Eda Gemi: Besoj se vota e shqiptarëve në Greqi do të bëjë ndryshimin

Një moment historik për komunitetin shqiptar në Greqi, ku për herë të parë do të kenë të drejtën e votës më shumë se 200 mijë shqiptarë, njëra prej tyre kërkon votat për t’i përfaqësuar ata në Parlamentin Europian.

Nga Blerina Gjoka

Udhëtimi i parë i saj drejt Greqisë nisi në vitin 1992 me synimin që të ishte një vend tranzit drejt një vendi tjetër europian, ku planifikonte të studionte, por u vendos atje për 27 vitet e ardhshme, vite të rëndësishme për të, kur u shkollua, krijoi familje dhe ndërtoi karrierën. Ky është udhëtimi i shqiptares Eda Gemi që sot kandidon në listën e PASOKU-t për Parlamentin Europian, në një listë elitare, ku krahas saj janë Niko Papandreu nga familja që ka nxjerrë dy kryeministra dhe Jorgos Kaminis, kryetar aktual i bashkisë së Athinës.

Një emigrante shqiptare e Greqisë, që ka advokuar gjithë jetën e saj për të drejtat e emigrantëve. Në një moment historik për komunitetin shqiptar në Greqi, ku për herë të parë do të kenë të drejtën e votës më shumë se 200 mijë shqiptarë, pikërisht njëra prej tyre kërkon votat për t’i përfaqësuar ata në nivelin më të lartë legjislativ të BE-së, në Parlamentin Europian.

Greqia, si një fat i paracaktuar 

Sportive dhe shumë energjike ajo e ka sfiduar Tiranën e pluhurit dhe të trafikut me biçikletën e saj në dy vitet e punës këtu si pedagoge në shkencat politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ardhja në Tiranë ishte si një rikthim te një ëndërr e lënë në mes në dhjetorin e vitit 1990 e fillim vitin e 1991-shit, ku ajo ishte pjesë e lëvizjes së madhe studentore që solli ndryshimin e sistemit komunist. Por ëndrra e vërtetë e priste në Athinë.

Ajo e përqafoi fatin e saj duke bërë më të mirën dhe pas kaq vitesh kandidimi në zgjedhje, ku për herë të parë shqiptarët kanë të drejtë të përfaqësohen dhe të zgjedhin, duket tejet shpërblyes për përpjekjet e gjithë këtyre viteve.

“Kam 30 vite që jetoj në Greqi. Aty kam bërë shkollën, masterin, doktoraturën, aty kam krijuar familjen. Greqia është një vend, ku jam zhvilluar nga ana intelektuale”, thotë ajo.

Në vitet 1998-1999 pas përfundimit të universitetit të Athinës punën e parë e nis si mësuese e gjuhës greke për të huajt. Më pas nis specializimet për të drejtat e njeriut, fushë në të cilën do të angazhohej në vazhdimësi.

Për emigrantët shqiptarë në Greqi, emri dhe zëri i saj u bënë të njohur që në vitin 2001, kur ajo drejtonte një emision në radio ERT në gjuhën shqipe.

Më pas Gemi angazhohet pranë zyrës së Komitetit të Helsinkit në Athinë për të drejtat e njeriut dhe kryesisht të drejtat e emigrantëve e më tej si anëtare e komisionit te politikave migratore pranë zyrës se kryeministrit Papandreu.

Në fillim të viteve 2000 kam qenë këshilltare e një eurodeputeteje greke e PASOKU-t, Ana Karamanu, për herë të parë kam pasur kontakte me Parlamentin Europian dhe kam parë mekanizmit se si PE funksionon. Në kuadër të kësaj pune u mora shumë ngushtë me të drejtat e njeriut, të drejtat e emigrantëve dhe temat e Ballkanit. Në vitin 2010 Papandreu ndryshoi ligjin për nënshtetësinë dhe ky ka qenë një moment historik, pasi emigrantët deri aso kohe nuk kishin akses te nënshtetësia greke. Kjo ishte shumë e rëndësishme kryesisht për brezin e dytë.

Ajo nuk e ka parë asnjëherë fatin e saj të ndarë nga komuniteti shqiptar atje dhe prezencën e saj në listë e sheh si një mundësi për bashkuar votën e shqiptarëve.

Pse PASOK-u e kandidoi?!

Ajo beson se kandidimi i saj ka ardhur për shumë arsye. “E para ka ardhur për faktin se unë kam qenë afër politikave përkatëse që ka artikuluar PASOK-u. Pra, erdhi si një rrjedhë logjike e qasjes ideologjike dhe bashkëpunimit shumëvjeçar”. “Përveç meje ka dhe emra të tjerë shqiptarë nëpër lista për zgjedhjet lokale dhe për parlamentin helen. Diçka e tillë ndodh për herë të parë edhe pse komuniteti shqiptar atje është tashmë gati 30-vjeçar dhe numëron një shifër rreth 450 mijë emigrantë. Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme janë rreth 230 mijë shqiptarë që kanë marrë nënshtetësinë greke brenda viteve 2011-2018”.

Ndryshimi që mund të vijë nga vota e shqiptarëve

“Besoj se vota e shqiptarëve do të bëjë ndryshimin. Është hera e parë që ata kanë të drejtë që të votojnë masivisht dhe është hera e parë që përfaqësues nga ky komunitet dalin në listat e kandidimit në të gjitha nivelet. Imagjinoni çfarë pikë takimi është ky moment historik”, shprehet Eda për MAPO.

Ajo beson se në këtë garë nuk është vetëm. Ndërkohë ka ndjerë që një erë e re pozitive po fryn dhe nga pikëpamja e mbështetjes, si nga mediat, ashtu dhe organizatat shqiptare.

“Në këtë lloj përpjekjeje nuk jam vetëm. Kam shumë miq të mirë grekë, që janë përparimtarë dhe që e shohin Greqinë si pjesë të Bashkimit Europian, ku çdo grup social duhet integruar, ku çdo grup social duhet të jetë i barabartë”, shprehet Gemi.

Për shqiptarët është një moment i madh marrja e nënshtetësisë dhe aksesi i drejtpërdrejtë në sistemin grek, beson Gemi, por ajo thekson se ka akoma shumë punë për të bërë.

“Të marrësh një pasaportë në dorë nuk është gjithçka. Që të jesh i barabartë është të kesh akses në proceset demokratike, të jesh i përfaqësuar. Ka akoma punë për të bërë me komunitetin për integrimin në shoqëri akoma më thellë. Prezenca ime është përfaqësim që kërkon të mbledhë rreth vetes shqiptarët që janë në Greqi, jo vetëm nga pikëpamja etnike, por një grupim nga pikëpamja sasiore e cilësore që duhet të ketë fjalën, përfaqësimin në vendimmarrje”.

Telefoni i bie pareshtur. Miq të saj shqiptarë në Greqi e marrin ta urojnë dhe e pyesin se kur do të organizojë takimet elektorale.

Zgjedhjet janë në Maj dhe Greqia ka vendosur t’i çojë qytetarët e saj në kutitë e votimit për të dhënë votën në dy zgjedhje të ndryshme njëherazi, ato lokale dhe europiane.

Një tik i vogël në kutitë e votimit mund të bëjë një ndryshim të madh për shqiptarët që jetojnë atje.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PPP-të si një prezantim i fashizmit në ekonomi

Nga Gentian Kaprata – Memo Sovranit Prej vitesh, tashmë, mbetem në bindjen...
Read More