fbpx

Kronika

Drejtësia e re: Vetting me një “kriter”, SPAK ende një mirazh





               Publikuar në : 09:15 - 25/03/19 |
mapo.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, mes presionit të kohës dhe anashkalimit për hetimin e pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Flet eksperti i sigurisë, drejtuesi i CSDG, Arjan Dyrmishi: “Edhe një kriter i vetëm është i mjaftueshëm për ta arritur këtë qëllim”. SPAK dhe rruga e gjatë e saj, nga 27 aplikantë, vetëm për 5 prej tyre është kryer vettingu.


Nisi me shumë bujë, por po kthehen në “lajme rutinë”, shkarkimet apo konfirmimet në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Debati në lidhje me Reformën në Drejtësi më së shumti po gjykohet mbi mënyrën si po shkon procesi, por pjesa e dukshme është se nën trysninë e kohës, por edhe për të shmangur hetimet e thelluara, KPK po mjaftohet në vlerësimin vetëm në një kriter: atë të pasurisë, ndërsa ka anashkaluar kriterin e vlerësimit të pastërtisë së figurës dhe të aftësive profesionale. Në marsin e vitit të kaluar nisi procesi i vettingut, ndërsa deri më tani që sapo është mbushur viti, janë 112 vendime, 17 prej të cilave u përkasin zyrtarëve të larguar me dorëheqje. Përgjatë një viti, trupat gjyqësore të KPK-së kanë konfirmuar në detyrë 48 subjekte, kanë shkarkuar nga detyra 47 të tjerë, ndërkohë që 18 raste të konfirmimeve në detyrë janë apeluar nga ONM apo Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Përtej shifrave, që më së shumti lidhen me debat sasior, ka vend për diskutim të fortë mbi vendimet cilësore. Rreth 90 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar janë vlerësuar vetëm në një kriter, atë të pasurisë, ndërsa pjesa tjetër ka pas edhe problem me integritetin moral dhe më pak aftësitë profesionale. Kjo ka bërë që shumë gjyqtarë dhe prokurorë vërtet i janë larguar sistemit të drejtësisë, por kanë ikur me një “njollë të vogël” siç është kriteri i justifikimit të pasurisë, ndërsa KPK dukshëm nuk është thelluar në çështjen e aftësive profesionale dhe të pastërtisë së figurës. Në një reagim për “Mapo”, Arjan Dyrmishi, eksperti i sigurisë dhe drejtuesi i Organizatës CSDG, që monitoron Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht krijimin dhe vijimësinë e strukturës së Posaçme Antikorrupsion SPAK mendon se vlerësimi në një kriter nuk e zbeh qëllimin në vetvete të vettingut. Sipas tij, hulumtimi në çështjen e pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale kërkon prova bindëse dhe hetim të thelluar.



Ndonëse procesi i rivlerësimit bazohet në tri shtylla kryesore verifikimi, rreth 90 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar janë vlerësuar vetëm për çështjen e mosjustifikimit të pasurisë, ndërkohë nga analiza e të gjitha rasteve të vendimeve, rezulton se vlerësimi i figurës dhe i aftësive profesionale vazhdon të mbetet në kuota të ulëta, a mendoni se nuk ka hetim të thelluar?


