Diskutimi për emrat filloi dhe mbaroi, të kthehemi te programi

Nga Ervis Iljazaj

Siç ndodh shpeshherë në këto raste, diskutimi për emrat e kandidatëve për deputetë mbaron sapo qejfmbetjet për lënien jashtë të listave fillojnë e qetësohen. Kështu, me sa duket do të ndodhë edhe kësaj here. Ngelet për t’u parë nëse lëvizja e kritikëve të Partisë Demokratike do të vazhdojë apo jo. Megjithatë, një gjë është e sigurt tashmë. Lulzim Basha po shkon drejt zgjedhjeve me një program elektoral i cili është për shumë arsye akoma i paqartë.

Ndoshta për shkak të krizës politike apo për shkak të paaftësisë për të krijuar një frymë liberale të djathtë, ashtu siç i shkon për shtatë Partisë Demokratike, alternativa politike që kjo parti iu ofron shqiptarëve është ende e pa-artikuluar në mënyrën e duhur.

Gjatë këtyre viteve në opozitë, Partia Demokratike ka rënë shpesh në grackën e populizmit dhe të një politike spontane. Në asnjë rast nuk është paraqitur e qartë në vizionin që ka për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Më shumë ka qenë një forcë politike e aksionit se sa e mendimit. Duke marrë kështu karakteristikat e një force të majtë.

I ndikuar edhe nga njerëz publikë afër tij të cilët njihen botërisht për mendësinë e tyre etatiste, Basha ka devijuar programin e djathtë të partisë Demokratike në premtime populiste të cilat nuk kanë asnjë mundësi reale politike për t’u zbatuar.

Ky devijim shënoi maksimumin e tij gjatë periudhës së protestës në çadrën e bulevardit “Dëshmorët ë Kombit”.

Iu premtohej njerëzve arsim falas, shëndetësi falas, rritje rrogash, drejtësi popullore dhe çdo gjë që përkëdhel sedrën e tyre. Kjo në vetvete është një politikë e cila luan me frikën dhe emocionet e tyre.             Ky vizion vetëm sa shërben për të treguar një humanizëm i cili jo vetëm që nuk zgjidh problemet reale të tyre, por përkundrazi, na çon drejt një rruge që nuk sjell as mirëqenie dhe as një projekt politik real. Ndërkohë e vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e Shqipërisë janë rruga e reformave dhe një politikë e moderuar e cila ka në thelb të saj vizionin euroatlantik dhe shpresën që çdo përmirësim ekonomik, shoqëror dhe politik vjen vetëm si pasojë e një vullneti të palëkundur dhe jo si një përplasje emocionale të bazuar në premtime që vetëm sa zgjasin një traditë aspak me një bilanc të kënaqshëm që kemi patur deri më tani.

Për të gjitha këto arsye është koha që Partia Demokratike të heqë dorë sa më shpejt në këtë fushatë nga punizmat elektoralë dhe t’iu ofrojë qytetarëve një alternativë reale ku në thelb të ketë lirinë konkurrencën dhe meritokracinë e gjithsecilit.

Deri më tani kemi dëgjuar t’iu premtohet qytetarëve taksa të ulëta dhe shpenzime sociale të larta. Një paradoks i mendimit ekonomik dhe politik.

Do të ishte momenti i duhur të kishim një përballje alternativash që bazohet në reformat që i duhen i vendit dhe larg populizmave të dëmshme që luajnë me emocionet popullore.

Në këtë mënyrë do të rreshtoheshim pranë politikës europiane që kohët e fundit ka treguar kurajë në rrugën e reformave. Një vazhdimësi e moderimit politik e cila evitoi rrezikun populist që i kanosej asaj. Le të jetë ky insistim i politikës europiane për reformizmin, një shembull që duhet ndjekur edhe nga politika jonë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Zhvillimi i qëndrueshëm, energjia dhe “Pakti për Reformizmin”

Nga Fatri Morina Përpara disa ditësh, një grup profesorësh të Universitetit Europian...
Read More