Vjedhja në ish-bllok/Drejtori i bankës dhe shefi i sigurisë nuk e kuptuan vjedhjen, alarmi ra tre herë

grabitja-2

Drejtori i filialit të BKT-së  i cili u vodh mbrëmjen e 6 gushtit ka deklaruar se alarmi i bankës ka rënë tre herë dhe ai ka kryer verifikime bashkë me shefin e sigurisë, por nuk ka konstatuar vjedhjen. Në një rast alarmi është injoruar me pretendimin se kishte patur disa raste kur alarmi ishte i rremë.

Drejtori i filialit të vjedhur të Bankës Kombëtare Tregtare dhe shefi i sigurisë ishin njoftuar disa herë në telefonat e tyre celularë nga sistemi i alarmit të bankës, por ata nuk kanë mundur të konstatojnë vjedhjen. Edhe pse muri i bankës është hapur në datën 6 gusht, vjedhja e 190 milionë lekëve është mësuar vetëm ditën e hënë, kur punonjësit e bankës kanë shkuar në punë. Drejtori i filialit që u arrestua me urdhër të prokurorisë dhe më pas u la i lirë nga gjykata ka deklaruar se ishte sinjalizuar disa herë nga alarmi i bankës dhe kishte kryer verifikimet në godinë bashkë me shefin e sigurisë, por nuk kishin venë re asgjë të pazakontë. Në një rast ai thotë se e ka injoruar alarmin e bankës pasi kishte patur shumë raste kur alarmi ishte i rremë. Mapo ka siguruar dëshminë e drejtorit të filialit të vjedhur Luigj Gjonaj, i cili ka shpjeguar të gjitha veprimet e kryera pas sinjalizimit nga alarmi i bankës. Por prokuroria e akuzon atë për neglizhencë dhe mosveprime, çka si pasojë ka sjellë vjedhjen e shumës së konsiderueshme të parave. Ai thotë se drejton filialin e kësaj banke që prej vitit 2008, ndërsa sqaron se në datën 5 gusht rreth orës 20:00 në telefonin e tij ka rënë sinjali i alarmit të bankës. Menjëherë ai ka shkuar në banesë, ku pasi është ndërruar është nisur në drejtim të bankës për të parë çfarë kishte ndodhur. Gjatë rrugës për në bankë ai është njoftuar nga Drejtoresha e Operacioneve te BKT, M.Ç me telefon celular,  se edhe ajo kishte marrë njoftim për alarmin e rënë te banka. Shtetasi Luigj Gjonaj i ka thënë M.Ç se do të shkoj ai që të verifikojë alarmin e rëne te banka, po kështu atë e ka telefonuar dhe shefi i sigurisë së brendshme Florian Skarra, i cili e ka njoftuar për sinjalin. Drejtori ka telefonuar edhe punonjësin e sigurimit në drejtorinë e përgjithshme të BKT, i cili e ka sqaruar për rënien e alarmit. Punonjësi i sigurisë i ka thënë se nga pamjet e kamerave nuk vërehej prekje e objektit në përgjithësi apo e kasafortës në veçanti. Më tej drejtori i filialit të vjedhur ka sqaruar se në telefonin e tij celular ka rënë sërish alarmi i bankës në orën 05:00 të mëngjesit të datës 6 gusht, kohë që sipas prokurorisë dyshohet se ka ndodhur vjedhja. Por ky alarm është injoruar nga drejtori me argumentin se kishte patur shpesh herë sinjale të rreme. “Ai e ka mbyllur alarmin duke mos i venë rëndësi dhe të nesërmen ka marrë në telefon shefin e sigurisë së brendshme Florjan Skarra dhe e ka njoftuar atë për këtë sinjal të natës dhe të dy së bashku, rreth orës 10:00 të datës 6.8.2016 kanë shkuar te filiali i bankës. Ata kanë hapur derën e bankës dhe shefi i sigurisë Florjan Skarra ka shkuar në bodrumin e bankës ku ndodhet dhe dhoma e kasafortës dhe nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi”, thotë prokuroria referuar dëshmisë së drejtorit. Pas kontrollit Luigj Gjoni tregon se po atë ditë rreth orës 11:00 ka shkuar për një vizitë familjare në qytetin e Lezhës dhe më pas është nisur në drejtim të Kosovës, ku ka qëndruar deri në orën 24:00. Sapo ka hyrë në territorin shqiptar pas kthimit nga Kosova ka marrë mesazhe të shumta në telefonin e tij. Ndërsa shefi i sigurisë së brendshme të bankës Florjan Skarra ka sqaruar se alarmi i parë ka rënë në orën 20:00 të së premtes dhe për këtë ka folur me drejtorin e filialit, i cili i ka thënë se do të shkonte ai për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe më pas atë natë nuk kishte folur me drejtorin. Të nesërmen rreth orës 05:00, kishte renë alarmi sërish, por shefi i sigurisë thotë se nuk e kishte dëgjuar. Këtë gjë ai e ka mësuar nga drejtori rreth orës 09:00, i cili i ka telefonuar dhe i ka thënë të shkojnë te banka për të verifikuar se çfarë kishte ndodhur gjatë natës. Sipas prokurorisë, nga këqyrja e kamerave të sigurisë së bankës konstatohet se drejtori, shtetasi Luigj Gjonaj dhe shefi i sigurisë Forian Skarra, me anë të mosveprimit të tyre kanë shpërdoruar detyrën pasi pavarësisht se kanë marrë sinjale alarmi nga sensorë të ndryshëm, nuk kanë kryer si duhet detyrën, neglizhencë e cila ka sjellë si pasojë vjedhjen e 190 milionë lekëve.

