E tashmja duhet shijuar

Nga Alessia Selimi

“Të qenit pozitiv nuk do t’ju garantojë suksesin. Por të qenit pesimist, s’do t’ju garantojë asgjë tjetër përveçse dështimin”-Jon Gordon

Pothuajse në çdo tavolinë ku bëhesh pjesë, është e pamundur t’i shpëtosh frazës “Ky vend nuk bëhet kurrë”. Kam përshtypjen se arrihet të artikulohet lehtësisht nga çdokush; fundja, pesimizmi mund të konsiderohet pa frikë si sëmundja më e lehtë për t’u trashëguar. E megjithatë, një sondazh i kryer vitin e kaluar nga Komisioni Europian, nxjerr shqiptarët si popullin më optimist në të gjithë Europën. Sipas KE-së, 61% e tyre mendon se cilësia e jetës do të përmirësohet.

Mirëpo, po t’u bazohemi studimeve të gjera, nëse konstatimi i mësipërm do të ishte i saktë, parja e gotës plot do të kishte sjellë ndryshime mjaft pozitive në shoqëri; rritjen e jetëgjatësisë, një shëndet të përgjithshëm më të mirë mendor, sukses gjithnjë e më në ngritje në aspektin profesional, strategji më të mira përballuese përpara vështirësive, norma më të mëdha të rimëkëmbjes nga operacionet e zemrës etj.

Më duhet ta pranoj se do ta mbushja faqen pafund me të mirat që do të sillte optimizmi në shoqërinë tonë, të cilës mjafton t’i cekësh vetëm një pikë, atë të jetëgjatësisë. Të dhënat demografike sinjalizuan në vitin 2018 një situatë tejet alarmante. Shtesa natyrore e popullsisë ishte 7130 persona, niveli më i ulët së paku që nga viti 1948, pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Por le t’i rikthehemi gjenezës së problemit, le të shtrojmë pyetjen se përse mungon optimizmi. Përgjigja në kompleksitetin e saj, është tepër e thjeshtë për Drejtorin e Qendrës së Psikologjisë Pozitive të Universitetit të Pennsylvanisë. Qenia njerëzore, sipas Martin E.P Seligman, është cilësuar më kot si qenie e mençur (homo sapiens), pasi në të vërtetë ajo çfarë bën më së miri ajo është të projektojë të ardhmen. Seligman beson se një emër më i përshtatshëm për specien tonë do të ishte “qenie projektuese” (homo prospectus).

Është fuqia e hulumtimit ajo që na bën njëkohësisht të mençur dhe të mefshtë. Përse e them këtë? Sepse duke parë nga e ardhmja, me vetëdije apo pa vetëdije, ne jemi shndërruar në të burgosurit e të kaluarës dhe së tashmes. Kjo e fundit rrëshqet në duart tona si të ishte rërë e imët. Ne bëjmë sakrifica sot, për t’u shpërblyer në të ardhmen, pa patur shumë rëndësi nëse është e afërt apo e largët. Ne studiojmë për të siguruar një vend të mirë pune, në mënyrë që të fitojmë të ardhura të kënaqshme, që këto të fundit rrjedhimisht të na shërbejnë për një jetë komode.

Ne shtrojmë pyetje se çfarë do të ndryshonim po të kthenim kokën pas, gjithnjë në funksion të së ardhmes së lavdishme. Pra, thënë ndryshe, ne zbatojmë skema të ngrira shoqërore që vështirë se mund të lënë hapësirë për doza pozitiviteti. Duke menduar gjithnjë për pengesat që mund të na parashtrohen, dështimet që mund të na godasin në fytyrë…gjithçka duket se merr tone të errëta. Njeriu prangoset nga vorbulla e mendimeve që s’bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë një spirale heshtjeje, pasi prej tyre nuk merr kurrherë përgjigje. Edhe kur themi “Ky vend nuk do të bëhet kurrë”…çështja është që ju po jetoni në këtë moment. Përse të harxhoni kohë dhe energji për diçka që nuk ka ndodhur. Për më tepër, koha nuk është asgjë më shumë sesa thjesht një iluzion. E vetmja pikë referimi e jona është ekzistenca momentale, ndjesia e pranisë, e të qenit në këtë botë fizikisht dhe të parit atë përmes syve. Nuk të pëlqen ajo që sheh? Ndryshoje! Po si? Duke filluar nga vetja, duke ndryshuar mënyrën e të menduarit dhe gjykuarit. Vendi nuk mund të bëhet nga njerëz robotikë, që bien pre e përsëritjes së frazave boshe.

Braktiseni rrjedhën e monotonisë. E di që është shumë më e lehtë në të thënë sesa në të bërë, por kjo jetë, e vetmja që na është ofruar, duhet shijuar nën ujërat e spontanitetit, e aktiviteteve që jo detyrimisht do të na ofrojnë diçka madhore në këmbim. E tashmja duhet shijuar me diell, re, shi e stuhi. Duhet ndjerë me lot, dashuri dhe përqafime. Me gjithçka dhe me çdo gjë tënden, e nëse je optimist fillimisht për unin dhe më pas për shoqërinë, kjo e fundit, më besomëni, do të ishte shumë më ndryshe nga çfarë na paraqitet sot. Me shumë gjasa, do të paraqitej me ngjyra, shumë ngjyra.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pierre Hassner dhe revanshi i pasioneve

Shuhet Pierre Hassner, specialisti i famshëm i marrëdhënieve ndërkombëtare i Institutit të...
Read More