Ambicia për “tepsinë”: Rama, 21 vite në majat e larta të pushtetit

Timonieri i madh rilindas, po hyn në vitin e 21-të që është në pushtet. Kjo falë ambicies së tij të pafre dhe strategjisë së tij të funksionimit me një gërshetim faktorësh: para, shpërndarja e favoreve për miqtë e median, një grup i konsoliduar besnikësh me të cilët ndan gjithçka dhe një rrjet aktiv kriminelësh, të gatshëm për të siguruar vota e për të goditur kundërshtarët.

Pas pak ditësh, kur të hyjë prilli, për shumëkënd kjo mund të sjellë ndryshime, për dikë mund të mos sjellë asgjë të re, por për Edi Ramën, bëhen plot 21 vite në pushtet. Në prill të vitit 1998, Edi Rama u ul në një karrige të lartë ekzekutive, dhe që prej asaj dite e deri më sot, nuk janë të paktë ata që i thonë: “po shef”. Nga njëra anë, kjo duhej të ishte një përvojë e çmuar për një njeri të angazhuar në politikë. Po gjithaq, është kohë e mjaftueshme për të shteruar nga idetë, kreativiteti apo pasioni për të shërbyer. Me këtë kalendar, Edi Rama është padyshim njeriu që ka ndenjur më gjatë në politikë dhe, sidomos në qeverisje, në gjithë tranzicionin shqiptar, të pas viteve ’90. Postet që ka patur para se të merrte gjithë pushtetin në qershor të 2013, nuk kanë qenë fare modeste. Si ministër Kulture, buxheti që menaxhonte ishte padyshim nga më të lartët që ka patur ndonjëherë ky dikaster, duke qenë se u përfshi në projekte si ato të lyerjes së godinave qeveritare. Të fasadave. Kur nisi të bënte këtë punë, ai po hidhte me sa duket themelet e stilit të tij të mëvonshëm të të bërit politikë, dhe të të qeverisurit. Këtë ka një prej akuzave më të mëdha, që ai investohet gjithë kohës për fasadën, duke shpresuar se do të arrijë të mrekullojë vazhdimisht njerëzit me dukjen e gjërave, e kështu do të fitojë dhe besimin e tyre.

Ministër Kulture qëndroi për 2 vite. Nga viti 2000, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, për 11 vite me radhë, ai jo vetëm kishte në dorë buxhetin më të madh të qytetit më të madh të vendit, por po ashtu vazhdimisht përfitoi bujarinë e qeverive për projektet e tij. Jo vetëm aq, por kishte në tavolinë interesa nga më të fortët ekonomikë të krejt vendit, duke qenë se industria e ndërtimit ishte më e madhja dhe më fitimprurësja në të 11 vitet e tij si kryebashkiak.

Vetëm 2 vite në gjithë këtë segment kohor, Edi Rama nuk ka patur në mënyrë të drejtpërdrejtë fuqi ekzekutive. Por edhe pse humbi bashkinë në 2011, ai sërish ishte kryetari i Partisë më të madhe në opozitë, dhe në këtë rol, kishte në dorë një pushtet mjaft të madh duke qenë se PS-ja, menaxhonte bashkitë më të mëdha në vend.

Në vitin 2013, Rama mori gjithë pushtetin në vend, kur fitoi zgjedhjet politike dhe u bë kryeministër. Çdo hapësirë nga financat, rendi, ushtria, diplomacia e kudo tjetër, vjen nën kontrollin e tij. Sigurisht, edhe jo pak pushtet mbi drejtësinë dhe median.

4 vite më pas, Edi Rama e forcoi akoma edhe më shumë mbretërimin, duke marrë të gjithë tepsinë, edhe pse e përdori këtë si metaforë për kundërshtarët e tij, e në veçanti për ish-aleatët. Me timonin ekskluzivisht në duart e tij, timonieri i madh rilindas, po hyn kështu në vitin e 21-të që është në pushtet. Kjo tregon jo vetëm për ambicien e tij të pafre, por sidomos për strategjinë që funksionon në një vend si i yni, kur për të qëndruar kaq gjatë në pushtet duhet një gërshetim i madh i disa faktorëve, që janë paratë, shpërndarja e favoreve nëpër miq, media, një grup i mirë e i konsoliduar besnikësh me të cilët ndan gjithçka, një rrjet aktiv të fortësh, banditësh e kriminelësh, të gatshëm për të siguruar vota e për të goditur kundërshtarët.

Cikli normal i pushtetit për një politikan, në rastin e Edi Ramës, ka kaluar, ka perënduar. Po, ajo çka ai mundohet të kamuflojë, sidomos me disa media të huaja që e nxjerrin si artisti që u bë kryeministër, është përtej të zakonshmes. Është insistimi për të qëndruar në pushtet me çdo kusht. Kjo e ka çuar atë në një kurs autoritarist, në një lloj erdoganizmi. Ku, tiparet kryesore janë shpërfillja e opozitës, goditja e saj, mungesa e transparencës, e llogaridhënies, kapja e medias, sajimi i kundërshtarëve, lufta me armiqtë, marrja e gjithë pushteteve, dhe kontrolli total mbi ekonominë, përmes oligarkëve.

Ky konsum i pushtetit, veçanërisht përballë bilancit dramatik të ekonomisë, të varfërisë në rritje, të papunësisë, të mungesës së investimeve, të vrarjes së besimit e shpresës, të largimit masiv të njerëzve drejt Europës, do ta bënte secilin në vend të Ramës të ishte në ditët e fundit të qeverisjes. Nëse ai reziston e mbijeton, është thjesht për shkaqe të tjera, përtej logjikës, që kanë të bëjnë me blerjen e votës e kapjen e gjithë pushteteve. Është e vështirë të gjesh edhe në rajon dike që ka qëndruar kaq gjatë në pushtet, që është ngjitur kësisoj pas karriges, si Edi Rama, duke përjashtuar Gjukanoviçin e Malit të Zi. Me skemën e qëndrimit me çdo kusht në majë, Rama po rrit kostot, dhe po i heq shumë shanse lavdisë së tij, kur të mos jetë më “the boss”. /Mapo.al

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Letra e panjohur e ’79-ës: Kur Ali Podrimja i shkruante Agollit për dhimbjen e të birit

E bija e Dritëro Agollit, Elona pothuaj çdo ditë publikon letra, shënime...
Read More