‘Cristiano Ronaldo më shpëtoi për një qime’

Pjesë nga libri “Topi është i imi”, botimet Saras

Nga Luciano Moggi

<

Kur i kthehem atij momenti, i derdhem me nëma (fare pa të keq, kuptohet) Marcelo Salasit. Ishte për faj të tij që nuk mund ta shtija në dorë Cristiano Ronaldon, një prej lojtarëve më të fortë të të gjitha kohëve, që më 2013 mori Topin e Artë. Nuk dija gjë për të. Një mik, një bashkëpunëtor, të cilit i besoja në mënyrë të veçantë, më thotë një ditë prej ditësh: “Shko ta shohësh atë djalosh; është një mrekulli”. Nuk u mendova gjatë, dhe shkova t’i hidhja një sy portugezit të ri. Luante me Sportingun e Lisbonës, ishte vetëm 18 vjeç, por të tralliste me gjërat që bënte në fushë. E fuste topin në xhep, dhe kundërshtarëve nuk u mbetej tjetër, veçse të bënin sehir. Edhe pse fizikisht i njomë, ai ishte një bishë. Kish debutuar, tanimë, me skuadrën e të rriturve.

Ishte mjaft ta shihja një herë të vetme, gjatë një aksioni. Ishte viti 2003. Organizova me ngut një takim me drejtuesit e Sportingut, dhe nuk na u desh shumë të binim në ujdi. Do duhej të paguanim 5 milionë euro, plus Salasin që vlente, më e pakta, 10 milionë euro. Salas kish qenë i pafat me bardhezinjtë: në dy sezone, për shkak të një problemi me gjurin, kish luajtur 32 ndeshje e kish shënuar veç 4 gola.

Çmimi i Ronaldos ishte, sidoqoftë, shumë i lartë, kur mendoje se ai ishte një riosh. Por unë nuk kisha asnjë dyshim: Është fantastik, dhe nuk iki pa e marrë. E nuk është se nuk e dija që po luaja me rrezikun. Një tetëmbëdhjetëvjeçar mund të jetë një fenomen, por nuk është e thënë që të bëhet një kampion më pas. Për t’u bërë i tillë, përveç cilësive teknike, lipset truri, personaliteti, pjekuria, karakteristika këto që te një adoleshent shihen në mënyrë të mjegullt e të paqartë. Ronaldo më fitoi zemrën menjëherë. Ai donte të bëhej një lojtar i famshëm, e teksa flisnim, unë kuptova se ai ishte i gatshëm për të mos kursyer asgjë e për ta arritur këtë objektiv. Dukej edhe që ishte një djalosh me personalitet. Rashë dakord pra me të, ndërsa për të rënë dakord edhe me Sportingun, më duhej ok i Salasit për t’u transferuar në Lisbonë. Nuk është se më gënjente mendja që këtë ok e kisha në xhep, por nga ana tjetër, kurrë nuk e mendoja se do të bëhej kjo gjë pengesë që unë të merrja Ronaldon. Mirëpo ja që doli kjo e dyta. Salasi ishte i vendosur të mos shkonte në Portugali. Çfarë nuk bëra që ta kandisja, por nuk qe e mundur. I ofrova edhe ca para më shumë në një kohë që edhe kontrata që i ofronte Sportingu ishte e majme. Jo, as që bëhej fjalë. Marcelo donte të rikthehej me ish-skuadrën e tij, me River Platein. Ashtu u bë, dhe atje Salasi përjetoi një rini të dytë për dy sezone njëri pas tjetrit. Pastaj u kthye në shtëpi, në Kili, ku u prit si një mbret, dhe për katër sezone me radhë u bë një lider i padiskutueshëm i skuadrës Universidad de Chile. U ofrova portugezëve lojtarë të tjerë në vend të Salasit, por ata më thanë ‘jo’. Donin Salasin. Dhe kështu, pazari u prish. Ca muaj më pas u bënë të gjallë edhe njerëzit e Manchester United, të dërguar nga Alex Ferguson, që mbeti i magjepsur pas Ronaldos gjatë një ndeshjeje miqësore mes skuadrës së tij e Sportingut. Anglezët nuk e torën gjatë këtë punë. Ofruan 15 milionë euro, dhe Ronaldo përfundoi në Manchester. Juventusi nuk ish në gjendje që ta bënte një ofertë të tillë.

