Vaksina kundër alergjive, kur duhet bërë dhe problemet që trajton

Gjustina Loloçi, doktoresha alergologe në një intervistë për “Mapo” shpjegon se: Periudha e fillimit të trajtimit të alergjive varet nga alergeni që pacienti është i ndjeshëm

Lotim, kruarje dhe skuqje sysh, lodhje, teshtitje, irritim të lëkurës, stres dhe shumë herë deri në pamundësi për t’u mbushur me frymë. Përballë këtyre shqetësimeve shumëkush bëhet merak për problemet që po shfaqen në trupin e tij, ndërsa disa të tjerë edhe mund ta nënvleftësojnë për gjendje gripale. Por me ardhjen e pranverës, jemi pikërisht në stinën e alergjive ku me ndërrimin e stinëve, luhatja e shpeshtë e temperaturave, pluhurat ambientalë dhe polenet nxisin akoma më shumë alergjitë dhe problemet në rrugët e frymëmarrjes. Gjustina Loloçi, doktoresha alergologe në një intervistë për “Mapo” shpjegon nëse një person vuan nga këto shenja duhet të paraqitet për vizitë mjekësore te mjeku alergolog, ku nëpërmjet testeve dhe analizave përkatëse të përcaktohet lloji i alergenit prej të cilit është i ndjeshëm. Alergologia Loloçi thotë se trajtimet kundër sëmundjeve alergjike janë të dy formave; ato medikamentoze dhe Imunoterapia Alergen Specifike, pra vaksina. Sikurse shpjegon doktoresha vaksina antialergji bëhet pasi kryhen testet alergjike dhe përcaktohet alergeni i cili shkakton alergjinë. Vaksinimi nis në periudhat pas mbarimit të sezonit të polenizimit ose para sezonit të polenizimit dhe ka një kohëzgjatje prej 3-5 vjetësh. Doktoresha alergologe Gjustina Loloçi shpjegon se ky trajtim konsiston në kryerjen e injeksioneve të njëpasnjëshme apo marrjen me pika nga goja të vet alergjenit, në mënyrë që të behet desensibilizimi apo ulja e ndjeshmërisë ndaj këtij alergeni.

Çfarë është alergjia?

Alergjia është një reagim jo normal i sistemit imunitar të një organizmi pas kontaktit me një substancë të huaj, ndaj të cilës ky organizëm është i ndjeshëm. Kjo substancë presupozohet të jetë e padëmshme por sistemi imun i këtij organizmi ka një ndjeshmëri të rritur ndaj saj, për këtë arsye ndodh edhe reagimi i tepruar që përkthehet në simptoma të ndryshme; duke filluar nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes deri në ato të poshtmet. Këto substanca quhen alergene.

Cilat janë shkaqet e shfaqjes së ndjeshmërisë nga një alergen dhe si pasojë edhe të alergjisë?

Një nga shkaqet e shfaqjes së sëmundjeve alergjike është predispozita gjenetike e personit. Gjithashtu, faktorët ambientalë si ata klimaterikë, ndotja e ajrit ndikojnë në shfaqjen e sëmundjeve alergjike.

Cilët janë alergenët që shkaktojnë alergji?

Alergenet klasifikohen në disa grupe:

–           Alergene ajrore që hyjnë në organizëm nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes;

–           Alergene ushqimore;

–           Alergen mund të jetë edhe një medikament i marrë për trajtimin e një sëmundjeje të caktuar;

–           Helmi i pickimit të insekteve si bleta, grerëza;

–           Materiale të ndryshme që kemi kontakt nëpërmjet lëkurës (metale, përbërësit e kremrave etj).

Çfarë është alergjia sezonale dhe ajo gjithëvjetore?

Alergjia sezonale dhe gjithëvjetore shkaktohet nga alergenet ajrore. Alergenet ajrore ndahen në disa grupe:

Së pari, pluhurat e shtëpisë apo akarienet të cilat janë mikroorganizma që nuk shihen me sy të lirë dhe jetojnë në ambientet e brendshme të shtëpisë si në dyshek, tapetë, rroba etj.

Së dyti, polenet të cilat janë tre grupe: polenet e barërave të shkurtra, të shkurreve dhe të pemëve.

Së treti, epiteli i kafshëve që ato lëshojnë në ambient.

Së katërti, myket e ambientit të brendshëm dhe të jashtëm.

