“Vetëpërmirësim” është koncept i regjimit të shkuar

Nga Ervis Iljazaj

Kryesia e Partisë Socialiste zhvilloi dje mbledhjen më të gjatë ndoshta të kohëve të fundit. Shenjë e qartë se diçka nuk po shkon siç duhet brenda kampit të mazhorancës dhe qeverisë, dhe padyshim që kreu i saj Edi Rama e di fare mirë këtë, si matës i mirë i perceptimit të opinionit publik.

Si pasojë e protestave apo denoncimeve të shumta që po vijnë në adresë të shumë prej ministrave, ndryshimet në qeveri janë kthyer tashmë në një lëvizje të detyruar të Kryeministrit, për t’i dhënë një start të ri raportit midis qeverisë dhe opinionit publik. Se sa do t’ia arrijë kjo mbetet për t’u parë. Por, nuk mund të linte pa e kthyer edhe këtë moment të vështirë në një minifushatë politike, duke dhënë imazhin e një Kryeministri që reflekton apo që përmirësohet. Madje shkoi edhe përtej kësaj. Për mediat u shpreh se,  “për shkak se vendi është pa opozitë, mazhoranca është e detyruar të vetëpërmirësohet”.

Duke dhënë dy mesazhe me një fjali të vetme. Atë të një qeverie që vetëpërmirësohet dhe të një opozite të dobët.

Përtej këtij debati, gabimi qëndron pikërisht te fjala “vetëpërmirësim”. Ky është një koncept i regjimit të shkuar, pasi në atë regjim nuk ekzistonte opozita dhe pluralizmi politik. Madje, i vetmi mekanizëm për të korrigjuar gabimet ishte autokritika. Edhe për faktin se, nuk ekzistonte asnjë strukturë apo individ që mund të kritikonte punën e partisë.

Mirëpo, Shqipëria mirë apo keq, tashmë ka një pluralizëm politik. Dhe, ndaj punës së qeverisë vijnë kritika nga shumë aktorë apo faktorë, madje edhe nga opozita që për Kryeministrin nuk ekziston. Prandaj, termi i duhur në këto raste është përgjegjësia. Demokracia pranon vetëm këtë koncept dhe jo vetëpërmirësimin.

Dhe, të gjitha ndryshimet që mund të vijnë nga qeveria, janë vetëm si pasojë e përgjegjësisë. Sepse, në një demokraci qeveria maksimumi mund të përmirësohet, dhe jo të vetëpërmirësohet. Një proces që vjen si pasojë e instrumenteve që ekzistojnë në një demokraci, dhe që detyrojnë qeverinë të ndryshojë. Instrumente si media, shoqëria civile, studentët apo opozita.

Nuk ndodh asnjëherë, që një qeveri të vetëpërmirësohet si pasojë e vullnetit të saj, por të përmirësohet nga ndikimi i garës që ekziston në një demokraci. Garës politike, të ideve apo edhe të presioneve të ndryshme.

Për fat, edhe në Shqipëri ekzistojnë ende mekanizma, me gjithë problemet që ajo ka.

Për të gjitha këto arsye, qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha aksionet e saj, dhe të reagojë duke u përmirësuar.

Dhe nëse e bën, mirë se të vijë. Por, nuk vjen si pasojë e një autokritike, por si pasojë e mekanizmave që demokracia ka në dispozicionin e saj.

Përgjegjësi e cila, duke qenë se Partia Socialiste gjendet e vetme në pushtet, është e plotë dhe e qartë. Një nga elementet pozitive të qeverisjes nga një parti e vetme, është pikërisht fakti se llogaridhënia dhe përgjegjësia është e qartë. Ndryshe nga qeveritë e koalicioneve, ku shpeshherë gjenden alibi për të mos dhënë llogari për qeverisjen. Jo më këto, dy nga vendet më demokratike në botë Britania dhe SHBA, janë të tilla për faktin se kanë patur një sistem partiak dypartiak. Një sistem që ndoshta duhet të shkojë edhe vendi ynë. Megjithatë, ky është një debat tjetër, dhe që kërkon ndoshta një kohë tjetër politike dhe instrumente që aktorët e sotëm nuk janë ende gati t’i aplikojnë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rama i përgjigjet Bashës: Unë dua të vërtetën, ti do karrigen

Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale pasi kreu i opozitës, Lulzim...
Read More