Blushi e Fevziu: Si shkruajtën librin e parë të përbashkët “100 ushtarët”

fevziu-dhe-blushi2Sot janë “rivalë”, por në moshën 22 vjeçare ishin shokë klase kur vendosën të botojnë librin e parë me bashkëautorësi. Ben Blushi dhe Blendi Fevziu rrëfejnë si botuan “100 ushtarët” në Shqipërinë e vitit 1991, ndërsa dje lëshonin, secili më vete,  autografë për librat e tyre më të fundit të promovuar në panairin e librit

– Blushi dhe Fevziu, 22 vjeçarë, kur shkruajtën emrat në të njëjtën kopertinë

Ben Blushi i pret të gjithë me përshendetje të ngrohtë, tërheq ngadalë librin e tij “KM” me kopertinë blu, për të hyrë direkt në faqen e parë për të lënë autografë…

Ka ardhur, pothuaj, një orë para gazetarit Blendi Fezviu.

Dje në mbrëmje, nga ora 18.00-19.00 janë oraret e vendosura në programin e botimeve UETPress me autorët në stendë për të pasur kontakte të drejtpërdrejta me lexuesit, por edhe me mediat.

Blushin e gjejmë pranë një tavoline të lartë, duke iu dhënë mundësi lexuesve të shihnin librat, e të vendosnin një radhë të natyrshme deri tek tavolina ku i priste shkrimtari.

Me ritmin tipik të gazetarit, vjen minuta më vonë, Blendi Fevziu duke tokur duart me të shpejtë me Ben Blushin, mikun e tij.

Me nxitim heq xhaketën dhe menjëherë ulet në tavolinë ku janë ekspozuar librat, aty ku është vendosur dhe “Pushteti” i tij.

Nuk pyetet më tej me mikun e tij të vjetër, shokun e klasës, Blushin, por vendosur në poziocione pak ekstreme, pothuaj me kurriz me njëri tjetrin edhe Fevziu nis firmosjen e autografëve…

Ja një moment i përbashkët për të dy autorët: prozë politike, në të njëjtin vend, në të njëjtin moment, ndoshta duke iu rikujtuar një të kaluar prej vitit 1991.

Blushi dhe Fevziu përjetojnë një “déjà vu” mes tyre kur i pyesim për aventurën e përbashkët të ’91-it.

Deri tani prej asnjërit nuk është thënë se kanë kaluar një eksperiencë të ndarë së bashku.  Në moshën 22 vjeçare dy miqtë, shokë klase, vendosën të botojnë një libër të përbashkët, pra me dy emra.

Ky ishte libri i parë për të dy, si për Blushin edhe për Fevziun, të rinj. Ideja e tyre erdhi si një reflektim nga koha që po përjetonin, dhe pamundësitë e botimit. Të paktën sot, të dy nuk flasin për pamundësi financiare, por për mosmjaftueshmërinë e krijimtarisë sa për të dalë në libra më vete.

Kjo kujtesë vjen nga dita e djeshme pasi dy miqtë, pothuaj me të njëjtin ritëm suksesi në këtë panair, me vizitorë në radhë për autografë, me lexues që i ndjekin prej vitesh me të njëjtin pasion edhe pse janë figura krejt të një natyre të kundërt, shkruajnë pothuaj me të njëjtin stil lënde.

Fevziu na tregon se pjesa e tij krijuese ishin tregime, ndërsa Blushi kishte poezi edhe tregime, por kryesisht i rezervuar për poezi.

“Ishin disa tregime që secili veç e veç nuk përbente një libër ndaj na erdhi ideja për t’i bërë bashkë, i bashkuam”, kujton gazetari.

Titulli duket paksa i çuditshëm: “100 ushtarë”.

Fevziu e kujton menjëherë gjithë këtë situatë, por jo për t’i lënë shumë kohë këtij rrëfimi, pasi lexuesit e sotëm pothuaj e kanë krijuar radhën.

Por, si duket “100 ushtarët” e Blushit dhe Fevziut kanë qenë ogur, për të rifreskuar sot mbi një gjendje galopante, të paimagjinueshme për dy të rinjtë.

Fevziu kujton se libri eci mirë, ashtu siç ata e mendojnë Shqipërinë e ’91.

“Besojmë se eci mirë ai libër, në atë kohë”, thotë gazetari.

Dy kamera kanë ndërprerë vrullin e autografëve të Blushit, për të marrë prej tij “misterin” për Kryeministrin e politikanit.

Pyetjet e gazetarëve sillen rreth dy personazheve të sotëm të politikës: cili është KM-ja, Rama apo Berisha?!

Me qetësi Blushi përgjigjet se asnjëri prej tyre nuk është në fantazinë e Kryeministrit të tij, dhe se fabula është një kontekst që e ka tërhequr në një çast mendimi, histori për një kryeministër që për të fituar zgjedhjet vendosi të bëjë një atentat për veten e vet.

Nuk është e lehtë për Blushin t’i kthehet një mendimi më të gjatë për të reflektuar moshën 22-vjeçare kur shkroi librin e parë, së bashku me Fevziun, që sot është sërish në krah të tij, tani si “rivalë” letrarë.

Përfytyrimi i vitit 2021 në librin e tij “KM”, ngjan paradoksale për të shmangur njerëzit që të mendojnë se kujt personazhi i ngjan.

