A do të ndryshojë politika e jashtme turke pas largimit të Davutoglu-së?

Bledi LamiNga Blendi Lami*

Ka një ftohje të Turqisë me Europën, shkruan Lami. Ahmet Davutoglu, në ditët e tij të fundit në detyrën e kryeministrit, u përpoq të ujdisë një marrëveshje me Bashkimin Europian. Tani që kjo marrëveshje është në rrezik. 

<

Turqia ndihet sërish e tradhtuar nga Europa. Më 2 qershor, parlamenti gjerman pranoi masakrën e forcave osmane të vitit 1915 në Armeni si gjenocid, pikërisht në një kohë kur Europa kërkonte ndihmë nga Turqia për krizën e emigrantëve dhe po bëhej një marrëveshje BE – Turqi. Një projektligj për pranimin e këtij gjenocidi u miratua edhe nga senati francez në vitin 2011 (ndonëse më pas ky projektligj u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese) në një kohë kur do të hapeshin disa kapituj për hyrjen e Turqisë në BE, gjë që edhe atëherë shkaktoi debate të ashpra. (U deklarua nga pala turke se “nuk mund të gjuajë me gurë ai që banon në një shtëpi xhami”, duke iu referuar faktit se, sipas Turqisë, edhe Franca kishte kryer gjenocid në Algjeri dhe ish-koloni të tjera të saj.) Parlamenti gjerman ndërmori një nismë të tillë në një kohë kur kancelarja Merkel kërkon një marrëveshje BE – Turqi, me qëllim që të ndalohet fluksi i emigrantëve nga Lindja e Mesme, në këmbim të një ndihme të konsiderueshme monetare, heqjes së vizave për udhëtim në Europë për shtetasit turq dhe përshpejtim të anëtarësimit të Turqisë në BE.

Ky është shembulli i radhës, që ndoshta paralajmëron një domosdoshmëri në ndryshimin e kursit në politikën e jashtme turke. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për qëndrimet ndaj Europës. Por a mund të ndodhë ky ndryshim kursi? Sipas doktrinës “Thellësia Strategjike”, Turqia mund të jetë jo vetëm europiane, dhe mund të bëjë lojën e duhur, duke ndërthurur interesat e saj strategjikë në të mirë të saj, teksa shfrytëzon pozicionin e favorshëm gjeografik në kryqëzim të tri kontinenteve. Por, ndërsa Davutoglu është larguar tashmë nga drejtimi i politikës së jashtme, janë të shumtë ata që deklarojnë që kjo politikë duhet të ndryshojë. Për një studiues të gjeopolitikës, përgjigjja e menjëhershme do të ishte: në rastin turk, dinamikat e politikës së ditës nuk mund t’i tronditin dimensionet gjeopolitike të ngritura prej dekadash, pse jo edhe prej shekujsh. Politika e jashtme do të jetë e suksesshme për sa kohë që zbatohen kolonat gjeopolitike, dhe do të respektohet parimi davutogluian i balancimit mes lirisë dhe sigurisë.

Le të marrim në konsideratë situatën e përgjithshme, në të cilën gjendet tashmë Turqia akoma davutogluiane.

Ftohja me Europën – siç u përmend më sipër – ndodh sa herë të dyja palët afrohen shumë apo – thënë ndryshe – ia kanë nevojën njëra-tjetrës. Ahmet Davutoglu, në ditët e tij të fundit në detyrën e kryeministrit, u përpoq të ujdisë një marrëveshje me Bashkimin Europian. Tani që kjo marrëveshje është në rrezik, Turqia, siç bën ngaherë, e zhvendos fokusin drejt aktorëve të tjerë me rëndësi, ndonëse syresh ka pak për momentin.

