Analizat e ADN-së: Bishti i cigares “djeg” ekzekutorin e Çiçajt

vrasesitZbardhen hollësi të tjera në lidhje me mënyrën si policia arriti të zbulojë autorët. Analizat e ADN-së, të marra nga filtri i një cigareje, që ishte konsumuar nga autori i dyshuar Jani Alia, zbuloi atentatorët. Një kamera sigurie fikson edhe automjetin në pronësi të Renato Milloshit, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim.

Gjithçka e kishte planifikuar më së miri.

Për të mos lënë gëzhoja në vendin e ngjarjes përdori një pistoletë me mulli, për t’iu shmangur identifikimit vendosi një kapele në kokë dhe iu ruajt kamerave të sigurisë, por një gabim i vogël çoi në zbulimin e autorit të ekzekutimit mafioz të 36-vjeçarit Elton Çiça.

Burime të policisë shprehen se identifikimi i Jani Aliajt si autor i dyshuar i ngjarjes është bërë nga mbetjet e lëna në filtrin e një cigareje, që autori e hodhi pak metra larg vendit ku kreu vrasjen.

Hetuesit, bazuar mbi dëshmitë e autorëve, por edhe nga pamjet filmike të një kamere, konstatuan vendin ku personi i dyshuar hodhi një cigare në tokë dhe u nis për të kryer vrasjen.

Filtri është marrë nga ekspertët dhe më pas iu nënshtrua analizës së ADN-së, ku ka rezultuar se ajo i përkiste 39-vjeçarit Jani Alia, person me precedentë të shumtë kriminalë në Shqipëri dhe Greqi.

Një tjetër provë e pakundërshtueshme që policia ka siguruar, është edhe automjeti tip “Ford Focus”, me të cilën lëvizën autorët dhe bashkëpunëtorët e krimit.

Në një moment janë shfaqur targat e automjetit, por ndonëse nuk dalloheshin qartë, hetuesit përdorën identifikimin duke futur numra të ndryshëm, që më pas përkuan me Fordin ngjyrë të zezë.

Automjeti ishte blerë nga ana e Renato Milloshit, djali i ish-drejtuesit të Partisë Komuniste Hysni Milloshi, me qëllim që ky mjet të përdorej pikërisht në këtë atentat.

Të gjithë këto elemente, shoqëruar edhe me prova shkencore siç është ADN-ja dhe gjurmët e gishtërinjve të lëna në automjet, konkluduan në zbulimin e autorëve.

Motivi

Thuajse është plotësuar e gjithë dosja, jo vetëm për identifikimin e të dyshuarve, por edhe për shkaqet që çuan në ekzekutimin e Çiçajt.

Mes viktimës dhe Jani Aliajt ka pasur konflikte të hershme, që lidhen që me kohën kur ata jetonin në Greqi.

Dyshohet se ishin njohur që në adoleshencë, teksa të dy ishin nga Tepelena dhe merreshin me trafikun e narkotikëve.

Prishja për pazaret u bë shkak i nisjes së konfliktit mes tyre.

Në një nga burgjet e Greqisë ata u konfrontuan fizikisht, ku Alia mbeti i plagosur.

Një tjetër atentat regjistrohet po në shtetin grek, ku Çiça dhe një shoku i tij po udhëtonin me një automjet dhe drejt tyre qëllohet me breshëri dhe Çiça u plagos, ndërsa shoku i tij mori plagë vdekjeprurëse.

Tashmë ishte një përplasje që vështirë se do të përfundonte me pajtim.

Për t’iu shmangur policisë greke, që të dy zgjodhën rrugën e largimit.

Në atë kohë, Çiça ikën në Itali, ndërsa Alia kthehet në vendlindje dhe për shumë kohë qëndroi mes Tepelenës dhe Tiranës.

Katër muaj më parë, teksa Alia udhëtonte drejt Gjirokastrës, qëllohet disa herë me armë dhe ai mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

Për këtë ngjarje, 39-vjeçari bënte përgjegjës Çiçajn dhe duket se hesapet mes tyre do përfundonin mbrëmjen e 1 majit.

Në bashkëpunim edhe me Renato Milloshin, Alia shkon pranë lokalit ku ndodhej Çiça nën shoqërinë e tre personave të tjerë.

Dy herë e qëlloi në një distancë të shkurtër në kokë, duke e lënë të vrarë dhe më pas u largua pa rënë në gjurmët e policisë.

Alia ishte njohur disa vite më parë me Milloshin nga shoqëria e përbashkët që kishin, por edhe nga dyshimet se mund të kenë bashkëpunuar në trafiqe të paligjshme.

