fbpx

Kryesore

Bombardimet e NATO-s nga sytë e Agit 6-vjeçar





               Publikuar në : 09:13 - 26/03/19 |
mapo.al

Afërdin (Agi) Haxhimurati sapo kishte mbushur 6 vjeç, kur dëgjoi për herë të parë zhurmën e avionëve që fluturonin mbi qiellin e Kosovës për të bombarduan bazat ushtarake në Serbi. Me kuriozitetin e një fëmije ai donte të dilte jashtë të shihte edhe dritat e tyre, por nëna e tij nuk e lejonte. Ajo ia mbulonte kokën me jastëk atij dhe dy motrave që mos të trembeshin nga zhurma e bombardimeve, ndërsa shtëpia ishte e gjitha në errësirë, pasi në gjithë Kosovën fikeshin dritat që mos të bëheshin gabimisht pre e ndonjë predhe.


Ishte 24 mars i vitit 1999 dhe disa ditë më pas ai do të mblidhte pak rroba dhe ndonjë lodër që kishte më për zemër e do të nisej për një rrugë të gjatë, si refugjatë lufte.



Historia e tij të sjell ndërmend filmin e famshëm “La vita e bella”, ku Joshua 6 vjeç i mbrojtur nga babai i tij, e përjeton luftën dhe kampin nazist si një lojë, por ndryshe nga ai, Agi dinte çfarë po ndodhte e përsëri ndjesia e aventurës ishte prezente në fantazinë e tij prej fëmije.


Edhe pse i kanë thënë që janë në luftë dhe se po i dëbojnë me dhunë nga shtëpia e tyre, përsëri ka një ndjesi aventure përzierë me frikën nga e panjohura.

Në foton e vetme që ka nga ajo kohë është i ulur në tendën e një kampi refugjatësh. Një fëmijë që papritur është bërë i rritur pasi ka mësuar shumë gjëra për botën.

Në një bisedë me gazetën MAPO, Agi, i cili prej vitesh është vendosur në Tiranë, ku jeton dhe punon si Grafik Dizajner, tregon përjetimet e hershme për luftën, bombardimet dhe kampin e refugjatëve.

“Si pamje kujtoj pothuajse çdo gjë që mund të ishte edhe traumë për ndonjë fëmijë tjetër, por unë kisha fatin e moshës, sepse nuk ndieja frikë ngaqë s’po e kuptoja pse po ndodhte e gjitha kjo. Në fazën e parë të bombardimeve të NATO-s kemi qenë në shtëpinë tonë, në Rahovec. Më kujtohet kur nëna na mbulonte mua dhe motrave kokat me jastëk për shkak të zhurmave të tmerrshme nga bombardimet. Ishte dhënë urdhër që të fiken natën të gjitha dritat në atë fazë sepse mund të ishim edhe ne pre e ndonjë predhe. Në fazën e dytë të bombardimeve u nisëm për në Shqipëri”, kujton ai.

Kujtimet ia ka ngacmuar fotoja që ka nga kampi i Durrësit, ku sërish kujtimet i sjellin mësimet e improvizuara në natyrë me punonjësit e organizatave humanitare.

“Ai djali i vogël që po e shihni në foto nuk është një nga fëmijët sirianë të ditëve të sotme. Jam unë në muajin Prill, viti 1999, në një kamp në Rrashbull, afër Durrësit, me status refugjatë lufte. Sapo kisha filluar të kuptoja botën. Të qenit refugjat është përvojë më vete, sidomos në Shqipërinë e asaj kohe. Kampi në Rrashbull ishte kampi i tretë dhe i fundit, ku qëndruam para se të ktheheshim në vendlindje, në Rahovec. Para këtij kampi, qëndruam fillimisht në Kukës dhe Maminas.

Me familjen u përgatitëm për të krijuar një jetë të re në Shqipëri, sidomos kur në kufi ushtarët serbë të asaj kohe na morën pasaportat dhe na i shqyen, si shenjë që ne tanimë duhet të harronim vendlindjen dhe nuk do të kishim më mundësi të ktheheshim kurrë. Ndjenjë e rëndë patjetër, sidomos kur e mendoj sot. Por deshi fati që në qershor u kthyem në vendlindje”.

Udhëtimi nga Kosova në Kukës ishte një sfidë jete për familjen, por në sytë e fëmijës ishte një aventurë dhe pse prindërit ishin të shqetësuar gjithë kohës.

