11 probleme joqesharake pas asaj që i ndodhi Veliajt me shiun

Rrjetet sociale ditën e enjte u mbushën me humor dhe meme pasi ‘premtimi’ i kryebashkiakut Erion Veliaj se në Tiranë do binte shi me gjyma nuk u kthye në realitet. Historia vërtet mund të ketë prodhuar gallatë dhe ironi, por pas saj mund të fshihen probleme shumë të mëdha që nxjerrin në pah mënyrën se si është drejtuar dhe po drejtohet bashkia më e madhe në vend.

<

E para, festa e Ditës së Verës është e caktuar me ligj dhe ndryshimi mund të bëhet vetëm me ligj. Fakti që kryebashkiaku merr të drejtën të vendosë edhe si zbatohen ligjet në vend, është pak të thuhet i rrezikshëm.

E dyta, për herë të parë kemi një zyrtar të lartë që thotë se ka vendosur të qeverisë bashkinë më të madhe në vend me sondazhe online. Edhe në rastin e Unazës së Re, ku fshihej një skandal që shokoi shqiptarët dhe të huajt, Veliaj u fsheh pas sondazheve.

E treta, kjo histori tregon edhe njëherë se në Shqipëri Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk kanë ndërmend të qeverisin, por vetëm të bëjnë fushatë permanente.

E katërta, kjo ngjarje qesharake nxjerr në pah se ashtu si Edi Rama, edhe Erion Veliaj e kalon kohën vetëm duke u marrë me propagandë virtuale në Facebook. Madje thuhet se punonjësit më të mirë në bashki janë ata më aktivët në rrjetet sociale.

E pesta, ajo tregoi edhe njëherë se në vend nuk ka ndërmend të flitet për problemet e mëdha të Tiranës, por për ‘grimca’ të tilla qesharake. Fjala bie, foli kush sot për faktin që një studim i ‘Mercer’ tregon se Tirana ka cilësinë më të keqe të jetesës në Europë? Po për kullën që do ngrihet në mes të Tiranës?

E gjashta, ajo tregon se Erion Veliaj kërkon të tregojë se sa ndikim ka në jetën e qytetarëve të kësaj bashkie, duke u kujdesur për ta edhe kur bie shi. Po kur ndodhin skena alla-palestinezçe si ajo te Petro Nini? Për atë vetëm heshtje.

E shtata, kjo histori tregon se kjo mazhorancë ka krijuar bindjen e plotë se qytetarët duan shfaqje dhe argëtim, shatërvanë dhe ndonjë shesh. Për transportin publik, për trafikun, për ndotjen e jashtëzakonshme, për shkollat, për decentralizimin e qyteteve, për ngrohjen, për ujin, për gjendjen katastrofike të lagjeve, për mjerimin e biznesit, për largimet masive të rinisë, për ngushëllimin që gjejnë të gjithë te veset etj., ka vetëm propagandë.

E teta, ajo tregon se sa pa personalitet vazhdon të jetë Erion Veliaj kur e ndërmerr një veprim të tillë vetëm që të hyjë në zemër të kryeministrit duke treguar se Tirana feston dhe nuk proteston siç bën opozita.

E nënta, ajo tregon se Veliaj dhe Rama nuk do ndalen duke u bërë lavazh truri njerëzve që të mos besojnë atë që shohin, por atë që u thuhet.

E dhjeta, ajo tregon edhe njëherë se sa e lodhur dhe e nënshtruar është media, e cila nxitoi të bënte madje lajm se në Tiranë po binte shi i madh, por njerëzit nuk po e shihnin.

E njëmbëdhjeta, ajo tregon sërish se kryebashkiaku nuk ka ndërmend të marrë përgjegjësi për faktin se taksat e tarifat janë ngritur në qiell gjatë këtyre viteve pa ndonjë efekt te qytetarët, por nëse i hedh një sy faqes së Veliajt, të krijohet ideja se ai është kryetari i ndonjë këndi lojërash në Tiranë.

Vargu i problemeve vazhdon. Mund të shtoni edhe ju sa të doni…

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Militanti i Madh

TRIPTIK Nga Erion Kristo Shoqëria shqiptare sundohet egërsisht nga politika, madje në...
Read More