Dorëzimi i mandateve dhe deficiti demokratik

Zgjidhja më e mirë e konfliktit të dorëzimit të mandateve parlamentare nga opozita në Shqipëri gjendet shkencërisht duke vlerësuar matematikisht deficitin demokratik.

Nga dr. Fejzi Kolaneci

<

Në shkrimin e tanishëm, lexuesi do të gjejë përgjigje për pyetjet e mëposhtme:

Çfarë është demokracia?

Çfarë është deficit demokratik në një shtet të caktuar gjatë një periudhe kohore të caktuar?

Cilët janë treguesit e deficitit demokratik?

Si mund të vlerësohen matematikisht treguesit e deficitit demokratik në Shqipëri?

Si gjendet konkretisht zgjidhja optimale (zgjidhja më e mirë dhe e realizueshme në praktikë) e konfliktit të shkaktuar nga dorëzimi i mandateve të opozitës parlamentare në Shqipëri? Cilët persona do të gjejnë këtë zgjidhje?

Për sa kohë mund të gjendet kjo zgjidhje optimale?

Si vlerësohet matematikisht risku i konfliktit të shkaktuar nga dorëzimi i mandateve parlamentare të opozitës në Shqipëri?

Demokracia është një sistem qeverisje i një shteti, në të cilin populli zgjedh me votime të lira dhe të ndershme Parlamentin, Qeverinë, Kryetarët e Bashkive. Në demokraci populli merr pjesë aktive në veprimtaritë politike dhe në jetën civile. Demokracia mbron të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët (edhe për minoritetet). Demokracia karakterizohet nga respektimi dhe zbatimi i ligjeve dhe rregullave shtetërore, duke i trajtuar të gjithë qytetarët me respekt, dashamirësi dhe në mënyrë të barabartë. Pra, demokracia është “shpirti” i barazisë shoqërore. Në disa shtete demokratike Presidenti zgjidhet nga populli (për shembull, në Amerikë, Francë etj.). Në demokraci qytetarët informohen nga media (stacionet televizive, stacionet e radios, gazetat, etj.) për veprimtarinë e Parlamentit, Qeverisë, Presidencës. Populli është i lirë të kritikojë Qeverinë, deputetët, Presidentin, Kryetarët e Bashkive, gjyqtarët, prokurorët, etj. për punët që ata kryejnë. Zgjedhjet parlamentare, vendore ose presidenciale duhet të jenë të lira, pa ushtrim dhune, pa kërcënime dhe të ndershme. Vjedhja e votës ose shitblerja e votës janë armiq të mëdhenj të demokracisë.

Por, që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme duhet të kryhet një organizim dhe punë pregatitore, trajnime të partive politike, komisioneve zgjedhore dhe shoqatave qytetare që do të monitorojnë këtë zgjedhje.

Përfaqësuesit e zgjedhur nga populli (deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive) në zgjedhjet parlamentare ose vendore, duhet të dëgjojnë me kujdes të veçantë ankesat, vërejtjet ose propozimet e qytetarëve dhe të japin përgjigje të ndershme për ankesat, kërkesat ose nevojat e qytetarëve.

Në demokraci populli është autoriteti politik më i lartë, populli është sovrani!

Etimologjia (prejardhja gjuhësore – historike) e fjalës demokraci është nga greqishtja e vjetër; demokratia, ku demo (popull) dhe kratia (pushtet, qeverisje). Sipas konceptimit të Akademisë së Athinës, të themeluar dhe drejtuar nga i famshmi Plato (428 – 348 BC) demokraci do të thotë “pushtet që buron nga populli dhe i përket popullit”.

Në anglisht, democracy – demokraci, ne frëngjisht, démocratie – demokraci, ne latinisht, democratia – demokraci.

Disa vërejtje (ose paralajmërime) për Demokracinë.

Sipas Kryeministrit të Anglisë (Britanisë së Madhe) Winston Churchill (1874 – 1965), “Asnjë njeri nuk duhet të shtiret sikur demokracia është e përkryer dhe e mençur në të gjitha drejtimet. Në të vërtetë mund të thuhet se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të atyre qeverisjeve që janë përdorur (janë provuar) nga njerëzimi kohë pas kohe”. Pra, demokracia vlerësohet më e mirë se qeverisjet e provuara më parë, por demokracia ka të meta serioze (është formë e keqe e qeverisjes).

Sipas themeluesit dhe udhëheqësit të parë të Bashkimit Sovjetik Vladimir Iliç Lenin (1870 – 1924), “Demokracia proletare në veprim është diktaturë e mbështetur ligjërisht e proletariatit mbi borgjezinë”.

