Buxheti 2019: Programi 519 miliardë lekë, ambicie për investime e rritje pagash

Buxheti për vitin 2019 është planifikuar të ketë 486.5 miliardë lekë të ardhura, 519.4 miliardë lekë shpenzime dhe një deficit 32.9 miliardë lekë. Ndër elementet më të spikatura të projektit janë rritjet e pagave për disa sektorë publikë, si dhe vijimi i programit të investimeve në infrastrukturë.

Qeveria ka kaluar dhe ka dërguar në Kuvend projektbuxhetin 2019, duke programuar të arkëtojë 468,7 miliardë lekë me një rritje 4.7 për qind në raport me të ardhurat e programuara këtë vit me buxhetin fillestar. Qeveria këtë vit duket se është treguar e rezervuar me parashikimin e nivelit të rritjes së të ardhurave duke programuar rritje me nivelin e rritjes ekonomike e cila pritet të jetë 4.3 për qind më 2019. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar në masën 519,3 miliardë lekë me një rritje 4.7 për qind në raport me programin e këtij viti, teksa deficiti buxhetor pritet të arrijë një vlerë prej 32.9 miliardë lekë, i cili do të financohet nëpërmjet huamarrjes neto nga burime të brendshme dhe të huaja me 7, 2 miliardë lekë. Pjesa tjetër prej 25,6 miliardë lekësh financohet nga përdorimi i fondeve të akumuluara në llogarinë e qeverisë në Bankën e Shqipërisë. Është parashikuar një fondi për rritjen e pagave prej 2 miliardë lekësh shpërndahet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi bazën e nivelit të pagave që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Treguesit buxhetorë sipas projektit të qeverisë

Buxheti për vitin 2019 është planifikuar të ketë 486.477 milionë lekë të ardhura, 519 377 milionë lekë shpenzime me një deficit 32 900 milionë lekë. Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 2 450 milionë lekë. Fondi për rimbursimin e ilaçeve nuk tejkalon tavanin prej 10 500 milionë lekësh. Të ardhurat e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë planifikuar: nga grantet 15 500 milionë lekë; nga të ardhurat tatimore 325 604 milionë lekë dhe nga të ardhurat jotatimore 23 840 milionë lekë. Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit prej 32 900 mijë lekësh, nëpërmjet huamarrjes totale neto nga burime të brendshme dhe të huaja është 7 203 milionë lekë. Pjesa tjetër prej 25 697 milionë lekësh financohet nga përdorimi i fondeve të akumuluara në llogarinë e qeverisë në Bankën e Shqipërisë. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve. Të ardhurat nga privatizimi, që mund të krijohen gjatë vitit 2019, përdoren jo më pak se 50 për qind për uljen e borxhit publik dhe pjesa tjetër përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale. Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë: Shpenzime të buxhetit qendror 388 545 milionë lekë; Fondi për rritjen e pagave 2 000 milionë lekë; Fondi rezervë 1 500 milionë lekë; Fondi rezervë i sistemit të drejtësisë 1 500 milionë lekë dhe Kontingjenca për risqet e borxhit 4 300 milionë lekë. Sipas ligjit buxhetor numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 82 022 veta. Për vitin 2019 nuk miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë. Kufiri i shpenzimeve, sipas tabelës buxhetore, mund të rishpërndahet gjatë vitit ndërmjet programeve brenda të njëjtit institucion buxhetor apo ndërmjet programeve të institucioneve të ndryshme nga Këshilli i Ministrave, deri në masën 10 për qind të shumës së përgjithshme të shpenzimeve korrente apo shpenzimeve të përgjithshme kapitale, duke ruajtur totalin e shpenzimeve korrente dhe kapitale. Tavani për vlerën totale të kontratave në përqindje të PBB-së për të gjitha projektet koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2018, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve është 46% e PBB-së. Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të stokut të borxhit të qeverisjes qendrore dhe atij të garantuar të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2019, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, është deri në 9 203 milionë lekë. Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë në 1 147 922 milionë lekë, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, si më poshtë vijon: stoku i borxhit të qeverisjes qendrore 1 091 684 milionë lekë; Stoku i borxhit të garantuar nga qeverisja qendrore 55 085 milionë lekë; Stoku i borxhit të qeverisjes vendore 1 153 milionë lekë. Buxheti parashikon që në rast të emetimit të një eurobondi të ri, si dhe në rast të disbursimit të ndonjë kredie shtesë në formën e “mbështetjes buxhetore” nga institucionet financiare ndërkombëtare, kufiri për huamarrjen totale neto, rritjen vjetore të stokut të borxhit dhe nivelin e vlerësuar të stokut të borxhit mund të tejkalohen me vlerën totale të eurobondit të emetuar.