“Babai im kishte marrë një përgjegjësi shumë të madhe. Përveç familjes sonë ai mori me vete edhe familjen e tezes që tashmë i kishin vrarë burrin dhe një teze tjetër që ishte beqare. Padyshim frika më e madhe qëndronte se mund të ndodhnin ndonjë nga skenarët e tmerrshëm si përdhunimi, plaçkitja etj., që janë të zakonshme në kohë lufte. Udhëtimi në sytë e një fëmije që nuk merrte vesh përmasat e asaj çfarë po ndodhte realisht mund të dukej edhe “fun”, si një aventurë e re. Përkundër fëmijëve të tjerë që ishin nëpër kopshte e shkolla, ne i improvizonim ato nëpër kampe me punonjësit e organizatave të ndryshme që ishin aty”.

Shqipëria e ëndrrave të tij fëminore e ka zhgënjyer në atë udhëtim të parë të detyruar.

“Fillimisht u befasuam, jo për të mirë, kur hymë në Shqipëri në atë kohë. Sepse prindërit na mësonin çdoherë që një ditë do të bashkohemi me shtetin mëmë, vendin e Gjergj Kastriotit, një vend i madh, me shumë male e dete. Por kur erdhëm ishte krejt e kundërta. Sidomos Veriu, ishte i kapluar në një varfëri ekstreme, ku paradoksalisht, bukën që ne merrnim nga organizatat në kampin e Kukësit, shpeshherë ua shpërndanim banorëve që ishin aty pranë. Të tjerët u sollën shumë mirë në kampet që kemi qenë padyshim. Nuk mungonte asgjë. Na mirëmbante KFOR-i spanjoll, që paradoksalisht sot nuk e njeh pavarësinë e banorëve që dikur i kishte në mirëmbajtje”.

Agi beson se ajo ngjarje e ka lidhur përgjithmonë me Shqipërinë, ku u rikthye për studime në vitin 2011 për të mos u kthyer më pas në Kosovë.

“Duket sikur jeta më ka lidhë me Shqipërinë që në vogëli. Më pas në 2011 unë erdha për studime në Tiranë, në një Shqipëri krejt tjetër, ndonëse ende e çuditshme siç është edhe sot. E në 2014 m’u dha mundësia dhe fillova karrierën direkt këtu, duke krijuar plot brande, e sidomos turistike, që kanë bërë e bëjnë jehonë ndërkombëtarisht, duke kontribuar e duke i kthyer “borxhin” këtij vendi, vend i cili më mësoi gjënë kryesore në jetë, se në momentin që shpirti “shpëton” nga një ngjarje dhe ti “rilind”, shfrytëzoje atë, puno fort, puno aq fort sa të zëvendësosh edhe lotët e prindërve, nga ato të vuajtjeve që përjetuan, në ato të krenarisë për sukseset tua”, – thotë ai.

Agi i rritur në gjëmimet e luftës nuk është patrioti tipik i shqiptarit nga Kosova që i falet vetëm flamurit kuqezi.

Kur e pyesim nëse “ka dy Shqipëri apo ka Kosovë dhe Shqipëri dhe si duhet ta zgjidhin dilemën e identitetit me flamurin apo me kombëtaren e futbollit”, Agi ka një përgjigje praktike dhe patriote.  “Ka Shqipëri dhe Kosovë. Pikë. Nuk dua të tingëlloj arrogant, por ky është realiteti. Nuk dua të jetoj në iluzione. Nëse vërtet dëshirojmë që të ndodhë një ditë bashkimi i shteteve, atëherë hajde të punojmë për këtë. Unë nuk po shoh se kjo po ndodh. As nuk mendoj se po kontribuojmë profesionalisht aq sa duhet secili nga ne që kjo të ndodhë. Unë flamurin e Kosovës e respektoj sepse është i shtetit tim. Kosovës ende nuk i lejohet një referendum sipas Kushtetutës që ka deri në anëtarësimin si shtet në OKB, kur të ndodhë kjo pastaj ndoshta edhe mund të flisnim për konceptin e dizajnit të flamurit, që është temë më vete. Ashtu mendoj edhe për Kosovën në futboll, patjetër që duhet të ekzistojë, madje sukseset veçse po shihen. Ka patur shumë keqpërdorime e hile ndaj lojtarëve që aktivizoheshin për Shqipërinë. Pse ndodhte kjo, ndoshta duhet të shikoni në Federatën tuaj të futbollit”.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas