Zgjidhet KLGJ e KLP, por krijimi i SPAK do vonojë

Reforma në Drejtësi dhe vonesat në rivlerësimet e kandidatëve për KLGJ dhe KLP që shtynë procesin. Tetë muaj për të kryer vettingun e 35 gjyqtarëve dhe prokurorëve. Çfarë pritet të ndodhë pas krijimit të dy institucioneve të reja dhe SPAK-u në varësi të ankesave për në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Nga Sebi Alla

Kur në Parlament u ngritën 140 kartonë jeshilë pro reformës së re të drejtësisë në korrik të vitit 2016, dy personazhet kryesorë të nxitjes së procesit, ish-ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, përgëzuan njëri-tjetrin si për të treguar se mundi ia vlejti, por ata më mirë se e gjitha “kasta politike”, e dinin se e ardhmja nuk do ishte aq rozë. Duart e deputetëve ende trokiteshin për “momentin historik”, por Reforma në Drejtësi mori kohën e saj, më shumë nga çfarë mendohej, duke kaluar sërish mes politikës, që me e pa qëllim u bë ndihmëse në nxitjen e zvarritjes së procesit. Dy vjet më vonë, një fije shpresë u ringjall kur më në fund, pas një procesi të gjatë, fort të avashtë dhe me oscilacione, u ngritën dy institucionet e para të rëndësishme KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor) dhe KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë). Të dyja në funksion të krijimit të SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), por procesi sërish mund të futet në vonesa, zgjatje dhe procedura që do e shtyjnë në kohë krijimin e institucionit kyç të reformës së re të drejtësisë. Organizata “CSDG” (Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes) ka monitoruar ecurinë e procesit të vettingut nga KPK dhe përveç konstatimit të vonesave në ngritjen e dy institucioneve KLGJ dhe KLP, vëren në analizën e saj të thelluar se procesi do ketë sërish zvarritje, kjo e kushtëzuar edhe nga numri i lartë i ankesave. “Me gjithë prioritarizimin për të realizuar vettingun për kandidatët për këto dy këshilla, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve akoma nuk mund të konsiderohet i përfunduar, çka mund të ketë ndikim jo vetëm në ecurinë e mëtejshme të procesit të ngritjes të vetë dy organeve në fjalë, por edhe të ngritjes së Gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe SPAK”, konstaton CSDG. Ngritja e SPAK është futur në paradhomën e drejtësisë së re, ndonëse për të arritur deri në sallën e madhe të gjykimit, më parë nevojitet filtri KPA (Kolegji i Posaçëm i Apelimit). Situata është në një paradoks ku nga njëra anë kërkohet ngritja sa më shpejt e gjykatës dhe prokurorisë speciale dhe në anën tjetër, filtrat deri në ngritjen e saj po shkaktojnë vonesa. “Kjo për shkak të numrit të lartë të ankimimeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), të cilat mund të sjellin përjashtimin edhe pas zgjedhjes së tyre nga Mbledhjet e Përgjithshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve”-thuhet në raportin e CSDG.

