“As dielli as vdekja nuk shihen ngultas në sy”

-Henry Marsh rrëfen për Rrëfimet-
Nga Arta Marku
“As dielli as vdekja nuk shihen ngultas në sy”. Por diellin s’kemi pse e shohim, na mjafton ekzistenca e tij mbi ne, e domosdoshme, e jashtëzakonshme. Kurse ballafaqimi me vdekjen është i frikshëm. “Ne jemi të dënuar nga e kaluara jonë evolucionare që t’i druhemi vdekjes”. Në krah, ama, gjithnjë shpresa, si “një nga drogërat më të fuqishme që ekziston”. Midis, gjithnjë njeriu…

Një mjek, ndoshta, nuk i sheh gjërat ndryshe. Sidoqoftë shpjegimet e tij vijnë nga një përvojë e ndryshme. Ndaj nëse vendos t’i shkruajë, ia vlen t’i lexosh. E dimë, të vërtetuar nga koha, se librat e mëdhenj i shkruajnë shkrimtarët e mëdhenj. Por përjashtimet përforcojnë rregullat… Ndër ta librat e Henry Marshit “Mos bëj dëm” dhe “Rrëfimet” (Përkth. Mentor Petrela dhe Florian Dashi). Autori është mjekt, neurokirurg, e megjithatë librat janë, pa dyshimin më të vogël, të jashtëzakonshëm. Librat janë ditarë. Ditarë krejt të papritur. Të jashtëzakonshëm i bën përvoja e autorit. Është profesioni që e ka detyruar atë të ballafaqohet me përjetime të skajshme aq sa të kundërta:

sikurse JETA DHE VDEKJA;

sikurse SHPRESA DHE ZHGËNJIMI;

sikurse BESIMI DHE DYSHIMI;

sikurse E VËRTETA DHE GËNJESHTRA;

sikurse VETËSIGURIA DHE VETËMASHTRIMI;

sikurse NEVOJA PËR MIRËNJOHJE DHE RREZIKU QË PËRMBAN…

Por mbi të gjitha librat na tregojnë se JETA ËSHTË NJË E PAPRITUR E JASHTËZAKONSHME…

Në një bisedë me të, vetë HENRY MARSH më ka rrëfyer:

– Lexoja librat tuaj – kryesisht në të dytin e pata këtë ndjesi – dhe më vinte ndër mend Bulgakovi. I diplomuar shkëlqyeshëm për mjekësi, ai megjithatë e braktisi mjekësinë. Libri i tij i parë ishte “Rrëfimet e një mjeku të ri”. Në këtë moment, ju, një mjek i famshëm, në fakt nuk e keni braktisur mjekësinë, ama keni dalë në pension dhe është njëfarësoj “braktisje”. Vini me librin “Rrëfimet”, që janë rrëfimet e një mjeku të vjetër. Zbuloni shumë angazhime të mundshme të cilave mund t’ua kushtoni kohën (puna me dru prsh)… Nuk ju ka shkuar në mendje që t’i kushtoheni letërsisë? Dhe e kam fjalën për letërsi të mirëfilltë, edhe pse me nxitje reale që një mjeku si ju nuk i mungojnë?

Në të vërtetë, sapo kam dalë në pension dhe e mendoj veten si kirurg së pari. Shkrimtari vjen i dyti. Megjithatë, ndoshta tashmë gjërat duhet të kthehen paksa: më shumë një shkrimtar sesa një kirurg.

– Nganjëherë më duket se ka një kontradiktë, një mospërputhje, mes mjekut dhe shkrimtarit: Kam përshtypjen se mjekësia lidhet më shumë me VEPRIMIN ndërsa letërsia (të shkruarit) me REFLEKTIMIN. Një mjek doemos duhet të veprojë sa më shpejt, reflektimi vjen më pas. Ose, më mirë të themi, mjekësia reflektimin e ka pasojë. A vini re ju një KONFLIKT mes dy unëve tuaj? Mes neurokirurgut dhe burrit që ulet para fletës së bardhë për të shkruar?