Kërkimet

Nga të dhënat që disponon Policia e Shtetit, dyshohet se si Alia ashtu edhe Milloshi nuk janë larguar nga vendi, të paktën jo në mënyrë legale, pasi asnjë nga emrat e tyre nuk figuron i regjistruar në sistemin TIMS në pikat e kalimit kufitar.

Dyshimet e forta mbesin se fshihen në zonën malore të Kurveleshit në Tepelenë.

Duke marrë në konsideratë edhe rrezikshmërinë e lartë të tyre, janë kryer disa operacione në ditët e fundit nga ana e Forcave Speciale, por pa rënë në gjurmë të të kërkuarve.

Si viktima, ashte edhe autorët, janë persona me precedentë të shumtë penalë dhe të dyshuar për disa ngjarje të rënda.

Përveç aksioneve në zonën malore në Jug të vendit, struktura të rendit kanë kryer kontrolle edhe në banesat e të dyshuarve në zonën e Tepelenës, Beratit dhe Tiranës.

Për të pasur sukses në ndonjë ndalim të mundshëm, policia e kryeqytetit ka vënë në dispozicion një numër telefoni, si dhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh të vjetër për informatorët.

“Qytetarët që kanë informacion, mund të telefonojnë në numrin 0694110299, duke siguruar anonimat të plotë. Çdo informacion i vlefshëm do të shpërblehet me 500 mijë lekë të rinj” -u shprehën drejtues të Policisë së Tiranës, dy ditë më parë.

Gjithashtu, edhe publikimi i fotove të të dyshuarve është një ndihmesë më shumë, pasi nëse shihen nga qytetarët, nuk përjashtohet mundësia që të lajmërohen strukturat e rendit për vendndodhjen e tyre.

Viktima, mes hakmarrjes për grabitjen dhe trafiqeve të hershme

Katër persona u shoqëruan në polici, menjëherë pas vrasjes së Elton Çiçajt. Tre të rinj nga qyteti i Laçit dhe një tjetër në Tiranë.

Strukturat hetimore në kryeqytet dyshonin se autorët e krimit mund të ishin të afërm të Robert Ramës, i vrarë vitin e kaluar në Durrës dhe të Enton Imerit, që iu bë një atentat me eksploziv në makinë.

Në një konflikt që nisi nga një grabitje, shkuan në ekzekutime të tipit mafioz dhe tentativë vrasjeje.

Prindërit e Elton Çiçajt, në marsin e vitit 2015 u dhunuan dhe grabitën, teksa ndodheshin në banesën e tyre në Tepelenë.

Tre persona të armatosur u futën në shtëpi dhe pasi i dhunuan për disa orë dy të moshuarit, arritën të merrnin edhe pesë mijë euro.

Për këtë ngjarje, policia shpalli në kërkim Robert Ramën, lindur në Laç dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu, shoqëroi edhe Enton Imerin si bashkëpunëtor në ngjarje, por që më vonë u la i lirë.

Në këtë kohë, mbërrin nga Italia Elton Çiça dhe dyshohet se u vu në kërkim të autorëve, të cilët dyshonte se i dhunuan prindërit.

Rama ruhej nga policia dhe prej disa kohësh jetonte në afërsi të zonës së ish-kënetës në Durrës.

Ndërkohë që ndodhej në një lokal, dy persona që lëviznin me motor, fillimisht goditën me një karrige në kokë Ramën dhe pasi e shtrinë në dysheme, e qëlluan me një plumb në kokë, duke e lënë të vrarë në vend.

Në largim e sipër, dy atentatorët qëlluan edhe drejt lokalit, ku plagosën lehtë dy persona.

Pak muaj më vonë, Enton Imerit i vendoset eksploziv në automjet, por ai e konstatoi lëndën shpërthyese para se të aktivizohej dhe shpëtoi pa asnjë pasojë.

Të ndodhur në një seri krimesh, hetuesit dyshonin se pas ngjarjeve fshihej Elton Çiça, i cili po hakmerrej për grabitjen dhe dhunimin e prindërve të tij.

Edhe pse u procedua, ai u la i lirë për mungesë provash. Ekzekutimi që iu bë Çiçës më 1 maj të këtij viti, e “çorientoi” disi policinë, pasi fillimisht menduan se atentati kishte lidhje pikërisht me hakmarrjen, por më vonë kjo pistë ra, sapo në duart e policisë mbërriti përgjigja shkencore në lidhje me ADN-në, që i përkiste Jani Aliajt.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Mandati i Parlamentit nuk mund të zgjatet, as me vullnet politik

Nga Ervis Iljazaj* Edi Rama ndodhet përballë një ultimatumi të vendosur nga...
Read More