fbpx

Editorial

Vajtocët e “Republikës të re” dhe konsolidimi i Republikës së vetme: Demokratike dhe kapitaliste





               Publikuar në : 09:31 - 22/05/17 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Marrëveshja politike që u arrit midis dy partive kryesore, krijoi dy kategori te pakënaqurish prej saj. Të parët janë partitë e vogla dhe të dytët figura publike të njohur, të cilët kanë vënë kujën për humbjen e absurditetit me emrin “Republikë e re”.



Ndërsa të parët me të drejtë ankohen për penalizimin që iu vjen nga kjo marrëveshje, pasi nuk kanë më mundësi të bëjnë koalicione politike që do t’i favorizonte në zgjedhjet e 25 Qershorit, të dytët vajtojnë humbjen e një revolucioni që nuk u realizua.


Për shumë kohë e mbushën fjalorin e protestës të Partisë Demokratike me populizma që do t’i kishte zili edhe ndonjë komunist nostalgjik i mbetur akoma, duke deformuar tërësisht filozofinë e djathtë që duhet të përcjellë kjo parti.

Kudo në televizione, media apo Facebook nuk reshtën asnjëherë së shpresuari që “Republika e re” që do të instalohej do t’iu mundësonte realizimin e mendësisë së tyre etatiste. Sepse në të vërtetë asgjë tjetër nuk kishte kuptim për ta se sa triumfi i filozofisë së tyre.

Në këtë kuptim, në rolin e moralistëve publikë e mbushën protestën e Partisë Demokratike me të gjitha mundësitë që kishin me iluzionin e revolucionit që do të krijonte Republikën e re. Një mbështetje e paepur ndaj kësaj ideje që në thelb jo vetëm ishte kundër sistemit demokratik dhe Republikës, por kundrejt kapitalizmit dhe lirive individuale që do të duhej të garantojë një Republikë e cila shikon drejt të ardhmes dhe jo drejt të shkuarës.

Me të gjithë filozofinë e tyre prej etatistëve të thekur premtonin parajsën që do të duhej të vinte nga “Republika e re”. Arsim falas, taksa të ulëta, shpenzime sociale etj., duke transformuar tërësisht programin e një partie të djathtë. Shqipëria vuan nga mendësia komuniste, prej së cilës nuk është shkëputur ende dhe mungesës së një kapitalizmi të vërtetë, ndërsa për ta zgjidhja e vetme ishte pikërisht shtimi i rolit të Shtetit në ekonomi, arsim dhe shoqëri. Kjo ishte “Republika e re”, e cila për fat të mirë nuk u realizua. Ndërkohë që vendi ka nevojë për një Republikë kapitaliste, ku liria, merita dhe kapacitetet e gjithsecilit të mbizotërojnë kundrejt arbitraritet të Shtetit. Kjo është Republika që duhet.

Që nga koha kur është krijuar, në periudhën e qytetërimit romak, Republika është një dhe e vetme. Nuk ekziston një Republikë e re apo e vjetër. Ekziston vetëm Republika demokratike dhe liria apo konkurrenca që duhet të garantojë ajo.

Marrëveshja politike e forcave kryesore konsolidoi pikërisht këtë Republikë kundrejt çdo iluzioni të rrezikshëm të revolucioneve që sjellin “Republikën e re”.

Së pari, nga kjo marrëveshje fitoi Reforma në Drejtësi. Më në fund të shpresojmë që do kemi një pushtet gjyqësor të pavarur, i cili jo vetëm që do konsolidojë sistemin institucional, por do të jetë një shtysë e madhe edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Së dyti, fitoi kauza e zgjedhjeve të lira. Kjo si pasojë edhe e meritës së opozitës shqiptare, e cila e artikuloi atë përgjatë kësaj kohe të protestës të saj. Ndoshta, kjo do të jetë hera e duhur për të instaluar një kulturë ndryshe për sa i përket sjelljes së politikës ndaj kësaj të drejte bazike në një demokraci.

Së treti, me mosdorëheqjen dhe rezistencën e tij, Kryeministri siguroi qëndrueshmërinë e Republikës dhe sistemit demokratik që vjen si pasojë e votës popullore. Në këtë mënyrë u refuzuan me të drejtë absurditete e revolucione që sjellin vetëm mendësi autoritare.

Dhe së fundmi, me marrëveshjen e arritur, klasa politike shqiptare u rreshtua haptazi pro politikës amerikane dhe asaj europiane. Në këto kohë të turbullta të gjeopolitikës, ku është përfshirë Ballkani, kjo nuk ishte një gjë e sigurt.

Për të gjitha këto arsye, tani palët duhet t’i drejtohen popullit duke shpalosur alternativat e tyre politike dhe të futin vendin në një rend politik normal. Secila me meritat e saj dhanë një kontribut të rëndësishëm në konsolidimin e Republikës dhe demokracisë. Tashmë duhet të shkëputen njëherë e përgjithmonë nga ide të rrezikshme që vijnë nga moralistët publikë që me qëndrimet e tyre kërkonin që Republika t’iu shërbente atyre dhe jo anasjelltas.



Pas