Jo. Unë kam mbajtur ditar gjithnjë. Librat e mi janë ripërpunime të ditarit që vijoj ta mbaj ende, çdo ditë. Fillova të mbaj ditar kur isha adoleshent, plot me interesa patologjike, si gjithë adoleshentët, por me zhvillimin e karrierës si mjek, e kuptova që po bëja një jetë mjaft interesante. Gjithë çfarë shihja, vendimet që duhej të merrja, problemet e përditshme, doja t’i shkruaja. Në fillim vetëm për veten time. Nuk doja që çfarë shihja të kalonte si rëra nëpër gishta. Përpiqesha të kapja disa momente dhe t’i ktheja në fjalë. Gjithmonë më ka pëlqyer të shkruaj. Gjuha angleze është një gjuhë sa e bukur dhe e komplikuar, dhe në këtë mënyrë të shkruarit ishte një formë terapie për mua. Jeta për neurokirurgun është shumë e dhimbshme. Sheh gjëra të tmerrshme që u ndodhin pacientëve të tu, ndonjëherë ndihesh përgjegjës për ta. Ka raste të suksesshme, padyshim, por ka dhe dështime. Kur shkrova librin e parë, punoja akoma me kohë të plotë, nuk kisha dalë në pension, dhe doja të jepja një ide se çfarë është në të vërtetë jeta e një neurokirurgu. Ka shumë keqkuptime dhe mite mbi mjekët, të cilat ndonjëherë vetë mjekët i promovojnë. Unë doja ta ndryshoja këtë gjë.

– Kur shkruani ditar e shkruani, siç thatë, për veten tuaj. Një ditar është njëlloj si të flasësh me veten, nuk kufizohesh në gjërat që thua, apo mënyrën si i thua. Në momentin që ditari duhet botuar, duhet bërë një përzgjedhje. Cilat kanë qenë kriteret përzgjedhëse të ditarit tuaj?

Librin e parë e shkrova si një thriller të kohës. Çdo kapitull i dedikohet një pacienti të veçantë, një operacioni të veçantë. Kur shkoja në mëngjes në sallën e operacionit, nuk e dija nëse do të kthehesha në shtëpi i gëzuar dhe i lehtësuar nga një operacion që kishte shkuar mirë, apo në ankth dhe i shqetësuar sepse gjërat nuk kishin shkuar mirë. Kjo është natyra e neurokirurgjisë.

Teknikisht, neurokirurgjia nuk ndryshon shumë nga degët e tjera të kirurgjisë, edhe pse disa neurokirurgë pretendojnë që ka ndryshim. Por ajo çfarë e bën unike neurokirurgjinë është rrezikshmëria, sepse truri është shumë delikat. Truri nuk shërohet dhe rikuperohet siç shërohen prerjet në lëkurë, kockat e thyera apo muskujt e këputur. Kështu rreziqet e kësaj kirurgjie janë më të mëdha se sa të degëve të tjera të mjekësisë. Dhe kjo është e vështirë për mjekun. Nëse kujdesesh për pacientët, shpesh duhet të vuash, dhe ky është çmimi që duhet të paguash për faktin që ndihmon shumë pacientë.

– Le të rrijmë më gjatë tek efekti terapeutik i të shkruarit. Shkrimtarët e pranojnë këtë lloj efekti. Edhe ju e përmendët. Sa dhe si ju shkarkon nga pesha që ju ngarkon profesioni?

Kam qenë gjithmonë njeri emocional, kjo është natyra ime. Kam shkruar që në moshë të vogël dhe ishte një mënyrë që të kontrolloja ndjenjat e mia dhe ta ktheja stresin dhe ankthin në diçka tërheqëse, të bukur. Të shkruash një fjali të bukur është shumë e këndshme.

– Le t’i hyjmë më në hollësi librit RRËFIMET. Keni një citim të jashtëzakonshëm në krye: AS DIELLI AS VDEKJA NUK SHIHEN NGULTAS NË SY. Por diellin s’kemi pse e shohim, na mjafton ekzistenca e tij e domosdoshme, e jashtëzakonshme. Kurse ballafaqimi me vdekjen është i frikshëm. Ju vetë shkruani: “jemi të dënuar nga e kaluara jonë evolucionare që t’i druhemi vdekjes”… Cila është këshilla për këtë ballafaqim, nga dikush e ka parë vdekjen të ndriçuar në 100 mënyra?

