“Çlirimi i zgjedhjeve” vjen edhe si pasojë e ndryshimit të sistemit zgjedhor

Nga Ervis Iljazaj

Partia Demokratike ka paraqitur paketën e saj për “çlirimin e zgjedhjeve”, ashtu sikurse e quan ajo propozimin e saj për t’i dhënë fund shitblerjes së votës. Padyshim që ky fenomen është një nga fenomenet më të shëmtuara të tranzicionit shqiptar. Mirëpo zgjedhjet çlirohen edhe nëpërmjet sistemit zgjedhor dhe jo vetëm nëpërmjet çështjeve teknike të tij. Të kuptohemi, votimi dhe numërimi elektronik janë dy propozime të rëndësishme. Por, që të kemi një përfaqësim politik të denjë për këtë funksion, nuk mjaftojnë.

Ligji zgjedhor shqiptar, ndoshta është ligji më i rreptë për sa u takon kontrolleve të ndryshme për të siguruar votën. E megjithatë, shitblerja e votës nuk është ndaluar ende. Sepse, në radhë të parë, duhet një zgjidhje për të rregulluar përfaqësimin politik që ka të bëjë me sistemin zgjedhor që e rregullon atë. Si për çudi, çdo propozim vjen nga të dyja palët, përveç ndryshimit të sistemit zgjedhor aktual. Një sistem, i cili u rri përshtat liderëve të partive politike për të siguruar pushtetin e tyre absolut brenda radhëve të partisë.

Ligji zgjedhor padyshim është ligji më i rëndësishëm për një shtet demokratik. Jo vetëm për arsyen që është një instrument i demokracisë direkte, ku shprehja e vullnetit të popullit sovran gjen hapësirën më të madhe të tij, por edhe për faktin se ai ka ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë konfigurimin politik të vendit dhe si pasojë mënyrën e qeverisjes dhe raportin midis pushteteve të ndryshme.

Modelet e sistemit zgjedhor janë të shumta. Efektet që ka njëri apo tjetri model lidhen ngushtë me situatën politike dhe civile të momentit. Personalisht mendoj që një sistem zgjedhor mazhoritar i pastër do të shkonte në favor të normalizimit të situatës politike të vendit. Megjithatë, asnjë model i caktuar nuk mund të prodhojë qëndrueshmëri absolute.

Kur flitet për sistemet zgjedhore ka dy probleme, të cilat duhen përballuar, problemi i përfaqësimit dhe ai i qëndrueshmërisë të qeverisjes. Ka nga ata që besojnë që një sistem zgjedhor duhet të përfaqësojë në mënyrë strikte të gjitha realitetet e një shoqërie, sado të vogla të jenë ato. Për këtë arsye është i preferueshëm sistemi proporcional. Disa të tjerë mendojnë që duhet një normë, e cila të sigurojë qëndrueshmërinë e qeverisë dhe mos ta fusë atë në kriza të vazhdueshme.

Siç parashtrova edhe në fillim të këtij shkrimi, konteksti shoqëror dhe politik i momentit ndaj të cilit duhet të kthejmë sytë sa herë që mendojmë për të ndryshuar sistemin zgjedhor më bëjnë të mendoj që sistemi mazhoritar i pastër me zona elektorale njëemërore të jetë më i përshtatshëm për arsyet e mëposhtme:

Sistemi mazhoritar do të rriste ndjeshëm përgjegjësinë e asaj partie që do të ishte në pushtet. Nuk duhet të kemi frikë edhe nëse në qeverisje ndodhet vetëm një parti. Kjo nuk do të thotë pushtet absolut për një parti të vetme, por përgjegjësi dhe llogaridhënie më e madhe kundrejt elektoratit. Për shembull, e gjithë përgjegjësia ndaj qeverisjes sot është e Partisë Socialiste, duke qenë se fitoi e vetme zgjedhjet e kaluara. Mirëpo, me këtë sistem që kemi, mund të ndodhë rastësisht që një parti të fitojë dhe të qeverisë e vetme.

Së dyti, ky sistem zgjedhor ka krijuar një Parlament që për fat të keq është kthyer në një organ ratifikues të vendimeve qeveritare dhe nuk ushtron asnjë funksion tjetër kushtetues. Gjysma e parlamentarëve janë të emëruar nga Kryetari i Partisë dhe si të tillë nuk mbajnë përgjegjësi përpara elektoratit të tyre, por ndaj atij që i fut apo jo në listë. Sistemi mazhoritar do të balanconte raportin e pushtetit absolut të Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë.

Së treti, sistemi mazhoritar do të krijonte një pasqyrë politike dhe matjen e forcave reale të partive politike duke dhënë një peshë elektorale të vërtetë të çdo force ndryshe nga kamuflimi politik që kemi sot. Ndër të tjera, ato parti që janë lidhur fort me një komunitet të caktuar do të fokusoheshin në territoret në të cilat justifikohet ekzistenca e tyre. Nuk kuptohet se çfarë bën PDIU në Dibër!?

Së katërti, një nga arsyet se përse në 2008 u ndryshua sistemi nga mazhoritar në proporcional ishte pikërisht eliminimi i të “fortëve të zonës”. Ky sistem jo vetëm që nuk e eliminoi këtë fenomen, por përkundrazi, e shtoi ndjeshëm atë. Shpeshherë, “të fortët e zonës” fshihen në listat elektorale dhe bashkohen në mënyrë të turbullt bashkë me emra të nderuar të politikës shqiptare. Nëse partitë kanë ndërmend të vazhdojnë me këtë fenomen, të paktën ta bëjnë hapur, me emër dhe mbiemër për persona të caktuar, por, edhe përgjegjësia do jetë më e madhe.

A do t’i zgjidhte sistemi zgjedhor mazhoritar këto probleme politike dhe shoqërore me të cilat përballemi sot? Patjetër që jo, por është një tentativë për të minimizuar efektet negative, të cilat vijnë nga sistemi zgjedhor që kemi aktualisht. Për t’i zgjidhur plotësisht ato, duhen marrë masa për çështje të tjera. Si për shembull, financimi i partive politike, demokracia e brendshme e partive apo kultura dhe vullneti politik, të cilin nuk ka sistem zgjedhor që mund ta mposhtë.

Shkruar Nga
More from admin

Arian Çani siç nuk e keni parë, lëshon mustaqet për këtë arsye

Moderatorit Arian Çani njihet për një stil të njëjtë në çdo paraqitje...
Read More