Vera e Ilir Metës: ‘gusht e gunë’ apo përgatitje për 1 prillin tjetër?

Alfred LelaNga Alfred Lela

11 gushti do të jetë ‘shpresa e fundit’ e qarqeve mediatike dhe politike për të hetuar një plasaritje të re në atë që është konturuar si çarje ndërkohë, të paktën që prej dy javësh. Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, ka folur vetë që nga Amerika për ‘prishës të konsensusit’ dhe, pa shumë dyshime, bëhej fjalë për partnerin/armik, kryeministrin Edi Rama.

Kolegu Artur Zheji ka pasë formuluar në faqet e kësaj gazete, në një prej editorialeve, njëfarë parabole për shefin e LSI, sipas së cilës ‘Ilir Meta i di mirë punët e veta’. Duke ditur se edhe Zheji di diçka nga punët e Metës, komentariatit tjetër jashtë Zhejit, i cili është shpesh edhe spin doctor-i i partive apo liderëve politikë, (a nuk ishin traktatet e Makiavelit thirrje për Princin që të merrte pikërisht atë në punë?) i mbetet t’i nxjerrë punët vetes dhe publikut me parashikime apo interpretime.

Po cilat janë ‘punët e Metës’ që ai ‘i di vetë’, por që duken nga jashtë edhe për ne të tjerët?

Së pari, ndër ato që di është fakti që, në përmbyllje, gara për Reformën e Drejtësisë nuk e nxori humbës. Përkundër të gjitha parashikimeve, ndoshta edhe të fërkimduarve, (ndoshta edhe të autorit të këtyre radhëve). Meta e gjeti veten të ftuar në Konventën e Demokratëve Amerikanë të Klintonit dhe Kerrit, bashkë me shefin e opozitës Basha dhe Pandeli Majkon, ish-kryeministër socialist dhe vërsnik moshor e politik.

Mungesa e kryeministrit Rama, sigurisht, nuk lidhej me asnjë ‘hatërmbetje’ amerikane ndaj tij, por thjesht me vendimin e spin doctor-ëve të Clinton-it për të larguar çdo re gri që do stononte me blunë e thellë të konventës së demokratëve në Filadelfia. Ka ende një hetim dhe një zhurmë mediatike rreth 80 mijë dollarëve dhe transferimit të pandehur si të paligjshëm në fushatën e Obamës, ku janë përfshirë dy amerikanë, njëri me origjinë shqiptare e tjetri greke. Lidhja politike qëndron te dyshimi se paratë janë përdorur për të paguar një foto (op) të Edi Ramës me Barak Obamën.

Së dyti, Metës i duhet të gjejë një fabul për largimin nga koalicioni; nëse e ka ndërmend një gjë të tillë. Më e sigurta do të ishte një ‘kërcënim’ që i vjen nga partneri i madh i koalicionit. Kalimi në anën tjetër pa një casus beli, pra kthimi te PD, do të ngjajë si një kthim te Berisha. Nëse fabula ikëse në prill 2013 ishte bashkimi i familjes së majtë, kjo patericë ideologjike nuk mban as lëndimet më të lehta kur bëhet fjalë për kalimin në anën tjetër të spektrit. Kryeministri Rama nuk duket i vendosur për t’i dhënë luftë dhe pa të Meta nuk mund të dalë nga koalicioni, kur i thonë, për ‘mustaqet e Çelos’. Sindromi ‘shtyje ta shtyjmë’ i rrezikon të dyja palët, megjithatë. Nëse ata shkojnë deri në fund të mandatit me këtë (a)logjikë, dalja në zgjedhjet e reja së bashku do të rrezatonte dobësi dhe çarje, të cilat do të pasqyroheshin në elektorat. (Ky do të ishte një nga ato rastet kur bashkimi nuk e bën fuqinë).

Së treti, kryetari i LSI është në nevojën e një katharsisi, bash si ai që ish-kryetari socialist Nano përpunoi kundër tij në vitin 2003. Me katharsis nuk kuptohet një lëvizje brenda partisë së vet, por në shtratin e gjerë politik, apo më saktë një spastrim i vetes. Sigurisht, mbetet një bast i hapur pyetja ‘a ndërton besim apo reaksion lëvizja e Metës dhe LSI në drejtim të erës së pushtetit çdo katër vjet, sa nga një krah në tjetrin, pa ndonjë parim të ngulitur?’, dhe këtu më gjasë mund të fillonte ‘spastrimi i vetes’. Meta zgjedh të dalë më vete në zgjedhjet e radhës për të provuar kësisoj peshën reale politike.

Shumë nuk do t’ia këshillojnë këtë duke marrë parasysh matjet elektorale të zgjedhjeve 2009 e 2013. Më vete LSI prodhoi 4 deputetë (me ndihmën e Berishës, i cili i ruajti votat Dritan Priftit në Fier) ndërsa në 2013, katër herë më shumë, duke prodhuar një paradoks elektoral: partia që konsiderohej si pjesa më vulnerabël e koalicionit të vjetër u katërfishua, ndërkohë që partneri i saj u përgjysmua.

Përllogaritja e katërt përfshin jo katarsisin por ndotjen, domethënë të qëndruarit me socialistët deri në fund dhe shpalljen e mëvetësisë diku në pranverën e vitit që vjen. Me këtë matematikë, Meta fillon fushatën e nëndheshme duke përfituar ndërkohë nga dobësimi i PS, e cila me gjasë, moslargimin e tij do ta lexojë si dobësi apo frikë nga të papriturat në detin politik ku nuk duket fari i përfitimeve të pushtetit.

Ndër këto kohë politike gjendet momentumi që kërkon të kapë Meta. Duke qenë se bëhet fjalë për momentum, pushteti atij i duhet të përllogarisë edhe forcën, dobësinë, dëshirat apo përllogaritjet e partnerit të ri të mundshëm, tani, në pranverë apo në vjeshtën e vitit të ardhshëm: Lulzim Bashën. Në PD janë gati për të, por a është gati Meta për PD-në? Në punët që ai i di vetë, qejfi i kësaj dijenie është e vetmja gjë e sigurt.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Studentja që lufton xhihadistët e ISIS: Vriten lehtësisht!

Një vajzë e re, e cila braktisi studimet dhe udhëtoi drejt Sirisë...
Read More