E vetmja arsye racionale për t’u frikësuar nga vdekja është nëse beson në ferr. Nëse nuk beson në ferr pas vdekjes, nuk ka arsye racionale për t’u frikësuar. Nëse beson në parajsë, në mënyrë racionale ti pret që të vdesësh, sepse do të shkosh në parajsë. Por si shumë njerëz në botën moderne dhe botën e neuroshkencës, unë nuk besoj tek jeta pas vdekjes. Nuk besoj te Parajsa por as te Ferri. Kështuqë vdekja nuk më frikëson. Çfarë më shqetëson mua, si shumë njerëz në botën moderne, janë sëmundjet si skleroza prsh. Më shqetëson pikërisht të jetuarit më gjatë. Shumë prej nesh jetojnë gjatë dhe preken nga alzajmeri dhe skleroza. Anketat në Angli tregojnë se shumica e bashkëmoshatarëve të mi, e unë jam 68 vjeç, kanë më shumë frikë nga skleroza sesa nga vdekja, nga kanceri, nga ataku kardiak ose diçka e tillë. Shumica prej nesh kanë raste të prindërve të prekur nga skleroza. Babai im vdiq në moshën 96 vjeçare nga Alzaimeri dhe është shumë e trishtë të shohësh dikë të dashur (babai im ishte avokat i të drejtave të njeriut) që kthehet në atë që e quajmë “vegjetim’’. Kjo është shqetësuese. Ama, nëse jetojmë deri në moshën 80 vjeçare, statistikisht shancet për t’u prekur nga skleroza janë 45%. Në moshën 90 vjeçare shancet janë 60 %. Pra, ndërsa ne duam të jetojmë sa më gjatë të jetë e mundur, kjo ka pasojat e veta. Të vdesësh në moshën 80, 90 vjeçare nuk është domosdoshmërisht diçka e mirë…

– Në fillim në kutinë e Pandorës ishin të këqijat: pleqëria, xhelozia, sëmundja, çmenduria, vesi dhe shpresa… Kur Pandora, nga kureshtja, e hapi kutinë, dolën të gjitha. Por ajo e mbylli shpejt dhe shpresa mbeti brenda. Kështu njerëzimi u dënua me vuajtje. Ju desh Pandorës ta hapte sërish e ta nxirrte jashtë edhe shpresën. Në “Rrëfimet”, tek përshkruani një personazh, gruan e një të sëmuri, përdorni një shprehje: ishte NË KËRKIM TË DIÇKAJE KU TË VARTE SHPRESAT… Dhe në fakt jashtëzakonisht shpesh flisni për SHPRESËN. Diku tjetër thoni se “…shpresa, me ligjet e propabilitetit është shpesh kaq e pavend. Dhe kështu përfundojmë duke i sjellë vetes vuajtje”. Në fakt, shpresa i zbut vuajtjet apo përkundrazi? Çfarë është shpresa?

Ne mjekët e dimë se shpresa është një nga drogërat më të fuqishme që ekziston. Nuk e shëron kancerin por të jetosh pa shpresë do të thotë të biesh në depresion. Mungesa e shpresës është vuajtje. Gjendja e mendjes ka një ndikim shumë të madh mbi shëndetin tonë, jo vetëm në aspektin psiqik. Edhe zemra ndikohet shumë nga gjendja emocionale, njerëzit mund të vdesin nga një zemër e thyer, mund të kenë një zemër të shëndetshme, por ajo mund të ndalojë nga një stres emocional. Sistemi imunitar që lufton infeksionet dhe kancerin është i ndikuar nga gjendja emocionale. Ne nuk e kuptojmë plotësisht, por sistemi imunitar, nyjet limfatike që prodhojnë rruazat e bardha të gjakut, që luftojnë infeksionet, janë të lidhura me trurin. Vetëm në vitet e fundit mjekësia e quajtur trupi dhe mendja, ka filluar të bëhet më shkencore. Përpara 20-30 vjetësh hidhej poshtë si diçka e pabesueshme. Kuptimi ynë mbi shëndetin dhe sëmundjet ishte i përqendruar tërësisht në mënyrë mekanike te trupi, nuk kishte vend për trurin. Por tashmë e kuptojmë se truri është shumë i rëndësishëm dhe shpresa është shumë e rëndësishme. Ne të gjithë duam shpresë dhe të jetosh pa shpresë është shumë e vështirë. Mjekët duan t’u japin pacientëve shpresë, t’i inkurajojnë, t’u ngrenë moralin. Ndonjëherë nuk ka shumë shpresë dhe gjërat bëhen të vështira.

