A ka jetë në qendër për Ben Blushin?

Alfred LelaNga Alfred Lela

Ben Blushi i ka të përligjura shumicën e qëndrimeve në raport me grupin parlamentar të Partisë, pjesë e së cilës ishte deri para pak ditësh. Ai e ka shprehur, dhe me të drejtë, parehatinë me përbërjen e Kuvendit të Shqipërisë. Shumë shqiptarë do të ishin dakord. (Megjithatë, ja ku biem në një paradoks: shumë shqiptarë kanë votuar pikërisht për këtë parlament. Por, nëse ky është paradoksi i popullit, cili është paradoksi i Blushit?!).

Ende pa u formuar partia, kur asaj i dimë vetëm gjasën, dhe dy emra mes njerëzish, (Blushin vetë dhe Mimoza Hafizin), lideri ka shpallur pozicionimin e saj në qendër të spektrit politik. Kur ikën nga një parti e qendrës, siç është ajo Socialiste, për papajtueshmëri me politikat apo qëndrimet e saj, instinkti i zhvendosjes së re është njëri prej skajeve: i majti ose i djathti. Argumenti i Blushit se Partia Socialiste është pozicionuar djathtas, do t’ia bënte më të lehtë zhvendosjen, ose na fakt qëndrimin në territore të njohura, brenda familjes dhe brenda historisë, pra në të majtë të spektrit. Argumenti se PS është djathtas, ndërsa unë do të jem në qendër, (edhe pse e majta është bosh) tingëllon deri diku si naivitet politik. Është tjetër gjë nëse z. Blushi mendon se Partia Demokratike është e majtë, dhe e ka mbushur ajo këtë vokacion e pozicion të spektrit politik. Atëherë, me PS djathtas dhe PD majtas, partia e re do të gjendej natyrshëm në qendrën e boshatisur.

Ka edhe një paradoks të dytë. Ndërkohë që i shmanget blusë së të djathtës dhe të kuqes së të majtës, për të zgjedhur portokallinë e qendrës për partinë e re, Blushi duket se nuk merakoset për profilin e ligjërimit të vet politik, që nga koha kur ka hyrë në një kurs përplasjeje me kryeministrin Rama dhe PS. Tezat e Blushit, të përqendruara te broshura-manifest ‘Letër një socialisti’, duhet thënë se janë në shumicë të majta, dhe jo të qendrës. Deputeti socialist është vazhdimisht në kërkim të një shteti të madh dhe me dorë të zgjatur në ekonomi, arsim, kulturë e të tjera. Një shtet i madh është ide ngulmuese e së majtës, ndërkohë që një shtet social është ide e patjetërsueshme e social-demokracisë. Në të dy rastet, pozicione të majta më shumë se të qendrës.

Sigurisht, Blushi është në të drejtën e vet që t’a braktisë ligjërimin e deritashëm të majtë dhe të zhvendoset, me diskur dhe program, në qendër të spektrit duke e kërkuar aty fatin e tij politik. Është duke bërë, megjithatë, një gabim. Qendra është e zënë në të gjitha rastet dhe Blushi, Hafizi etj., do ta kenë të vështirë të artikulojnë teza të qendrës dhe t’i marketojnë apo shesin përballë makinerisë gjigande propagandistike të dy partive të mëdha, plus LSI, që pavarësisht hip hopeve majtas-djathtas, janë të përcaktuara si forca qendërsynuese. Të biem dakord: artikulimi i tezave thellësisht të majta është një regres për Blushin si intelektual dhe për Shqipërinë si republikë por, në kuptimin praktik politik ato do t’i bënin punë. Cipras në Greqia apo Trump në Amerikë, dhe as partitë e ekstremit të djathtë në vendet Skandinave, nuk janë duke grumbulluar kapital politik me teza të qendrës, por të skajeve.

Ka ardhur koha për një parti anti-establishment edhe në Shqipëri. Paradoksi i tretë është ky: Blushi, ndër të vetmit që mund t’i artikulojë këto teza, është i pari që konformohet. Sidomos duke ikur nga qendra për të mbetur në qendër.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ja akuzat ndaj Xhelilit! Je Suis Shukri: Fotoja që po thyen rrjetin

Ndërkohë që Prokuroria thotë se ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili do të...
Read More