Anila Mullahi: Një darkë me E. Allen Poe dhe Virginia Wolf

Anila Mullahi, profesore e letërsisë në Universitetin e Tiranës, studiuese, vjen më poshtë në një rrëfim për librat e zemrës

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Gjatë analizave që u bëjmë veprave më të mirë të letërsisë botërore, me studentët e letërsisë, ata vazhdimisht ma bëjnë një pyetje të tillë. Shpesh përsëris emrin e të njëjtit roman, por më ndodh edhe ta ndryshoj atë. Kjo, jo sepse mendimet e mia janë të lëkundshme, por mendoj se me kalimin e kohës dhe nëpërmjet leximeve dhe rileximeve gjithmonë e ke të vështirë të ngulitesh vetëm tek një vepër. Një nga përgjigjet e mia më të shpeshta është romani i Dostojevskit “Idioti”. Një roman i magjishëm, por dhe i ndërlikuara, ku tragjizmi kalon përtej çdo parashikimi apo imagjinate të mendjes njerëzore. Në këtë roman aftësitë krijuese të Dostojevskit arrijnë majat në rrëfimin e historisë së dhimbshme të princit fatkeq Mishkin, që me humanizmin e tij pranon të marrë rolin vetë shkatërrues, mjafton të lumturojë personazhet e tjerë, apo të përmirësojë sado pak jetët e tyre. Në një botë ku e keqja mbizotëron dhe të gjithë janë të çmendur nga krenaria dhe egoizmi, vazhdimisht më vjen në mëndje një frazë e këtij romani që i drejtohet princit Mishkin :“Natyra është tallëse! Për ç’arsye ajo lind krijesa më të mira, me qëllim që pastaj të tallet me to? Dostojevski ka krijuar një figurë të tillë.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Për këtë pyetje nuk kam asnjë mëdyshje. Tregimet më të pëlqyera për mua janë ato të shkruara nga shkrimtari amerikan i shekullit të XIX Edgar Allen Poe. Mënyra sesi shkrihet gotizmi me romantizmin, skenat objektive me ato fantastike i bën këto tregime të mrekullueshëm. “Tregimet e Misterit” janë përmbledhja që përfshin brenda saj tregimet të cilat të mbajnë pezull me elementin e tyre diku horror me frikerat dhe hamendsimin e zgjidhjes së enigmës. Në këtë përmbledhje gjejmë tregime në të cilat flitet për dashurinë dhe dhimbjen që shkakton ajo, por edhe tregim me dhunë të padëgjuar herë të justifikuar nga egoizmi e herë për arsye psikopatie të paparashikueshme në të cilat e keqja duket sikur fle tek secili prej nesh e në rrethana të caktuara mund të na kaplojë. Edgar Allen Poe arrin të futet në skutat e errëta të shpirtit si pakkush ka arritur të futet.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Më pëlqejnë shumë tregimet e Alice Munros, romanet e Patrick Modianos, romanet e Milan Kunderës. Nga shkrimtarët që shkruajnë shqip, do të veçoja Ardian Kyçykun, Ridvan Dibrën dhe Arben Deden.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Jam lexues që nuk shmang asnjë lloj gjinie letrare. Më pëlqen të lexoj sa lirikën edhe epikën, madje jam e dashuruar edhe me dramaturgjinë që duket sikur është e destinuar dhe e merr shkëlqimin e saj vetëm kur vihet në skenë. Megjithatë parapëlqej romanet.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Ndoshta do të habiteshin po të shihnit një tekst shkollor për studentët e mjekësisë “Patologjia dhe Fiziologjia patologjike” ose ndoshta po të shihnit librin “Gjeologji e aplikuar”. Të dy, sepse mi kanë dhuruar autorët dhe kanë dashur ti hedh një sy më tepër punës së tyre.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Nëse do t’i kthehesha gjithë personazheve që kanë ndikuar në jetën time do të ishte e pamundur të dalloja vetëm njërin prej tyre. Më ka magjepsur aftësia e Emës tek “Zonja Bovari” për të ëndërruar, jam dashuruar me dëshirën për të jetuar jetën të Natashës tek “Lufta dhe paqja”, kam marrë si model forcën për të përmirësuar veten dhe ndihmuar të tjerët nga Zhan Valzhani tek “Të mjerët”. Don Kishoti dhe princi Mishkin më bëjnë të gëzohem që gjithmonë do të ketë njerëz që do të duan ta ndryshojnë për mirë botën, por më shkaktojnë dhe dhimbje, për pamundësinë e tyre për t’ia arritur. Pëlqej shumë heronj të ndryshëm, për gjera krejtësisht të ndryshme.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?

Në fëmijëri isha ai lloj lexuesi që më ndodhte që prindërit e mi të ma merrnin ndonjëherë librin nga dora me fjalët: nuk është e thënë që ta mbarosh një libër ditën që e ke nisur. Babai im, këmbëngulte se, librat kur lexohen shpejt nuk shijohen aq mirë. Librat shkaktonin një kuriozitet të madhe tek unë dhe kjo gjë më bënte të lexoja shpesh pa ndaluar shumë gjatë.

Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Në fëmijërinë librat që mund të gjendeshin për moshën tonë nuk ishin të shumtë. Më pëlqente shumë Mark Twain, Jules Verne, Xhonatan Suift etj.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Babai im ka studiuar për Gjuhë –letërsi ashtu siç bëra dhe unë duke ndjekur gjurmët e tij. Në shtëpinë tonë kishte shumë libra ndaj shpesh të afërm na kërkonin libra të cilët ne ua huazonim. Unë isha 11-12 vjeç dhe shpesh më pëlqente të mos lexoja librat e moshës time, por ato që ishin për të rritur. Një gjë të tillë, në të vërtetë e kisha të ndaluar, por si gjithmonë e ndaluara është gjithmonë e pëlqyer. Dhe unë vazhdimisht lexoja libra për të rritur. Sapo ishte botuar romani “Shtëpia e shpirtrave” e Izabel Aliende dhe fillova ta lexoj por kishte mbetur vendi bosh në bibliotekë. Babai im e vuri re dhe më pyeti: atëherë gënjeva, përmenda emrin e një kushëriri që gjoja e kishte marrë për ta lexuar. Pas dy ditësh ai erdhi në shtëpinë tonë, por babai im se pyeti për librin mesa duket kisha fituar të drejtë të lexoja edhe librat e tij, por jo të gënjeja.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Mendoj se të gjithë librat e mirë që kam lexuar kanë pasur ndikimin e tyre tek unë.  Madje mund të them në disa raste kam zgjedhur unë të ndikohem prej tyre, e ndonjëherë, ata janë bërë pjesë e sjelljes dhe e ideve të  mia në mënyrë implicide, krejt në mënyrë të pakuptueshme.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Do t’i sugjeroja një libër që i përket traditës. Do të më pëlqente që çdo udhëheqës të lexonte romanin “Lufta dhe paqja” të Tolstoit. Një shpërfaqje e historisë njerëzore në çaste lufte dhe paqe.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Po përpiqem të imagjinoj bisedat që mund të bëjnë në një tavolinë, E. Allen Poe, O. Wilde dhe Virginia Wolf. Do të ishte një natë pa diskutim shumë interesante.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë?

Nëse nuk më pëlqen një libër jam e kujdesshme në gjykimin përfundimtar, sepse e di që kjo s’mund të jetë absolute, sepse e di që shijet janë personale dhe duke perifrazuar Kantin “Për shijen mund të diskutohet, për shijen nuk debatohet”, jam gjithmonë e hapur për një rilexim.

A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Libri i fundit që e kujtoj se nuk e kam përfunduar por jo për faj të vlerave të librit, por për hir të rrethanave, ka qenë “Fundjava” Bernhard Schlink, për një arsye shëndetësore nuk e përfundova atë libër. Kur mund ta përfundoja atë, nuk e di pse refuzova ta përfundoj, ndoshta ai libër në mendjen time u lidh pazgjidhshmërish më atë çast të vështirë të jetës time. Por do ta përfundoj një ditë.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Nëse do të më pyesnit biografitë e kujt pëlqeni më shumë, pa as më të voglin mëdyshje do të përmendja Stefan Cvajg. Biografitë e tij për Balzakun, Mary Stewart, si edhe ajo e perandoreshës Mari Antuanete, Joseph Fouche etj. janë model i padiskutueshëm i biografive të letrarizuara. Ndërthurja e fakteve jetësore më një stil të mrekullueshëm si dhe me aftësinë për të zhbiruar në skutat e mendjes dhe shpirtit e bëjnë Cvajkun biografin tim më të preferuar. Nuk mendoj se biografitë shkruhen për njerëz të veçantë. Nuk pretendoj të shkruhet një biografi për mua.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Gjithë librave të Dostojevskit u kthehem vazhdimisht; “Krim e ndëshkim”, “Vëllezërit Karamazov”, “Shënime nga bodrumi” librave të Virginia Wolf, “Zonja Dalluej”, “Natë e ditë”, “Kështjellës” së Kafkës, poezive të Bodlerit, të T. Eliot,  e shumë të tjerëve.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Ka shumë libra të cilët nuk janë përkthyer akoma në gjuhën shqipe. Të mësosh gjuhë të huaj nuk është asnjëherë e mjaftueshme. Por besoj se kam shumë kohë përpara për të lexuar ata që dua.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Sa më shumë të mundem aq më mirë do të jetë për shpirtin tim. Këto ditë do të lexoj një libër të Steinbeck.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shiu përgjak rrugët, 3 viktima dhe 14 të plagosur

Për shkak të motit të keq, nëpër rrugët e vendit pati probleme...
Read More