fbpx

Dikur

Dritëhije mbi ‘grabitjen’ e floririt të shtetit shqiptar





               Publikuar në : 07:40 - 17/04/19 |
mapo.al

Nga Veli Haklaj


1.Hyrje



Një ndër problemet më të diskutuara në rrugëtimin e shtetit shqiptar është dhe historia e floririt që administrohej në institucionet financiare të shtetit. Kjo veçanërisht në momentet e ndryshimeve të regjimeve, në 1924-ën, 1939-ën, 1944-ën, 1990-ën, 1997-ën etj. Megjithatë duhet pranuar se ndër ngjarjet më të diskutuara, por dhe të trajtuara në punime dhe studime të shumta, është largimi i Mbretit Zog nga Shqipëria (7 prill 1939) dhe akuzat që i janë bërë në mënyrë sistematike për “grabitjen” e floririt të shtetit. Kjo ngjarje do të jetë objekt kryesor edhe i këtij punimi që sjellim për lexuesin e gazetës “Mapo”, ku me interes është dëshmia që sjell në një letër ish-oficeri i Mbretërisë Shqiptare, Gjon Fusha.


2.Ikja e qeverisë së Fan Nolit dhe shumat e parave të marra nga arka e shtetit

Pas një qeverisje gjashtëmujore, me Triumfin e Legalitetit në dhjetor 1924, qeveria e Fan Nolit u largua jashtë shtetit. Që më 22 dhjetor 1924, nga presioni i forcave të armatosura të drejtuara nga Ahmet Zogu dhe Musa Juka, nga krahu i Veriut, dhe Koço Kotta e Myfit Libohova, nga krahu i Jugut, duke e parë të pamundur të mbajë pushtetin, Noli dhe kabineti i tij u vendosën në Vlorë. Në gazetën “Shqipëri e re”, shkruhej: “Qeveria tue lënë Tiranën, u mblodh në Vlonë, e cila u deklarua kryeqytet i hëpërhëshëm i Shtetit Shqiptar”.

Në ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, qeveritarët e Nolit u kujdesën që të merrnin nga arka e shtetit shuma të konsiderueshme frangash ari. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të zhvilluar në Vlorë më 25 dhjetor 1925, të drejtuar nga kryeministri Emzot Fan Noli, me anëtarë ministri i Punëve Botore Qazim Koculi, zëvendësisht ministri i Financave Av. Stavri Vinjau dhe ministri i Punëve të Jashtme Sulejman Delvina, u vendos që Drejtoria e Financave të Vlorës të paguante rrogat e nëpunësave të qendrës dhe të qarqeve në bazë të vërtetimit që do të bëhej nga zëvendësisht ministri i Financave, duke i llogaritur për njehsin e arkës së përgjithshme si dhe të ndryshme.

Ky vendim iu përcoll për njoftim dhe veprim Drejtorisë së Financave Vlorë nga zëvendësisht ministri i Financave Av. Stavro Vinjau, ku urdhërohej që pagesat të bëheshin nga nëpunësit nën responsabilitetin e Ministrisë së Financave. 

2.1 Lista mbi pagesat që janë bërë në datat 25 dhe 26 dhjetor 1924 nëpunësave të larguar

Arka e përgjithshme

  1. Angjelin Suma, Drejtor i Kontabilitetit në Ministrinë e Financave, 580 franga ari.
  2. Mustafa Kallamishi 326,10 franga ari.
  3. Mehmet Bilali, kapiten i barkës, 434,75 franga ari.
  4. Nënkolonel Ismail Haki Tatzati, major Rexhep Berati dhe major Ibrahim Jakova 60 000 franga ari.
  5. Toger Aleks Plumi 9 241 franga ari.
  6. Ministrat rrogë 3 900 franga ari.
  7. Xhemal Bushati zëvendësisht Ministër i Punëve të Brendshme 5 000 franga ari.
  8. Xhemal Bushati zëvendësisht Ministër i Punëve të Brendshme 3 000 franga ari.
  9. Llazar Fundo, kryetar i Komisonit të “Bashkimit”, 1 608,70 franga ari.

