A janë ndërkombëtarët garant, për pavarësinë e organeve të reja të drejtësisë?

Nga Ervis Iljazaj

Pas një periudhe dyvjeçare, organet e reja të Reformës në Drejtësi kanë filluar të ndërtohen. Dy organe shumë të rëndësishme, siç janë KLP dhe KLGJ, tashmë kanë filluar punën me mandate të plotë.

E megjithatë, lajmet që vijnë nga Reforma në Drejtësi kanë kaluar jo me vëmendjen e duhur, pasi të gjithë vëmendjen këto kohë e ka marrë protesta e studentëve.

Dhjetori, padyshim ishte muaji i studentëve, por është një muaj që shënon dhe fillimin e Reformës në Drejtësi. Ose më saktë, fillimin e finales të saj.

Sepse, ende nuk është e sigurt se si do të shkojë më tej procesi i organeve të tjera të kësaj reforme, dhe sidomos, ende nuk dihet se çfarë efektesh do të japë ajo në të ardhmen për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionin politik, për të cilën ka shumë pritshmëri nga opinioni publik shqiptar.

Një Reformë e cila, për arsye se mori shumë kohë për t’u zbatuar, ka përbërë një kosto mjaft të lartë për drejtësinë, shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Për thuajse dy vite, praktikisht Shqipëria ka qenë pa një pushtet gjyqësor. Gjë e cila, mund të kuptohet fare mirë se çfarë pasojash ka patur për qeverisjen e vendit.

Përtej fillimit nga puna të organeve të reja, që padyshim është një indicie e mirë, Reforma në Drejtësi ka një problem mjaft serioz, dhe që me shumë gjasa do të ndikojë në funksionimin e saj.

Praktikisht, kjo Reformë, nuk ka mbështetjen e opozitës shqiptare. Jo vetëm kaq, por, organet e reja të drejtësisë apo procesi i vettingut në pushtetin gjyqësor, janë sulmuar shpesh si procese të kapura nga mazhoranca. Opozita shqiptare, sidomos Partia Demokratike, ka qenë pothuajse jashtë çdo procesi të deritanishëm të saj. Madje, e konsideron atë si vegël në duart e Edi Ramës.

Në këtë kuptim, një nga reformat më të rëndësishme të Shqipërisë, nuk gëzon legjitimitetin e opozitës shqiptare. Një legjitimitet, që është mjaft i rëndësishëm për ta bërë plotësisht funksionale dhe të paragjykuar.

Si do të shkojë më tej, një reformë që nuk njihet nga opozita?

Mos ndoshta edhe pas kaq shumë mundimesh, do të kemi ende organe të drejtësisë që sulmohen nga një palë politike si të kapura?

Në të gjithë këtë histori, ka një rol të rëndësishëm faktori ndërkombëtar, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Të cilët, çdo ditë e theksojnë rëndësinë e saj si faktor kyç në integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Sepse, është e qartë për të gjithë se, kjo është një reformë që pa insistimin e tyre nuk do të kishte asnjë mundësi për t’u çuar deri në fund.

Në këtë aspekt ajo ka mbështetjen e tyre, e cila e bën dhe legjitime. Por, akuzave të opozitës se kjo reformë është e kapur nga mazhoranca, ndërkombëtarët në Shqipëri nuk i përgjigjen prerë dhe qartë se nuk janë të vërteta. Ndoshta e bëjnë në mënyrë indirekte, duke përshëndetur ndërtimin e organeve të reja, por kjo nuk mjafton për të sqaruar opinion publik shqiptar se asgjë nuk është e vërtetë nga akuzat e opozitës.

Ndërkombëtarët në Shqipëri, Ambasadori i BE dhe Ambasada Amerikane, duhet të gjejnë patjetër mënyrën për t’i kthyer legjitimitetin e plotë kësaj reforme. Janë të vetmit që mund ta bëjnë dhe të sqarojnë qytetarët shqiptarë, se kjo është një reformë e pavarur dhe jashtë ndikimit politik.

Në të kundërt, fakti që opozita nuk e legjitimon reformën, do të kthehet në një problem mjaft serioz për funksionimin dhe pranimin e saj nga mbarë opinion publik dhe palë politike.

Kjo reformë, për nga natyra e saj, e ka pothuajse jetike pranimin dhe konsensusin e gjerë për të. Në të kundërtën, rreziku ekziston që mbas një viti do të jemi duke folur ende për një drejtësi të kapur, dhe domosdoshmërinë e një reforme të re.

Shkruar Nga
More from admin

Zbardhet vendimi i Markut: Ja drejtuesit e prokurorive në rrethe që largohen sot

Zbardhet vendimi i Kryeprokurores lidhur me largimet e Drejtuesve të prokurorive në...
Read More