Vlorë, mos rri duarkryq!

Genc DeromemajNga Genc Deromemaj*

Kujtdo i rastis të vijë  në Vlorë, me punë a pushime, siç ndodh edhe me Kryeministrin, gjëja e parë që sheh janë disa makineri ndërtimi, të rënda e të heshtura, mu në hyrje të qytetit. Thonë se janë për ndërtimin e “Bypass-it”. Më tej disa punëtorë  përgjatë rrugës “Transballkanike” dhe më tej ende të del përpara ajo që pritej të ishte e bukur, por vazhdon të jetë e tmerrshme, “Lungomarja” e famshme. Edhe aty i gjen ca  punëtorë.

Vlora në krizë. Një ligështim të kaplon, sidomos kur vë përballë realitetin mediatik që përcjell një ‘Vlorë të kthyer në kantier të madh ndërtimi’,dhe faktin me të cilin ndeshemi çdo ditë, mëngjes e darkë, ne vlonjatët. E përditshmja e vlonjatit është ndjesia dhe realiteti i krizës: shkolla, ndërtimi, turizmi e deri te politika. Krizë morale, shoqërore, besimi e shprese për të ardhmen. Politikë hipokrite e Rilindjes që përpiqet të shtiret si “e re”, por është përsëri e njëjta, me politikane të vjetër, të cilët vazhdojnë të trashëgojnë pushtetin e trashëguar, te të rinjë që i joshin me poste politike e drejtimi të pamerituar, poste politike e drejtimi “njëpërdorimësh”.

Vlora sot, është në kaos të plotë, pa busull, pa studime e projekte afatgjata; thjesht dhe vetëm një tekë ndër dëshirat e Kryeministrit, deputetit të pare të Vlorës, i cili arrin deri aty sa përcakton edhe moshën që duhet të kenë pishat përgjatë bregdetit!

Asnjë lek nga qeveria, por vetëm financime të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (donacione të huaja). Asnjë punë nga firmat e Vlorës për të punuar në investimet që po kryhen në Vlorë, duke paralizuar e lënë pa punë shumë subjekte që punojnë me lëndën e parë të ndërtimit. Varfëria po shtohet çdo ditë e më shumë dhe propaganda qeveritare e mediatike e mbulon me ndërtimin e “Lungomares”, pastrimin “vullnetar” të kanaleve, mbjelljen e tulipanëve holandezë, suksesin e Kongresit, zhvillimin e Referendumit “demokratik”, e të tjera llogje të këtij lloji!

Taksat në rritje, fuqia blerëse në rënie. Në QKR hapen më pak biznese të reja dhe mbyllen më shumë të tilla. Qytetarët e Vlorës paguajnë më shumë taksa e tarifa. Vendosja e tyre është bërë në mënyrë abuzive, pa një studim të mirëfilltë të tregut, pa një bashkëpunim institucional ndërmjet organeve shtetërore. Rritje kanë pësuar edhe taksa e fjetjes në hotel, duke i dhënë një goditje sektorit të turizmit në Vlorë, duke ia shtuar problematikat.

Biznesi po tkurret nga dita në ditë ndërsa fuqia blerëse ka rënë. Një gjë që rritet janë borxhet. Bankat kreditojnë gjithnjë e më pak dhe janë të rrezikuara nga kreditë e këqija. Institucionet e shtetit janë në pjesën më të madhe inekzistente.

Braktisja e Vlorës. Askush nuk bën asgjë për të ndryshuar sado pak gjendjen në të cilën është qyteti i Vlorës. Por Vlora ka edhe një problem tjetër. Vlora po braktiset dita ditës, kush ka mundësi, po ikën, jashtë shtetit apo në Tiranë, këtu po mbeten vetëm të pagojët, të pamundurit, që janë nënshtruar e po nënshtrohen dita ditës, për shkak të një page. Sot, po ikin dita ditës nga Vlora, gati një në çdo katër familje vlonjate. Ikin dhe nuk e kthejnë më kokën pas. Kushdo që vjen nga jashtë Vlorës dhe ka dëshirën e mirë për ta parë me realitet situatën, skandalizohet me situatën në qytet.

Bashkia, mungesë transparence. Para pak ditësh bashkia propagandoi me të madhe suksesin e aksionit të saj (rilindasit nuk bëjnë dot asnjë punë pa përmendur fjalën “aksion”) për heqjen e kioskave përgjatë bulevardit kryesor të qytetit, kioska të cilat ishin aty prej vitesh dhe një ditë do të vinte koha që do të iknin prej andej. Por, kioskat u zëvendësuan me shpejtësi me kioska të tjera të fshehura pas stacioneve të autobusit, ku tashmë në qytet, përgjatë bulevardit kryesor çdo stacion autobusi ka edhe një kioskë të bashkangjitur. Dhe bashkia nuk është mjaftuar me kaq. Bashkia mësohet të ketë dhënë me koncesion montimin dhe shpërndarjen e kioskave në qytetin e Vlorës. Firma “A…” është firma e zgjedhur nga bashkia për koncesionin me  afat 10 vjeçar. Pas saj janë emra të njohur si mbështetës dhe të afërm të kryetarit të bashkisë Vlorë, apo dhe punonjës të bashkisë. Situata është e ngjashme edhe sa i përket reklamave të kompanive telefonike të cilat kanë pushtuar zonën e Skelës, dhe nuk ka transparencë nga ana e bashkisë se ku shkojnë të ardhurat nga këto reklama.

Si po dëmtohet turizmi i Vlorës. Sikur të mos mjaftonin vetëm këto taksa mbytëse, pushteti rilindas ka vendosur që të vazhdojë prishjet në të famshmen “Lungomare”, duke e kthyer bregdetin në një gërmadhë të frikshme. Sikur mos të kishte muaj të tjerë viti, pas muajve të verës, sezonit turistik! Kësaj situate i shtohet edhe ndërprerja e ujit, ndërprerja e dritave, tashmë prej një kohe shumë të gjatë. Thua përsëri sikur nuk ka muaj të tjerë të vitit për të ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit e atij elektrik?!

Pikërisht dhe çuditërisht në këto kohë te sezonit turistik, ndodh që fillojnë punimet edhe në aksin rrugor nga “Vilat” deri tek “Rrapi” në “Ujin e Ftohtë”, duke e bllokuar krejtësisht kalimin në këtë rrugë, duke harruar se bllokojnë ndërkohë dhe turizmin familjar të dhjetëra familjeve vlonjate.

Sezoni turistik pa turistë. Pritet një sezon turistik i vështirë këtë verë në Vlorë. Do të jetë edhe më vështirë se një vit më parë. Parashikimin në formën e alarmit e japin shumë operatorë turistikë që veprojnë në Vlorë. Që nga data 25 qershor, Vlora ka mbetur pa ujë dhe pa energji elektrike, për shkak të punimeve në rrjet (në fakt askush nuk  sheh se ku po kryhen këto punime). Pa ujë, pa drita, pa rrugë, pa studime për turizmin familjar të vlorës, pa ndihmën minimale nga bashkia.

Kjo është situata sot në Vlorë, ndërkohë që një muaj i verës ka ikur dhe jemi në prag të dy muajve të fluksit.

Mjafton të permendet fakti se deri më sot, kanë anulluar prenotimet në hotelet e Vlorës mbi 6000 turistë Polakë, dhe e gjitha nga gjendja e frikshme ku ndodhet Vlora në pragsezon.

Çudia e mbjelljes së rrepeve. Palmat u dëmtuan nga krimbi dhe kur të gjithë në Vlorë prisnin që të zëvendësoheshin me palma të reja, në qytet filloi mbjellja e rrepeve. Palmat janë simboli dhe karakeristika e qyteteve bregdetare dhe vlonjatët ishin mësuar me praninë e tyre në rrugë të ndryshme në qytet.

Por “Kryetari” nuk i pyeti vlonjatët, edhe pse gjatë fushatës një nga të paktat premtime ishte se do të zhvillonte referéndume lokale për problemet e qytetit.

Rrepet nuk janë karakteristikë e qyteteve bregdetare, në përgjithësi mbillen e rriten në zonat kodrinore apo dhe pranë lumenjve. Në stinën e lulëzimit të tyre ato shkaktojnë mjaft probleme për njerëzit që vuajnë nga alergjitë. Por mesa duket një tender i zhvilluar diku në Shqipëri, për kultivimin e rrapit gjeti vend edhe në Vlorë, ndaj edhe “Kryetari” i bashkisë e ka porosi dhe urdhër që t’i mbjellë pa kundërshtuar, paçka se vlonjatët janë kundër.