– Një nga gjërat, më duket mua, që të mësojnë librat tuaj është se jeta është një e papritur e jashtëzakonshme dhe ne jemi qenie të udhëhequra nga fati – jemi të varur pezull në ekzistencë. Çfarë mendon një mjek për fatin? Nëse nuk besoni në Zot, siç thoni, ku besoni? Ka nevojë njeriu për një pikë mbështetjeje, besoj… ku do ta varë ekzistencën e vet.

Nuk besoj se duhet të besosh në Zot, për të ditur si të sillesh në jetë. Rregulli i thjeshtë, që t’i trajtosh njerëzit e tjerë apo krijesat e tjera, siç do që të trajtohesh vetë, në thelb është një bazë e shëndoshë morale.

– Megjithatë, fati… çfarë është fati i njeriut?

Fati… Ne mendojmë se jemi në kontroll të jetëve tona, besojmë tek filozofia e vullnetit të lirë, por nuk i zgjedhim ndjenjat tona, emocionet tona. Emocionet përcaktohen nga trashëgimia gjenetike, nga mënyra se si truri nis e formohet përpara se të lindim. Zhvillimi i trurit të fëmijëve lidhet me eksperiencat e hershme. Studime të fëmijëve të jetimoreve në Rumani kanë treguar se ata kanë një tru më të vogël dhe shumë probleme psikologjike, vetëm sepse nuk janë rritur në një mjedis me dashuri dhe përkushtim. Pra, ndjenjat tona përcaktohen nga shumë gjëra jashtë kontrollit tonë, dhe kur marrim vendime, ato nuk përcaktohen nga logjika e ftohtë dhe arsyeja, përcaktohen nga emocionet dhe ndjenjat. Për shumë nga ne, edhe për mua, jeta është një luftë me ndjenjat. Gjëja më e rëndësishme në jetë, nëse ke një problem ose një konflikt më dikë, ose në rastin e pacientëve, është që ta mendosh atë që kërkon në një moment afatgjatë: çfarë rezultati do nga kjo gjë? Duhen tejkaluar frikërat, inatet, presioni emocional dhe duhet përpjekur të mendohet qetësisht se çfarë kërkon nga aksh problem.

Ky është për mua fati. Dhe ky është më afër mënyrës se si e mendojnë klasikët grekë, apo Makbethi tek Shekspiri… Ne drejtohemi pra, nga ndjenjat që nuk i kemi nën kontroll.

– Për ta ilustruar diskutimin mbi fatin: Rrëfeni takimin me një paciente në Nepal. Ishte një rast të cilit ju nuk i jepni dot zgjidhje aty për aty. Komunikoni me një koleg në Angli nëpërmjet internetit. Shkruani:

Ai m’u përgjigj tridhjetë minuta më vonë, duke më thënë se sipas tij kirurgjia ishte sa e mundur aq edhe relativisht e thjeshtë. Ja tregova opinionin e tij Devit.

-A nuk është interneti i mrekullueshëm! – i thashë. – Mund të marrim mendime të klasit të parë kaq shpejt.

-Do ishte mirë ta kthenim fëmijën me të atin, – u përgjigj ai.

Por vajza dhe familja e saj ishin larguar. E pamundur të gjendeshin sërish, sepse nuk kishte asnjë mundësi kontakti. Këto janë rrengjet që të punon fati, apo jo?

Po, në njëfarë mënyre po. Në Nepal pacientët vijnë në spital, nuk kanë asnjë lloj adrese ose numër telefoni dhe thjesht zhduken më pas. Nuk kishte asnjë mënyrë kontaktimi me familjen. Nëse do të qëndronin edhe 10 minuta më shumë, rezultati do të ishte ndryshe. Por ne si mjekë, e thashë edhe më parë, e shohim fatin të shoqëruar me ndjenjat. Është megjithatë edhe «çështje fati». Fati i mirë ose fati i keq. Kam parë njerëz të vdesin për shkak të keqkuptimeve të vogla.

