Brexit, populizmi dhe rreziku i antipolitikës

Ervis IljazajNga Ervis Iljazaj

Nëse do donim  t’i shpjegonim studentëvë të shkencave politike se çfarë eshtë populizmi , rasti i referendumit që u zhvillua në Britaninë e Madhe për të qëndruar apo jo në Bashkimin Europian do të na lehtësonte shumë punën. Ky ishte një rast tipik ku sjellja e politikës me anë të demagogjisë kërkoi të kënaqte pritshmëritë e një populli , që siç e  treguan informacionet që vinin nga  kërkimet në google një ditë më vonë pas rezultatit të referendumit, pjesa më e madhe e tij nuk kishte as më të voglën ide se çfarë ishte Bashkimi Europian.

Pavarësisht kësaj mungese informacioni dhe pasojat që do të sillte kjo votë, populli britanik në shumicën e tij votoi pro daljes nga BE dhe ndër të tjera pjesëmarrja në referendum ishte mbi 75 për qind. Pra një rezultat më se i legjitimuar . Si mund të shpjegohet kjo sjellje e elektoratit britanik?

Pikë së pari më shumë se sa një vlerësim real mbi efektet e qëndrimit apo jo në BE, ky referendum u përdor si luftë e brendshme politike. Boris Johnson, udhëheqësi i fushatës pro daljes nga BE kërkonte marrjen e partisë Konservatore dhe si pasojë postin e kryeministrit dhe e vetmja mënyrë që mund të arrinte këtë ishte pikërisht gjetja e një betejë politike kundër kryeministrit në pushtet i cili kishte premtuar mbajtjen e një referendumi të tillë. Johnson luajti më së miri me emocionet e një populli që gjithmonë e kërkon fajtorin diku tjetër. Krizat ekonomike dhe ato sociale me anë të kërcënimit të emigracionit në masë, luajtën një rol të rëndësishëm në krijimin e një armiku. Politika ka gjithmonë nevojë për një armik, qoftë edhe imagjinar ky, siç ishte në këtë rast  Bashkimi Europian.

Së dyti , nëse shikojmë mënyrën e votimit në referendum duket qartë se pjesa më e madhe e cila ka votuar pro daljes nga BE është  moshë relativisht e madhe. Pjesa më e re e shoqërisë ka votuar për qëndrimin e Britanisë në BE. Anglezët janë një popull konservator ku lavdia e së shkuarës luan një rol të rëndësishëm në politikëbërjen e tyre. Nostalgjikët me sa duket kanë votuar për rikthimin e lavdisë britanike në arenën ndërkombëtare të pavarur nga burokratët e BE-së pa ‘’atdhe’.

Së treti, britanikët edhe pse zyrtarisht kanë qenë pjesë e Bashkimit Europian prej shumë vitesh kanë patur një marrëdhënie të privilegjuar me të. Ata asnjëherë nuk e kanë pranuar plotësisht pushtetin e një strukture tjetër mbi territorin e tyre. Pra, si të thuash, ajo midis Britanisë dhe BE ka qenë gjithmonë një marrëdhënie e sforcuar dhe siç dihet marrëdhëniet e sforcuara herët apo vonë përfundojnë.

Përtej diskutimeve nëse do të jetë Europa apo Britania më e dobët pas kësaj ndarjeje, ajo që është shqetësuese nga gjithë kjo histori ështe fakti i rritjes së lëvizjeve populiste në të gjithë politikën europiane.

Lëvizjet populiste po shfaqen gjithmonë e më shumë në të gjitha shtetet europiane si pasojë e një klime ekonomike dhe sociale që nuk po përballohet me mjetet e duhura,  por duke luajtur me ndjeshmëritë e masave të cilat në këto raste janë lehtësisht të manipulueshme.

Duke lënë mënjanë përkufizimet e ndryshme mbi populizmin, sot, pa frikë mund të themi që anti-europeizmi është lëvizja populiste kryesore. Lidhjet direkte midis liderit politik dhe popullit të tij janë cënuar nga një Europë e cila ka detyruar shtetet të lëshojnë pjesë nga sovraniteti i tyre. Andaj, në pjesën më të madhe të shteteve Europiane partitë nacionaliste po fitojnë gjithmonë e më shumë popullaritet duke krijuar arsye politike nacionale dhe lokale të cilat nuk kanë asnjë vlerë në një shoqëri globale.

E gjithë kjo dozë populizmi  që po shënon këtë periudhë politike ka krijuar një betejë të re. Sot, lufta politike , në cfarëdo shteti europian nuk është më ajo tradicionale midis ideologjive të ndryshme, por midis politikës dhe anti- politikës, midis forcave politike tradicionale dhe të moderuara dhe levizjeve politike të reja që duan të rrëzojnë këtë sistem. Syriza në Greqi , Cinque Stele në Itali dhe Podemos në Spanjë e tregojnë më së mirë këtë fakt.

Forcat anti-politike janë përhapur si një virus i cili rrezikon kthimin e autoritarizmit nëse klasat politike ekzistuese të cilat kurrë më parë ska patur një refuzim të tillë nga ana e shoqërive të tyre,  nuk do të dijnë të shfaqin një vizion të ndryshëm nga ky aktuali, një nxitje të pjesëmarrjes dhe transparencës politike dhe të krijojnë lidera politikë të cilët të marrin në dorë fatin e vëndeve të tyre.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Carlo Messina: Intesa Sanpaolo është banka më e fortë midis bankave kryesore në Europë

Torino – Milano, 29 Korrik 2016 – Intesa Sanpaolo iu nënshtrua provës...
Read More