Të përmbyturit vazhdojnë ‘nën ujë’. Dëmet që shkaktuan shirrat e 10 Tetorit 2015 në Vlorë nuk do të harrohen lehtë për shumë familje vlonjate. Shumë familje u larguan nga shtëpitë dhe shkuan për të banuar tek të afërmit apo në hotele, në pritje të marrjes së masave nga bashkia, dëmshpërblimin e dëmit. Por edhe sot, shumë muaj pas përmbytjes nuk ka asnjë afat konkret për dëmshpërblimin e këtyre familjeve. Gjithçka ndodh kur këto familje, jetojnë në kushte të vështira, jetojnë në shtëpi me qira apo tek të afërmit e tyre. Sipas shifrave zyrtare nga bashkia, nga 476 familje të prekura nga përmbytjet e datës 10 Tetor 2015, vetëm për 321 familje janë vlerësuar dhe janë përgatitur dosjet me materialet përcjellëse nga bashkia e Vlorës, me një vlerë paraprake dëmshpërblimi prej 48’792’000 lekë të rinj, me një mesatare dëmi financiar prej 125’000 lekë të rinj për familje.

Në bashki thonë se nuk kanë fonde, ndërkohë që vetëm për tre minuta fishekzjarre të hedhura me rastin e çeljes së sezonit turistik, bashkia i ka paguar një firme nga Tirana rreth 19’000’000 lekë të vjetra, kurse për akomodimin e njerëzve të Albania Open i ka paguar një hoteli në Vlorë rreth 13’000’000 lekë të vjetra, pa përmendur këtu edhe fondin 6’000’000 lekë të vjetra për qendrën e trajtimit të qenve të rrugës. Pra, bashkia ka lekë për qentë por jo për njerëzit.

Vlora vazhdon të përmbytet. Edhe pse “Kryetari” deklaron me paditurinë e tij se ai i pastroi kanalet me “donatorë ujësjellësi”, dhe se Vlora nuk do të përmbytet më…! përmbytja e datës 10 Tetor 2015 e detyroi “Kryetarin” e ri të bashkisë që të “angazhohej” për pastrimin e kanaleve të qytetit, pa asnjë fond nga këshilli i bashkisë, nga emergjencat civile, pa asnjë projekt, pa asnjë grup pune. “Kryetari” angazhoi dy tre firma private, të njohur të tij, të cilëve u jepte naftën e institucioneve në varësi të bashkisë, mjeteve të tyre private për të pastruar kanalet e shtetit. Pas disa muajsh doli në tv lokale dhe deklaroi se kanalet u pastruan dhe Vlora nuk do të përmbytej më, por në datën 24 Prill 2016, vetëm 38 mm shi, sipas shërbimit meteorologjik, e mbytën përsëri Vlorën dhe dëmet ishin të konsiderueshme. Por nuk u mbyll me kaq, edhe në mesin e muajit Qershor 2016, Vlora u përmbyt përsëri. Sasia e rreshjeve të rëna gjatë dy ditëve, të diel e të hënë, nuk janë rreshje që normalisht shkaktojnë përmbytje. Atëherë përse vazhdon të përmbytet Vlora, kur është deklaruar me të madhe gjatë gjithë vitit të parë të mandatit të “Kryetarit” të bashkisë Dritan Leli se, Vlora nuk do të përmbytet më si më parë, pasi janë pastruar kanalet? A janë pastruar me të vërtetë kanalet e Vlorës? Ku shkuan dhe për çfarë shërbyen fondet për pastrimin e kanaleve, kur Vlora përmbytet me 30-40 mm shi?