– Është diçka e shkruar tek njeriu fati i mirë ose i keq…

Fati është i pasigurt.

– Janë interesante disa detaje në libër që na zbulojnë mendësinë e një kirurgu, mënyrën sesi ai i sheh gjërat, mënyrën se si ai funksionon. Prsh diku rrëfeni komunikimin me një pacient dhe shkruani: “Na duhet të të shtrojmë, – i thashë duke përdorur numrin shumës që ua zbut mjekëve ndjenjën e përgjegjësisë dhe dobësisë personale”. Një nga tiparet e mjekut është vetësiguria. Ai duhet ta përçojë, ai nuk bën dot pa të. Nëse nuk e ka duhet ta mësojë. Le të flasim për dobësinë personale si dhe nevojën e vetësigurisë te mjeku. Unë e gjykoj si një fill të hollë mbi të cilin duhet qëndruar në ekuilibër. Sepse mund të ngatërrohet vetësiguria me vetëmashtrimin.

Gjërat janë paksa ndryshe në Shqipëri krahasuar me Anglinë, edhe pse mjekësia përpara 40 vitesh në Angli ishte si në Shqipëri tani. Kam qenë në Shqipëri shumë herë, nuk e flas gjuhën tuaj, por kam vënë re se marrëdhënia midis pacientëve dhe mjekëve në Shqipëri është akoma shumë e ngurtë: mjekët i tregojnë pacientit se çfarë duhet të bëjë dhe pacienti e pranon këtë gjë pa e vënë në dyshim. Është një marrëdhënie vertikale, diktatoriale. Në Europën perëndimore dhe në Amerikë, është shumë ndryshe. Me pacientë që vënë në dyshim gjithçka, mjekët nuk mund ta marrin të mirëqenë se çdo gjë do pranohet. Çështjet gjyqsore ndaj mjekëve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Angli dhe në Amerikë. Marrëdhënia midis pacientëve dhe mjekëve, pra, është vështirësuar shumë në kohët moderne. Mjekësia është shumë e fuqishme dhe mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme. Është gjithashtu shumë e shtrenjtë, tmerrësisht e shtrenjtë por edhe shumë e rrezikshme. Në këtë mënyrë t’i shpjegosh gjërat pacientëve, t’u japësh shpresë dhe të jesh realist, t’u imponosh vetësigurinë, është shumë e vështirë.

– Më krijohet përshtypja nga libri “Rrëfimet” se jeta e një kirurgu bën përpara mbështetur në KONTRADIKTA. Njëra prej tyre ka të bëjë me empatinë njerëzore nga njëra anë dhe domosdoshmërinë e shkëputjes, distancimit, ftohtësisë nga ana tjetër. Shkruani: “Shumicës nga ne, kur bëhemi mjekë, na duhet ta ndrydhim ndjenjën e natyrshme të empatisë, nëse duhet të funksionojmë siç duhet. Empatia nuk është diçka që e mësojmë, por diçka që duhet ta çmësojmë. Pacientët bëhen pjesë e “jashtë-grupit” siç e quajnë antropologët, njerëz me të cilët nuk kemi nevojë të identifikohemi”. Pra, empatia e mjekut, dëshpërimisht e nevojshme për pacientin, duhet çmësuar. I bën dëm objektivitetit. Është njëfarësoj shkatërruese për vetë mjekun. Nuk mund ta mbajë dot një njeri i vetëm vuajtjen e një numri të pamatë pacientësh… Si vendoset ekuilibri?

Është një nga problemet më të vështira në mjekësi të gjesh balancën në këtë rast. Empati në anglisht do të thotë të ndjesh të njëjtën gjë që ndjen dikush tjetër. Si mjek, nëse e ndjen këtë, atëherë nuk mund ta kryesh punën. Rregulli i vetëm etik në mjekësi, është t’i trajtosh pacientët ashtu siç do të trajtoje veten ose pjesëtarët e familjes tënde. Por është thuajse e pamundur të operosh një pjesëtar të familjes. Je në ankth, je nervoz. Kështuqë duhet të gjesh një balancë mes ndjenjave… mëshirë më shumë sesa empati.

