BOTIMI I UET-PRESS/ ‘Si e vlerësonte muzikologu i famshëm kulturën shqiptare’

Nga Bashkim Zeneli

Është promovuar në ambientet e Hotel Plaza Tirana libri me autor ish-ambasadorin e Shqipërisë në Greqi, Mjeshtrin e Madh, Bashkim Zeneli. Botimi i UET-Press, me titull “Miqësi e Trazuar” vjen në një moment kur marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë shumë të diskutuara dhe dinamike. Të pranishëm në këtë promovim ishin një sërë figurash të shquara të jetës publike në vend, mes tyre edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Rëndësia e këtij botimi qëndron si në debatet politiko-shoqërore që zhvillohen çdo ditë, ashtu edhe në fushën e diplomacisë duke qenë veçanërisht i vlefshëm për diplomatët e rinj. Gjeni më poshtë një pjesë interesante nga libri

Lojërat Olimpike po afroheshin përditë e më shumë. Vëmendja për to ishte shumë e madhe jo vetëm nga organizatorët e drejtpërdrejtë, por nga gjithkush. Secili kishte një “detyrë” të tijën, të shpallur apo të heshtur. Të gjithë, çdo grek, i madh dhe i vogël, ndjente peshën e vet të përgjegjësisë, aty ku punonte e jetonte. Olimpiada kishte lindur aty dhe, tani, pas 2800 vjetësh nga antikiteti, apo 108 vjet nga ato modernet, grekët donin të ngrinin më lart emrin e tyre, me Olimpiadën, me pritjen bujare…

Isha takuar në disa raste me muzikologun me famë botërore, z. Jorgos Leocakos. Për herë të parë e kisha njohur në vitin 1990, kur isha në Athinë, si gazetar, për një dokumentar televiziv që kam folur edhe më sipër. Jorgo Leocakos do të ishte pjesë e dokumentarit me intervistën shumë miqësore që më dha, me vlerësime shumë pozitive për popullin tonë dhe kulturën tonë.

Që atëherë do të më tregonte, tek pinim bashkë një kafe, pas intervistës, e nga nëna e tij ishte me origjinë arvanite. Ajo i kishte mësuar edhe gjuhën e të parëve… E donte shumë Shqipërinë dhe i çmonte sidomos shumë muzikologët dhe kompozitorët e mëdhenj shqiptarë. Z. Leocakos ishte muzikologu më i shquar i Greqisë dhe një ndër më të njohurit në Europë.

Ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e hulumtimeve shkencore, në lëmenjtë e gjinive të ndryshme të muzikës greke, të asaj popullore, të trashëgimisë dhe historisë së saj, por edhe më gjerë se kaq. Është autor i një numri të madh librash dhe studimesh për muzikën klasike dhe të përpunuar. Ai ishte bashkautor në hartimin dhe botimin e Enciklopedisë Botërore për Muzikën dhe Muzikantët (“Grove Dictionary of Music and Musicans” – Oxford University Press, London) me 29 vëllime.

Ky muzikolog i shquar ka meritën, por njëkohësisht edhe mirënjohjen tonë të madhe, pasi ai ka futur në këtë enciklopedi të muzikës botërore edhe faqet për historinë, traditat dhe prurjet e rralla të muzikës sonë popullore, të kultivuar dhe klerike.

Por jo vetëm kaq. Profesori i famshëm Jorgo Leocakos është autor i një studimi dhe botimi shkencor të vetëm dhe unik në llojin e vet, të titulluar “Historia e muzikës shqiptare”, me rreth 600 faqe, ndërkohë që tek ne ende nuk e ka marrë përsipër ndonjë muzikolog (flas deri në vitin 2004, kur i dedikohem këtyre radhëve). Profesor Jorgo Leocakos ka qenë dhe mbetet një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është interesant për të nënvizuar se dekada më parë ka qenë pjesëmarrës në numrin me të madh të festivaleve të Gjirokastrës. Por edhe pjesëmarrës në jurinë e këtyre festivaleve. Por ka qenë i ftuar nderi edhe në koncerte të muzikës klasike në Tiranë.

Si muzikolog i shquar ka shkruar një numër të madh librash për historinë e muzikës dhe për muzikantë e kompozitorë të shquar grekë dhe Europianë. Do të më tregonte në bisedat me të se kishte një fond të jashtëzakonshëm dokumentesh historike, arkivore e shkencore për fushën e muzikës, historisë dhe kulturës botërore. Zotëronte plot 11 gjuhë të huaja, edhe shqip!

Në ato ditë në prag të Olimpiadës, arti dhe kultura jonë në Athinë kishte fituar një vlerë të jashtëzakonshme. Do të më telefononte profesor Jorgo Leocakos për t’u takuar. E prita me shumë kënaqësi dhe u ulëm së bashku në hollin e hotelit “Hilton”.

Plot entuziazëm ai do të më tregonte se “Shqipëria ka një kompozitor dhe muzikolog të shquar: profesor Vaso Tolen.” Profesori e kishte shumë mik dhe e vlerësonte pa masë. Do të më tregonte plot kënaqësi dhe krenari se Vaso Tole, që në vitin 2001, pra tri vite më parë, ishte fitues në konkursin ndërkombëtar “Dimitris Mitropolos” për veprën me të mirë me temë Opera e Tokës, për t’u shfaqur në kuadër të Lojërave Olimpike.

Por arsyeja që më kishte telefonuar për t’u takuar profesori ishte keqardhja e thellë e tij se “për disa shkaqe teknike shfaqja e Operës do të shtyhej, por ajo do të shfaqej… kurdo, edhe pas Lojërave, se ishte një kryevepër…”

Këshilltari i ambasadës, Vasillaq Çollaku, që ishte mik i profesor Toles, do të më thoshte se muzikologu i shquar kishte ardhur në Athinë dhe dëshironte të më takonte. E prita me shumë kënaqësi, ndonëse nuk njiheshim nga afër.

Ai do të më tregonte në detaje për suksesin në konkurrim, por edhe pritmërinë për t’u shfaqur Opera gjatë ditëve të Lojërave Olimpike. Fliste me shumë qetësi dhe me një modesti të veçantë. Sigurisht që, tek fliste me emocion, ishte shumë i lumtur për vendin e parë që kishte marrë vepra e tij midis dhjetëra konkurruesve të njohur nga e gjithë bota. Kishte kulturë të gjerë, jo vetëm të fushës.

Do të vinte në Athinë edhe gjatë, edhe pas Olimpiadës dhe do të bisedonim edhe për ditën e shfaqjes së Operës, por edhe për çfarë mund të bënim më shumë në fushën e kulturës, artit, letërsisë e muzikës, tani që kishim edhe një marrëveshje midis të dy vendeve…

Vaso Tole ishte plot emocione në pritje të shfaqjes. Lojërat Olimpike kishin përfunduar, por Opera, vepra fituese e Vaso Toles, ishte pjesë e saj! Të gjithë ne, ishim pjesë e saj, ishim të nderuar e krenarë! Dhe do të vinte edhe dita e madhe e shfaqjes, në fund të shtatorit, për dy ditë: më 30 shtator dhe 1 tetor. Kishte një jehonë të madhe në shtyp dhe për vlerat e saj do të shkruanin muzikologë e profesorë e studiues të njohur grekë. Një vend shumë të gjerë do t’i jepte shtypi shqiptar në Greqi e sidomos gazeta “Tribuna” dhe “Gazeta e Athinës”. Do të mësonin të gjithë bashkatdhetarët për këtë shfaqje të madhe. Dhe ishte e dhimbshme se në shtypin tonë të Tiranës nuk u fol fare për këtë sukses të shkëlqyer të profesor Vaso Toles, si fitues i vendit të parë në atë konkurs mbarëbotëror.

