëm njerëzit”.

***

Është e vështirë që të zbulosh se cilat janë rrënjët e të keqes. Por fakt është se këtë nuk e bëjmë dot duke menduar se disa janë kafshë apo monstra dhe të tjerët janë njerëz. Superioriteti iluziv dhe tezat raciste kanë prodhuar boll krime. Ajo që duhet të besojmë është se ne kemi anën tonë të mirë dhe atë të keqe. Në të dy rastet, krimet tona lindin pasi i shohim të tjerët si njerëzorë. Siç sugjeron Bloom, shumë njerëz e kanë të thjeshtë ta shohin realitetin ku aktet tona më të këqija kanë një shpjegim të thjeshtë. Duket sikur mjafton të çaktivizosh një implant në tru dhe do e shohim realitetin më qartë. Madje do bëhemi qenie më të mira. E vërteta është më e koklavitur. Derisa ta kuptojmë këtë, do vijnë të tjera lajme të rënda dhe portalet do ulërasin me tituj ‘shokues’, kurse studiot do mbushen me njerëz që kërkojnë racën e pastër njerëzore dhe që i quajnë kriminelët ‘kafshë’. Duke i ofenduar këto të fundit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PROFIL/ Pandeli Majko, thinjat që nxjerrin krye në çdo krizë

Kur ndodhin lëkundje të forta tektonike në politikën tonë, disa gjëra shoqërojnë...
Read More