Dhe problemi këtu qëndron se sa më shumë të kujdesesh për pacientët aq më shumë dhimbje ndjen. Përkundrazi nëse ke krijuar distancë nga pacienti yt, puna ka për të qenë më pak e dhimbshme. Por, ti do të jesh një mjek më pak i mirë, sepse ajo çfarë duan pacientët – unë kam qenë pacient vetë, djali im gjithashtu sepse kishte një tumor në kokë – pra, ajo çfarë duam si pacientë nuk është vetëm trajtimi mekanik. Duam përkujdesje dhe vëmendje. Dashuri ndoshta është fjalë e madhe por duam që mjeku të kujdeset për ne. Edhe pse është e vështirë për t’u provuar, jam shumë i sigurt që në shumë raste, pacientët do të përgjigjen pozitivisht dhe do të kenë më pak probleme pas një operacioni, nëse e ndjejnë që marrin përkujdesje.

Sipas një studimi të famshëm, pacientët që e kishin pamjen e dritares nga pylli, dolën nga spitali më shpejt, me më pak komplikacione, me më pak ilaçe, se sa pacientët që e kishin pamjen nga parkingu i zbrazur. Kështu, ndjenjat tona dhe gjendja shpirtërore kanë një efekt shumë të madh në rikuperimin nga sëmundja. Ndikon aspekti fizik, mënyra se si është kompozuar spitali, gjithashtu aspekti psikologjik, mënyra sesi stafi, mjekët dhe infermierët kujdesen për ne.

Por mjekut, sa më shumë të kujdeset për pacientët, aq më shumë do t’i dhembë, sepse gjërat jo gjithmonë shkojnë mirë.

– Tregoni një historizë simpatike: me një patë që i ishin ngatërruar krahët në një skelë tek notonte dhe ju, një kalimtar i rastësishëm buzë Tamizit, e lironi nga pengesa: “Arrita ta çliroj – shkruani – pa rënë në lumë. Pata u hodh në ujë pa reshtur së falenderuari. Mua më pëlqen të mendoj se nëse një ditë do të jem në hall gjatë notimit, pata mirënjohëse – si në përrallë – do të vijë e të më shpëtojë”. Psikologët thonë se kur ne i bëjmë gjërat, qoftë edhe pavetëdijshëm pretendojmë mirënjohjen. Në ç’masë ju udhëheq në punën tuaj mirënjohja e prentenduar? Në ç’masë ju pengon mungesa e saj?

Mund të them se nuk jam penduar që jam bërë mjek. Sidomos të jesh kirurg është një privilegj shumë i madh sepse pacientët të janë shumë mirënjohës edhe pse ti thjesht bën punën tënde dhe paguhesh për këtë. Por, marrëdhënia midis pacientit dhe kirurgut nuk është dhe aq e thjeshtë. Është e mrekullueshme të ndihmosh njerëzit dhe ata të janë mirënjohës por ekziston gjithashtu rreziku i një lloj korruptimi. Mjeku mund të përfundojë duke u ndjerë mirë me veten, ndihet i mirë dhe i jashtëzakonshëm. Por ne nuk jemi të jashtëzakonshëm. Kemi një punë të jashtëzakonshme (operacionet janë të jashtëzakonshme sepse nuk është njëlloj si të rregullosh makinën) por ne vetë nuk jemi të tillë… Pra, ekziston rreziku dhe mjaft mjekë janë korruptuar nga mirënjohja.

– Marrëdhënia me të vërtetën. Siç kuptoj nga libri “Rrëfimet”, mënyra se si ne i qasemi të vërtetës ka të bëjë me kulturën tonë. Varësisht mënyrës se si jemi rritur e pranojmë ose e refuzojmë të vërtetën. Shpesh na pëlqen të gënjehemi. Më mirë një e mashtrim i bukur sesa një e vërtetë e hidhur. Kjo është ana e atij që e pëson të vërtetën, ai që e dëgjon atë. Si e gjykoni ju, që jeni dikush që duhet ta thotë të vërtetën? Nuk është e lehtë ta dëgjosh, por duhet të jetë po aq e vështirë edhe ta thuash të vërtetën.