Në varësi të kohës që alergeni shkaktar është i pranishëm në ajër bëhet edhe klasifikimi i alergjisë në sezonale dhe gjithëvjetore. Personat që janë të ndjeshëm nga polenet kanë një alergji sezonale sepse polenet janë në ajër vetëm në sezonin e pranverës dhe verës për një grup të tyre. Ndërsa personat që kanë ndjeshmëri ndaj pluhurave të shtëpisë ose akarieneve, epitelit të kafshëve dhe mykrave vuajnë nga alergjia gjithëvjetore sepse këto alergene janë të pranishëm në ajër gjatë gjithë vitit.

Cilat janë sëmundjet alergjike të shkaktuara nga alergenët ajrore dhe cilat janë shenjat e tyre?

Simptomat e alergjisë janë nga më të ndryshmet. Pacientë të ndryshëm kanë shfaqje të ndryshme. Disa pacientë kanë Konjuktivit Alergjik me prekje të syve: lotim, kruarje dhe skuqje sysh. Disa të tjerë Rinit Alergjik me bllokim hundësh, rrjedhje të ujshme të hundëve, kruarje dhe skuqje të hundës. Shfaqje të tjera janë me kruarje fyti, kruarje qiellze, ndjesi presioni te veshët, kollë të thatë laringeale. Prekja e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes jep simptoma si vështirësi në frymëmarrje, kollë dhe zhurma në kraharor, shqetësime të cilat tregojnë fillimin e një Asthma Bronkiale.

Çfarë udhëzimesh duhet të ndjekë një person që ka shqetësime në rrugët e frymëmarrjes për të vërtetuar nëse është alergji?

Një person që vuan nga shenjat e mësipërme duhet të paraqitet tek mjeku alergolog i cili vendos të kryejë ekzaminimin përkatës për të përcaktuar llojin e alergenit prej të cilit pacienti është i ndjeshëm.

Kush janë masat që mund të marrin këta persona në jetën e përditshme për të evituar shqetësimet?

Pas përcaktimit të alergenit shkaktar hapi i parë është edukimi i pacientit mbi mënyrat e evitimit të tij. Nëse ky alergen është poleni, duhet evituar dalja në ambiente me bimësi të shumtë, dalja në orët e para të mëngjesit kur polenet janë në përqendrim të rritur në ajër, në ditët me erë kur poleni shpërndahet ngado. Gjithashtu këta pacientë duhet të mbajnë dritaret e mbyllura që poleni të mos hyjë në shtëpi. Sapo të hyjnë në shtëpi duhet të pastrohen që mos transmetojnë polenet edhe në ambientin e brendshëm.

Nëse alergeni shkaktar i shqetësimeve është pluhuri i shtëpisë atëherë shtëpia duhet të ketë sa më pak tapetë apo mbulesa të cilat përbëjnë një vend për të jetuar akarienet, duhet bërë pastrimi i thellë i shtëpisë dhe i ajrit. Gjithashtu duhen përdorur mbulesa antiakarien për dyshekun pasi ai është vendi ku pozicionohen më shumë akarienet. Në rastet e një ndjeshmërie ndaj epitelit të kafshëve duhet evituar kontakti me kafshën përkatëse. Nëse personat janë të ndjeshëm ndaj sporeve të mykrave duhet të evitojnë jetesën në ambient me lagështi. Por me gjithë përpjekjet për t’i evituar këto alergene është e pamundur evitimi totalisht i tyre, pacienti alergjik duhet të trajtohet për simptomat e shfaqura.

Cilat janë trajtimet kundër alergjisë?

Trajtimet kundër sëmundjeve alergjike janë të dy formave ato medikamentoze dhe Imunoterapia Alergen Specifike (vaksina).

Trajtimet medikamentoze përfshijnë disa grupe që janë antihistaminikët, pompat nazale me kortizonikë, antileukotrienet kur pacienti shfaq problem në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, ndërsa kur shqetësimet janë në rrugët e poshtme të frymëmarrjes përdoren antihistaminike, kortizonike orale, venoze apo inhalatorë, antileukotriene, bronkodilatore etj.

Trajtimi me Imunoterapi Alergen Specifike (vaksina) është trajtimi kundër shkaktarit të alergjisë, kundër ndjeshmërisë ndaj alergenit që pacienti ka rezultuar pozitiv pas bërjes së testit të alergjisë. Ky trajtim konsiston në kryerjen e injeksioneve të njëpasnjëshme apo marrjen me pika nga goja të vet alergjenit, në mënyrë që të behet desensibilizimi apo ulja e ndjeshmërisë ndaj këtij alergeni.

