Vonesa e Reformës në Drejtësi ka bllokuar gjithçka, në radhë të parë ekonominë

Nga Ervis Iljazaj

Instalimi i një drejtësie të pavarur totalisht nga politika, është duke krijuar një efekt kolateral, atë të bllokimit të dinamikës politike dhe qeverisjes.

Duket sikur asgjë nuk lëviz në planin e saj, por edhe në kampin opozitar, i cili është duke përgatitur protesta pa një kauzë të vërtetë politike, por vetëm si pasojë e zgjedhjes së një posti institucional, që duket kaq larg nga çështjet që vërtet shqetësojnë qytetarët dhe në këtë kuptim, janë pak frymëzuese për të arritur qëllimin që ka shpallur publikisht opozita, atë të rrëzimit të qeverisë.

Palët politike janë strukur në foletë e tyre në pritje të efekteve që Reforma në Drejtësi, me shumë mundësi, do të ketë dhe në sistemin politik.

Në këtë kuptim, sa më shumë vonohet Reforma në Drejtësi, aq më shumë krijon një lloj tensioni politik, i cili reflektohet në çdo aspekt të shoqërisë, por mbi të gjitha në ekonomi.

Ka vetëm një mënyrë për të ringjallur shpresë për të ardhmen, gara politike që ofron një demokraci normale. Mirëpo kjo garë ka mbetur peng e një drejtësie të re që pritet të vijë, e cila ka strukur të gjithë klasën politike shqiptare në zyrat e tyre, me sytë nga pasojat e një sistemi që me siguri po ndryshon rrënjësisht.

Është pikërisht kjo paralizë politike, që po pengon çdo dinamikë demokratike, e cila është kusht thelbësor për zhvillimin e një vendi.

Ka tashmë më shumë se një vit, që nuk flitet për gjë tjetër përveç Reformës në Drejtësi, duke krijuar në këtë mënyrë, vetëm një çështje të rëndësishme, atë të drejtësisë që do të vijë, e cila po vonon dhe po bllokon çdo mekanizëm shtetëror për të ndihmuar politikat ekonomike. Sepse në një shtet si Shqipëria, nëse politika është bllokuar, çdo gjë tjetër bllokohet, deri te mekanizmat financiarë që nxitin zhvillimin ekonomik.

U bë shumë kohë, që nuk flitet më për asnjë iniciativë ekonomike, zhvilluese apo një politikë që ndihmon përmirësimin e jetës së qytetarëve. Çdo gjë rrotullohet mbi drejtësinë. Duket sikur e gjithë elita politike është në akuzë të përgjithshme, me “ankthin” që krijon një gjë e tillë, i cili reflektohet dhe në politikëbërje.

Prandaj këtij tensioni të përgjithshëm i duhet dhënë fund njëherë e mirë. Reforma në Drejtësi duhet zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur, në të mirë të politikës, shoqërisë dhe ekonomisë. Vonesa e saj është duke krijuar kosto të mëdha, mbi të gjitha ekonomike, dhe kjo ndihet në çdo sektor të ekonomisë shqiptare. Po të shtosh këtu dhe reformat e ndërmarra nga qeveria për administratën dhe reformimin e saj, të cilat kanë ngelur përgjysmë, duke krijuar një paqartësi edhe më të madhe për shërbimet që i nevojiten biznesit, atëherë bllokimi bëhet i plotë.

Sepse, një reformë, që të jetë efikase ka nevojë për kohën e saj të menjëhershme të implementimit; në të kundërt, ajo kthehet në një pengesë të madhe duke zvarritur gjendjen e bllokimit aktual. Aq më tepër kur bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi, që është një Reformë që shemb në themel raportin që ka ekzistuar deri më tani midis politikës dhe drejtësisë, ku kjo e fundit ishte totalisht nën kontrollin e politikës. Duke qenë se nga politika, fatkeqësisht, varen dhe shumë mekanizma financiarë dhe ekonomikë, atëherë bllokimi që është krijuar si pasojë e shkëputjes së këtij raporti është duke ndikuar negativisht nga vonesa e Reformës në Drejtësi. Të gjithë ishim të vetëdijshëm që një reformë e tillë do të sillte kosto politike dhe ekonomike, por kostot e saj janë duke u zgjatur në kohë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Neo-komunistët shqiptarë në shërbim të kapitalizmit

Nga Klementin Mile Neo-komunizmi në Shqipëri është stil jetese. Si i tillë, ai...
Read More