Aktualitet

Edhe nga burgu, kandidat për president








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:48 - 11/04/18 |
mapo.al

Ish-presidenti i Brazilit, Lula da Silva do të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të Tetorit të këtij viti.


Pavarësisht se aktualisht 71-vjeçari ndodhet në burg, ku sapo ka filluar të vuajë një dënim prej 12 vitesh heqje lirie, për shkak të disa akuzave për korrupsion, Partia e Punëtorëve në Brazil konfirmoi se do të jetë pikërisht Lula da Silva kandidati i saj për presidencialet.


Vendimi është konfirmuar zyrtarisht gjatë një mbledhjeje të ekzekutivit kombëtar të partisë, në shtetin e Paranas, ku ndodhet dhe burgu ku ish presidenti po kryen dënimin e tij që nga e shtuna e kaluar.


Kryesia e partisë së Punëtorëve në Brazil konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e saj se Lula nuk ndodhet në burg se është fajtor, por sepse është një kandidat shumë i fortë dhe rivalët e kanë frikë.


Ish-presidenti brazilian u shpall fajtor nga një gjykatë gjatë javës së kaluar, ndërsa u dërgua në burg të shtunën në mbrëmje, pavarësisht se vendimi është apeluar.


Vetë Lula nuk e pranoi asnjëherë të jetë i përfshirë në afera korruptive, teksa ka këmbëngulur se kjo është një lëvizje e rivalëve të tij, për të penguar kandidimin në zgjedhjet e ardhshme.

Lula Da Silva u bë president i Brazilit në janar të 2003-shit dhe drejtoi vendin deri në 2011-ën, duke u mbajtur mend si Presidenti që bëri një sërë reformash ekonomike dhe nxori nga varfëria ekstreme miliona brazilianë.


Etiketa: , , , ,

Pas