Po kështu, më ka ikur nga duart edhe një thagmë tjetër. Ishte fjala për t’i dhënë Edgar Davidsin Romës, e për të marrë në këmbim De Rossin, Aquilanin, dhe ca para. Ishte vera e vitit 2002. Dukej sikur pazari ishte mbyllur. Daniele ishte 19 vjeç, dhe kishte filluar të luante me skuadrën e të rriturve. Për herë të parë ish aktivizuar në një pjesë të ndeshjes midis Romës e Anderlechtit, në Champions League, në 20 tetor 2001. Ishte siç e shihni sot: plot nerv, teknik, godiste mirë me kokë dhe kish inteligjencën e një kampioni. Roma është me fat që ka patur, e që do ta ketë edhe për ca kohë, një lojtar të tillë. Ndërsa Alberto ishte 18 vjeç. Kish filluar të luante me Romën, por jo shumë. Karakteristikat e tij kryesore ishin se dinte ta përdorte topin, dhe kish vizion loje. Ia njihja mirë këto cilësi, ngaqë e kisha parë shpesh të luante me të rinjtë verdhekuq. E kam thënë edhe më parë: një drejtues i mirë futbolli duhet t’i këqyrë mirë, nëpërmjet një kontakti të drejtpërdrejtë, para se t’i blejë lojtarët. Edhe pse mund të jesh direttore generale i njërit prej klubeve më të rëndësishme të botës, ti nuk bën keq të shkosh e të shohësh ndeshjet e skuadrave të të rinjve. Përkundrazi, kështu demonstron se je një profesionist i vërtetë.

Për t’u kthyer te negociatat mbi Davidsin, më duhet të them se ato dështuan për fajin tim. E tërhoqa shumë litarin, derisa e këputa. Ai këmbim do të kish mbetur si një nga punët më të mira të karrierës sime, por gjërat vajtën për dreq. Po jua shpjegoj se si. Kishim rënë dakord me Romën, që ata të merrnin Davidsin dhe ne të merrnim 10 milionë euro, plus De Rossin dhe Aquilanin. Por unë nuk u kënaqa me kaq. Në këtë profesionin tonë ndodh shpesh si me lojtarët e pokerit. Isha unë që u thashë: 10 milionë euro janë një ofertë joserioze; kjo punë mbyllet me 15. Dhe Roma, që në atë periudhë nuk është se notonte mbi para, nuk ra dakord. Gazetat raportuan se unë kisha kërkuar në këmbim Francesco Tottin, por kjo nuk është e vërtetë. Në vitin 2002, “il pupone” (kështu e thërrasin prej kohësh tifozët e Romës, me përkëdheli, Francesco Tottin. M. N.) ishte një kampion, një pikë referimi për Romën. E dija që nuk do ta linin kurrë t’u ikte nga duart, e prandaj as që më vajti mendja t’ua kërkoja. E njihja atë qysh prej vitit 1993, kur u ktheva në Romë për pak kohë. Ishte aq i zoti sa, pikërisht atëmot, saktësisht më 28 mars, Vujadin Boshkov e aktivizoi për herë të parë në Serinë A. Luajti vetëm minutat e fundit të ndeshjes Brescia-Roma, që përfundoi 0-2. Sipas meje, Totti është i vetmi simbol a flamur i futbollit italian. Për t’u qëndruar besnik ngjyrave verdhekuq, ai u ka thënë ‘jo’ parave më të shumta dhe mundësisë për të fituar tituj e trofe më të shumtë se sa ato që ka fituar. Ka gjithë vlerësimin tim për këtë.

