Bunk’art tmerron të rinjtë dhe provokon të përndjekurit

bunkart3Muzeu i ngritur për të treguar krimet e komunizmit e njëkohësisht historinë e policisë shqiptare prej pavarësisë, i lë të dyzuar vizitorët. Nga të rinjtë e frikësuar te komunistët që nuk braktisin ato që “dinin” për regjimin e të persekutuarit të revoltuar nga Rama

Nga Vladimir Karaj

Pa hyrë mirë dëgjohet zëri i një burri që thërret emra të ekzekutuarish prej komunizmit. Toni i zërit është monoton, si përmort, dhe rref njësoj si pika e ujit që përshkruhet si një nga torturat e sigurimit në dhomat e mëposhtme. Në hyrje po ashtu janë portretet e të vrarëve dhe blanat e djegies prej protestës së opozitës në bunkerin e “Bunk Art 2”. Pastaj fillon të zbresësh dhe sytë e shqisat të mbyten prej klaustrofobisë nën peshën e mureve të trasha me beton që mund ta imagjinosh dhe erës së rëndë të lagështisë, që organizatorët thonë se “qe e pamundur të hiqej”. Është diçka me të cilën nuk mund dhe me gjasë nuk duhet të mësohesh.

Kryeministri Edi Rama e inauguroi atë si një muze kujtese tre ditë më parë duke ftuar ta vizitonin dhe të “qepnin gojën” të gjithë ata që e kishin sulmuar, ndërsa një dron fluturonte në shenjë proteste me emrin e Havzi Nelës. Babai i kryeministrit ka firmosur për të mohuar faljen e jetës së Nelës bashkë me 14 anëtarët e tjerë të Presidiumit të Kuvendit Popullorë përfshi Ramiz Alinë dhe opozita e të përndjekurit i kanë kërkuar Ramës të lypë falje për këtë. Fotoja e Nelës, një ndër të fundit të ekzekutuar prej diktaturës, ishte po ashtu në hyrjen e bunkerit prej nga Rama foli.

Muzeu i ndërtuar si i tillë për historinë e policisë shqiptare që prej pavarësisë, krimeve të sigurimit, internimeve, hetuesisë së diktaturës dhe zjarrfikëses është futur brenda një labirinti të nëndheshëm betoni të ndërtuar në nëntokën e Tiranës para viteve 90’. Zëra dëshmish, muzika, marshet e një mori zhurmash përfshi rrahjet e zemrës që i dëgjon të përplasen në muret e ngushta janë një shtesë mbi mesazhet shumëfishe grafike, që muzeu synon të përcjellë duke i lënë sidoqoftë vizitorët të dyzuar dhe shpesh konfuzë. Një “supë historike” e quante në një kritikë të botuar në exit.al Vincent W.J. van Gerven Oei paraqitjen, duke i mëshuar asaj që e gjente si kakofoni mesazhesh.

Shumë sidoqoftë nuk e gjykojnë prej kësaj. Mjaft prej të përndjekurve e shohin si të papranueshëm. Ata e patën akuzuar Ramën se po i thurte e lavde regjimit, duke refuzuar fillimisht bunkerin që shërben si hyrje dhe tashmë gjithë përmbajtjen. Besim Ndregjoni, presidenti i një organizate për të përndjekurit politik i tha MAPO-s se kjo ishte “Hipokrizia ideologjike e Kryeministrit, duke i rivrarë dhe një herë martirët që nuk kanë një varr”. Pasi shkroi se Rama po i përdorte fotot e tyre për të mbrojtur bunkerin, Ndregjoni thotë se fati i këtij të fundit do ishte i ngjashëm me “fatin që pati shtatorja e diktatorit”.