Gjithçka varet nga kultura e vendit. Edhe pse punën më të madhe e kam kryer në Angli, kam punuar edhe në vende të tjera. Në Shqipëri kam vënë re se situata është e përafërt me vende si Sudani, Pakistani ose Nepali, ku kam punuar. Shpesh familjarët dhe pacientët e kanë shumë të vështirë të pranojnë lajmet e këqija. Ishte përafërsisht e njëjta situatë në Angli 40 vite më parë: mund t’u tregonim të vërtetën familjarëve por jo pacientëve nëse ata kishin sëmundje vdekjeprurëse. Tashmë në Angli kjo gjë ndodh rrallë. Përpiqemi që pacienti dhe familjarët të dinë të njëjtën të vërtetë. Në Shqipëri ndodh e kundërta, nuk duhet t’i thuash pacientit nëse ka kancer ose diçka të ngjashme.

– Nuk është e thjeshtë për t’u pranuar në fakt. Është madje tejet e vështirë për ta pranuar…

Është shumë e vështirë, sidomos tua thuash njerëzve në fytyrë. Duhet të respektosh se në çfarë mase pacientët dhe familjet e tyre mund ta përballojnë të vërtetën. Sidoqoftë, ka mënyra për ta thënë të vërtetën pa i humbur shpresat. Sfida në mjekësi, lidhur me bashkëbisedimin me pacientët, është që nuk duhet t’u heqësh njerëzve ndjenjën e shpresës, por edhe nuk duhet t’i gënjesh. Ndonjëherë, me shpresë kuptohet fakti që mund të jetosh një ditë më shumë, të shohësh lindjen e diellit të nesërmen në mëngjes. Kur e dimë që do vdesim, mund të pranojmë një shpresë më të shkurtër edhe pse mund ta dimë që nuk do te jemi gjallë pas disa ditësh. Kështu, ka mënyra për të folur për të vërtetën.

– Ju referuat Shqipërisë dhe në fakt ju keni informacione, sepse keni pasur aktivitet dhe tek ne, keni kryer operacione. Megjithatë te ky libër Shqipëria nuk është. Është Nepali, është Ukraina është Londra, ky është trekëndëshi…

Ndoshta në librin tjetër do të jetë Shqipëria.

– Ah, kjo ishte pjesërisht pyetja. Por përtej kësaj, edhe në librin tuaj të shkuar “Mos bëj dëm” tek lexoja historitë e Ukrainës, gjeja copëza Shqipërie. Tek libri “Rrëfimet” më shumë e gjeta Shqipërinë te historitë e Nepalit. Kjo sipas meje, që jam brenda. Në gjykimin tuaj, prej së jashtmi, ku qëndron Shqipëria midis Nepalit dhe Ukrainës nga njëra anë dhe Londrës nga ana tjetër?

Nepali është një nga vendet më të varfra të botës, është shumë ndryshe, është një vend me besim Hindu dhe Budist, por ka një ngjashmëri të vogël me Shqipërinë: arsimi nuk është shumë i mirë. Shumica e gjërave që di për Shqipërinë më janë thënë nga kolegët. Nuk kam shumë eksperiencë personale me pacientët shqiptarë gjë që ndryshon nga puna ime në Nepal dhe Ukrainë. Besoj se Shqipëria dhe Ukraina janë të njëjta në aspektin që pacientët dhe familjet përpiqen të përballen me të vërtetën ashtu sikurse në Angli 30-40 vite më parë.

– Dua t’i kthehem librit tuaj të parë për të qëndruar në një detaj që më ka lënë mbresë shumë të thellë: «operacioni ishte i hijshëm» shkruani duke sjellë në mendje momentin kur vendosët të bëheni neurokirurg. Një vit më parë, për librin “Mos bëj dëm” unë intervistova prof. Petrelën që është një ndër përkthyesit e librave tuaj. E pyeta për këtë shprehje: Çfarë do të thotë operacion i hijshëm? Tani dua t’ju pyes ju vetë që e keni shkruar: ku qëndron hijeshia e një operacioni neurokirurgjikal?