 

Prokuroria: Ja si ndodhi vjedhja e bankës tek ish-blloku

Policia është vënë në dijeni të kësaj vjedhjeje mëngjesin e datës 8 gusht, kur janë njoftuar oficerët e policisë gjyqësore. Nga veprimet hetimore është konstatuar se persona të paidentifikuar duke hapur një vrimë në murin që ndan bankën me një ambient tjetër privat dikur PUB, kanë hyrë në ambientin e brendshëm të bankës dhe më pas kanë hapur një vrimë tjetër në murin prej betoni të kasafortës së bankës. Njëri prej autorëve ka hyrë brenda ambienteve të dhomës kasafortë të bankës dhe ka marrë nëpër raftet metalike shumën e rreth 190 milionë lekëve të vjetër. Më pas autorët janë larguar nëpërmjet dy të çarave, të cilat ishin hapur më parë. Veprimet e autorëve janë në datat 5 dhe 6 të muajit gusht. Bazuar në kontrollin e ambientit rrethues të bankës rezulton se autorët fillimisht kanë ndërruar fishekun e derës së ish-PUB-it dhe që aty kanë hyrë brenda. Fillimisht kanë shkuar dhe kanë vepruar në faqen e një muri dhe më pas, pasi kanë hasur në beton e kanë lënë atë dhe kanë shkuar në faqen e murit prej tulle, ku kanë hapur një të çarë ku mund të hynte lirshëm trupi i njeriut. Pasi kanë hyrë në ambientin e brendshëm të bankës, ku ishte dhe dhoma kasafortë, kanë vepruar me mjete pune (çekiç, daltë, kriko) te muri prej betoni i dhomës kasafortë. Veprimin përfundimtar ata e kanë kryer më datën 06.08.2016, ku kanë hyrë në orën 23:13 min dhe kanë dalë në orën 23:19. Në ambientin e PUB-it janë gjetur sende që dyshohet se u përkasin autorëve, si: leva hekuri, kriko automjeti, pllaka metalike, tuba metalike. Banka ka sistem kamerash dhe dhoma kasafortë ka sistem sensorësh. Nga goditjet që kanë bërë autorët të premten dhe të shtunën natën (5 dhe 6 gusht) sensorët kanë aktivizuar alarmin, i cili ka rënë te telefoni i drejtorit të bankës, shefi i sigurisë së bankës, tek ruajtja e sigurisë së bankës. Ditën e premte datë 05.08.2016 pas marrjes së sinjalit është paraqitur në bankë drejtori shtetasi Luigj Gjonaj dhe pasi nuk ka konstatuar gjë është larguar. Ky sinjal ka rënë dhe një herë tjetër. Ditën e shtunë ka rënë sinjali i sensorit të kasafortës. Ka ardhur aty drejtori i bankës Luigj Gjonaj dhe shefi i sigurisë së kësaj banke Florjan Skarra dhe kjo dallohet dhe në pamjet filmike, por nuk kanë konstatuar gjë. Për këtë arsye prokuroria urdhëroi arrestimin e drejtorit të filialit të bankës dhe shefit të sigurisë së saj, por gjykata vendosi të lirojë drejtorin. Ajo mbajti në qeli vetëm shefin e sigurisë, i cili sipas gjykatës është personi që duhet të verifikonte imtësisht gjendjen e bankës pas rënies së alarmit. Kur kanë kaluar dy javë nga vjedhja e kësaj banke, policia dhe prokuroria nuk kanë ende asnjë autor të dyshuar për ngjarjen.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Çmimi “Kadare”: Shkëlqim Çela shpallet fitues i edicionit të dytë

Mes shtatë pretendentëve për Çmimin letrar të prozës shqipe, konkurruan autorë si...
Read More