Kam provuar që të merrja edhe Antonio Cassanon, një lojtar me të dhëna të pazakonta që nuk ish, megjithatë, në nivelin e Maradonas e të Tottit. Do kisha dashur që ta shihja Cassanon të vishte bluzën e Juventusit. Kam dëgjuar të thotë se, sikur të kish ardhur në Torino, karriera e tij do të kish rrjedhur ndryshe. Dhe ka të drejtë: te ne do të ishte bërë një kampion. Bëra një përpjekje për ta marrë në vitin 2001. I ofrova Barit 25 miliardë lireta, por Roma u hodh me një shifër të frikshme. Ofruan 50 miliardë. Nuk mund të shkonim në këto nivele, dhe prandaj e lamë këtë muhabet.

Ndërsa fjalët që kanë dalë mbi një përpjekje timen për të blerë David Beckhamin, janë të rreme. Beckham ka qenë një lojtar i mirë, por ka qenë gjithnjë tepër i shtrenjtë qoftë për sa i takon rrogës që merrte, qoftë për sa i takon çmimit të blerjes. E që të jem i sinqertë, kurrë nuk e kam parë anglezin si një fenomen, që mund të ish në gjendje ta merrte një skuadër për dore. Gazetat më kanë vënë në gojë edhe frazën “Beckham u pëlqen më shumë grave se sa mua”, por nuk e kam thënë asnjëherë këtë gjë. Kur blija një lojtar, bukuria e tij ish një gjë që s’më interesonte fare. Për mua kishin rëndësi truri dhe cilësitë teknike. Është një mufkë edhe pretendimi tjetër se unë paskam dashur të ble Ronaldinhon. E këtu po i lejoj vetes një batutë: “Nuk kam dashur asnjëherë ta ble prej frikës se mund të kafshonte topin në fushën e lojës; me ato dhëmbë që kish…”.

Capellos i duhet hequr kapelja

Pa e njohur, Fabio Capello të provokon antipati. Ma thonë të gjithë këtë, e nuk është se ia fusin kot, ngaqë nga ekrani kështu duket Fabio: serioz, i rreptë, i vrazhdë, pothuaj në gjendje tërbimi. E megjithatë, është një njeri jashtëzakonisht simpatik, e batutat i ka në majë të gjuhës. Është shumë argëtues. Me të mund të flasësh për gjithçka, dhe kjo është një cilësi e rrallë për një trajner. Gjithnjë kam qenë i bindur se të mendosh 24 orë non stop për futbollin nuk është një gjë e mirë. Kush e bën, nuk është shumë inteligjent. Nuk mund të jetohet vetëm me topin, edhe sepse në këtë mënyrë kjo do të ish stresuese për lojtarët. Do të ishte si t’i bëje paranojakë po t’u flisje atyre veç për skema taktike, për kundërshtarët e radhës e për stërvitje. Kjo gjë, në kundërshtim me çfarë synohet, nuk i ndihmon lojtarët të përqendrohen. Ndërsa me Capellon nuk ndodhte që të mërziteshe. Ka një kulturë ta pafundme, është i dashuruar pas artit e pas muzikës klasike. Nuk i mungojnë as njohuritë për to. Shet e ble mbi të gjitha piktura, dhe nuk ka dalë kurrë me humbje.

Për sa u takon cilësive si trajner, nuk është se ka shumë nevojë që të ndalem. Palmaresi (lista e sukseseve dhe e arritjeve. M. N) i tij flet vetë. Përveç kësaj, një prej cilësive kryesore është pikërisht mendësia prej fituesi. Ka edhe më. Nuk ta mbush mendjen, por është dhe një njeri që bëhej copë për interesat e klubit. Nuk ka shprehur kurrë rezerva apo dyshime pas një kërkese timen. Nëse i kërkoja që “të merrte rrugën për në Amerikë, ngaqë sponsori organizonte një pritje a festë e dikush prej nesh duhej të merrte pjesë”, ai ishte i gatshëm të nisej qysh të nesërmen. Ishte bashkëpunues në maksimum. Dhe në të njëjtën kohë, “ua hante shpirtin” lojtarëve.

