Zgjedhja e Presidentit të ri, procesi nis më 14 prill?

Rama dhe Ruçi kanë lënë të kuptohet dy ditët e fundit se procesi i zgjedhjes së presidentit nuk është i ngutshëm, por kreu i KQZ-së, Denar Biba, në një analizë juridike thekson se procesi duhet të nisë më 14 prill. Ende palët nuk kanë zyrtarizuar kandidatë dhe as diskutime publike mbi emrat

Protesta e opozitës dhe debati politik që e ka shoqëruar atë, ka lënë në hije një nga çështjet që shumë shpejt mund të sjellë një tjetër krizë politike dhe institucionale. Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës është shumë afër dhe duket se politika është e papërgatitur për t’u përballur tani për tani me të. Vetë kryeministri Edi Rama, i pyetur dy ditë më parë për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit, ka deklaruar se ka ende kohë për të folur për këtë gjë, duke lënë të kuptohet se diskutimi mund të nisë vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Rama

I pyetur gjatë emisionit “Studio e Hapur” nëse kryeparlamentari Ilir Meta mund të ishte Presidenti i ri i Shqipërisë, ai do të përgjigjej “Nuk ka negociata për emrin e tij si President, dhe nuk ka nevojë të ketë”, ndërsa do të shtonte se “do bisedojmë kur të vijë koha”. Pra, në këtë mënyrë kryeministri ka bërë të ditur se jo vetëm që nuk kanë nisur përgatitjet për zgjedhjen e kreut të shtetit, por as ka vendosur me aleatin e tij se cili do jetë emri që do të mbështesin për të pasuar Bujar Nishanin. Por Rama nuk bëri të ditur se kur është koha gjatë së cilës politika dhe parlamenti do të duhet të nisë procedurën ligjore për të zgjedhur Presidentin. Në ndihmë për të kuptuar këtë ka ardhur kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili dy ditë më parë do të theksonte se nëse nuk bëhen zgjedhjet e 18 qershorit atëherë do të futej në krizë edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit. Pra, sipas tij, zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. “Kushtetuta përcakton qartë nëse do ketë apo jo zgjedhje, të cilat mbahen 1 herë në 4 vjet. Diskutimi i datës 18 do të thotë një Shqipëri e destabilizuar. Nëse nuk realizohen zgjedhjet e 18 qershorit zgjedhja e presidentit te Republikës është në rrezik”, -tha Ruçi duke folur gjatë një takimi partiak në Roskovec të Fierit dy ditë më parë. Por duket se në këtë rast kemi të bëjmë me një taktikë të mazhorancës për të shmangur një krizë edhe në këtë drejtim tani, para se vendi të shkonte në zgjedhjet parlamentare. Kjo pasi juristët mendojnë se zgjedhja e kreut të shtetit duhet të bëhet para zgjedhjeve parlamentare. Madje procesi duhet të nisë për tre javë, në mes të muajit prill.

