Vrasja në Sharrë dhe çfarë politikanësh kemi

Fitim ZekthiNga Fitim Zekthi

Vrasja dhe fshehja në plehrat e Sharrës e një 17- vjeçari teksa ai mblidhte mbeturina për të fituar pak para shkaktoi si gjithmonë një debat të helmuar nga interesat më të vogla dhe më perverse, ato që reduktojnë qenien njerëzore në një makineri bio-molekulare në shërbim të egos dhe epsheve të tij. Me përjashtim të pak gazetarëve të cilët shkruajtën  të lebetitur mbi atë që ndodhi dhe mbi ku po shkojmë,  shumica sidomos politikanët u përpoqën ta fusin të gjithën në mekanizmat e ndyrë të asaj që quhet marrëdhënie publike ose me fjalë të tjera nxjerrje në publik e asaj që ata duan.

Kudo në botë kjo ngjarje do të shkaktonte një lëkundje aq të madhe sa do të shkundte nga rrënjët qeverinë dhe gjithë vendimmarrësit. Vetëdija jonë qytetare, roli i mediave apo cilësia e demokracisë janë disa nga elementet që mund të merren lehtësisht dhe me të drejtë si faktorë bazë në këtë sjellje. Ne do të shohim nga një kënd tjetër sjelljen e politikanëve në raste si ky, por edhe të njerëzve në media që bëhen zgjatime të interesit politik për t’i mbuluar të vërtetat dhe shmangur përgjegjësitë.

Adam Smith një nga filozofët dhe mendimtarët më të rëndësishëm të perëndimit shkruan në librin e “Teoria e Sentimenteve Morale” se në themel të jetës shoqërore qëndron empatia, dhembshuria. Empatia lind kur njerëzit imagjinojnë  vuajtjen, dhimbjen e të tjerëve, kur ata vënë veten në situatën  të tjerëve. Duke qenë se, jeta shoqërore është lidhur me ndjenjën e empatisë, po kaq e lidhur është edhe përgjegjësia që njerëzit ndjejnë për gjithkënd ndaj të cilit ata kanë empati.

Dhimbjen dhe vuajtjen e vrasjes së 17-vjeçarit nuk duket se ndokush nga qeveritarët e lartë të vendit e përjetoi si të tijën. Askush prej tyre nuk shfaqi as ndjesitë më minimale se imagjinonte veten  në situatën e babait polic apo nënës së gjorë të djaloshit të vrarë.

E njëjta gjë ka ndodhur me prerjen e energjisë elektrike së një nëne që jetonte me katër fëmijë të sajtë në një bunker të kthyer në shtëpi, me vajzën 4 vjeçare nga Laçi që vdiq dy vite më parë sepse u sëmur në barakën ku jetonte me bronkopneumoni, me të moshuarën që vdiq në lulishte në Durrës prej të ftohti sepse e nxorën nga shtëpia 4 vjet më parë, me punonjësen e sigurimeve shoqërore në Korçë që vrau veten sepse duke e larguar nga puna i hoqën mundësinë t’ju çonte bukë në shtëpi fëmijëve dhe me dhjetëra raste të tjera thuajse të përditshme.

Dy ditë më parë një bari nga Librazhdi u vra në kullotat bregut të detit me mjaft gjasë nga punëdhënësit, të cilët nuk e kishin paguar që prej dhjetorit. Si për ironi  pranë vendit ku u vra bariu bëhen festa me shkuma- parti, pushojnë qeveritarë dhe politikanë të lartë deri te kryeministri dhe jo vetëm që ndokush nga ta nuk e imagjinon veten në situatën e bariut apo të përjetojë dhimbjet dhe vuajtjet e bariut por as që patën ndonjë reagim qoftë edhe hipokrit. Edhe momentet kur punonjës të policisë apo ushtrisë vriten në shërbim, bien në detyrë apo kur fëmijë të tyret rriten mes vuajtjesh  dëshmojnë po këtë mungesë djallëzore empatie.

Vdekja e policit Ibrahim Basha në Lazarat u shndërrua gati në një show, ceremonia u transmetua live, me kamera që lëviznin si spektaklet plot shkëlqim, në qendër qeveritarë që flisnin. Po kështu ka ndodhur edhe me majorin Feti Vogli, ku më shumë rëndësi pati të treguarit e përkushtimit të qeverisë dhe qeveritarëve ndaj angazhimeve në NATO, apo të treguarit para ambasadorëve e besnikërisë që tregon vendi ynë.