Për të rinjtë që shohin muzeun ai është “i frikshëm”, siç thotë Kristian, një vajzë e shkollës së turizmit. Reagimet e tyre janë diçka mes habisë, tronditjes dhe hutimit. “Ne kemi ardhur për të parë si nxënës të turizmit”, thotë një tjetër vajzë, pastaj shton se nuk e kishte besuar që diçka e tillë ndodhej nën Tiranë dhe se diçka e tillë kishte ndodhur në Shqipëri. Të lindur pas të 90-tave e kanë të vështirë të gjejnë veten apo qoftë edhe diçka të ngjashme mes dy Shqipërive, asaj që lënë lart dhe asaj që gjejnë të montuar në tunel me aparate përgjimi fshehur në bishta fshesash apo vënë në mure tektullë për të na treguar se si komshiu përgjonte komshiun.

Visar Shala, i cili ndodhet në Tiranë për t’u stërvitur në arte marciale, shtang pas një dere prej nga mund të dëgjohet marrja në pyetje e Kiço Ngjelës, tund kokën sikur të mos e besojë sërish. “Është paradoks”, thotë ai, “por më mirë që nuk e kemi ditur ne në Kosovë këtë, ndryshe nuk do kishim pasur shpresë”. Ai e sheh të tmerrshme atë që ka ndodhur në Shqipëri dhe nuk e kupton dot (duke bërë krahasimin me Kosovën) se si mundej “shqiptari t’ia bënte këtë njerëzve të tij”.

Por jo të gjithë fitojnë të njëjtat ndjesi ndërsa ecin përtueshëm dhe ngatërrohen në labirint me gjithë shenjat e forta që të tregojnë rrugën. Për shumë është vonë për të pasur një mendim të dytë për diktaturën. “Unë kam mbyllur gojën atëherë nuk kam ngrënë m…”, thotë një burrë i thinjur plotësisht dhe krenar që kishte heshtur, duke justifikuar në një mënyrë apo një tjetër atë që ai sheh të varur në muret e “Bunk Art 2”. I ardhur nga Greqia ai rastësisht përfundoi nën kupolën e bunkerit, në oborrin e Ministrisë së Brendshme, që i ka ndarë shqiptarët edhe në më shumë pjesë se komunizmi dhe vendosi ta vizitojë edhe pse thotë e dinte shumë mirë çfarë kishte ndodhur dhe se i ishte ruajtur asaj. “Por ai (regjimi) i dha edukatë tjetër këtij vendi”, thotë ai.

Një burrë tjetër me kapele republike dhe duar të lidhura pas shpine nuk është fort i sigurt se çfarë priste të gjende aty. “Unë kam qenë 20 vjet komunist, kryetar kooperative dhe pastaj dy vjet bari në Greqi”, thotë ai, ndërsa nuk është e sigurt se çfarë të bëjë me atë që mëson aty, por thotë “Po gabim bëjnë që e hapin, po të ketë ndonjë luftë ku do shkojnë këta ministrat”.

Një burrë tjetër thotë që as nuk e kishte imagjinuar këtë. “Njerëzit nuk kanë ditur asgjë… Unë kam punuar në fermë…e ku e dija unë ça ndodhte këtu”, thotë ai. Burri është edhe përfaqësues i pjesës më të madhe të atyre që hyjnë dhe dalin të hutuar qoftë prej aromës së rëndë, qoftë prej pamjeve e informacionit të ngjeshur shpesh të ngatërruar. Një nga organizatorët i tha MAPO-s se ka qenë jo pak e vështirë të gjendeshin materialet për muzeun. Në një skemë të detajuar në mure tregon se si në fund të regjimit ai prodhoi një makineri të koduar si “brumatriçe” që besohet se ka shkatërruar pjesën më të madhe të dokumenteve të prodhuara nga regjimi.

Në fund të dalësh prej tij është një si farë çlirimi. Mbushesh me frymë. Një artist i ri nga Kosova, që lëshohet menjëherë në stolin përballë daljes për t’u qetësuar dhe lëshon një psherëtimë: “Është shumë vonë…”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Gjykata vendos arrestimin e Xhelilit! Shkarkimi shkon në Kushtetuese

Gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për ish-kryebashkiakun e...
Read More