A do funksionojë strategjia e re e studentëve?

Studentë nga fakultete të ndryshme të Tiranës kanë nisur zaptimin e godinave për të theksuar se kërkesat e tyre nuk përmbushen nga kompromisi që u ka ofruar atyre kryeministri Edi Rama.

Fakulteti i Shkencave Sociale të enjten pati hyrje-dalje të shumta studentësh, por ndryshe nga shpërndarja e zakonshme në klasa, ata qenë mbledhur në një sallë pranë hollit kryesor, ku së bashku me pedagogë, diskutonin për misionin e universitetit dhe problematikat aktuale të tij. Një banderolë ku shkruhet “bojkot” qëndron e varur në fasadën e fakultetit, për të sinjalizuar se mësimi ka ndaluar. Përmes zaptimit të godinave dhe moslejimit të vazhdimit të mësimit, studentët kërkojnë garanci se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se tetë kërkesat e artikuluara do të përmbushen nga qeveria.

<

Ngujim tek Ekonomiku

Në ambientet e Fakultetit Ekonomik nën dritën e qirinjve, studentët kanë vendosur të nisin ngujimin në ambientet e fakulteteve. Në një deklaratë, ata u bënë thirrje të gjithë studentëve të bashkohen me nismën e tyre. “Pas shumë mbledhjeve të organizuara, ne si studentë të Fakultetit të Ekonomisë sot fillojmë ngujimin. Kjo është vendosur dhe ne kërkojmë që të bashkohen edhe universitetet e tjera. Ne kemi vendosur të qëndrojmë ditën dhe natën të ngujuar. Kjo formë nuk është kundër pedagogëve tanë. Qëllimi ynë është plotësimi i atyre tetë pikave. Gjithashtu, presim mbështetje nga të gjitha fakultetet e tjera me qëllim që kauza jonë të plotësohet sa më shpejt. Të përgjysmohen tarifat edhe për masterin”. Më herët, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë mungonte energjia elektrike, e cila u ndërpre pak para nisjes së takimit. Studentët thanë se ndërprerja e energjisë nga OSHEE ishte e qëllimshme.

Fakultetet e tjera

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, studentë brohoritën “Shqipëria e studentëve, jo e maskarenjve”, ndërsa përzunë nga ndërtesa forca të Policisë së Shtetit, duke u kujtuar atyre se ligji për arsimin e lartë e ndalon praninë e policisë, pa një kërkesë zyrtare nga vetë fakulteti. Përgjatë ditëve të fundit te Shkencat e Natyrës, studentët protestues kanë ndërprerë përpjekjet për vazhdimin e mësimit nga disa pedagogë dhe një grusht studentësh, që kanë frekuentuar mësimin nga frika e mungesave, që do t’i penalizonin ata për marrjen e lëndëve. Studentët e Gjeologji-Minierave i mbushën korridoret me karrige dhe tavolina, duke sinjalizuar vendosmërinë e tyre se asnjëri nga ata nuk do të ulet në auditor pa plotësimin e kërkesave të tyre. Fakulteti i Drejtësisë, ai i Mjekësisë dhe studentë të Universitetit Politeknik qenë, gjithashtu, pjesë të zaptimeve të godinave.

Protesta

Revolta studentore, e cila nisi nga oborri i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës më 4 dhjetor prej kërkesës për anulimin e një VKM-je që përcaktonte kosto shtesë për provimet e mbartura, pati një përhapje masive në dy ditët që pasuan, duke çuar në një protestë disaditore para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS). MAS u tërhoq shpejt nga VKM-ja që zemëroi studentët, por mijëra të rinjtë që dolën në rrugë denoncuan gjendjen e keqe të arsimit të lartë në vend dhe kërkuan reformim të tij përmbledhur në tetë pika. Që nga ajo kohë protestat nuk janë ndalur.

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ah, sikur të merrnim pjesë edhe ne shqiptarët në kampionatin botëror!

Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Mustafa Nano I dashur Zoran, Këtë herë, edhe sikur...
Read More