13 prilli kalendarik që mund të kthehet në 13 prill historie

 

Nga Patrik Sadikaj

Me gjithë përpjekjen e pandalshme të pushtetit për të kriminalizuar të drejtën e protestës, Edi Rama nuk ia doli dot të ndalë popullin që është ngritur në këmbë, jo vetëm për largimin e tij, por për dinjitet, liri dhe punë. Edhe protesta më e vogël e opozitës ka qenë mjaftueshëm e madhe sa për të rrethuar parlamentin në një perimetër të ekzagjeruar nga policia. Madje nuk e tkurri dot masën popullore as gazi i ministrit Lleshi, që do hyjë në histori si ministri që harxhoi gjithë gazin e blerë me lekët e shqiptarëve për të helmuar shqiptarët. Efekti i gazit bëri efektin e kundërt, pasi sa herë hidhej gazi aq më shumë njerëz i plaseshin në turi deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët të vetmuar nuk kanë zgjidhje tjetër vetëm të vjellin vrer njësoj si gazi i Lleshit.

Ajo që shpeshherë duket si goditje, në këtë rast ka shërbyer për efektin e kundërt. Që prej protestës së parë më 16 shkurt, opozita është derdhur gjithnjë e më shumë në shesh duke e tretur tutje gazin helmues e vrerin e sejmenëve të Rilindjes. Pavarësisht të gjithave, tani nuk ka më dyshime. Koha për një ndryshim rrënjësor ka ardhur dhe ky ndryshim ka kaluar dhe do të kalojë nëpër protestat e opozitës dhe nismës së saj për të djegur mandatet.

“Nuk ka më asnjë kthim prapa”, ka deklaruar shpesh këto ditë lideri i opozitës Lulzim Basha, i cili nuk i referohet vetëm kthimit apo jo në Kuvend. Ajo që ai përcjell si mesazh për shqiptarët është shumë më e thellë sesa historia e disa njerëzve që mbajnë apo jo një mandate deputeti.

Ajo që thotë Basha është padyshim motivi më i madh që duhet të nxisë çdo shqiptar të dalë në shesh më 13 prill. Të ndryshosh sistemin për të cilin ankohesh nga mëngjesi deri në darkë, është një shans që po ua jep sot lideri i opozitës, dhe këtë ka në mëndje ai kur thotë se “s’ka kthim pas”. Nuk është synimi i vetëm largimi i Edi Ramës dhe grushti i njerëzve rreth tij, por zhbërja e një sistemi që pjell pushtete të tilla arrogante, kriminale në disa raste dhe hajdute në pothuajse gjitha rastet. Pikërisht në këtë pikë nuk duhet të ketë kthim pas. Fakti që shfaqet një lider politik që e ofron këtë, duhet që të gjithë ne, shqiptarët që kemi zgjedhur të jetojmë këtu, të ngrihemi e të themi njëzëri: Kthim pas mos të ketë. Kjo do ndihmonte në vendosjen e demokracisë europiane e perëndimore në Shqipëri, por ama do të detyronte Lulzim Bashën dhe opozitën e tij që të mos kthehet pas por ta çojë deri në fund ndryshimin e këtij sistemi.

Tani edhe vetë Edi Rama e ka humbur besimin se me propagandën e tij “jemi të gjithë njësoj”, do të mbajë shqiptarët larg çdo alternative tjetër. Pak nga pak ai po rrëshqet në rrugën e shtruar keq prej tij, atë rrugë ku rrëshqasin të gjithë ata që marrin pushtetin duke premtuar parajsën dhe e shndërrojnë në parajsën e tyre personale. Nuk është e vërtetë se të gjithë në këtë vend janë njësoj. Ka ende shqiptarë që duan ta ndryshojnë fatin e Shqipërisë dhe duhet që këta shqiptarë të bëhen bashkë dhe të mbështesin një politikan europian si Basha dhe ta detyrojnë atë ta çojë deri në fund atë që ka nisur dhe pastaj të mos e lënë që të vërtetojë profecinë e të barabartëve, por ta përjetësojnë ndryshimin historik. Atë ndryshim që Shqipëria rreket prej 30 vitesh ta bëjë, por që për fat të keq është minuar nga babëzia për pasuri. 13 Prilli është një datë e thjeshtë në kalendar, por nëse duam të gjithë së bashku ta bëjmë këtë vend, kjo datë mund të kthehet në datë historike. Sistemi është në shesh, hajdeni ta ndryshojmë pa “kthim pas”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Pranoi tarifën 8-9 euro? Berisha reagon ndaj Ramës: Fake News!

  Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratës së Edi Ramës të...
Read More