Treguesit buxhetorë sipas ministrit Ahmetaj

Ministria e Financave ka programuar projektbuxhetin e vitit 2019 mbi një rritje ekonomike 4.3 për qind. Të ardhurat buxhetore do të arrijnë në 27.5 për qind të PBB-së, deficiti buxhetor do të jetë -1.9% dhe borxhi publik do të arrijë në 64.9 për qind në fund të vitit 2019. Fillimisht të dhënat i ka bërë publike për mediat ministri i Financave Arben Ahmetaj vetëm pak orë para se buxheti dhe paketa fiskale 2019 të marrin miratimin nga qeveria. Ahmetaj tha se edhe vitin që vjen do të vijojë konsolidimi fiskal, ulja e borxhit dhe rritja e të ardhurave dhe prioritizimi i investimeve publike. Ahmetaj tha se, për të katërtin vit radhazi buxheti planifikon suficit primar, që do të thotë se nuk prodhohet më borxh i ri. Projektbuxheti i 2019 do të financojë politikat e reja. Vitin e ardhëm financohet rritja e pagave në shëndetësi, arsim, në policinë e borxheve dhe të trupin diplomatik. Do të përfitojnë rritje rreth 35, 373 mësues dhe mbi 18 mijë mjekë dhe infermierë. Rritja e pagave do të vijojë edhe me policinë e borxheve dhe rritje të pagave të diplomatëve shqiptarë mbi 20 %. Nga shpërblimi i lindjeve do përfitojnë 30 mijë familjare mbi 2 miliardë lekë. Ahmetaj tha se me politikën fiskale lehtësohet më tej barra fiskale. 15 mijë punëmarrës përfitojnë nga lehtësimi i tatimit nga pagat e larta dhe mbi 15 mijë biznese përfitojnë ulje nga tatimi mbi dividentin. Nga ulja e taksës së ambalazhit përfitojnë ulje kostoje dhjetëra operatorë të fushës. Nga paketa fiskale është lehtësuar gjithashtu industria e fasonit dhe farmaceutikës. Arsimi do të financohet me mbi 3 % e PBB-së, rritja të pagave të mësuesve do të jetë rreth 7%. Shëndetësia dhe mbrojtja sociale është zgjeruar konsiderueshëm. Vitin që vjen do të ketë 100 qendra shëndetësore të rikonstruktuara dhe deri më 2021 dhe do të ketë 130 qendra të rikonstruktuara totalisht deri me 2021. Në sektorin e rrugëve do të vijojë puna për rrugën e Arbrit, teksa në procedurë është Thumanë-Kashar, Milot-Balldren, Orikum-Dukat, Kardhiq-Delvinë në të gjitha lotet, Fushë-Krujë −Milot -Morinë, Qafë-Thanë−Lin -Pogradec, Unaza e re e Tiranës, Bypasi i Tepelenës, ai i Shkodrës, hekurudha Tiranës-Durrës-Rinas. Vitin e ardhshëm do të bëhet i kalueshëm Bypasi i Fierit dhe do të vijojë puna në atë të Vlorës. Dhe gjithashtu në pranverë të 2019 do të vihet në funksion total rruga e Tiranë-Elbasan, pasi kostot e saj u rriten me 40% nga fillimi i projektit. Në Sektorin e bujqësisë do të vijojë mbështetja buxhetore prej 2.6 miliardë dhe do të vijojë skema e IPARD dhe qeveria do të financojë edhe 1 miliardë të tjera në mënyrë që arrijë tërheqjen e financimeve IPARD. Do të financohet gjithashtu edhe Reforma në Drejtësi, kostoja e së cilës arrin në 2.2 miliardë lekë.