Motoja e Davutoglu “asnjë problem me fqinjët”, një perifrazim i motos së Ataturkut “Paqe në shtëpi, paqe në botë”, e përmendur në kontekste të ndryshme, por me konotacion të njëjtë, duket se funksionoi vetëm për disa vite. Deri në vitet 2008 – 2009, Turqia ishte në kontakt me zonat ku pretendon të ketë dominim –Afrikë e Veriut, Ballkan, Deti i Zi, Kaukaz dhe bota arabe. Madje u shkëmbyen vizita edhe me Armeninë, një ndër iniciativat e para të Davutoglu pas marrjes së postit të ministrit të Punëve të Jashtme. Veç kësaj, qeveria turke kishte nisur dialog me kurdët, për të gjetur një zgjidhje për përplasjen e vazhdueshme me ta. Politika aktive e Turqisë për paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë u lavdërua edhe nga presidenti Obama në 2009, i cili e quajti Turqinë “demokraci laike dhe ekonomi e lirë – një model për botën islamike”.

Fillimi i eklipsimit të parimit “Asnjë problem me fqinjët” filloi me përplasjen e Turqisë me Izraelin, pas vrasjes së nëntë shtetasve turq në një anije, që çonte ndihma në Rripin e Gazës, që në fakt po shkelte embargon e vendosur nga Izraeli. Më pas, eklipsimi vijoi me Pranverën Arabe, e cila duket se e turbulloi Turqinë në qëndrimet rajonale.

Politika e mosndërhyrjes në çështjet arabe mori fund në Libi, më 2011, pas një hezitimi paraprak dhe pas rreshtimit me aleatët e NATO-s. Në Egjipt, politika e jashtme turke mbështeti Vëllazërinë Myslimane, por, pas grushtit të shtetit, të mbështetur nga amerikanët, këta të fundit arritën në përfundimin se Pranvera Arabe ishte më shumë një revolucion islamik. Ndërkohë, kishte filluar lufta civile në Siri. Turqia mbeti e zhgënjyer nga NATO, e cila dukej e frenuar për të ndërhyrë ushtarakisht, dhe nga Rusia që u imponua gjeopolitikisht në Lindjen e Mesme.

Për pasojë, me shkatërrimin e rrjetit të Vëllazërisë Myslimane, jo vetëm në Egjipt, me krijimin e frontit Al-Nusra që kërkonte formimin e një shtetit islamik në Siri dhe formimin e ISIS-it më 2013, ndryshoi panorama gjeopolitike. Siguria e Turqisë u bë shumë e cenueshme nga kjo luftë në shumë fronte në Siri, me të cilën ndan një kufi tokësor prej 910 km, gjë që ka sjellë luhatje në marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-në dhe Rusinë. Në këtë spektër, nuk mund të lihet pa përmendur rritja e peshës gjeopolitike të Iranit, dhe përplasjet me Irakun, që shpesh pretendon se Turqia i prek sovranitetin.

Në këto kushte, pa Davutoglu, politika e jashtme turke është në dilemë për të hyrë në një fazë të re. Megjithatë, e gjendur mes një situate kaotike, duket se në aspektin ndërkombëtar Turqia duhet të marrë një tjetër pozicion, i cili me sa duket nuk përputhet me vizionin davutogluian.

Në deklaratat e para të tij, Jildirim, kryeministri i ri, theksoi se ishte e nevojshme për të shtuar numrin e miqve dhe për të pakësuar numrin e armiqve. Kjo nuk mund të duket shenjë për ndryshim, pasi “zero probleme me fqinjët” nuk ishte dhe aq e ndryshme. Sidoqoftë, një frazë nuk mund të ofrojë atë çka do të pasojë për të zgjidhur konfliktet e shumta, në të cilat është përfshirë Turqia. Me politikën e re të jashtme – vijimësi e së parës sipas autorit të këtij shkrimi, por e ndryshme për të tjerë – Turqia do të vazhdojë të përballet me probleme të shumta.

– Sa i përket Sirisë, a) është përballë dilemës së përmbysjes së Assadit, i cili ka mbështetjen e Rusisë dhe tërthorazi të Amerikës; b) përplaset ushtarakisht me forcat kurde në kufi, të cilat po mbështeten vazhdimisht nga amerikanët; dhe c) lufton edhe ISIS-in, që duket paradoksalisht shqetësimi më i vogël. Në këtë dimension, një ndryshim në politikën turke duhet të fokusohet në shtimin e sigurisë në kufi nga njëra anë, dhe nga ana tjetër përmirësimin e imazhit jashtë vendit.