Sipas Teoremës së Pamundësisë të ekonomistit të famshëm amerikan Kenneth Arrow (1921 – 2017), fitues i Çmimit Nobel në Shkencat Ekonomike, “Nuk ekziston asnjë sistem votimi i ndershëm në zgjedhjet parlamentare, presidenciale ose vendore, në qoftë se në këto zgjedhje marrin pjesë më shumë se dy kandidatë”. Atëherë, si mund të ekzistojnë zgjedhje parlamentare ose vendore të ndershme, duke përdorur një sistem votimi të pandershëm?

Një ligj themelor i shkencave politike është Ligji i Luftës për Pushtet, i zbuluar nga filozofi, biologu, sociologu, teoricieni politik dhe antropologu i shquar anglez Herbert Spencer (1820 – 1903).

Sipas disa shkencëtarëve të mirënjohur, Ligji i Luftës për Pushtet, është më themelor se Ligji i Luftës së Klasave i Teorisë Marksiste – Leniniste, sepse Lufta për Pushtet zhvillohet edhe brenda klasave shoqërore, brenda institucioneve, brenda partive politike, brenda organizatave ose shoqatave, ndoshta edhe brenda familjeve të pasura.

Një metodë efektive e luftës për pushtet është “Arti i joshjes, i mashtrimit”, i cili është përdorur me sukses nga Kleopatra, Duka Elington, John F. Kennedy, Fidel Castro etj.

Në përgjithësi, lufta për pushtet, është e pandershme, sepse iu prish mendjen njerëzve. Fatkeqësisht, lufta për pushtet zhvillohet e ashpër edhe në shtete demokratike.

Më poshtë formulohen disa parime themelore të demokracisë.

Parimi i zbatimit të ligjeve dhe rregullave nga autoritetet shtetërore, nga institucionet publike ose private, nga partitë politike dhe nga qytetarët. Të gjithë individët janë të barabartë para ligjit.

Parimi i transparencës. Qytetarët duhet të kenë të drejta dhe mundësi (të bazuara me ligj) për të kontrolluar veprimtarinë e institucioneve shtetërore ose private. Ky parim nënkupton se qytetarët duhet të jenë të informuar dhe media duhet të jetë e lirë, e ndershme, e pavarur nga politika.

Parimi i gjithëpërfshirjes. Të gjithë qytetarët e shtetit demokratik, pavarësisht nga statusi shoqëror, gjinia, besimi fetar ose prejardhja etnike, duhet të kenë mundësi të barabarta për pjesëmarrjen në jetën politike. Gjithashtu, te gjithë qytetarëve t’u garantohet e drejta e shkollimit, e shërbimit shëndetësor, e informacionit, e të ardhurave ekonomike, e pensionit ose ndihmës ekonomike për familjet në nevojë etj.

Parimi i tolerancës. Të pranohet zhvillimi i debateve publike të hapura. Mazhoranca dhe opozita parlamentare duhet të kenë durim dhe aftësi për të bashkëpunuar midis tyre, ndonëse mund të kenë pikëpamje, mendime ose vlerësime të ndryshme për disa çështje politike, ekonomike, sociale etj.

Në qoftë se mazhoranca parlamentare e aprovon ndonjë ligj, rregull ose vendim, pa zhvilluar paraprakisht një debat publik, atëherë kjo sjellje irracionale e mazhorancës parlamentare mund të shkaktojë një pakënaqësi ose zemërim të një pjese të qytetarëve.

Parimi i sigurimit të mirëqenies ekonomike të popullit. Lufta kundër varfërisë, korrupsionit, spekulimit të tepruar, zvogëlimi me ritme të shpejta i varfërisë, taksa të ndershme, kontrolli efektiv i inflacionit dhe kurseve të këmbimit valutor etj., janë disa objektiva kryesorë të Qeverisë për sigurimin e mirëqenies ekonomike të popullit dhe për zvogëlimin e pabarazisë ekonomike.

Parimi i respektimit të besimeve fetare dhe i harmonisë ndërmjet institucioneve fetare, bazuar në dashamirësi.

Parimi i luftës kundër krimit dhe terrorizmit. Ky parim nënkupton ndëshkimin sipas ligjit ose parandalimin e veprimtarive kriminale, akteve terroriste, mbështetjen financiare të terrorizmit, etj.

Parimi i respektimit të të drejtave të njeriut, veçanërisht i të drejtave të gruas.

Parimi i mbrojtjes së qytetarëve nga ushtrimi i dhunës në protesta ose mitingje.