Rritja e pagave

Ndërkohë zv.ministri i Financave Erion Luci, shprehet se projekt-buxheti 2019 konsiston në forcimin e rritjes ekonomike e cila nga 4% që u rrit këtë vit, pritet të rritet me 4.3% vitin e ardhshëm. ‘Në fokus është qytetari dhe fermeri dhe shumë aktorë të tjerë, si edhe bizneset. Ky është një buxhet progresiv, i cili synon mbështetjen e rritje ekonomike dhe punësimin’ u shpreh Luci. Luci vlerësoi një tjetër element pozitiv të këtij buxheti, ndërsa tha se ai është i bazuar mbi të ardhurat që gjeneron vetë qeveria nga taksat. “Kjo do të thotë se borxhi do vijë në rënie, që jep një siguri tjetër në aspekt të së ardhmes” -u shpreh zv.ministri Luci, ndërsa u ndal në shtyllat kryesore të investimeve gjatë vitit të ardhshëm. ‘Si fokus, do të jetë mbyllja ose përshpejtimi i projekteve infrastrukturore të hapur. Unaza e Tiranës do vijojë të marrë një fond të konsiderueshëm. Fushë-Krujë−Milot-Morinë, Qafë-Thanë – Lin – Pogradec, Milot-Balldre-Orikum, si edhe fillimi i tunelit Kardhiq-Delvinë. Një projekt tjetër me rëndësi është edhe nisja e punimeve i hekurudhës Tiranë Durrës” – theksoi Luci. Duke u ndalur në rritjen e pagave për disa sektorë që parashikon buxheti i vitit të ardhshëm, Luci u ndal në shifra konkrete. “Sektorët që do përfitojnë janë sektorët e shëndetësisë, arsimit, mbrojtja dhe sistemi penitenciar dhe trupi diplomatik. Në shëndetësi do jenë rreth 4650 mjekë dhe rreth 13 7650 infermierë që do të përfitojnë një fond shtesë rreth 1 mld lekë e konvertuar në terma rritje, në vlerë neto dhe bruto është rreth 7%. Mjekët do vijnë afër 1 mln lekë të rinj në muaj, ndërsa infermierët mbi 500 mije lekë” – deklaroi Luci. “Sektori tjetër që do të përfitojë do të jetë arsimi. Edhe këtu rritja do të variojë në 7 %, për 35 783 arsimtare. Pagat variojnë më shumë edhe nga vjetërsia, por rritja bazohet te 7 % e cila përkthehet në një vlerë totale 1.4 mld lekë në vit”, vijoi me tej Luci. “Te mbrojtja janë 6800 ushtarakë që do të marrin një rritje të krahasueshme edhe me sektorët e tjerë, pasi kanë një farë kohe që nuk kanë përfituar rritje. Në sistemin petinciar pritet një rritje për 3560 efektivëve të burgjeve me një efekt rreth 200 mln lekë në vit, edhe kjo varion në rritje me 7%. Po ashtu një rritje do të ketë edhe për trupin diplomatik” u shpreh Luci. Edhe në lidhje me pushtetin vendor, i cili është një tjetër element i rëndësishëm reforme, do ketë një tjetër ndryshim sa i përket arsimit parashkollor. Është një tjetër hallkë e rëndësishme, e cila duke nisur nga fillim i vitit që vjen kalon plotësisht nën funksionin e qeverisë vendore. Këtu është bërë një ndryshim pozitiv. Kalimi nga numra mësuesish në kalimin në numra fëmijësh, pa shkurtuar ato zona që kanë numër të vogël fëmijësh por duke mbështetur zonat me numër të lartë. Që do rezultojnë rreth 438 mësues shtesë, apo edukatorë shtesë. Kjo do shoqërohet me një rritje të pagës me gati 9,1% dhe numri pritet të bjerë nga 26 në 18 fëmijë për edukator”, -tha zv.ministri i Financave, ndërsa theksoi se ligji do të nisë të zbatohet nga muaji prill ose maj i vitit të ardhshëm. “Paketa fiskale do të ulë barrën fiskale për 15 mijë të punësuar, ulet norma e tatimit për pagat e nivelit të mesëm dhe të lartë. Janë gati 50 mijë investitorë që do përfitojnë nga ulja e normës së tatimit mbi dividentin nga 15 në 8 %. Do ketë 50 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor. Është një analizë se si të rritet konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare, edhe ndryshimi i mënyrës së taksimit të ambalazhit do krijojë lehtësi për bizneset e fushës”, -tha ai. Luci u shpreh se lehtësi do të ketë edhe për industrinë fasone që operon në vend, ndërsa u shpreh se bujqësia si një nga prioritetet e buxhetit të ardhshëm ka një fond prej 2.6 mld lekësh, ndërsa theksoi mbështetjen e këtij sektori edhe përmes skemave të BERZH.