Është e vërtetë që neni 4 i ligjit 84/2016, për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë parashikon se procesi kryhet mbi bazën e kritereve të vlerësimit të pasurisë, të kontrollit të figurës, dhe të vlerësimit të aftësive profesionale. Megjithatë, nga pikëpamja e qëllimit të ligjit, i cili është garantimi i funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi, edhe një kriter i vetëm është i mjaftueshëm për ta arritur këtë qëllim. Mendoj se diskutimi për ta konsideruar si të detyrueshëm vlerësimin mbi të tria kriteret lidhet me përpjekjen për ta relativizuar vlerësimin vetëm mbi kriterin e pasurisë, edhe pse ky është i mjaftueshëm. Kjo pasi ndërsa vlerësimi i pasurisë është sasior, dhe më i lehtë për t’u kryer sepse lidhet me vlera monetare e materiale të cilat janë të matshme numerikisht, vlerësimi i kontrollit të figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale janë procese cilësore për të cilat subjektivizmi është më i madh dhe rezultati i dhënë do të ishte më i diskutueshëm. Për shembull, kriteri i vlerësimit të aftësive profesionale kufizohet te shkeljet e dukshme procedurale të një rëndësie të veçantë. Si kriteri i “shkeljeve të dukshme” ashtu edhe i “rëndësisë së veçantë” janë disi subjektive dhe vështirësisht të peshueshme. Për shembull, verifikimi i lidhjeve me njerëz të papërshtatshëm është më i vështirë për t’u kryer pasi nëse “papërshtatshmëria” e personave është lidhja me botën e krimit, kemi shembuj të shumtë kur lidhja me persona të dënuar për narkotikë apo krime të tjera është relativizuar nga politikanë apo të tjerë me argumentimin se tashmë ai person “e ka kryer dënimin dhe gëzon të drejta të plota në shoqëri”, ndërsa kur bëhet fjalë për lidhje me persona të dyshuar për krime të tilla, atëherë referohet si argument fakti që për atë person “nuk ka një vendim të formës së prerë”. Po kështu, edhe për vlerësimin e aftësive profesionale: do të ishte shumë më e vështirë të vlerësohej aftësia apo paaftësia e një prokurori apo gjykatësi në ecurinë e një çështje e cila është gjykuar në dy apo tre shkallë të gjyqësorit.

Përgjatë procesit, trupat e vettingut u furnizuan me informacione nga institucionet ndihmëse, mes të cilave është edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, përse nuk janë marrë në konsideratë një pjesë e raporteve të DSIK-së? Në 25 raporte të tyre për subjektet përkatëse, 14 janë marrë në shqyrtim, një pjesë edhe rrëzuar, ndërsa 11 nuk janë përmendur në procesin e dëgjesës publike.

Në përgjithësi komisionet e vettingut nuk kanë dhënë vendime shkarkimi duke u bazuar vetëm në kriterin e kontrollit të figurës, por për disa vendime shkarkimi është justifikuar duke bashkuar kriterin e pasurisë dhe atë të figurës. Siç e përmenda më sipër, edhe për ato raste kur kriteri i pastërtisë së figurës është përdorur për të dhënë vlerësimin, kanë lindur diskutime mbi atë se çfarë konsiderohet “kontakt i papërshtatshëm”. Kështu që mendoj së komisionet e vettingut janë duke përdorur në mënyrë praktike të dhënat të cilat janë më pak të diskutueshme dhe më vështirësisht të kundërshtueshme për të mbështetur vendimet e tyre dhe kjo është dhe ligjërisht e vlefshme dhe moralisht e pranueshme. Kini parasysh për shembull rastin e mafiozit të famshëm Al Capone, dënimin e të cilit gjykata e mbështeti te provat për evazion fiskal, pasi për atë krim kishte të dhëna të cilat më së miri provonin akuzën.

Aktualisht kemi të ngritur strukturën e KLP-së dhe janë në proces kandidaturat për SPAK? Si po shkon ngritja e këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë dhe në analizën tuaj kur mendoni se struktura e posaçme antikorrupsion do të japë efektet e para?

Në këtë fazë të ecurisë së procesit, ku së pari duhet të emërohen prokurorët në Prokurorinë e Posaçme, rol përcaktues ka procesi i vettingut. Deri tani, nga 27 kandidatë të cilët aplikuan për në Prokurorinë e Posaçme, vetëm 5 prej tyre kanë kaluar vettingun dhe janë konfirmuar në detyrat aktuale. Në mënyrë që të vijohet me ngritjen sa më shpejt të Prokurorinë e Posaçme, e cila do t’i hapë rrugën zgjedhjes së drejtuesit të kësaj prokurorie dhe më pas hapjes së procedurave për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe kapaciteteve administrative, do të duhet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të përshpejtojë procedurat e përfshirjes në kalendarin e seancave dëgjimore dhe vlerësimin e të gjithë kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë të posaçëm. Kjo pasi në mënyrë që SPAK të ushtrojë normalisht funksionet e parashikuara do të duhet që ngritja e Gjykatave të Posaçme dhe Prokurorisë e Posaçme e BKH, të vijojnë paralelisht. Thënë këtë, nuk mund të parashikohet me saktësi se kur Prokuroria e Posaçme do të regjistrojë dosjen e parë në Gjykatën e Posaçme të shkallës së parë, pasi ky moment do të shënonte në fakt fillimin e funksionimit të këtyre institucioneve.

Intervistoi: Sebi Alla


Etiketa: , , , ,

Pas