Blushi merr një kujtesë të shpejtë nga pyetja jonë, për librin e përbashkët me Fevziun, duke e konsideruar si një eksperiencë mjaft të bukur, dhe aventurë njëkohësisht me mikun e tij.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe aventurë që të ndash librin me një mik shumë të shtrenjtë siç e kam pasur unë Fevziun. Ishte një fati i madh që jeta s’na e dha më këtë mundësi për t’i bërë librat bashkë, dhe për fat nuk i bëjmë më bashkë…”, thotë Blushi, duke u përpjekur të shkëputet prej kësaj kujtese të largët, dhe afruar me lexuesit e sotëm, duke pritur me minuta në radhë…tani, ndonëse qëndrojnë pothuaj në kurriz të njëri- tjetrin, ata nuk e lëshojnë miqësinë, duke u shprehur se tani nuk ka rivalë, secili për fat me librin e tij.

Ndaj dhe shtërngimi i duarve në fund të takimit me lexuesit, për dy autorët, secili më vete: njëri me

“Pushteti” dhe tjetri me “Kryeministri” – e largojnë kohën për pak çaste, për të kujtuar një skenë tashmë të harruar nga koha e 22 vjeçarëve të rinj, kur shkruajtën në të njëjtën kopertinë emrat për “100 ushtarët” e tyre.

V.Murati

Dyndje për Kryeministrin e Blushit

Ben Blushi, ashtu siç pritej, ka tërhequr prej tre ditësh vëmendjen masive të lexuesve me librin e tij “KM. Kryeministri”, botimet “UET Press”. Dyndje vizitorësh në panairin e librit kanë kaluar në stendën e UET Press në orët e lëshimit të autografeve duke kërkuar firmën e rebelit të politikës së majtë, Ben Blushi. Libri “KM” provokon sërish me një emër përgjithësues, por kontekstual,  për ta bërë lexuesin të nxitet drejt kësaj lënde letrare.Pritshmëria pas daljes në një lëvizje të re politike, si kritiku më i ashpër i Ramës, për të përsëritur historinë e një prej librave më të shitur, “KM” i Ben Blushit tashmë e ka krijuar energjinë e kuriozitetit te lexuesi në pikën maksimale. Ashtu siç Blushi është shprehur vetë në rrjetin social se së shpejti do të ketë dy LIBRA, perceptimi ka shkuar për dy botime, por që në fakt deri tani të dyja janë realizuar, krijimi i partisë “Libra”, si dhe daljen e librit që pritet “KM”, që siç është shprehur do të bëjë dallimin ku njëri do të flasë për dritën dhe tjetri për errësirën. KM është historia e një kryeministri që për të fituar zgjedhjet planifikoi një atentat kundër vetvetes. Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri, në vitin 2021, kur një ushtar i akuzuar për bashkëpunimin me organizata terroriste dhe i sapokthyer nga Afganistani pranon të marrë pjesë në atentat duke e vrarë Kryeministrin.

“Pushteti” i Fevziut…

Personazhi kryesor është një vezir në perandorinë osmane, por autori i jep të drejtën lexuesit të tij që nëpërmjet këtij personazhi të përkufizojë çdo pushtetar që ai njeh ose i përshtatet përshkrimi. Gazetari Blendi Fevziu vjen me një ese letrare provokuese pas dy librave monografikë mbi Enver Hoxhën dhe Ahmet Zogun. “Ka lexues që do mundohen t’i vënë personazheve të këtij libri emra të përveçëm! Emra konkretë. Ka të tjerë që do njohin aty Shefin, Drejtorin, deputetin apo Kryeministrin. Padyshim që të gjithë këta bashkë do gjejnë plot gjëra nga vetja, ose do t’u duket sikur shihen në një pasqyrë. Pasqyra i tregon ashtu siç janë realisht, pa asnjë nga korrigjimet që përpiqen t’i bëjnë vetes në jetë. Shëmbëllimi i tyre do jetë aty, edhe pse ngjarjet zhvillohen thuajse 100 vjet më parë. Në të vërtetë çdo ngjasim me persona dhe ngjarje reale është fare i rastësishëm. Libri është një miksim i letërsisë me elementet e esesë. Në një temë të lashtë sa njerëzimi, raporti i njeriut me pushtetin. Ka qenë i tillë në çdo kohë e çdo regjim, edhe pse në ata totalitarët shfaqet më i dhunshëm dhe më deformues. Ndaj në mbarim të tij mos u mundoni t’i gjeni asnjë shpjegim apo ngjasim historik. Asnjë përkim me zhvillimet aktuale. Ngjarjet dhe personazhet aty janë të përjetshëm dhe universalë. Mund t’i vendosësh në një tribu afrikane, në një shtet diktatorial, në një republikë demokratike e mbase edhe në ndonjë prej korporatave të mëdha të biznesit. Lexojeni thjesht si një histori, ku do përballeni me veten, miqtë, eprorët dhe vartësit tuaj, në çdo rrethanë dhe në të gjitha kohërat…”, shkruan autori në hyrje të librit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Toti i Robert Ndrenikës

E shihja lojën e Bertit dhe i tëri ishte i vërtetë, një...
Read More