BOTIMI I UET-PRESS/ Një Itali e dehur pas pushtimit të Shqipërisë

Nga Ilir Ikonomi

Pjesë nga libri ‘PUSHTIMI: Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar’

Në një numër të posaçëm të dielën pasdite më 9 prill, gazeta e Tiranës Shtypi, me tituj bombastikë që ngrinin në qiell Kontin Ciano dhe trupat italiane, njoftonte se të gjitha prefekturave dhe nënprefekturave u ishte dërguar një telegram nga Komiteti i Përkohshëm Administrativ shqiptar, ku në thelb thuhej se “me pëlqimin e legatës mbretërore italiane, ishte krijuar një Komitet Administrativ me synimin për të siguruar rend dhe disiplinë në të gjithë Shqipërinë”. Aty thuhej gjithashtu se “të gjitha autoritetet civile dhe ushtarake si dhe i gjithë populli shqiptar, ftoheshin për t’iu bindur trupave të lavdishme italiane dhe për t’i pritur ato me nder e me brohoritje”. Xhafer Ypi, në emër të Komitetit, i dërgoi telegrame edhe Musolinit dhe Kontit Ciano. Telegrami për Musolinin fillonte kështu:

“DUÇE, kemi pritur sot ushtrinë glorioze italiane me të njëjtin shpirt e me të njëjtën zemër që Ju Duçe e kini treguar sa herë se ushqeni kundrejt Shqiptarvet”.

Në telegramin për Cianon, Komiteti i Ypit i kërkonte atij ta mbante ministrin italian Jacomoni në Shqipëri, “duke e ngritur atë në rangun dhe detyrën që do ta mendonte të përshtatshme qeveria fashiste. Jemi të sigurtë se nën drejtimin e Shkëlqesisë së Tij, zotit Jacomoni dhe të atyre që mund të ngarkohen me administrimin e vendit, populli do të vazhdojë të punojë me frymën e besimit dhe të kordialitetit”. (Ka mundësi që telegrami i Ypit të ketë qenë shkruar nga vetë Jacomoni dhe ndihmësit e tij).

Të dielën në orën 21:00, u dëgjua papritur një breshëri e fuqishme mitralozësh në territorin ngjitur me kompleksin e legatës sonë, në kufirin e saj lindor. Ne vazhdonim të mbanim një numër shtetasish amerikanë dhe britanikë që kishin kërkuar strehim në legatë të premten. Mëngjesin tjetër u informova se pikërisht prapa gardhit të legatës, italianët kishin ngritur një fole mitralozësh. Të hënën mbrëma u dëgjua një tjetër batare. Pas këshillimeve me kolegun tim, ministrin grek, komshiun e afërt që ishte po aq i shqetësuar për këto breshëri zjarri, i drejtova një ankesë zyrtare atasheut ushtarak italian, kolonelit Grabrielli, i cili erdhi në legatë dhe shpjegoi se mitralozët ishin vendosur pranë legatës, pasi kjo pikë shihej si periferia e qytetit dhe se atyre u duhej ta mbronin qytetin nga ndonjë sulm i befasishëm nga Rruga e Elbasanit. Unë kërkova që armët të lëvizeshin më tej përgjatë rrugës, sepse një sulm, si ai që përmendi atasheu, kishte shumë të ngjarë ta vinte legatën në vijën e drejtpërdrejtë të zjarrit. Koleneli e pranoi se italianët që përdornin mitralozët ishin djem të rinj dhe paksa nervozë, prandaj shtinin ndoshta në drejtim të hijeve ose të kuajve që endeshin kuturu. Ditën tjetër, pozicioni u hoq.

Të hënën paradite më 10 prill, z. Clayton Whipple (Klejton Uipëll), përfaqësues i Fondacionit të Lindjes së Afërme, i cili kishte ardhur në Shqipëri nga Sofia pak ditë para se të fillonte kriza, erdhi në legatë nga Kavaja, ku ai dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë z. Ralph N. Allee (Ralf Elli), drejtor i Institutit Shqiptaro-Amerikan, kishin qenë dëshmitarë të luftimeve në Durrës mëngjesin e së premtes. Shkolla amerikane ndodhet në një kodër, rreth 8 kilometra larg Durrësit, me pamje nga gjiri. Z. Whipple tha se trupat italiane kishin kaluar pranë Institutit pasdite vonë, të premten dhe ishin drejtuar nga Kavaja, por ishin kthyer. Më pas, nja pesë a gjashtë ushtarë të rinj italianë kishin vizituar shkollën dhe kishin thënë se donin të blinin pak qumësht. Ata nisën të flasin lirisht me amerikanët, të cilëve u thanë se i kishin futur nëpër anije pa e ditur fare se ku do të shkonin dhe ishin habitur kur kishin rënë nën zjarrin e armëve në çastin e zbarkimit në Durrës. Sipas z. Whipple, njëri nga djemtë u shpreh: “Nëse ata (shqiptarët) nuk na duan, atëhere përse kemi ardhur këtu?” Ushtarët treguan se shumë italianë ishin vrarë dhe se trupat e tyre ishin çuar në anijen spital.

Kur z. Whipple ishte në legatë, aty erdhi kolegu im, ministri gjerman. Ai parashikoi se Musolini do të vinte në Shqipëri, ashtu si Hitleri kishte shkuar në Vjenë dhe në Pragë pas pushtimit gjerman, se ai do t’i jepte Shqipërisë një farë pavarësie dhe se, pasi ushtria shqiptare të ishte riorganizuar nën kontrollin e oficerëve të ushtrisë italiane, ushtria pushtuese do të tërhiqej. Ministri italian, Jacomoni, tha von Pannwitz, i kishte bërë të ditur para se të largohej për në Romë të dielën, se ai “do të mbetej në Shqipëri si ministër gjerman”. Von Pannwitz shtoi se ai besonte që operacionet ushtarake italiane në Shqipëri synonin të siguronin kontrollin e Adriatikut dhe një mirëkuptim me Jugosllavinë. Ai la të kuptohet se Italia dhe Gjermania ishin në marrëveshje me njëra-tjetrën. Gjatë paraditës, në ndërtesat private dhe publike të Tiranës u afishua një proklamatë e gjeneral Guzzonit, komandant i ushtrisë italiane të pushtimit, ku mes të tjerash thuhej:

“Shqiptarë! Ushtarët nën urdhnat e mija, që fituen në Vittorio Veneto dhe n’Ethiopi dhe që kanë dalë fitimtarë si legjionarë nga lufta e Spanjës, kanë ardhur këtu për një mision të madh e vllaznuer paqeje e bashkpunimi. Ata kanë arrijtun qysh tashti ndër të gjitha qendrat ma të randësishmet e vendit dhe në shumë të tjera ma të vogla, të pritun kudo me enthuziazëm… Shqipnia do të njohë nji kohë të re, të bame me punë, me drejtësi, me begati e me përparim… Ata që do të mundohen të kryejnë vepra anmiqsore kundra nesh, do t’i nënvihen pa mëshirë ligjeve t’ona të hekurta të luftës… Shqiptarë! N.M.T. Mbreti Perandor dhe Duçe-ja e dëshërojnë nxehtësisht të mirën t’uej!”

Kjo proklamatë u pasua të hënën pasdite nga një notë qarkore, e cila u dërgua në legatë nga dr. Mihal Sherko, si i ngarkuar me punë në ministrinë e Jashtme. Në notë thuhej se një qeveri e përkohshme ishte në formim e sipër dhe se tani për tani ishte krijuar një “Komitet i Përkohshëm Administrativ” për të siguruar funksionimin e makinerisë administrative. Më vonë gjatë ditës, mësova se praktikisht të gjithë zyrtarët dhe punonjësit e qeverisë ishin mbajtur në punë.

Xhafer Ypi, president i Komitetit të Përkohshëm Administrativ, lexoi në radio një fjalim (siç duket të përgatitur nga mentorët e tij italianë) dhe, kur e mbaroi, gati sa nuk shpërtheu në lot. Siç u njoftova nga njerëz të sigurtë, ngashërimi i dëgjohej edhe në radio. Gjatë ditës qarkulluan shumë zëra se ushtria italiane do të hynte më thellë në të ashtuquajturin territor shqiptar të paçliruar, pra në Kosovë – Jugosllavi dhe Çamëri – Greqi, pjesë të të cilave do t’i aneksoheshin Shqipërisë. Kjo, sipas citimeve të zyrtarëve italianë.