10 Kryeministri Fan Noli, shpenzime automobili, 300 franga ari.

  1. Qazim Koculi, Ministri i Punëve Botore, 375 franga ari.
  2. Qazim Koculi, Ministri i Punëve Botore, 41,50 franga ari.
  3. Sulejman Delvina, Ministri i Punëve të Jashtme, 240 franga ari.
  4. Stavro Vinjau për Bahri Omarin 1 000 franga ari.
  5. Sulo Bodga e Ibrahim Dedeja 960 franga ari.
  6. Petro Pekmezi, nëpunës i Ministrisë së Punëve Botore, 171 franga ari.
  7. Vangjel Papa, sekretar i Gjyqit Ushtarak, 400 franga ari.
  8. Shoferi i Kryeministrit 152 franga ari.
  9. Mustafa Banka, protokollist i Ministrisë së Arsimit, 380 franga ari.
  10. Zyber Bakiu, sekretar i Ministrisë së Drejtësisë, 475 franga ari.
  11. Bilbil Rustemi, polic i Kryeministrit, 266 franga ari.
  12. Avokat Mihal Lehova, anëtar i Gjyqit Politik, 350 franga ari.
  13. Shefqet Kulleçi, protokollist i Ministrisë së Punëve të Brendshme, 342 franga ari.
  14. Haki Mulleti, sekretar i III-të i Ministrisë së Punëve të Brendshme, 475 franga ari.
  15. Ali Sulejmani, shpenzime komunikimi, 300 franga ari.
  16. Brahim Sula, për transportin e ushtrisë, 326 franga ari.
  17. Kostantin Kota, nëpunës Parlamenti, 285 franga ari.
  18. Serafin, stenograf Parlamenti, 380 franga ari.

__________________________________________

Shuma 92 309,15 franga ari.

Arka e Financave të Tiranës

  1. Beqir Rusi, nënprefekti i Tiranës, 684 franga ari.
  2. Mustafa, telegrafist në Tiranë, 304 franga ari.
  3. Ethem Bolena, polic në Tiranë, 266 franga ari.
  4. Bexhet Neim, polic në Tiranë, 266 franga ari.
  5. Mazhar Sopoti, sekretar i Gjyqit të Fillimit, 266 franga ari.

__________________________________________

Shuma 1 786 franga ari.

Arka e Drejtorisë së Financës së Durrësit

  1. Prefekti, zotni Riza Dani, 1 326 franga ari.
  2. Nënprefekti i Shijakut, Musa Maçi, 957,60 franga ari.
  3. Ali Fërtuzi, kryesekretari i Durrësit, 237,50 franga ari.
  4. Luigj Zaja, protokollist i Prefekturës, 413,25 franga ari.
  5. Muharrem Geçi, komiser i Policisë së Durrësit, 1 099 franga ari.
  6. Kasem Durrësi, nëpunës i kadastrës, 551 franga ari.
  7. Shaban Belegu, mësues i Shijakut, 342 franga ari.
  8. Rexhep Dizdari, drejtor i Shkollës së Shijakut, 190 franga ari.
  9. Ali Tattari, sekretar i Gjyqit të Paqit, 100 franga ari.

__________________________________________

Shuma 5 278,60 franga ari.

Financa e Shkodrës

  1. Riza Dani për Drejtorinë e Financave të Shkodrës, 40 000 franga ari.

Financa e Dibrës

  1. Qazim … (nuk pasqyrohet shuma)

Financa e Elbasanit

  1. Kol Tromara, prefekti i Elbasanit, 1 306,25 franga ari.
  2. Hysen Prishtina, nënprefekti, 812,25 franga ari.
  3. Demir Kodheli, drejtori i Shkollës së Peqinit, 418 franga ari.
  4. Ahmet Burburja, mësues i Elbasanit, 551 franga ari.
  5. Mahmut Çela, arkëtari i Financës, 455,90 franga ari.