Ai mund të jetë shumë i bukur edhe pse jo gjithmonë. Disa operacione në tru mund të jenë shumë të bukur. Jam përpjekur ta shpjegoj dhe shpërndaj në disa nga kapitujt e librit tim të parë. Në shumicën e ndërhyrjeve që kam bërë ose vazhdoj t’i bëj, kam përdorur një mikroskop që i zmadhon gjërat 30 fish, me një dritë të fuqishme. Kur përdoret ky mikroskop, është si ta shohësh botën nëpërmjet dylbive. Disa operacione nuk janë elegante, por përsëri, me vitet e eksperiencës, është një kënaqësi e madhe të përdorësh duart. Më pëlqen të përdor duart… Por mund të mos jetë shumë tërheqëse apo elegante, mund të mos jetë edhe aq e këndshme.

– Shprehja juaj «më pëlqen të përdor duart» më solli në mendje disa momenet në libër kur ju bëni disa përshkrime shumë interesante, të çuditshme për mua. Thoni: «kirurgut i hanin duart…” diku tjetër thoni se “ndiheshit i mbushur me dëshirën e zjarrtë për të operuar”… Unë e kam krejt të lehtë ta kuptoj dëshirën e zjarrtë të një shkrimtari për të shkruar; dëshirën e zjarrtë të një piktori për të pikturuar deri edhe të një kopshtari për t’u kujdesur për lulet apo të një marangozi për të zdrukthuar një dërrasë… por kjo e kirurgut kërkon pak shpjegim…

Unë nuk jam unik. Çfarë është e pazakontë në shkrimin tim është sinqeriteti që lidhet me punën, përsa kohë qysh në librin tim të parë, të gjitha shkrimet kanë qenë histori suksesi aq edhe pranimi i vështirësive dhe dështimeve. Kjo ndodh sepse kam një besim të madh që vetëm e vërteta na çliron. Ne mësojmë nga gabimet, suksesi mund të jetë i dëmshëm për ne, mirënjohja dhe adhurimi i pacientëve ndaj nesh mund të jetë me rrezik. Është diçka e këndshme, por më duhet të luftoj kundër. Unë u bëra neurokirurg sepse mendoja se duke kuptuar fuksionimin e trurit do të mësoja kuptimin e jetës. Por nuk është kështu. Neuroshkenca nuk u përgjigjet pyetjeve morale ekzistenciale, ajo çfarë mëson është vetja jote dhe problemet e tua dhe ato të pacientëve. Si mjek ke një marrëdhënie të privilegjuar me pacientët, nëse do, mund të bashkëbisedosh gjatë, takon njerëz të çdo niveli shoqëror, kështuqë mund të jetë shumë e bukur. Çfarë e bën mjekësinë të bukur, për mua dhe mjekë të tjerë, janë pacientët, sepse njerëzit janë të mrekullueshëm. Shumica prej nesh bëhen mjekë, sepse njerëzit u duken interesantë për të punuar me ta.

– Te autobiografia e tij “Bukë me sallam”, Bukovski thotë se “kur në një libër gjejmë historinë tonë, na duket se shkrimtari e ka shkruar për ne. Dhe kjo është e mrekullueshme!” Cilët janë lexuesit të cilëve u jeni drejtuar duke bërë të gjejë historitë e veta?

Përgjithësisht jo lexues mjekësore. Unë nuk kam shkruar për mjekët, por për lexuesin e përgjithshëm inteligjent. Është e mrekullueshme që libri i parë është përkthyer në 31 gjuhë, dhe ka shitur 1 milion kopje, diçka e jashtëzakonshme. Shumë mjekë në të gjithë botën, veçanërisht kirurgë, më kanë thënë se kam rrëfyer gjëra që edhe ata vetë i ndjejnë, por nuk e kanë pasur të mundur t’i thonë hapur. Dua të mendoj që librat e mi kanë ndihmuar mjekët të kuptojnë veten, ashtu siç shpresoj që pacientët të kuptojnë mjekët, si një marrëdhënie ndërmjet të rriturish e jo ta shohin mjekun si një figurë atërore dhe pacientin si të ishte një fëmijë i vogël.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Demi Rose mahnit nga ishulli grek i Santorinit…

Jo vetëm në Ibiza… tani Demi shfaqet edhe në ishujt grekë. Jemi...
Read More

More Stories