Kur i duhej një lojtar, ta nxinte jetën. “Dua Emersonin dhe Ibrahimoviçin”, më tha në vitin 2004, menjëherë pasi kishte firmosur për Juventusin. Mbaj mend që, kur ishte trajner i Romës, hahej me brazilianin, ngaqë ky i fundit donte të shkonte në një skuadër më të madhe; e Capello më thoshte vazhdimisht që ta merrja te Juventusi. Kur erdhi te Juventusi, në mënyrë hileqare, i thoja që do të kisha bërë gjithçka për t’i marrë që të dy, por ç’e do se negociatat ishin të ndërlikuara. Nuk e dinte që i kisha marrë prej dy muajsh…

Nuk është hiç e vërtetë, që në skuadrat e tij mbretëron një klimë kazerme. Po, ai është shumë kërkues. Nuk lidh miqësi me lojtarët, gjë që në fakt e bën Ancelotti. Dhe është Capello që ka të drejtë. Mes sportistëve e trajnerit duhet të ketë respekt të ndërsjellë, por trajneri është, para së gjithash, një vartës në hierarkinë e klubit, e administrimi i grupit duhet të jetë në simbiozë. E nganjëherë nuk është keq të përdoret edhe shkopi. Një ditë, Jonathan Zebina erdhi tek unë e zuri të më fliste keq për Fabion, që “ish me faj” ngaqë e kish lënë në stol. Qëndrimi i tij ishte dy herë jokorrekt ngaqë, përveçse ishte një profesionist, ai ishte dhe një kanakar i Capellos, që e mori nga Roma ku kishin fituar kampionatin dhe Superkupën e Italisë. Biseda ime me Zebinan zgjati vetëm pak sekonda, ngaqë unë ia preva shkurt: “Mes teje e Capellos, zgjedh gjithnjë Capellon; dhe ta dish se nesër do ta informoj mbi këto që më the; bëhu gati të përballesh me të”. Të nesërmen, Zebina kaloi 15 minuta të vështira në dhomat e zhveshjes… Por është e nevojshme që të sillesh në këtë mënyrë me lojtarët; nuk është mirë t’u japësh ndonjë alibi, përndryshe mbetesh në dorë të tyre, e t’i bëjnë gjërat lëmsh brenda grupit. Fjala vjen, është për këtë arsye, mendoj unë, që Marcello Lippi dështoi me Interin e që u shkarkua qysh javën e parë të kampionatit, pas humbjes në Reggio Calabria, në sezonin e dytë të tij zikaltër. Kur ndëshkonte brazilianin Ronaldo, ky i fundit shkonte dhe qahej te Presidenti, i cili – dhe në këtë pikë bënte gabim – i jepte të drejtë. Mirëpo, kështu grupi shkërmoqet. Midis klubit e trajnerit, përsëris, duhet të ketë një bashkëpunim maksimal.

Më vjen të marr si shembull ndeshjen Siena-Juventus të 30 prillit 2006, që i binte në javën e shtatëmbëdhjetë të fazës së dytë të kampionatit. Ne ishim në krye të tabelës së klasifikimit, tri pikë përpara Milanit, ndërsa Siena përpëlitej që t’i shpëtonte rënies nga kategoria. Në fund ne do ta fitonim kampionatin, dhe ky do të ishte i dyti që do të na hiqej më pas në valën e Calciopolit.