__________________________________________

Shuma 3 543,40 franga ari.

Financa e Gjirokastrës

  1. Hil Mosi, prefekti, 183,35 franga ari.
  2. Dr. Zezai Çomo, për bursë, 680 franga ari.
  3. Dr. Zezai Çomo, për bursë, 293,45 franga ari.

__________________________________________

Shuma 1 157,80 franga ari.

Financa e Përmetit

  1. Koço Çipi, nënprefekti, 812,25 franga ari.

Financa e Kavajës

  1. Qazim Mulleti, nënprefekti 410,40 franga ari.

Financa e Lushnjës

  1. Naun Prifti, mësues, 114 franga ari.

__________________________________________

Shuma e përgjithshme (Arka e përgjithshme + arkat vendore) 146 376,20 franga ari.

2.2 Pagesa për propagandën e Shoqërisë “Bashkimi” dhe Beqir Valterin

Fan Noli dhe mbështetësit e tij u kujdesën që të kishin me vete burime financiare edhe për të mbuluar propagandën në mbështetje të qëllimeve të tyre politike. Korrespondenti nga Tirana i gazetës “Shqipëri e Re”, më 4 janar 1925, njoftonte: “Z. Llazar Fundo mori në Vlorë nga ish-qeveritarët 8 000 fr.ari dhe 1 000 lireta për të vazhduar propagandën e “Bashkimit” në Itali.

Një nga të shpërblyerit ishte dhe atentatori i Ahmet Zogut, Beqir Valteri, të cilit “ish-qeveritarët i dhanë 6 000 fr.ari për shpërblim të shërbimeve që u pati bërë.”

2.3 Sjellja dinjitoze e Bajram Currit

Krejt ndryshe do të ishte qëndrimi i Plakut të Maleve Bajram Currit. Nëse në këtë periudhë orientimi i tij politik nuk ishte ai i duhuri, marrëdhënia e tij me financat e shtetit shpreh thelbin e shpirtit të tij fisnik.

Sipas At Valentinit, “kur në fund të 1924-ës Qeveria [e Nolit], së cilës ai i kishte shërbyer me gjithë zemër e me gjithë trimnin e fuqinë e vet – pá shpërblim si gjithë herë – ishte vum në t’ikun, dikush Bajramit i shtini në vesh se shumë lehtas mund të merreshin tetë mijë napolona që ruheshin n’arkë të financës, për mos t’ua lânë në dorë kundërshtarëvet edhe për të pasë mjete me vijuem në qëndresë. Trimi s’përgjegji tjetër por veç: Faqe të zezë vedit s’i lâ”.

3.Ahmet Zogu dhe floriri i shtetit shqiptar

Sa herë kujtohet pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939, në memorien e çdo shqiptari vijnë dhe akuzat që i janë bërë me shumicë Ahmet Zogut për “grabitjen” e floririt të shtetit shqiptar. Kjo dhe falë propagandës intensive të regjimit komunist, por dhe gjymtyrëve të zgjatura të këtij regjimi në periudhën e viteve të demokracisë.

Në vijim do të paraqesim disa momente kryesore për këtë problem, duke sjellë për lexuesin e gazetës “Mapo” dhe një akuzë të pabazë ndaj Ahmet Zogut për përvetësim frangash ari në periudhën e revolucionit të Qershorit 1924.

3.1 Raportimi i “Shqiptarit të Amerikës”

Akuza për marrje parash në arkën e shtetit pati për Ahmet Zogun edhe me largimin e tij në Jugosllavi, pas Revolucionit të Qershorit 1924. Nën titullin “Zogolli rrëmbeu Arkën dhe xhveshi Popullin”, gazeta “Shqiptari i Amerikës” raportonte: “Pas një lajmi prej Tirane, Zogolli, para se të arratisej [për në Jugosllavi], shkëputi me forcë prej popullit të Tiranës 100 000 frang ari, prej Durrësi 60 000 franga ari dhe arkën e përgjithshme të shtetit e zbrazi krejt.”