Rruga elektorale e “Lumit të Vlorës”. Fillimisht kryeministri Rama e prezantoi projektin e ndërtimit të rrugës së “Lumit të Vlorës” në teatër, ashtu siç veproi me projektin e “Lungomare”, por në terren ai projekt u zbatua shumë pak. Ditë më vonë, në bashkinë e qytetit “Kryetari” ka pritur një delegacion të Fondit Kuvajtjan të Zhvillimit Arab të Ekonomisë. Sipas kryetarit, ndërtimi i rrugës nuk ishte më “një ëndërr”, ndërkohë që bëri të ditur se “Në fazën e parë, me një fond prej 41 milionë USD, do të ndërtohet aksi Vlorë-Kuç-Qeparo. Shumë shpejt, së bashku do të jemi në përurimin e fillimit të punimeve dhe pas kësaj, ëndrra shumëvjeçare do të jetë një realitet, një realitet i bukur për ne të gjithë”. “Kryetari” nuk ka qënë në gjëndje të thotë një datë të saktë të inagurimit të fillimit të punimeve, pasi kjo nuk është në kompetencë të tij, por të kryeministrit Rama. Ashtu si edhe disa investime të tjera të cilat janë përllogaritur të fillojnë apo të përurohen me fillimin e fushatës elektorale 2017, duket se edhe rruga e “Lumit të Vlorës” do të jetë në kuadër të prerjes së shiritit për efekt elektoral.

Prishjet në rrugën “Transballkanike”, pa project. Kur ndërtohet edhe prishet. Kur ndërtohet për qëllime publike mund të ndodhë të prishen edhe banesa e ndërtime të tjera me leje, për të tilla investime përgatiten projekte dhe planifikohen fonde. Kështu duhet të ndodhte dhe me rrugën “Transballkanike”, por në të vërtetë nuk po ndodh kështu. Aty filluan dhe mbaruan prishjet, prishjet e shumë ndërtesave në të dy anët e rrugës, prishjet këto pa një projekt. Por bashkë me mungesën e projektit qeveria ka dhe mungesë fondesh për dëmshpërblimin e këtyre prishjeve. Shumë familje kanë mbetur pa shtëpi dhe nuk kanë se ku të kërkojnë drejtësi, pasi nuk kanë marrë asgjë për ndërtimin e prishur, edhe pse me leje. Prishjet u kryen për të ndërtuar trotuaret, por në të vërtetë aty po ndërtohen trotuaret më të çuditshëm në botë, shkel e shko, pa asnjë projekt zbatimi.

Ndërkohë, e gjithë hapësira e lënë për trotuar është e madhe sa mund të ndërtohen shumë pallate, dhe mesa duket ky duket se është qëllimi i vërtetë i prishjeve në “Transballkanike”, për të hapur sheshe ndërtimi për pallate, një zakon i vjetër e i dashur për Ramën.

Kryetari fluturues. Që nga 31 Korriku 2015 kur vendosi shiritin e “Kryetarit” është larguar jashtë shtetit për më shumë se tre muaj të mbledhura të gjitha ditët së bashku. Ka shkuar në Itali, Itali, Itali, Kinë, Itali, Amerikë, Itali, Izrael, Itali, Holandë, Itali, Itali, Itali … dhe nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar se çfarë ka përfituar qyteti i Vlorës nga të gjitha këto vizita të tij në këto shtete.

Ikën me ditë të tëra dhe nuk thotë asgjë.

Ikën dhe kur miratohet Buxheti i Bashkisë për Vitin 2016 dhe nuk thotë asgjë.

Ikën dhe nga salla e mbledhjeve të këshillit të bashkisë kur këshilltarët e djathtë që janë qytetarë të Vlorës, prezantojnë problemet e qytetit dhe përsëri nuk thotë asgjë.

Ikën edhe kur në këshill e kërkojnë për të diskutuar për prishjet që po ndodhin në ditët e sezonit të verës, duke lënë gërmadha ndërtimesh të prishura përgjatë bregdetit, vetem pak metra nga buza e deti.

Ndërkohë që i ikën debatit, problemeve që ka qyteti, që ikën nga vetë qyteti, nxiton të dalë para kamerave i kuruar si di ai vetë, duke shkulur palma e mbjellë rrepe që ia kanë dhënë me detyrim për t’i mbjellë në Vlorë.

Kjo është një “pasqyrë” e qytetit tonë, është një e vërtetë që vlonjatët i mundon çdo ditë. … Po aq i vërtetë është edhe fakti që këtë gjëndje ne, të gjithë bashkë, mund ta ndryshojmë.

Vlorë, Ne e kemi treguar përherë se mund t’ia dalim mbanë vetëm “të gjithë bashkë për një qëllim”…

Vlorë, mos rri duar kryq!‎

*Inxhinier, kandidat i PD në zgjedhjet për kryetar bashkie- 2015.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Moratoriumi për Dramën Shqipe

Nga Stefan Çapaliku Pas Moratoriumit të skafeve, të gjuetisë apo të pyjeve,...
Read More