Gjatë javës kisha dëgjuar lojtarët të nxirrnin nga goja fraza, që nuk më binin mirë në vesh. Fraza të llojit “të dielën me Sienën do të çlodhemi”, apo “ndeshja me Sienën do të jetë si një shëtitje”, nxirrnin në pah një mënyrë të menduari që ishte shumë larg nga mendësia e një fituesi. Kush luante për Juven, nuk mund të ecte me këtë mendësi. Personalisht, kam qenë prore i terrorizuar nga ndeshjet që, në letër, quheshin të lehta. Qëllon shpesh që janë pikërisht këto që bëhen më të vështirat. “Epo, një gol do ta bëjmë se s’bën; janë nëntëdhjetë minuta…”, ja, mendon këtë gjë, dhe veç kur dëgjohet fishkëllima e fundit e gjyqtarit, dhe ti zbulon se je ende zero me zero. Kishin kaluar nëntë vjet, dhe plaga e humbjes së finales në Champions Laeague me Borussian e Dortmundit ishte ende e hapur. Bëmë gabimin që hymë në fushë të sigurt se fitoren e kishim në xhep. Dhe e dimë, tanimë, se si shkuan gjërat (3-1 në favor të gjermanëve). Qysh prej asaj ndeshjeje, para çdo ndeshjeje, në të cilën na quanin favoritë, shpikja gjithnjë diçka me synimin për të stimuluar lojtarët.

Gjatë javës që përgatiteshim për ndeshjen me Sienën, vendosa të mos i thoja gjë Capellos deri të shtunën në mbrëmje, kur i fola për shtendosjen e skuadrës. Pas kësaj, i shpjegova marifetin që kisha menduar për ta shtënë në punë të nesërmen me qëllim që të bënim syçelët e të motivuar Del Pieron me shokë. “Në fillim do ta ngre zërin unë, e pastaj ndërhyj ti”, i thashë Fabios. Pas ushtrimeve të nxemjes para ndeshjes, skuadra hyri në dhomat e zhveshjes dhe aty më gjeti mua. Isha i sterrosur në fytyrë, dhe i akuzova për nxemjen shkel e shko që kishin bërë. Kur unë isha duke mbaruar, hyn në dhomë Fabio, por duke e hapur derën me forcë e tërsëllëm, a thua se e shqeu. E mbylli derën duke e përplasur fort, aq sa lojtarëve iu duk sikur muret do shembeshin. E filloi …. Nuk u la gjë pa thënë. E dini ç’ndodhi, besoj. Lojtarët hynë në fushë si egërsira, dhe ndeshjen e mbyllën për tetë minuta. Nuk kishin kaluar as tri minuta, kur Vieira shënoi golin e parë; dy minuta më pas Trezeguet, e në minutën e tetë Mutú. Ishte një provë force e lojtarëve që donin të demonstronin se Moggi e Capello ishin budallenj, apo të lajthitur. Unë e Fabio, megjithatë, ia bëmë me sy njëri-tjetrit në fund të ndeshjes. Ia kishim arritur qëllimit.

Lufta për të marrë Ibrahimoviçin

Ibrahimoviçi është bash e kundërta e asaj që duket se është. Është një burrë i vërtetë, e nuk është një “ku rafsha, mos u vrafsha”. Nuk mund të ndodhë kurrë që unë dhe ai ta tradhtojmë sho-shoqin. I kemi hyrë në zemër njëri-tjetrit menjëherë, qysh në takimin e parë në Monte Carlo, teksa zhvillohej gara ‘Formula One’, në pranverën e vitit 2004. Takimi, që zgjati një orë të mirë, u mbajt në një sallë VIP të aeroportit. E ka rrëfyer dhe vetë Zllatani në librin e tij: “Ai, tok me Mino Raiolan, më të madhin e avokatëve sportivë, një gjeni në fushën e vet, mezi merrnin frymë kur arritën në takim. Për të qenë në orar, për shkak të trafikut të bllokuar prej garës me makina, kishin zbritur prej taksisë, dhe ia kishin futur vrapit. Iu desh të vraponin një kilometër deri në aeroport. Unë isha i pispillosur e elegant, dhe para meje pashë Ibran e Raiolan të mbytur në djersë. Ky i fundit ishte veshur si mos më keq: një bluzë, pantallona të shkurtra plot ngjyra, dhe atlete sportive. Shkurt, nuk shihej me sy. Por kjo s’ishte një gjë e re. Raiola gjithmonë është veshur në një mënyrë të papërshtatshme. As që i bëhet vonë për këtë punë. E kam qejf edhe për këtë gjë.