Sigurisht që ky lajm ishte në kuadër të propagandës së kundërshtarëve politikë, sepse në procesin politik të zhvilluar pranë Gjykatës Politike të kohës së qeverisjes së Fan Nolit, korrik – gusht 1924, nuk ka asnjë akuzë për Ahmet Zogun apo zyrtarët e tjerë të larguar me të në Jugosllavi për abuzime financiare.

3.2 Floriri që kishte me vete Ahmet Zogu, sipas Gjon Fushës

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin 165 (Milicia Fashiste Shqiptare), viti 1939, administrohet dosja nr. 2, me titull: Informacion i një ish-oficeri zogist mbi ikjen e Zogut dhe suitës së tij në prill të 1939-ës, si dhe shumat përkatëse në flori që kanë marrë me vete. Në dosje ndodhet vetëm një fletë, letër e hartuar në gjuhën italiane, me shkrim dore, nga ish-oficeri Gjon Fusha, mban datën 10 prill 1939 dhe është protokolluar me datën 11 prill 1939.

Në këtë letër drejtuar njërit prej përfaqësuesve të pushtuesve italianë, Gjon Fusha informon:

“Ekselence!

M’informojnë nga burime të sigurta se më 08. 04. 1939 bagazhet e Mbretit Zog dhe suitës së tij pasuese për në Greqi u kontrolluan nga autoritetet greke dhe kanë gjetur: 250 000 napolona ari për Mbretin Zog, 60 000 napolona ari për Abdurrahman Matin, 40 000 napolona ari për gjeneralin [Xhemal] Aranitin, 40 000 napolone ari për ministrat Musa Juka etj. etj.

Suita e tij përbëhej nga: Stafi i kabinetit të tij, Gjeneral Araniti, Kolonel Hysen Selmani, Kolonel Shefki Shatku, Kolonel Fiqri Dine, Kolonel Ali Riza, nënkolonelat Komani dhe Osman Gazepi, Nënkolonel [Sami] Koka, Major Sidki Shkupi, Major Sabri Xhilani, Major Allaman Çupi, Kapiten Ndre Kurti, kapitenat Hasan Kupi dhe Xhemal Herri, Toger Hasan Kaloshi, Lejtnant Beqir Zeneli dhe shumë oficerë të tjerë të ulët.

Shumë zyrtarë i thanë [Mbretit Zog]: “Të lutem, të vij me ty!”, por ai u përgjigjet: “Jo, kthehu, sepse me mua do të vuash, nuk të siguroj asgjë tjetër përveç bukës dhe banesave”, dhe kështu shumica e oficerëve janë kthyer.

Ata që e ndoqën atë dhe janë në Greqi me të, të gjithë janë të dëshpëruar.

Ndihmësit e tij janë kolonel Selmani dhe nënkolonel Sami Koka. …”

VIJON… 

Burimet:

AQSH, F. 157 – Gjykata Politike, V. 1924, D. 34.

AQSH, F. 165 – Milicia Fashiste Shqiptare, V. 1939, D. 2.

Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi i dytë 1912-1925, Shtëpia e librit dhe komunikimit, Tiranë, 2001.

Faik Quku, Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore 1, “ILAR”, Tiranë, 2006.

Hysen Selmani, Nga notimet e Zogut I – Mbretit të shqiptarëve, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008.

Zef Valentini, Bajram Curri, botuar në Bota Shqiptare, “Gurakuqi”, Tiranë, 1943.

55”, 2 shkurt 2003.

Republika”, 2 shkurt 1925.

Shqip”, 31 gusht 2014.

Shqipëri e Re”, 11 dhe 18 janar 1925.

Shqiptarja.com”, 12 Korrik 2013.

Shqiptari i Amerikës”, 24 qershor 1924.

 


Etiketa: , , , ,

Pas