Analiza

Një prej tyre është edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, i cili ndan një qëndrim të ndryshëm nga mazhoranca, e cila edhe e propozoi në këtë pozicion. Në një analizë të tijën ai argumenton se çfarë parashikon Kushtetuta në këtë drejtim, duke marrë në konsideratë jo vetëm rastin e zgjedhjes së Presidentit në një kohë të zakonshme, por edhe kur ky proces përkon me përfundimin e mandatit të Kuvendit. Biba merr në analizë pikërisht Nenin 88 të Kushtetutës, i cili parashikon procedurën dhe afatet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Sipas kësaj dispozite, pika 2 e saj, “mandati i Presidentit të Republikës përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit të Presidentit të zgjedhur përpara Kuvendit”. Presidenti aktual e ka bërë betimin përpara Kuvendit në datë 24 korrik 2012, ndaj, sipas dispozitës së përmendur më lartë, mandati i tij përfundon në datën 24 korrik 2017. Sipas Bibës Kushtetuta shqiptare nuk parashikon që presidenti të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Pra ai thekson se, në situatën normale në të cilën ndodhemi sot, Nishani duhet të largohet nga zyra në datë 24 korrik 2017, duke u gdhirë data 25 korrik 2017. Nga data 25 korrik, në qoftë se nuk do të jetë zgjedhur Presidenti i ri, kompetencat presidenciale sipas tij do të ushtrohen nga Kryetari i Kuvendit. Ndërkohë që sipas pikës 2/1 të nenit 88 të Kushtetutës, procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri fillon jo më vonë se 60 ditë përpara mbarimit të mandatit presidencial paraardhës që, në këtë rast, do të thotë jo më vonë se data 25 maj 2017, çka i bie 24 ditë përpara datës së zgjedhjeve për Kuvendin. Por ky nen më tej vijon me parashikimin që, “Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Mandati i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, referuar nenit 65, pika 1 të Kushtetutës, përfundon më datë 9 shtator 2017. Sipas Bibës, në rastin e Nishanit, duke qenë se mandati presidencial i përfundon qartësisht në 6 muajt e fundit të mandatit të Kuvendit, krijohet ideja (e gabuar) se data e fundit për fillimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës është data 11 Korrik. Duke vijuar më tej, ai bën të ditur se nëse procedura për zgjedhjen e Presidentit do të fillonte në datë 11 Korrik, referuar nenit 87 të Kushtetutës, ku që për zgjedhjen e presidentit Kuvendi zhvillon deri në pesë votime, ku secili nga votimet zhvillohet jo me vonë se 7 ditë nga njëri tjetri, afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit do të ishte 15 Gushti. “Ky afat është në tejkalim të dukshëm të afatit 5-vjeçar të mandatit të Presidentit e, për pasojë, në shkelje të rregullimit kushtetues pasi, në çdo rast, afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri duhet të jetë para datës 24 korrik!”, – shkruan Denar Biba.

Zgjidhja

Duke interpretuar pikën 2 dhe 2/1 të nenit 88 të Kushtetutës, të cilat sipas tij nuk mund të lexohen të shkëputura, Biba thekson se zgjedhja e presidentit duhet të parashikohet në mënyrë që të kryhet si përpara përfundimit të mandatit presidencial, ashtu edhe përpara përfundimit të mandatit të Kuvendit. Në këtë mënyrë ai thekson se edhe Presidenti i Republikës nuk qëndron në detyrë përtej mandatit të tij 5-vjeçar, dhe Kuvendi ka mandat për ta zgjedhur. Ndaj ai arrin në përfundimin se referuar faktit se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon vetëm afat fundor për fillimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, si dhe referuar faktit se më datë 19 Maj fillon zyrtarisht periudha e fushatës zgjedhore, zgjedhja e Presidentit të Republikës logjikisht duhet të përfundojë përpara datës 19 Maj. Duke i shtuar kësaj edhe kohën maksimale prej 35 ditësh për zhvillimin e procedurës së zgjedhjes së Presidentit, fillimi i procedurave për zgjedhjen e presidentit mund të jetë më herët – por definitivisht jo më vonë – se data 14 prill 2017. “Si përfundim, data 14 prill (ose më herët) është datë e cila është në përputhje me afatet e parashikuara nga pika 2/1 e nenit 88 të Kushtetutës, për fillimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit”, – përfundon Biba analizën e tij. Por pavarësisht këtyre fakteve juridike, mazhoranca ka vendosur të mos nxitojë, duke shmangur kështu jo vetëm një thellim të krizës politike që sjellë mosprania e opozitës në proces, por edhe duke u përpjekur që ta përdorin Presidentin e ri si një ofertë mes dy partive kryesore të koalicionit pas zgjedhjeve dhe si paketë e ndarjes së pushtetit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Donald Lu: Roli i Ramës, Bashës dhe Metës gjatë negociatave të reformës

Në një intervistë të gjatë, e para për median shqiptare, ambasadori amerikan...
Read More