Empati për policin Basha, për familjarët, e tij, për oficerin Vogli, bashkëshorten apo fëmijët e tij kishte në ato raste me përjashtim të ndonjë emocioni që imponohet nga atmosfera. Vazhdimisht në media krahas pemëve që mbillen nga politikanë, inaugurimeve të ndonjë rruge, fasade apo ujësjellësi  shfaqet edhe indiferenca e tyre, gati deri edhe përbuzja.

Në shumë takime me njerëz qeveritarët gati nuk i durojnë ankesat, vetëm flasin vetë, ka  raste kur fyejnë  etj. Në vitin 2008, në Konventën e Partisë Demokrate që shpalli Barack Obamën kandidat për president, Joe Biden kandidati për zëvendëspresident mbajti një fjalim që preku thellë delegatët. Duke qenë se kandidatët duhet të njihen nga njerëzit, Biden foli për veten. Ai tha se kishte mbi 30 vjet, që kur ishte bërë senator, që shkonte në shtëpi çdo natë me tren.

Senatori Biden banonte në Wilmington të shtetit Delawere, më shumë se 150 kilometra nga Washingtoni. Udhëtimi për në shtëpi zgjaste rreth dy orë. Senatori Biden tha se ai shihte prej 30 vitesh çdo natë brenda dritareve të shtëpive të amerikanëve.  Senatori tha se ai shihte prindërit që ishin të lodhur nga puna, fëmijët që gatiteshin për gjumë apo hanin darkë, shihte çfarë kishin në tryeza, çfarë kishin orendi etj. Ai tha se kthimi në shtëpi ishte mënyra më e mirë për të parë jetën e çdo  familjeje amerikane, mundësitë dhe vështirësitë e tyre  por edhe dështimin apo jo të qeverisë. Ai tha se në senat kishte vendosur gjithnjë mbi atë që shihte nga dritaret darkave.

Sekretari i Pentagonit, Robert Gates, shkruan librin e tij Detyra: Kujtimet e një sekretari lufte shkruan për vizitat që bënte në spitalet ku dergjeshin ushtarët e plagosur. Ai përshkruan një moment mjaft emocional kur takonte ushtarë me këmbë të prerë, kokë të fashuar, pa krah etj. dhe kur njëherë e pyeti: çfarë është ajo gjë të bën ty të rrish pa gjumë? Gates thotë, se nga thellësia e zemrës i doli një si klithmë: Ti! Dhe shkruan Gates kisha kaluar netë të tëra pa gjumë ose kur zgjohesha i mbytur në djersë dhe i lebetitur nga ankthet që më shkaktonin ushtarët në luftë, që vriteshin, plagoseshin duke lënë larg fëmijët, gratë apo nënat.

Dana Perino, sekretarja e Shtypit e Presidentit  Bush, sapo ka botuar libër mbi vitet e saj në Shtëpinë e Bardhë. Ajo përshkruan mes të tjerash një moment të rëndë në spital teksa presidenti po vizitonte ushtarët e plagosur. Një nënë iu hakërryer atij dhe i tha: “pse nuk është shtrirë këtu në shtrat djali yt por djali im”?! Nëna bërtiste me zë të lartë dhe presidenti Bush rrinte në heshtje kokë ulur.

Kur dolën, ai tha gati i përlotur- ajo kishte të drejtë. Vetëm ndjenja të tilla empatie mund ti bëjnë njerëzit të kujdesshëm për të tjerët dhe kur  janë qeveritarë i bëjnë ata të jenë të përgjegjshëm.

Politikanët tanë, qeveritarët tanë janë kthyer në objekte të ftohta të programuara vetëm të kërkojnë pushtet, të përmbushin kërkesat dhe dëshirat personale dhe kështu që gjithçka shihet vetëm si instrument në funksion të këtyre dëshirave.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Ambasadori amerikan: Kultivimi i drogës u shtua, qeveria të bëjë më shumë

Donald Lu flet për herë të parë për kanabisin. “DEA po ndihmon...
Read More