Një vlerësim shumë të madh kësaj shfaqjeje i bënë artistë tanë të njohur të muzikës, që punonin dhe jetonin në Greqi. Dhe ishin vërtet shumë dhe vërtet të shquar, të njohur mirë në botën greke të artit. Ata kishin qenë virtuozë të spikatur që në Shqipëri, para se të vinin në Athinë. Midis tyre kishte instrumentistë të shkëlqyer, të njohur jo vetëm në Greqi, por edhe jashtë saj, me suksese në turnetë ndërkombëtare. Ishte violinisti me famë Renato Ripo; ishin artistët e mirënjohur e virtuozë Arben Kadesha, Franc Shestani, Alfred Shtuni; muzikologu i njohur Sandër Çefa; kompozitori i njohur Spartak Tili; ishin kërcimtarët e njohur në formacionet më prestigjioze Taulant Ferra, Erta Sferdelli, Spiro Marko etj., etj.

Ata dinin, më shumë se kushdo, të ishin krenarë për këtë vepër të përmasave botërore të bashkatdhetarit të tyre, Vaso Tola. Bujar Alimani e Laert Vasili, Adelina Balashi e Miho Gjini, Nikolla Llambro e Karafil Shena, Ismet Zusi etj., etj., artistë të mëdhenj shqiptarë në Athinë dinin të flisnin me kompetencë profesionale dhe me një kënaqësi të veçantë për Operën. Muzikologu i spikatur, me kulturë të gjerë, me humor dhe tepër modest, Sandër Çefa, më shumë se kushdo do të ishte aktiv në promovimin e veprës. Opera quhej “Eumenidet”! “Eumenidet” e Eskilit të madh do të fliste, pas shekujsh, me tingujt e muzikës së Vaso Toles. Premiera e shfaqjes do të jepej me 30 shtator, në Teatrin antik Herodes (Irodhio Atiku) në këmbët e Akropolit kryelartë, aty ku kishte kënduar edhe Inva Mula me Mario Frangulis.

Tani ky teatër antik përsëri do të fliste, më shumë, shqip. Ishte një ngjarje e madhe, jo vetëm e përmasave “greko-shqiptare”, por edhe e përmasave ndërkombëtare, si premiera botërore e një vepre muzikore. Tashmë në shkallët e gurta të teatrit antik grek do të luante orkestra greke e Ngjyrave, që në gjirin e vet kishte disa instrumentistë të njohur shqiptarë.

Dhe orkestra nuk do të drejtohej as nga një grek dhe as nga një shqiptar. Ajo do të drejtohej nga dirigjenti i njohur turk Alpaslan Ertyengealp. Dhe për ngjyrat e mrekullueshme tek “Eumenidet”, aty do të këndonin këngëtarë të njohur jo vetëm grekë, por edhe nga Kina, Japonia, Rusia, Çekia, Meksika etj. Dhe të gjithë këta artistë të mëdhenj do t’i “mblidhte” në Athinë kompozitori dhe muzikologu ynë i shquar Vaso Tole. Shtypi grek, me shumë të drejtë, e kishte krahasuar Vaso Tolen me kompozitorë e muzikologë të përmasave botërore. Krenarë për të tillë artistë të mëdhenj!

Nuk ishte gjë e vogël që një opera e një kompozitori shqiptar të përgatitej për festën e madhe Olimpike. Dhe ky ishte edhe një nder që Greqia e artit dhe kulturës i bënte me plot meritë një artisti shqiptar. Mjeshtri i shquar, Sandër Çefa, në një bisedë me kafe përpara në një lokal shumë të bukur pranë Divani Caravel, do të më shpjegonte se opera ishte e përmasave të mëdha; ajo kishte diçka të veçantë, diçka të madhe, diçka nga shpirti grek, diçka nga Zorba greke, nga forca për të luftuar për lirinë, për të mbrojtur lirinë, të drejtat e njeriut…

