Vizita e Kotzias: Greqia dhe Shqipëria mbeten në ‘luftë’

Protesta e CameveTakimi Bushati-Kotzias nuk ka sjellë asgjë pozitive, sa i përket çështjes çame dhe ligjit të luftës. Ministri grek bën një analizë të popullsisë çame, një pjesë të së cilës ai e thekson se u bë me gjermanët kundër popullsisë greke

Nuk ka sjellë asgjë pozitive vizita e ministrit grek në Tiranë, Nikolas Kotzias, sa i përket zgjidhjes së çështjeve që mbeten pezull në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, siç është çështja çame, çështja e ligjit të luftës apo edhe çështja e kufirit detar. Përveç një plani pune mbi të cilin do të ecin negociatat për kufirin detar, në fund të takimit Bushati-Kotzias, Greqia dhe Shqipëria mbetën po aq të ndara në pretendimet e tyre për të gjitha çështjet e mësipërme. Kështu, ligji i luftës do të mbetet në fuqi pasi Greqia siguron se mes dy vendeve s’ka luftë, aq më shumë kur janë pjesë e NATO-s. Gjithashtu, edhe fati i çamëve dhe pronave të tyre në Greqi mbetet i njëjtë ashtu si deri më tani, megjithëse për herë të parë, Greqia pranon se ekziston një popullsi çame, por duke bërë një ndarje të saj në tri kategori, në një pjesë e cila jeton në Shqipëri, një pjesë e saj që janë popullsi ortodokse e konvertuar në myslimane dhe që sot janë shtetas grek dhe një pjesë tjetër, që sipas ministrit grek ka qenë bashkëpunëtore e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore dhe që në bazë të legjislacionit grek dhe atij ndërkombëtar, është ndëshkuar.

Takimi

Protesta e shoqatës “Çamëria” ka detyruar ministrin e Jashtëm grek, Nikolas Kotzias dhe delegacionin që e shoqëronte, që të hyjë në Ministrinë e Jashtme nga një hyrje e dytë. Por gjithsesi, numri i madh i protestuesve çamë dhe mbajtja prej tyre e një fotografie të gjyshit të Kotzias përkrah ushtarëve nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk e ka prishur aspak humorin e ministrit grek, i cili, teksa ka hyrë në ambientet e Ministrisë, ka gjetur kohën që edhe t’i fotografojë me celular protestuesit. Në këtë frymë dhe sipas një axhende të përcaktuar paraprakisht, dy ministrat kanë zhvilluar një takim zyrtar dypalësh, ku dhe mësohet se janë diskutuar çështjet që kërkojnë zgjidhje mes dy vendeve tona. Më pas, të dy ministrat kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku përpjekjet e ministrit Bushati për ta zhdramatizuar situatën nëpërmjet buzëqeshjes, nuk kanë sjellë asnjë rezultat në bindjen e homologut grek në trajtimin e çështjes së çamëve dhe atë të ligjit të luftës.

Çështja çame

Kështu, lidhur me çështjen çame, pyetjes së gazetarëve, dy ministrat i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme. Për Bushatin, është çështje e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërsa për Greqinë, një çështje që është trajtuar në bazë të ligjeve të kohës dhe që ka të bëjë me një grupim njerëzish, mes të cilëve edhe bashkëpunëtorë të nazistëve. “Është e ditur se kemi një grup shumë të madh çamësh, që janë shqiptarë dhe jetojnë në Shqipëri. Dhe për këtë gjë, unë uroj që ky grup të ketë perspektivë dhe të kenë dhe ata fitimet nga integrimi i Shqipërisë në BE. Janë disa çamë të vjetër, të krishterë të myslimanizuar të 1911-s, të cilët sot janë qytetarë grekë, shtetas grekë. Ekzistojnë edhe disa çamë, të cilët bashkëpunuan me pushtuesin gjerman dhe kishin bërë pikërisht ato komisionet e kontrollit dhe të zhvatjes së pasurive të popullsisë tjetër që mbetej në zonat e Epirit, të cilët u dënuan nga gjykatat greke në bazë të ligjit grek dhe të ligjeve ndërkombëtare. Duhet te kemi kujdes kur flasim për çamet se nuk kemi të bëjmë me Shqipërinë”, deklaroi Kotzia. Ndërsa Bushati ka sqaruar se Shqipëria kur flet për çështjen çame nuk ka parasysh pretendime territoriale ndaj Greqisë, por vetëm respektim të të drejtave të njeriut për popullsinë çame. “E kam të vështirë të kuptoj lidhjen ndërmjet zgjidhjes së një çështjeje që diktohet në gjykimin tonë nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut me procesin e integrimit të Shqipërisë”, -tha Bushati.

Ligji i luftës

Sa i përket ligjit të luftës, Greqia nuk sheh arsye për ta shfuqizuar për sa kohë sipas saj ai s’ka asnjë efekt për vetë faktin se mes dy vendeve tona nuk ka luftë dhe se ato nuk ndihen të kërcënuara nga një gjë të tillë. “Greqia beson se me deklaratën e ’87, ne nuk jemi në luftë, gjithashtu marrëveshja e miqësisë në ‘96 dhe kjo është e vërtetë. Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe perspektiva për BE na bëjnë më optimistë, nëse ekzistojnë dyshime, kjo do të përbëjë një objekt diskutimi në të ardhmen mes vendeve” -tha Kotzias në fjalën e tij, duke shmangur pikërisht faktin se ekzistenca e këtij ligji mban në sekuestro pronat e çamëve në Greqi. Ndërkohë që ministri Bushati ka sqaruar se si për këtë çështje, ashtu edhe për problemet e tjera, palët kanë rënë dakord që të miratojnë një plan veprimi, i cili përcakton hapat se si do të bisedohet. “Personalisht, krahasoj propozimet e Kotzias me të miat dhe ka shumë gjëra të përbashkëta, për të cilat mund të biem dakord. Krahas mekanizmit, kemi rënë dakord edhe për një hartë rruge, sepse gama e çështjeve është e rëndësishme të dakordësohet në mënyra” -tha Bushati.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Të gjithë të gatshëm të përballen me organet e drejtësisë”!

Të gjithë të akuzuar! Dhe të gjithë trima! Qofshin të pandehur për...
Read More