fbpx

Kryesore

A po bën edhe Rama me Veliajn gabimin që bëri Nano?





               Publikuar në : 09:20 - 25/03/19 |
mapo.al

Rama ditën e shtunë i ka dorëzuar atij partinë. Me hir apo pahir, kryeministri edhe pse me nota festive, nisi daljen e parakohshme në pension. Dikush mund të thotë se Veliaj do të jetë besnik, ndryshe nga Rama me Nanon. Por çdokush e di mirë, se Veliaj është gati të shkelë këdo për ambicien e tij. Njësoj, siç ka bërë Rama dikur.


Nga Riviera Dedaj



Kanë kaluar shumë vite dhe shumëkush mund ta ketë harruar si hyri Edi Rama në politikë dhe si arriti majat, kur mori drejtimin e Partisë Socialiste, vetëm dy vite pasi ishte bërë anëtar i saj. Gazeta MAPO bën një analizë të ngjarjeve politike të viteve 2000-2005, kur Edi Rama fitoi Bashkinë e Tiranës dhe më pas mori drejtimin e PS-së. Çka bie dukshëm në sy, një Déjà vu e pashmangshme, është se trajektorja me të cilën Rama u ngjit, është e njëjta me të cilën Veliaj po vjen, kësisoj, fati politik i kryeministrit aktual duket krejt i ngjashëm me atë të Fatos Nanos dikur. Të dy, si Nano, ashtu edhe Rama morën, promovuan, rritën dhe kurorëzuan dikë që më pas i nxori ata në pension. Një përkim i frikshëm i të gjitha rrethanave. Datat dhe ngjarjet më poshtë tregojnë se ka një ngjashmëri të pazakontë mes tij dhe Ramës: Si u promovua Rama nga Nano, si po promovon sot Rama, Veliajn. Kur Nano i dorëzoi stafetën Ramës, ishte 53 vjeç, sot që Rama po ia lë Veliajt, është 54 vjeç. Po kjo është vetëm një nga të përbashkëtat.


Edi Rama u kthye në Shqipëri në 1998, pas disa vitesh emigrim. Fatos Nano për befasinë e të gjithëve e promovoi si ministër Kulture. Më tej në vitin 2000 Rama kandidatoi me mbështetjen e PS për Kryetar Bashkie në Tiranë, duke mundur kandidatin e PD, Besnik Mustafaj. 2000-2003 kanë qenë vite vendimtare për karrierën në ngjitje të Edi Ramës që po i jepte një fytyrë të re qytetit.  Ngjashëm me sot me Veliajn, dilemat e rikandidimit të Ramës për mandatin e dytë, pushtuan qytetin. Shefi i socialistëve të asaj kohe, Nano, patjetër që e dinte se duke e rikandiduar Ramën, po i jepte pushtet një ambiciozi që nuk do të ndalej derisa t’i zinte vendin atij vetë.

Në 2003, Fatos Nano e rikandidoi Edi Ramën për kryetar Bashkie me një miting në sheshin “Skënderbej”. Por ato ishin vite krize për të majtën dhe thyerje mes Metës dhe Nanos. Gjithsesi në zgjedhje dolën bashkë. Vetëm pak ditë para fushatës Rama u bë anëtar i PS-së. Ai i fitoi këto zgjedhje përballë Spartak Ngjeles, edhe pse kishte kontestime të forta për KQZ-në. Po nuk ishte thjesht mandati i dytë që fitoi. Rama hodhi hapin e sigurt drejt fronit të atij që i kishte hapur rrugën. Në 2005-ën, kur PS humbi zgjedhjet e përgjithshme, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama hyri në selinë e Partisë Socialiste si kryetar i saj. Fatos Nano duket se e kishte humbur terrenin, njësoj siç po ndodh sot mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Përkojnë shumë elemente, mbase dhe të rastësishme: Nano-Rama në 2003 dolën së bashku në miting në sheshin “Nënë Tereza”, njësoj si Rama-Veliaj më 23 Mars 2019. Erion Veliaj hyri në politikë nga shoqëria civile dhe u katapultua direkt ministër i Mirëqenies Sociale (2013) njësoj siç hyri Edi Rama në 1998. Në këtë histori përkon edhe mosha. Në kulmin e karrierës, kur fitoi për herë të dytë Bashkinë e Tiranës, Edi Rama ishte 39 vjeç, sa është sot Erion Veliaj.

Historia e Nanos tregoi se ai i kishte lënë pushtetin dikujt që nuk u kujtua më për të. Madje që e luftoi deri në fund, duke i hequr nga Partia Socialiste çdo mbështetës apo fidan që mund të kishte lënë lideri historik atje. Kush mbijetoi, thjesht u konvertua nga nanoist, në ediramist. Ndaj këtë dialektikë, këtë pabesi politike, Edi Rama e njeh fort mirë. Nuk dihet se sa do të ketë edhe ai fatin e Nanos, a do të arrijë të ruajë ndikimin politik dhe një lloj pushteti, kur PS-në ta marrë Veliaj. Me siguri, këto kanë qenë mundimet e këtyre muajve të kryeministrit, që e zvarriti aq shumë vendimin për rikandidimin e Veliajt. E bëri kryebashkiakun të kalojë në rrathë ferri, e zhduku fare nga skena, pasi ndoshta një shenjë, një gjest, një akt i pamenduar, i papëlqyer nga Rama, do t’i kushtonte karrierën ish-mjaftistit. Nuk dihet mirë, nëse Veliaj do të arrijë të marrë një mandat të dytë në Tiranë. Nëse po, me plot gojën mund të thuhet se Rama ditën e shtunë i ka dorëzuar atij partinë. Me hir apo pahir, kryeministri edhe pse me nota festive, nisi daljen e parakohshme në pension. Dikush mund të thotë se Veliaj do të jetë besnik, ndryshe nga Rama me Nanon. Por çdokush e di mirë, se Veliaj është gati të shkelë këdo për ambicien e tij. Njësoj, siç bëri Rama dikur.


Etiketa: , , , , ,

Pas