500 mijë të ikur, a bëjnë një arsye për të ikur Rama?

Teksa zemërimi i njerëzve ndaj qeverisë po shtohet, dhe kjo është një gjë e njohur dhe e pakontestueshme nga askush, Edi Rama thotë çdo ditë se ata që i shkojnë pas opozitës, janë një tjetër gjë, tjetër kategori. Janë frymorë të një grupimi që nuk përfaqësojnë gjë, pra janë militantë demokratë, ose punonjës bashkie. Një manifestim i gjallë që e lëkund keqas këtë qëndrim të Kryeministrit, ishte protesta e 16 shkurtit. Ai ishte padyshim popull. Sikur secilin punonjës të kishin sjellë bashkitë e PD-së e të opozitës, nuk do të bënin dot as 1/5 e turmës. Ai bulevard nuk ka njohur asnjëherë më parë kaq shumë njerëz të bashkuar në një kërkesë; largimin e qeverisë.

Po është një tjetër popull sërish i pakënaqur, që Edi Rama prapë tenton të mos e marrë seriozisht, duke iu shmangur përgjegjësisë. Janë 500 mijë qytetarë që janë larguar nga Shqipëria prej vitit 2013 e këndej. Pra, qysh se shefi i rilindjes u vu në krye të punëve. E pranoi këtë shifër vetë zv.kryeministri tek emisioni i Adi Kratës 3 ditë më parë. Po, tha Braçe, janë rreth 500 mijë që kanë ikur. Edhe pse kanë gjetur një mënyrë të heshtur, protesta e atyre është në fakt më ulëritësja. Aq shumë e kontestojnë ata Edi Ramën, sa nuk kanë vendosur vetëm të mos e mbështesin atë, të mos i shkojnë pas, të mos miratojnë vendimet e tij, të mos e votojnë, por për më tepër, kanë zgjedhur të braktisin vendin, sepse sipas tyre në këtë Shqipëri, me këtë qeverisje, nuk jetohet.

Largimi nga vendi është protesta më e dhimbshme. A mund t’i përfytyrojë Edi Rama në shesh 500 mijë vetë, ata që kanë ikur. Çfarë do thoshte për ta? Do thoshte dot se janë të bashkive të PD, që janë anëtarë të opozitës?

Largimi nga vendi është një mënyrë e vjetër proteste e kontestimi. Që nga koha kur europianëve u është dhënë mundësia e lëvizjes, e përshkimit të distancave të largëta. Një nga format e mosdakordësisë së tyre për princërit, për mbretërit, për absolutizmin, për korrupsionin e shtypjen, apo edhe për kontestimin e rënies së vlerave e vjedhjes së gjërave që njerëzit besonin, ishte hipja në anije dhe ikja larg. Protestonin ndaj vendeve të tyre duke shprehur adhurimin për lindjen e largët, apo vende të tjera ekzotike. Prej kësaj proteste lindi Amerika. Akte kalorësiake dhe romantike. Largimi nga vendi është një protestë e shpeshtë edhe sot në Shtetet e Bashkuara. Kur qytetarët nuk janë dakord me politikat e një shteti, me taksat, me ligjet, me mënyrën si qeverisen, ata demonstrojnë dhe rezistojnë me të gjitha format. Në fund, vendosin të largohen në një tjetër shtet, brenda USA, e kjo shkon edhe me stilin amerikan të jetës, të një lëvizjeje të përhershme.