– Sa i përket Rusisë, situata është e tensionuar – thuajse një lloj “Lufte e Ftohtë”. Megjithatë, deklaratat e ashpra po i lënë gradualisht hapësirë rivendosjes së marrëdhënieve. Të dyja vendet kanë nevojë për njëra-tjetrën – më shumë në aspektin ekonomik. Me ndonjë apologji formale dhe kompensim për avionin e goditur, situata mund të ndryshojë rrënjësisht.

– Sa i përket SHBA-së, Turqia i ka lënë dorë të lirë superfuqisë në përdorimin e bazës së Incirlik-ut, por marrëdhëniet kanë pasur ulje – ngritje. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të mbështetjes që SHBA iu jep kurdëve, të cilët Turqia i etiketon si terroristë. Turqia ka sfiduar haptazi urdhrat e amerikanëve për të mos bombarduar forcat kurde YPG (Njësitë e Mbrojtjes Popullore). Së fundmi, Erdogan ka dënuar trupat amerikane që jo vetëm ndihmojnë YPG-në, por mbajnë edhe simbolet e tyre në uniforma. Por urat e komunikimit mes Turqisë dhe SHBA-së duhet të jenë funksionale. Pavarësisht situatës së nderë aktuale, në një terren me kaq shumë sfida ndaj sigurisë, për interesat turke, shteti amerikan mbetet garantuesi kryesor i sigurisë. 

– Sa për BE-në, siç u shpjegua më sipër, edhe pse pengesat do të vijojnë, për shumë arsye, negocimet duhet të vazhdojnë për momentin në lidhje me marrëveshjen për emigrantët. Megjithatë, pavarësisht se BE duket se nuk e ka në planet e saj përfshirjen e Turqisë në Union, Turqia duhet të vijojë parimin e politikës së jashtme shumëdimensionale, duke përfshirë, siç e ka përshkruar Davutoglu, një gamë më të gjerë çështjesh; ndër të tjera, këto janë dimensionet ekonomike, kulturore, diplomatike apo energjetike, që e veshin në “mënyrë më bashkëkohore” politikën e jashtme turke.

Nuk mund të jetë e lehtë të riformatohet politika e jashtme edhe për shumë kohë, pasi rrënjët që ka hedhur Davutoglu përbëjnë dimensionet kryesore të kësaj politike. Por politika e suksesshme mund të minohet kur nuk zbatohet një parim thelbësor operacional i politikës së jashtme – i hartuar nga Davutoglu: Koncepti i balancimit mes lirisë dhe sigurisë. Është e domosdoshme që të merret në konsideratë mënyra se si po sillet Turqia në politikën e brendshme të saj, ku ka raste të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe respektimit të vlerave universale. Kjo do të thotë që opresioni ndaj disidentëve, neutralizimi i “armiqve”, “heshtja” e shtypit të lirë, dhe dimensioni që po merr vendi nga drejtimi prej një dore të hekurt, do të minojnë përpjekjet turke për zbatim efikas të parimeve të Davutoglu të politikës së jashtme.

Një nga motivet më themelore të doktrinës davutogluiane është krijimi i një mjedisi të sigurt për qytetarët, gjë që do të sillte pikësëpari stabilitet të brendshëm dhe pastaj ky stabilitet i brendshëm të shtrihej edhe në “zonat për t’u influencuar”, duke sjellë suksese në politikën e jashtme. Për të shpjeguar konceptin e balancimit mes lirisë dhe sigurisë, Davutoglu shprehet: “Nëse lihet pas dore siguria në vend të lirisë, atëherë krijohet një situatë e turbullt dhe kaotike. Nga ana tjetër, nëse lihet pas dore liria në vend të sigurisë, atëherë do të krijohet një shoqëri autoritare dhe autokratike. Ndaj, ne nuk dëshirojmë asnjë prej këtyre dy rasteve”.

*Pedagog, UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Loja me matrushkat ruse në zgjedhjen e kandidatëve për universitet

Nga Valbona Nathanaili Pavarësisht ankesave të shumta që vijnë nga të gjithë...
Read More