KPK, 8 muaj për të rivlerësuar 35 kandidatë për anëtarë në KLGJ e KLP

Për të mbërritur në “ditën e gjykimit”, që zyrtarë të nivelit të lartë të përballen me drejtësinë, vetëm koha nuk është në favor, kjo e kushtëzuar jo vetëm nga kriteret, por nga institucionet që tashmë po bëjnë Reformën në Drejtësi. Sinjalin e parë të zvarritjes e dha vetë KPK, (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit), që e nisi procesin e parë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në muajin mars të këtij viti dhe e përfundoi listën prioritare vetëm në fundin e nëntorit. Më shumë se tetë muaj proces për të mbërritur në fazën finale, për më shumë me disa bilance jo fort bindëse edhe për sa i përket thellimit mbi vlerësimin në tri drejtime të subjekteve rivlerësuese. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është organ kushtetues, i përbërë nga 12 komisionerë, të miratuar në bllok me vendimin nr.82/2017 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Veprimtaria e institucionit bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Rregulloren e veprimtarisë së KPK-së, si dhe në legjislacionin vendas dhe ndërkombëtar”. Ky është thelbi i funksionimit të KPK-së që kontrollonte subjektet në tri kritere, vlerësimi i pasurisë; kontrolli i figurës dhe vlerësimi i aftësive profesionale. Për KLGJ dhe KLP, 35 subjekte kishin aplikuar dhe në bazë të rregullores, kjo do ishte lista prioritare. Edhe pse këto subjekte duhet të ishin pjesa thelbësore e vettingut, KPK pati shumë vonesa, shpesh të pa justifikuara. “Zhvillimi i seancave dëgjimore u shoqërua me ritme të ulëta dhe shkëputje kohore. Muaji korrik, ishte muaji i vetëm, i cili shënoi numrin më të madh të seancave dëgjimore, ndërkohë që gjatë muajve mars dhe tetor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nuk shqyrtoi asnjë nga subjektet kandidatë për KLGJ apo KLP”, thuhet në raportin e publikuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, ndërsa shton se zgjatja e procesit të rivlerësimit ndodhi edhe si pasojë e moskonfirmimit të disa subjekteve, duke shpënë për pasojë në mosplotësimin e numrit të nevojshëm të subjekteve për pozicionet respektive.

SPAK në varësi të ankimimeve dhe KPA

Pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumë zgjatje përfundoi vettingun për listën prioritare, mbetet edhe një tjetër institucion për të plotësuar kuadrin e rivlerësimit. Të gjithë subjektet që nuk janë konfirmuar në detyrë kanë ankimuar vendimin pranë KPA (Kolegjit të Pavarur të Apelimit), por rreziku i një tjetër zvarritje qëndron tek subjektet që kanë kaluar vettingun në KPK, por janë ankimuar nga Komisioneri Publik. “Numri i ankimimeve nga kandidatët e konfirmuar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë gjithashtu rrezikon ta bëjë të paparashikueshëm vijimin e ngritjes së këtij Këshilli, pasi Komisioneri Publik ka ankimuar në KPA të tre kandidatët e konfirmuar për prokurorë të shkallës së parë. Moskonfirmimi nga KPA i vetëm 2 prej tyre do të sillte rishpallje, ndërkohë publikimi i vendimeve të KPK-së 30 ditë nga njoftimi i tyre është një faktor i rëndësishëm për depozitimin në kohë të ankimimeve të mundshme nga Komisioneri Publik apo vetë subjektet, të cilët mund t’i drejtohen KPA-së brenda 15 ditëve nga data e njoftimi të vendimit të KPK-së”, konstatojnë ekspertët e organizatës CSDG. Deri tani publikimi i vendimeve për 13 kandidatë në KLGJ dhe KLP ka tejkaluar afatet ligjore, duke krijuar vonesa në procesin e ankimimeve dhe në procesin e rivlerësimit në tërësi të procedurës për konkurrim. “Vendimi i KPA pritet të jetë gjithashtu përcaktues për vijimësinë e ngritjes së KLP. Nëse në të dyja këto raste do të ketë rishpallje të thirrjeve, krijimi i KLP do të jetë i pamundur të realizohet, duke e rikthyer procesin mbrapa në kohë dhe duke sjellë përsëritje të procedurave dhe zgjatje të kohës për krijimin e këtij organi”-thuhet në raport. Në “letra” aktualisht kemi të ngritur KLGJ dhe KLP, por nëse pranohen ankimimet për disa nga anëtarët e zgjedhur, duke i shkarkuar nga detyra pasi të kalojnë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, atëherë i gjithë procesi i krijimit të SPAK do futet në lojën e kohës.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Studimi: Ajri i ndotur, rrezik për ishemi cerebrale

Studimet e fundit kanë treguar se ajri i ndotur është një rrezik...
Read More