Stoku i borxhit shtohet me 70 mln euro

Stoku i borxhit publik është programuar të rritet vitin që vjen në masën e 9.2 miliardë lekëve ose rreth 70 milionë euro, duke i çuar totalin e detyrimeve publike në 1,14 triliard lekë, sipas të dhënave nga projektbuxheti i vitit 2019. Në borxhin e ri, 7,2 miliardë lekë janë huamarrjen e brendshme dhe atë të huaj dhe 2 miliardë lekë për rritjen vjetore të garancive të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese. Ministria e Financave shpjegon se në rast të emetimit të një Eurobondi të ri, si dhe në rast të disbursimit të ndonjë kredie shtesë në formën e “mbështetjes buxhetore” nga institucionet financiare ndërkombëtare, kufiri për huamarrjen totale neto, mund të tejkalohen me vlerën totale të Eurobondit të emetuar dhe mbështetjes buxhetore të disbursuar. Ndërkohë niveli i deficitit të buxhetit të vitit 2019 do të mbetet i pandryshuar. Qeveria mund të akumulojë dhe mund të mbajë në llogarinë e qeverisë në Bankën e Shqipërisë çdo gjendje shtesë të likuiditetit që mund të krijohet dhe mbartet për të financuar buxhetet e viteve fiskale pasardhëse, por pa kaluar kufirin prej dy muajsh të shpenzimeve buxhetore. Ndërkohë kontingjenca për risqet e borxhit për vitin 2-19 është llogaritur në 4,3 miliardë lekë dhe do të përdoret nga ministri i Financave dhe Ekonomisë për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa. Qeveria parashikon të çoje borxhin publik në 64.9 për qind të PBB-së gjatë 2019. Gjatë këtij viti borxhi publik pritet të shënojë rënie me 1.3 pikë përqindje në raport me vitin 2017. Ulja e peshës së titujve afatshkurtër dhe atyre me norma interesi të ndryshueshme në portofolin e borxhit të brendshëm, ka qenë faktori mbizotërues në uljen e riskut të rifinancimit dhe riskut të normave të interesit.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Java e provës për mazhorancën: Do ta pengojë apo do ta mbështesë Reformën në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj Çështja e ish-ministrit Tahiri ka tronditur mazhorancën politike në...
Read More