Ikja e 500 mijë shqiptarëve për fat të keq është e pangjashme me këto, është dramatike. Sepse duke lënë Shqipërinë, ata, të ikurit, i reduktojnë shumë shanset për ndryshimin e realitetit, që i bëri ata të largohen. Të larguarit janë familjarë, të rinj, por masivisht dhe profesionistë, njerëz të shtresës së mesme. Të cilët është e pamundur edhe të manipulohen, apo të mashtrohen nga një qeveri si e sotmja, për t’u marrë sërish votën. Pra, presin biletën dhe thonë lamtumirë, njerëz që potencialisht kanë në dorë më e pakta të ndëshkojnë një keqqeverisje, e më tej të sjellin në fuqi një alternativë të re. Të larguarit, nuk janë sigurisht votues të Edi Ramës, në masën e tyre kritike. Është kjo arsyeja që ai nuk e merr asnjëherë seriozisht. Vet më vete ai mund të gëzojë, sepse kjo i rrit shanset të qëndrojë sa më gjatë në pushtet. Gëzon me siguri, edhe pse eksodet moderne po e varfërojnë vendin nga krahu i punës, e nga profesione të rëndësishme, si mjekësia, inxhinieria etj.

Cili kryeministër në një vend normal do ta trajtonte me të qeshur, kur nën qeverisjen e tij, zbrazet vendi me një fluks të këtyre përmasave. Rreth 500 mijë njerëz, janë të paktën 1/6 e popullsisë, sipas censusit më të fundit, në mos më shumë.

Kryeministri thotë se këta qenkan shtegtarë ëndërrimtarë që kërkojnë më shumë nga jeta, dhe kërkojnë cilësi, punë më të mira. Paskan të ngjashmit e tyre kudo, madje edhe në Italinë e zhvilluar. Po ai asnjëherë nuk thotë se zvogëlimi i popullsisë nuk është gjë e mirë. Asnjëherë nuk thotë se qeveria nuk ia ka dalë të krijojë shanse, mundësi, mjete e instrumenta, që ata të kishin një punë të mirë me pagë dinjitoze këtu. Të rrallë janë ata që gjejnë parajsën kur braktisin vendin ku kanë lindur, e ku janë rritur. Aq më shumë, kur ikin familjarisht e me fëmijë me vete, e këtë e bëjnë shpesh e shpesh, pa patur asnjë garanci për të ardhmen, asnjë siguri konkrete për vendin ku po vendosen. Vetëm të ikim nga këtu, thonë shumica.

Kjo tablo e trishtë, a e bën përgjegjëse një qeveri? A e bën përgjegjës një kryeministër?

Nuk ka dyshim që po. Por Rama ka vendosur ta trajtojë edhe këtë si shumë kriza të tjera, duke u munduar ta bëjë qesharake e të ngrehë mbi të humor e batuta. Ikin, se kanë qejf, se duan më mirë. Ikin pra, se Gjermania qenka më mirë se Shqipëria, e me gjithë punën që ka bërë Edi Rama, ai nuk ia ka dalë që ta bëjë Fierin si Këlni, Kukësin si Dortmundin, apo Peshkopinë si Hanoverin. Ja, me këtë logjikë e përballon kreu i qeverisë këtë argument.

Në fakt, kjo zbrazje biblike e vendit, kjo vrasje masive e shpresës dhe e besimit, është më shumë se një motiv për të mbajtur përgjegjësi, e për t’u larguar. Rama thotë se populli më do, dhe nuk iki. Cili Popull? Ai që mbushi bulevardin nga Sheshi “Skënderbej” te Sheshi “Nënë Tereza”? Ai popull që ka ikur nga sytë këmbët? Po pse ata që heshtin e nuk dalin, ata që mijëra që janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike, ato mijëra familje që janë futur në borxh për tarifat e reformës së suksesshme të arsimit, ato mijëra biznese të falimentuara, të zhytur në kredi, në banka, dhe shpesh edhe fajde, ç’popull janë vallë? Cili popull e do Ramën, përveç karrigeve që mbushen edhe ato me urdhër? Apo ç’punë ka kryeministri me këtë. Pse, edhe për këtë përgjegjësia e tij është?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PD dhe policia “përplasen” për vendin e protestës, refuzohet leja

Opozita kërkoi leje për organizimin e protestës para Parlamentit më 5 mars,...
Read More