Vonë pasdite, buletini shqiptar i lajmeve përmbante një artikull të agjencisë Stefani, i shkruar në Romë, ku kritikohej ashpër politika e qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe shtypi amerikan lidhur me operacionin italian në Shqipëri. Aty citohej një editorial i zotit (Virginio) Gayda në Il Giornale d’Italia, i cili i ftonte Shtetet e Bashkuara t’i linin Italinë dhe Shqipërinë në paqe”. Bëhej krahasimi i të ashtuquajturave metoda amerikane të zaptimit kundër indianëve, apo në Meksikë, Teksas dhe në Ishujt e Havajit si dhe i ndërhyrjes amerikane në Japoni, Kinë e Afrikë, me atë që cilësohej si “luftë e Italisë për invadimin e Shqipërisë, ku trupat italiane ishin pasuar menjëherë nga ndihmat në para, veshje dhe ushqime”. Nuk kishte dyshim se italianët kishin shpërndarë para sa kishin mundur, por përsa i përket ushqimeve dhe veshjeve nuk kishte ndonjë provë që të ishin shpërndarë. Në të vërtetë, çmimi i sendeve ushqimore thuajse ishte dyfishuar qysh nga pushtimi dhe fshatarët shqiptarë mbajnë veshur po ato rroba të vjetëruara si edhe më parë.

Të martën, më 11 prill, njoftimet që fillimisht ishin përhapur të hënën, se autoritetet italiane po organizonin një asamble shqiptare, u verifikuan dhe u mësua se ditën tjetër, të mërkurën, do të mblidhej një e ashtuquajtur “Asamble Kushtetuese Kombëtare” për krijimin e një qeverie dhe për të ndryshuar Kushtetutën. U njoftua gjithashtu se Konti Ciano do të kthehej nga Roma ditën tjetër. Për të ilustruar se çfarë kontrolli të plotë kishin italianët mbi të gjitha komunikacionet e Shqipërisë, mjafton të përmend këtu një rast. Gjatë ditës së martë, pata një takim me drejtorin shqiptar të komunikacioneve, Ndoc Naraçi, në përgjigje të një kërkese nga një përfaqësues i Kompanisë Kombëtare të Transmetimeve në Gjenevë. Mu tha se çështjen duhej ta ngrija pranë legatës italiane ose pranë autoriteteve ushtarake italiane. Unë refuzova. I thashë se ishte drejtori që duhet të komunikonte me këto autoritete, nëse ai ishte nën kontrollin e tyre, por ai nuk pranoi, kështu që unë hoqa dorë fare nga ajo punë.

Të mërkurën më 12 prill, herët në mëngjes, u largova nga legata dhe u nisa për në Durrës, ku do të vizitoja kolegun tim britanik, Sër Andrew Ryan. Rrugës, u shkëmbeva me shumë ushtarë italianë, sidomos në Shijak, ku ura mbi lumë ishte hedhur në erë nga shqiptarët të premten pasdite. Në portin e Durrësit kishte katër anije të mëdha transporti duke shkarkuar trupa dhe armatime.

Sër Andrew më tha se delegati apostolik, që përfaqësonte Papën në Shqipëri, i kishte bërë një vizitë paradite dhe i kishte thënë (Sër Andrew është vetë katolik) se ishte i kënaqur me rezultatin e pushtimit italian, pasi efekti i mundshëm i tij do të ishte heqja e pengesës që i kishte ndaluar shumë shqiptarë për t’u bërë katolikë gjatë regjimit të Mbretit Zog. Sër Andrew tha se ai nuk ishte pajtuar plotësisht me argumentin e delegatit apostolik. Në këtë aspekt, ka prova të shumta se udhëheqësit e popullatës katolike në Shqipëri, e cila është mjaft e madhe në pjesën veriore të vendit, ishin përgjithësisht në simpati me operacionin italian. Kjo dukej të ishte sidomos e vërtetë për jezuitët. Kapiteni mjekësor shqiptar, të cilin e përmenda më parë, më informoi se rezistenca ushtarake e përgatitur nga komandanti i ushtrisë shqiptare në Shkodër, qyteti kryesor katolik në Shqipëri, nuk vazhdoi më sapo erdhi lajmi nga udhëheqësit katolikë të qytetit se ata do të nisnin një lëvizje kundër forcave shqiptare. Delegati apostolik dhe njëri nga kryeipeshkvët katolikë banojnë në Shkodër. Vlen të përmendet gjithashtu se njëri nga dy anëtarët katolikë të qeverisë së Mbretit Zog dhe pikërisht ministri i Financave, Kol Thaçi, nuk u largua nga vendi me Mbretin, por qëndroi në Tiranë gjatë gjithë periudhës së krizës. Anëtari tjetër katolik i qeverisë, ministri i Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, u njoftua se shkoi në Romë vetëm pak ditë pas pushtimit italian.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fraksionet nuk janë njerëz, por mendim ndryshe i palegalizuar

Nga Ervis Iljazaj Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike ka nxjerrë dhe...
Read More