Balili në kërkim ndërkombëtar, PD e “gjen” në plazhin e Sarandës

baliliPartia Demokratike ka paraqitur dje në një konferencë për shtyp një foto, ku pretendon se është Klement Balili, teksa kalon pushimet pranë një resorti turistik në Sarandë. PD akuzon Policinë e Shtetit dhe kryeministrin për mbrojtje të bosit të drogës. Reagon Policia: PD të ndalë sulmin e paprecedent. Për Balilin ëshë lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi dyshohet se është përfshirë në një rrjet mjaft të fuqishëm të drogës.

Rikthehet çështja e Klement Balilit, ish-drejtorit të Transporteve në Sarandë, i shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar të drogës.

Ndërsa ai po “kërkohet” ndërkombëtarisht, Partia Demokratike përmes një deklarate shprehet se Balili shëtit i lirë në Sarandë, madje po shijon edhe detin duke bërë plazh.

“Dëshmi nga vendngjarja konfirmojnë se sot (dje) në mesditë, në kompleksin Sejko në Sarandë është shfaqur Klement Balili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge. Klement Balili shfaqet mbi një skaf, duke shijuar ditët e nxehta në det”-thotë PD në deklaratën e saj.

Në pamje është paraqitur një foto ku duket një person i ngjashëm me Balilin që qëndron mbi një skaf, gati për tu hedhur në ujë për të notuar.

Të afërm të Klement Balilit e kanë pranuar që në foto është 42-vjeçari i kërkuar, por shprehen se kjo foto i përket tre viteve më parë.

Ata pretendojnë se ndonëse Balili është në kërkim ndërkombëtar, nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se pala greke nuk ka prova që të vërtetojë implikimin e tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Opozita bën përgjegjës për këtë skandal sipas saj kryeministrin Edi Rama, që i siguron paprekshmërinë Klement Balilit.

“Ky fakt dëshmon se Edi Rama jo vetëm i siguroi arratinë dhe shpëtimin prej aksionit ndërkombëtar të DEA-s amerikane, policisë greke dhe belge, por,po i ofron edhe më shumë garanci e paprekshmëri që ai të bëjë dhe pushime pa i hyrë ferrë në këmbë. Dëshmitë nga vendngjarja konfirmojnë gjithashtu se Eskobari i Ballkanit, sic, e cilësoi rrjeti televiziv amerikan CNN, ishte nën shoqërinë e një drejtuesi të lartë të policisë”-deklaron PD.

Madje aludohet se i pranishëm teksa Balilaj kalon pushime ishte edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Policisë së Shtetit, që ndonëse nuk e prek drejtpërdrejt çështjen Balili, thekson se PD duhet të ndalë sulmin e paprecedent nga strukturave të rendit.

“Policia e Shtetit i kërkon subjektit politik Partia Demokratike të ndalë luftën e përditshme politike kundër punës dhe rezultateve të saj. Në respekt të opinionit publik, por edhe punës së pakursyer të trupës policore, rikujtojmë se politika nuk bëhet duke sulmuar Policinë, por duke mbështetur përpjekjet e saj kundër krimit dhe paligjshmërisë”-thuhet në deklaratën e Policisë.

Më tej shton se është shqetësuese përsëritja e përditshme e sulmeve dhe baltës kundër Policisë, në një kohë që ajo është përditë në betejë me krimin.

Në lidhje me Klement Balilin çështja bëri mjaft bujë tre muaj më parë pasi gjatë një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të lëndëve narkotike dyshohet se financonte grupin e fuqishëm të narkotrafikut.

Emri i Balilit fillimisht doli në mediat greke, të cilët duke iu referuar burimeve policore e konsideruan si kokën e trafikut ndërkombëtar të drogës, madje e quajtën edhe “Eskobarin” e Ballkanit.

Fillimisht autoritetet shqiptare hezituan për ta arrestuar, duke argumentuar se ende nuk kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar, por me mbërritjen e këtij urdhri, kur Policia shkoi në banesën e Balilit për ta arrestuar konstatuan se ai ishte larguar.

Arratisja e dyshimtë çoi në shumë aludime dhe që prej tre muajsh Balili rezulton person në kërkim ndërkombëtar. Gjithsesi çështja e tij është “rifreskuar” ditën e djeshme ku PD denoncon se Balili kryen pushimet i pashqetësuar në një resort turistik në Sarandë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Pikëpyetjet e Autoritetit që do hapë dosjet e ish-Sigurimit

Tentativa e tretë për të hapur dosjet e ish-sigurimit të shtetit ka...
Read More