Ishte Greqia e madhe e antikitetit, me kolosët e saj, me eposet e saj, me hyjneshat e saj, me demokracinë e saj… Ariet e operës do të këndoheshin në shqip dhe nuk do të mungonin këtu edhe tingujt e një orkestrine popullore që, në pjesë të caktuara të operës, luante tema të vjetra. Në operën “Eumenidet” e veprës së Eskilit, të sjellë mjeshtërisht në skenë nga Vaso Tole, do të ishin plot 300 vetë që do të interpretonin në role të ndryshme e detyra të ndryshme. Ishte vendosur me kohë që shfaqja e parë e saj duhej të jepej në Greqi. Ishte dashur të testoheshin, jo pak, por 90 këngëtarë, nga e gjithë bota.

Vaso Tole do të më tregonte, para shfaqjes, se në premierën e saj, do të vinin edhe artistë të njohur të skenave europiane dhe botërore, për të parë dhe nëse kjo vepër do të mund të përfshihej edhe në repertorin e tyre. Zv/ministri grek i Kulturës, z. Stametis Mavras, i kishte thënë kompozitorit tonë të madh se ishin ftuar nga Europa, por edhe më gjerë, personalitete të shquara të muzikës, kompozitorë të shquar, kritikë të muzikës, muzikologë, historianë të artit muzikor etj. Gjithashtu ministria greke e kulturës kishte marrë përsipër që opera të bëhej edhe në një format CD, në mënyrë që të qarkullonte dhe të përhapej në të gjithë botën, si një shenjë miqësie e Olimpiadës kulturore, Athinë 2004. … Duke u kthyer tek biseda në hotelin e sapo rikonstruktuar “Hilton”, në qendër të Athinës, profesori i shquar Jorgo Leocakos do të më tregonte se për shfaqjen ishte përgatitur një prospekt shoqërues, që e kishte shkruar vetë muzikologu i madh. (Më pas do të shkruante edhe në gazetat më të mëdha greke për vlerat e “Eumenidet” të Vaso Toles)

Mjeshtri i madh i muzikës, profesor Leocakos, një burrë përherë i qetë, i matur, i thjeshtë, i urtë, do të më fliste me një vlerësim të madh për muzikologun tonë, profesor Vaso Tole. Ai e çmonte atë për kulturën e gjerë muzikore…

Por biseda me profesor Leocakos nuk do të ndalej vetëm tek opera. Ai do të më fliste me një vlerësim të veçantë për kulturën, artin, letërsinë dhe muzikën tonë. Do të kujtonte me detaje pjesëmarrjen në disa festivale të Gjirokastrës dhe do të përshkruante me mjeshtëri karakteristikat e kostumeve popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë që vishnin artistët.

Ai kishte shkruar shumë për kulturën dhe muzikën shqiptare, kishte bërë studime serioze, që i kishte botuar në gazeta dhe revista të ndryshme të artit dhe kulturës, por edhe në botime të veçanta. Ai do të shkruante se “arti muzikor shqiptar është një pasuri e madhe jo vetëm e kulturës sonë kombëtare, por edhe pjesë e rëndësishme e zhvillimeve europiane të muzikës”.

Do të më fliste me shumë nderim dhe njohuri të thella për kompozitorët tanë të mëdhenj si Çesk Zadeja, Tish Daia, Prenk Jakova, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Gjon Simoni, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro, Pjetër Gaci … Me shumë prej tyre kishte pasur njohje personale nga pjesëmarrja në Shqipëri, në kuadër të studimeve të tij për muzikën, apo në konferenca të ndryshme shkencore. (Ashtu si fliste, plot nderim për këta kompozitorë, menjëherë mendja më shkonte se sa keq punojmë ne, se sa pak i vlerësojmë, i çmojmë dhe i kujtojmë këta artistë të mëdhenj, të pavdekshëm, këtë pasuri të madhe kombëtare, të kulturës sonë…)

Por do të ndalonte emër për emër, pa asnjë shënim përpara, të fliste me vlerësime edhe për Aleksandër Peçin, edhe për Limos Dizdarin, edhe për Thoma Gaqin e të tjerë. Dhe fliste si një studiues e muzikolog i shquar për kompozitorët tanë të shquar. Ndoshta këtë nuk di ta vlerësoj unë… ndoshta për ta, për muzikën tonë, sidomos atë klasike, profesor Jorgo Leocakos fliste më mirë se një studiues i yni i muzikës.