Sa forma të vaksinave antialergjike ekzistojnë?

Vaksinat janë të dy formave në varësi të mënyrës së marrjes së tyre, forma sublinguale që administrohet nën gjuhë nga vet pacienti dhe forma subkutane, me injeksion që kryhen në krah nga mjeku.

Kur është periudha që duhet të nisi vaksinimi dhe sa zgjat ky trajtim?

Periudha e fillimit të trajtimit varet nga alergeni që pacienti është i ndjeshëm. Nëse pacienti ka simptoma si pasojë e ndjeshmërisë ndaj poleneve vaksinimi nis në periudhën shtator-tetor kur të ketë mbaruar sezoni i polenizimit.

Për ndjeshmërinë ndaj poleneve ka protokolle vaksinimi të ndryshme, përveç fillimit të vaksinimit pas periudhës së polenizimit bëhet edhe vaksinimi presezonal (para fillimit të sezonit) që mund të kryhet në muajt dhjetor, janar dhe shkurt.

Nëse ai ka ndjeshmëri ndaj pluhurave të shtëpisë, epitelit të kafshëve apo mykrave, vaksinimi mund të nisë në çdo periudhë të vitit pasi ato janë të pranishme gjatë gjithë vitit.

Kush është kandidat për vaksinim?

Një person mbi moshën 5 vjeç që paraqitet te mjeku alergolog me shqetësime të përsëritura në rrugët e frymëmarrjes prej më shumë se një viti apo prej më shumë se një sezoni pranveror i cili ka kryer testet e alergjisë të cilat kanë rezultuar pozitive ndaj një ose më shumë alergeneve dhe është trajtuar me trajtim medikamentoz por pa dominim të këtyre simptomave është kandidat për vaksinim.

Sa është i nevojshëm të zgjasë vaksinimi?

Sistemit imunitar të ndjeshëm ndaj një alergeni për të ndryshuar dhe të bëhet jo i ndjeshëm ndaj tij i duhet një periudhë vaksinimi prej 3-5 vjetësh.

Për sa u takon efekteve anësore të këtyre vaksinave, ç’mund të themi?

Këto vaksina mund të japin reaksione të ndryshme si pasojë e marrjes nga goja apo injektimit të vet alergenit që personi është i ndjeshëm. Forma me pika është një formë që i ka shumë të reduktuara reaksionet. Ndërsa forma me injeksion jep reaksione më shpesh. Reaksionet mund të jenë nga më të lehtat deri në më të vështirat duke filluar nga kruarje dhe skuqje e krahut në vendin e injektimit, teshtima të shpeshta, rrjedhje të ujshme të hundëve, kruarje sysh, njolla të kuqe në lëkurë e deri te rënie tensioni dhe vështirësi në frymëmarrje. Këto situata ndodhin në 5-12% të rasteve në trajtim me vaksinë. Reaksionet ndodhin për faktin sepse organizmit i injektohet alergeni që ai është i ndjeshëm por që me kohën këto injeksione bëjnë ndryshimin e organizmit i cili nga i ndjeshëm bëhet i pandjeshëm ndaj këtij alergeni.

Nëse nuk trajtohet alergjia ka mundësi të kalojë në astma?

Nëse si pasojë e ndjeshmërisë ndaj një alergeni kanë filluar simptomat në rrugët e sipërme të frymëmarrjes me bllokim hundësh, rrjedhje të ujshme të hundëve etj., dhe pacienti nuk trajtohet atëherë sëmundja ka gjasa të përshkallëzohet drejt një Astme Bronkiale. Alergjitë në disa raste fillojnë me simptoma të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, në disa të tjera fillojnë menjëherë në rrugët e poshtme të frymëmarrjes, por edhe në këtë fazë në varësi të gjendjes së pacientit mund të ndërhyhet me vaksinim dhe të përmirësohet situata. Rreth 80% e pacientëve me Astma Bronkiale vuajnë edhe nga Riniti Alergjik, ndërsa 40% të pacientëve me Rinit Alergjik kane edhe Astma Bronkiale, këto shifra tregojnë se sa është probabiliteti që një pacient mund të zhvillojë një Astma Bronkiale pasi ka nisur një Rinit Alergjik. Faktorë të tjerë që ndikojnë janë edhe ato ambientale e personale të vet subjektit alergjik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Jo të gjithë kufijtë janë si Muri i Berlinit

Idetë më të rëndësishme të Hayek, pohimet sipas zërit të tij autentik...
Read More