Parimi i zgjedhjeve parlamentare ose vendore të lira e të ndershme. Lufta kundër vjedhjes së votës ose blerjes së votës. Zgjedhjet e lira qëndrojnë në zemrën e demokracisë.

Parimi i qeverisjes së mirë. Qeverisja e mirë ka tetë dimensione:

përgjegjshmërinë e qeverisë dhe qytetarëve,

stabilitetin politik dhe moszbatimin e dhunës nga Qeveria ndaj qytetarëve,

efektivitetin e Qeverisë sidomos në luftën kundër varfërisë, në rritjen e PBB për person, në zvogëlimin vit pas viti të deficitit buxhetor shtetëror, në mënjanimin e shpenzimeve të panevojshme qeveritare etj.,

cilësinë e ligjeve dhe rregullave të qeverisjes,

luftën pa kompromis kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe kundër krimit,

zbulimin, ndëshkimin dhe parandalimin e spekulimit të tepruar,

respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve nga të gjitha institucionet dhe nga qytetarët,

kontrollin dhe sigurimin e sjelljes racionale të liderëve politikë në shtete demokratike, duke u bazuar në Kriterin e Rreptë të Sjelljes Racionale, të propozuar nga A. N. Kollmogorov dhe R. Wilson.

Ne vitin 2015, unë në bashkëpunim me studentet J. Duzha dhe D. Kakija të University of New York Tirana, kryem një studim shkencor mbi Kontrollin Aksiomatik të Sjelljes Racionale të Liderëve Politik në Shtete Demokratike. Ky studim u prezantua në seancën plenare të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të zhvilluar në Universitetin Süleyman Şah, Istanbul, Turkey (11 – 19 Shtator 2015). Ky studim u nderua me një çmim special, u publikua në Proceedings Book të konferencës dhe në një revistë të rëndësishme amerikane të shkencave politike.

Studimi ynë përmban 14 aksioma të sjelljes racionale të liderëve politikë dhe u vlerësua “me rezultate shkencore origjinale”.

Çfarë është deficit demokratik në një shtet të caktuar gjatë një periudhe kohore të specifikuar?

Kuptimi i fjalës deficit: mungesë, pamjaftueshmëri, e metë.

Përkufizim

Deficiti demokratik (ose deficit i demokracisë ose mungesa e demokracisë ose pamjaftueshmëria e demokracisë ose e meta e demokracisë) në një shtet ndodh atëherë kur institucionet e ashtuquajtura demokratike (kryesisht Parlamenti ose Qeveria) të këtij shteti dështojnë të përmbushin (të plotësojnë, të kënaqin) në veprimtarinë e tyre të gjitha parimet kryesore të demokracisë dhe kur ndershmëria e këtyre institucioneve vihet në dyshim nga qytetarët.

Ky përkufizim i deficit demokratik është dhënë në vitin 2007 nga juristi i shquar amerikan Profesor Sanford Levinson (1941 – ) i Texas University dhe është aprovuar nga Senati i SHBA.

Koncepti “deficit demokratik” është përdorur për herë të parë në Manifestin e Federalistëve të Rinj Europianë, në datën 10 tetor 1977, i cili ishte hartuar nga liberali anglez Richard Corbett (1955 – ), aktualisht anëtar i Parlamentit Europian.

Në vitin 1979, shkencëtari politik anglez, David Marquand argumentoi se deficiti demokratik bien në kundërshtim me parimet kryesore të demokracisë, sepse ekzistenca e deficitit demokratik në një shtet të caktuar gjatë një periudhe kohore të specifikuar sjell pasojë mosrespektimin e disa parimeve kryesore të demokracisë nga Parlamenti ose Qeveria ose nga Sistemi i Drejtësisë i këtij shteti.

Në vitin 2011, shkencëtarja e shquar amerikane prof. Pippa Norris (1953 – ) e Harvard University në lëndën Politikat Krahasuese argumentoi se deficit demokratik është një koncept shumëdimensional dhe përbëhet nga disa komponentë.

Secili komponent i deficitit demokratik shoqërohet me peshën specifike (relative) vetjake në dëmin e shkaktuar nga mungesa (pamjaftueshmëria) e demokracisë. Gjithashtu, duke u bazuar në rezultatet e anketimeve të qytetarëve mund të llogaritet treguesi i deficitit demokratik në shtetin e shqyrtuar gjatë një periudhe kohore të specifikuar.

Vijon…

Kjo analizë është e para e një cikli prej tri shkrimesh që autori ka bërë për gazetën MAPO 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ta pranojmë misionin shqiptar të Donald Lu deri në fund

Nga Ervis Iljazaj Sa herë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të...
Read More