Alarmi që vjen për mandatin e dytë të qeverisë nga rritja e korrupsionit

Nga Ervis Iljazaj

Transparancy International publikoi mbrëmjen e së mërkurës raportin vjetor për perceptimin e korrupsionit për vitin 2017. Sipas këtij raporti, Shqipëria ka shënuar përkeqësim në lidhje me perceptimin e korrupsionit në vend krahasuar me një vit më parë ku renditeshim në vendin e 83-të dhe këtë vit në vend të 91-të.

Një renditje e tillë është një kambanë alarmi për qeverinë Rama dy. Kjo është shenjë tipike e përkeqësimit ose të paktën e perceptimit të publikut, për çdo qeveri shqiptare kur ndodhet në mandatin e dytë të saj.

Zakonisht qeveritë shqiptare kur ndodhen në mandatin e dytë të tyre shënojnë një rënie të dukshme si pasojë e konsumimit të pushtetit, aq më tepër në një realitet si ky i yni, ku ndenjja gjatë në pushtet përkthehet në abuzim më të.

Po të shtosh këtu kontekstin politik ku ndodhemi, atëherë kuadri bëhet i plotë dhe ky raport është tërësisht më se i besueshëm.

Qeveria Rama dy nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme mandatin e saj të dytë dhe kjo është e qartë, për një sërë arsyesh dhe qeverisja e vendit pothuajse ka ngelur në vend duke shkaktuar paqartësi dhe si pasojë edhe rritjen e korrupsionit.

Së pari, qeverinë sapo filloi mandati i dytë i saj e zuri poshtë çështja e Tahirit. Në këtë mënyrë u harxhua një energji e madhe nga ana e saj për të përballuar një situatë të vështirë që u krijua në opinionin publik për kostot e mundshme të kësaj çështjeje.

Së dyti, qeveria Rama dy, ndërmori një sërë reformash administrative, të cilat ende nuk i ka çuar deri në fund, duke krijuar kështu një paqartësi në administratën publike dhe një mosfunksionim të saj në një periudhë kohore të konsiderueshme. Kjo padyshim sjell hapësira për të abuzuar me postet përkatëse. Edhe pse duhet thënë që në disa sektorë ajo tashmë ka filluar duke krijuar procedura lehtësuese për qytetarët.

Së treti, është çështja e Reformës në Drejtësi. E gjitha klasa politike, dhe sidomos qeveria ka sytë nga efektet që do të japë kjo reformë nëse zbatohet ashtu sikurse është premtuar. Efektet e saj janë duke u ndjerë që tani. Qartazi ndihet presioni i drejtësisë ndaj politikës, me arrestimet e fundit që priten të shtrihen nga të gjitha palët dhe vëmendja e çdo pale është drejt saj.

Për të gjitha këto arsye, qeveria duket sikur politikëbërjen e ka jashtë synimit të saj në këto momente, dhe është fokusuar te strategjitë politike apo në mbrojtje të aksioneve të saj. E gjitha kjo situatë ka krijuar një fillim mandati të dytë që reflekton paqartësi dhe jo siguri për qeverisjen.

Në këtë kuptim, kushtet për rritjen e korrupsionit bëhen të mëdha. Rrallëherë ka ndodhur që entuziazmi i një qeverie të sapoformuar të ketë nivele kaq të ulëta apo të mos krijojë një besim dhe frymëzim te qytetarët. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një forcë politike, që zgjedhjet e 25 Qershorit i fitoi e vetme. Në këtë kuptim, besimi ndaj saj dhe besimi që ajo duhet të jepte te qytetarët duhet të ishte një nga pikat më të forta të saj. Ndërkohë raportet që vijnë nga organizata ndërkombëtare janë një alarm për të dhe qeverisjen e saj.

Shkruar Nga
More from admin

Ana e errët e demokratizimit të moralit

Nga Gilman Bakalli Në fillim lajmi i mirë. Kush janë të parët...
Read More