“Do ta paguani”/ Ish-komandoja i arrestuar kërcënon gjyqtarin dhe prokurorin

 

Një ish-komando i ushtrisë, që ka shërbyer në Irak dhe Afganistan në vitin 2011 është arrestuar nga zyra Antiterrorit në Policinë e Shtetit. I arrestuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Policia thotë se mbahej nën survejim që prej vitit 2007. Erzen Uka është vënë në pranga pas dyshimeve për prirje radikale dhe nxitjen e urrejtjes me qëllim kryerjen e veprave terroriste.

29-vjeçari është me origjinë nga Kruja, i divorcuar dhe i proceduar me parë për dhunë në familje. Pas divorcit kujdestarinë e dy fëmijëve e fitoi ish-bashkëshortja, por vendimi i gjykatës nuk u zbatua. Mbi Ukën rëndon edhe akuza e stërvitjes për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.

NJOFTIMI I POLICISE

Specialistët e Drejtorisë se Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit pas një hetimi dy vjeçar me metoda speciale të hetimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

E. U., 29 vjeç, lindur në Gjorm/Krujë dhe banues në Tiranë (i proceduar më parë për veprat penale të “Dhunës në familje” dhe “Pengim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”).

Ky shtetas në adresën e tij në Facebook ka publikuar dhe shpërndarë video e pamje filmike që nxisin dhe propagandojnë veprat penale me qëllime terroriste.

Gjatë kontrollit të banesës se tij, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi fishekësh luftarak.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprat penale të “Stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

************************

Gjykata për Krime të Rënda ka lënë në burg ish-komandos Erzen Uka, i arrestuar për nxitje terroriste. Prokurori i çështjes, Eugen Beci, kërkoi arrest me burg, ndërsa Uka nuk ka pranuar të ngrihet në këmbë para trupit gjykues, duke thënë se respekton vetëm Allahun.

Ai kërcënoi gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Beci, duke u thënë: “Do ta paguani. Sa të dalë do të jepnin llogari dhe nuk do kaloni kollaj”. Uka akuzohet për 3 vepra penale, stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste, nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa gjykata u tërhoq për vendim dhe pas caktoi masën e arrestit me burg për të arrestuarin për nxitje të terrorizmit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Kryebashkiaku i Vlorës, tender 6.6 mln lekë për një makinë luksoze!

  Nuk kanë fund thagmat e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Lelit, lidhur...
Read More