I shtrënguam dorën njëri-tjetrit, u pamë mirë në sy, dhe u morëm vesh aty për aty për të vënë dashamirësisht në lojë Raiolan. Atë ditë, më 23 maj 2004, lindi lidhja ime e fortë me Zllatanin. Sikur unë t’ia kërkoja, Ibra për mua do të bënte edhe xhiron e Italisë me biçikletë.

Kujtoj edhe sot e kësaj dite kritikat që m’u bënë kur blerja e tij u bë zyrtare, në fund të gushtit të po atij viti. Zllatani ishte 22 vjeç. “Ky zdap ngalakaq shënon pak gola, nuk është një lojtar për Juventusin”, thoshin ekspertët e futbollit dhe gazetarët. Jo të gjithë, kuptohet. Një pjesë, që ishin shumë të paktë në numër (një nga këta jam unë), e krahasonin edhe me Van Bastenin.

Edhe mes bardhezinjve kishte skepticizëm. Roberto Bettega, që sulmuesit e mirë i nuhat që larg, nuk ishte i bindur. Por unë thellë-thellë e dija se sapo kisha blerë një talent botëror. Isha i sigurt, ngaqë kisha parë me sytë e mi cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Kish dinamit në këmbë, kërcente dhe godiste me kokë si rrallëkush tjetër, kish një fuqi atletike e një teknikë përshtypjelënëse, e të gjitha këto e bënin atë të aftë të formonte i vetëm një repart sulmi. Ishin të dhëna që i kisha konstatuar vetë. Nuk e kisha me të thënë. Para se ta blija 15 milionë euro (që do të paguheshin në harkun e pesë viteve) e ta sillja në Torino, e kisha parë nja dhjetë herë teksa luante me fanellën e Ajaxit, në stërvitje e në ndeshje zyrtare. Dhe kështu kam bërë gjithnjë në karrierën time. Lojtarët, para se t’i blija, shkoja t’i shihja me sytë e mi. Nuk bëja siç bëjnë shumë drejtues, që u besojnë videove. Nuk duhet bërë kurrë, ngaqë avokatët e tyre të sjellin veç imazhe, ku duken klientët e tyre duke bërë magjira.

Zllatani nuk ishte një i panjohur. Në Amsterdam ishte një perëndi. Kish fituar gjithçka gjatë tre sezoneve që ndenji atje: dy Kampionate, një Kupë, një Superkupë të Holandës. Kish luajtur 135 ndeshje e kish shënuar 59 gola. Ishin shifra që flisnin vetë, por që duheshin marrë pak me rezervë, pasi kampionati holandez ishte një çikërrimë në krahasim me kampionatin italian. E prandaj, skepticizmi i ca e cave ishte i kuptueshëm. Por unë s’ua vëra veshin zërave dyshimtarë dhe i besova instinktit tim, sidomos pas nja dy darkave që pata me lojtarin, në të cilat folëm gjatë. Ma fitoi zemrën menjëherë. Ish i pastër, i drejtpërdrejtë, i pamësuar t’u hapte rrugë njerëzve me pushtet. Më tha se në kokë kish veç futbollin e familjen. Beso e kontrollo! Vura njerëz që ta ndiqnin qoftë në Amsterdam, para se ta blija, qoftë në muajt e parë të periudhës juventine, dhe zbulova se nuk më kish gënjyer. Jeta e tij ishte shtëpi, fushë, shtëpi. Nuk mbaj mend që ai të ketë lënë një seancë stërvitore pa bërë. Nuk ndalej edhe kur kish ethe. Një profesionist shembullor.