Nuk do ta harroj kurrë se sa herë që do të takohesha me profesorin, do të më fliste për muzikologun tonë të shquar Ramadan Sokoli si “një kolos të vërtetë me përmasa europiane, si një erudit dhe një kulturolog të famshëm, që i bën nder Shqipërisë… Ai ishte, pa asnjë dyshim, muzikologu më i madh në Ballkan…”

(Kam dëgjuar vetëm pak kohë më parë, në një bisedë televizive të profesor Vaso Tole, tashmë akademik, të flasë ashtu si Leocakos për muzikologun tonë të spikatur, profesor Ramadan Sokolin. Dhe më erdhi shumë mirë…) Dhe tek më fliste kështu, profesori i nderuar shfaqte një simpati dhe respekt të veçantë për shqiptarët.

Por i çmonte shumë edhe artistët e mëdhenj shqiptarë në Athinë… Çmonte emigrantët shqiptarë “si njerëz të mirë, të ndershëm, punëtorë dhe që i duan grekët, që punojnë bashkë, kanë miqësi bashkë dhe kështu i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve të miqësisë midis të dy popujve tanë të vjetër e me histori të pasur…”

Krahas organizatorëve të shfaqjes së premierës së “Eumenidet” të Vaso Toles, edhe ne si ambasadë do të ftonim shumë personalitete të kulturës dhe artit grek. Por do të ftoja edhe shumë ambasadorë. Do të vinin edhe shumë bashkatdhetarë, intelektualë, artistë, shkrimtarë, piktorë, drejtues të shoqatave kulturore, instrumentistë të njohur etj.

Dhe do të ndjenim shumë kënaqësi të gjithë ne, shqiptarët në Athinë, do të ndjeheshim të nderuar e krenarë, jo vetëm se si ishte mbushur teatri antik 5000 vendesh Herodes (Irodhia Atiku) i Akropolit hijerëndë, por edhe çfarë vlerësimesh paraprake ishin bërë në shtyp dhe në kanalet televizive greke për operën dhe autorin e saj, profesor Vaso Tole, punëtorin e madh e gjithmonë modest. Skena e teatrit antik asnjëherë nuk kishte pasur aq shumë artistë (mbi 300, në role të ndryshme).

Premiera e operës “Eumenidet” do të ishte një triumf i vërtetë, në të gjitha dimensionet e saj. Kritika muzikore do ta ngrinte veprën shumë lart! Kompozitori Vaso Tole urohej nga të gjithë. Ky ishte, pa dyshim, pas triumfit të Lojërave Olimpike, një tjetër triumf i Olimpiadës kulturore, si pjesë e Lojërave Olimpike Athina 2004. Edhe kësaj radhe, Athina, Teatri i madh antik në këmbët e Akropolit, provoi përsëri, pas Inva Mulës, triumfin e mjeshtrit të madh shqiptar…

Muzikologu i famshëm grek i përmasave botërore, miku i mirë dhe i dashur i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, profesori Jorgo Leocakos do të ndjehej si pak kush… i lumturuar! Dhe unë do ta falënderoja për gjithçka! Do ta falënderoja për atë kontribut të paçmuar për muzikën tonë, për analizën dhe studimin e saj, për vlerësimet për figurat e shquara, kompozitorë të mirënjohur ndër breza, por edhe për kulturën dhe artin shqiptar në përgjithësi.

Jorgo Leocakosin duhet ta nderojmë të gjithë! Ta njohim e ta nderojmë!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Marrëveshja për detin, fronti i ri i përplasjes midis mazhorancës dhe Presidentit

Nga Ervis Iljazaj Presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh për marrëveshjen...
Read More