8 marsi/Edlira Çepani:3 shtyllat si të çrrënjosim dhunën ndaj grave

 

Edlira Çepani, aktiviste e Shoqërisë Civile në një intervistë për gazetën MAPO me rastin e 8 marsit, thotë se gratë sot janë më të fuqizuara, por sërish sipas saj, ka mungesës shansesh dhe mundësish vetëm për shkak të gjinisë. Vrasjet dhe dhuna ndaj grave nuk janë më një fenomen por janë bërë rutinë në shoqërinë shqiptare. Sipas Çepanit, 3 janë shtyllat kryesore ku duhet të investohet seriozisht për luftën ndaj këtij fenomeni, që nga parandalimi, trajtimi i duhur i rasteve dhe sanksionimi.

Znj.Çepani, si aktiviste e te drejtave te grave si po i gjen ky 8 mars gratë shqiptare?
Këtë 8 Mars gratë shqiptare përballen sërish me një realitet dhe me një shoqëri që zgjedh ende t’i paragjykojë dhe të mos i mbështesë në mëyrën e duhur. Kemi hapa të rëndësishëm dhe pozitivë që janë hedhur në drejtim të fuqizimit të grave dhe vajzave, por nga ana tjetër kemi edhe problematika që vijojnë të krijojnë pabarazi gjinore dhe mungesë shansesh vetëm për shkak të gjinisë.

<

Por këtë 8 mars ka një fenomen shumë pozitiv dhe ka lidhje me aktivizimin, solidaritetin dhe mbështetjen e grave dhe të vajzave nga të rinjtë dhe nga qytetarët. Ka një sërë nismash që jane ndërmarrë nga qyetetarë të thjeshtë, nga studentë, nga sektori privat të cilat më shumë se kurrë i janë bashkuar zërit të shoqërisë civile për fuqizimin e grave dhe të vajzave dhe për adresimin serioz të problematikave të tyre. Ky është një fenomen shumë pozitiv që tregon se lëvizja në mbështetje të barazisë gjinore është fuqizuar dhe zëri i grave dhe i vajzave sot është më i fortë.

Vrasjet dhe dhuna ndaj grave nuk janë më një fenomen por janë bërë rutinë në shoqërinë shqiptare. Me gjithë ato që thuhen e reagimet që bëhen pse sipas jush nuk po ndryshon asgjë në këtë drejtim?
Dhuna me bazë gjinore është një fenomen shumë problematik që pengon zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë sonë, është një fenomen që nuk prek vetëm viktimat, por një shoqëri të tërë. Ndaj duhet të bëhen hapa konkrete dhe serioze nga të gjithë elementët e shoqërisë që mund të kontribojnë në luftën ndaj këtij fenomeni, që nga institucionet publike e deri tek familja e qytetarët.

3 janë shtyllat kryesore ku duhet të investohet seriozisht për luftën ndaj këtij fenomeni. 1. Parandalimi duke filluar që nga fëmijët dhe edukimi e sensibilizimi i tyre për të drejtat e njeriut, marrëdhëniet e shëndetshme, vlerat, etj. Pjesë e rëndësishme e parandalimit është edhe arsimimi dhe fuqizimi ekonomik i grave dhe i vajzave dhe mbështetja e tyre për një jetë me dinjitet.

2. Trajtimi i duhur i rasteve dhe funksionimi i mekanizmit të referimit të dhunës si edhe mbështetja e duhur e grave dhe vajzave, por edhe e fëmijëve të tyre që kanë qënë të prekur nga dhuna. Në këtë aspekt është shumë e rëndësishmë puna e policisë së shtetit, pushtetit vendor e qëndror për të krijuar mundësinë e mbështetjes së nevojshme dhe konkrete për gratq dhe vajzat në situatë dhune.

3. Sanksionimi. Një dënim serioz i këtij krimi është shumë i rëndësishëm në parandalimin e tij! Ka ende punë për t’u bërë në këtë aspekt.

A përballet edhe vetë Edlira me pabarazinë gjinore dhe ndjen si pengesë të qenit grua në familje e shoqëri?
Patjetër që po, si çdo grua tjetër. Dhe veçanërisht aktivistet për barazinë gjinore herë pas herë përballen edhe me pengesa të tjera, pikërisht sepse ngrenë zërin për probleme që nuk janë të tyret, por që janë të rëndësishmë për të jetuar në një shoqëri të shëndetshme. Ka ende sot pengesa për lirinë e grave dhe vajzave dhe mbështetjen e tyre për të zgjedhur të bëjnë profesionin qe duan, jetën qe duan dhe të krijojnë profilin tek i cili duan të investojnë. Por sot gratë dhe vajzat kanë shumë më tepër zë dhe kjo është nje arritje shumë e madhe! Unë kam fatin të frymëzohem cdo ditë nga puna me qindra gra e vajza dhe të rinj në cdo cep të Shqipërisë, kjo më jep forcën për të vazhduar më tej, sepse të gjithë ata dhe vetë neve, meritojmë më shumë!

Shkruar Nga
More from Redaksia

Hajdarmataj: Mbledhje me dyer të mbyllura, dalin sekretet

  Ka nisur seanca e Komisionit të Mandateve për kërkesën e Prokurorisë...
Read More