Me Ibrahimoviçin, siç ju thashë, marrëveshja u lidh në maj. Por negociatat me drejtuesit e Ajaxit nuk qenë të thjeshta. Nuk donin ta shisnin. Dhe në këtë pikë më duhet të pohoj se kam qenë jo korrekt, ngaqë e këshillova Ibrahimoviçin të bënte sherr me Rafael Van der Vaartin, një mesfushor i talentuar i rritur tek Ajaxi, që hahej me Ibran kush e kush të merrte rolin e liderit në skuadër. Do ta bëja sërish atë gjë. Nuk ishte e drejtë që Ibra të mbetej në Amsterdam. Ai aspironte të rritej, dhe Torino përbënte një kërcim të madh përpara në karrierën e tij. Përveç kësaj, kur ndonjë lojtar më ka kërkuar që të largohet nga Juventusi, unë nuk i jam bërë pengesë, edhe pse në ndonjë rast skuadrës nuk i bëhej mirë. Mjaft të mendosh që, më 1997, lashë të ikte Christian Vierin, njërin prej golashënuesve më të mirë të kampionatit.

Por po kthehem te Zllatani. Nuk ishte e vështirë të provokohej një sherr mes tij e Van der Vaartit. Ata nuk e shihnin dot me sy njëri-tjetrin. Një shkëndijë duhej, dhe … rasti erdhi me ndeshjen miqësore mes Suedisë e Holandës. Ishte data 18 gusht. Ndeshja zhvillohej në Stokholm. Në një moment, Zllatani bëri një ndërhyrje të rrezikshme në dëm të tjetrit, dhe vijoi lojën sikur të mos kish ndodhur asgjë. Ju siguroj se faulli nuk ishte qëllimkeq, por pas ndeshjes Van der Vaarti zuri të ankohej në intervista me gazetarët. Kjo gjë e bezdisi Ibrahimoviçin, ngaqë dhjetë minuta më parë, teksa ishin hasur në dhomat e zhveshjes, Van der Vaarti nuk kish bërë zë e nuk kish kërkuar ndonjë sqarim.

Kur u kthyen në Amsterdam, tensioni ishte i lartë, dhe që të dy kërkonin pretekst për t’u zënë. Dhe në një moment, teksa merkatoja po mbyllej, Ibra lëshoi ultimatumin: O unë, o ai në skuadër. Drejtuesit e Ajaxit u përpoqën të rrisnin çmimin e tij, duke thënë se ishte dhe Roma që donte ta blinte. Por edhe unë, edhe Raiola e dinim mirë se verdhekuqtë nuk kishin fuqinë ekonomike për një blerje të tillë. E kështu ramë në ujdi për shifrën e 15 milionë eurove, madje për ta paguar gjatë pesë viteve. Ishte një alamet pazari për Juventusin. Por edhe drejtuesit holandezë do duhej të ishin të kënaqur ngaqë, në qershor 2005, fiks një vit më vonë pra, kontratës së Ibras i vinte fundi, e kështu Ajaxi nuk do të përfitonte asnjë lek prej transferimit të tij.

Juventusi fitoi dy kampionate radhazi me Ibran (është fjala për dy kampionatet që iu hoqën Juves padrejtësisht). E kujtoj akoma një pasazh të vlerësimit që “Gazzeta dello Sport” i bënte në fund të sezonit: “Shënoi gjashtëmbëdhjetë gola në kampionatin e tij të parë në Itali, njësoj si Platini. Qoftë në rolin e qendërsulmuesit të parë, qoftë në atë të qendërsulmuesit të dytë, ai e formonte edhe i vetëm repartin e sulmit. Ka shënuar gola në të gjitha mënyrat e mundshme. Është madhështor, por edhe konkret”. Juventusi, me të rënë në Serinë B, ia shiti Ibran Interit në verën e vitit 2006, për 24,8 milionë euro. Bardhezinjtë veç të fituar dolën nga kjo punë. E sikur unë të kisha mbetur në Torino, Ibra do të ishte edhe sot e kësaj dite me Juventusin.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Plani “B” i protestës, studentë dhe pedagogë bëhen bashkë

Pedagogë të Universitetit të Tiranës do mblidhen sot në një takim ku...
Read More