Ulja më e madhe e taksave në 25 vite: PD mes populizmit e realizmit

basha selfieDemokratët po sfidojnë elektoratin dhe kundërshtarin me propozime për uljen më drastike të taksave. Mima: Do të prezantojnë një sistem taksash të thjeshta e të kuptueshme nga të gjithë. Zef Preçi: Prezantimi i taksave më të ulëta është një qëndrim “midis populizmit deri diku të paevitueshëm nën një program elektoral, por përmban edhe doza të realizmit ekonomik”

Nga Nevila Perndoj

Asnjëherë programet ekonomike në Shqipëri nuk kanë qenë vendimtare në përcaktimin e mënyrës se si do të votojnë njerëzit, por kjo nuk i ka penguar ato që në çdo zgjedhje të dalin me platforma ambicioze ekonomike dhe avancuese.

Një të tillë synon të sjellë edhe Partia Demokratike. Si parti e qendrës së djathtë, ajo mban prioritare dy shtylla; ulje taksash dhe rritje investimesh.

Me pasojat e krizës globale dhe ndërhyrjeve fiskale të kësaj qeverie, PD-ja ka zgjedhur të bëjë atë që nuk bëri në fushatën e 2013; të shkojë në kufijtë e populizmit dhe të premtojë uljen më të madhe të taksave në këta 25 vjet.

Kreu i Departamentit për Ekonominë në PD, Florion Mima thotë për “MAPO” se “ne do të punojmë fort që kjo të jetë ditëlindja e fundit e nivelit 20 % të TVSH-së”, ndërsa eksperti i ekonomisë Zef Preçi gjykon se prezantimi i taksave më të ulëta është një qëndrim “midis populizmit deri diku të paevitueshëm nën një program elektoral, përpjekjes për t’i dhënë një ngjyrim orientimit politik (parimisht e djathta është “a priori” në favor të taksave të ulëta) por përmban edhe doza të realizmit ekonomik”.

Përballë skepticizmit të publikut,  Florion Mima nënvizon se politikat fiskale të propozuara nga ana e tyre synojnë të prezantojnë një sistem taksash të thjeshta e të kuptueshme nga të gjithë.

“Ky sistem, me shkallët e ulura tatimore, do të gjenerojë rreth 27-28% të PBB të hyra tatimore, nivel ky që edhe sot me shkallët rreth 2-3 herë më të larta nuk arrihet dot. Ky nivel të hyrash publike akomodon pothuaj të gjitha nevojat urgjente të vendit për shpenzime publike në të gjithë sektorët prioritarë, si: bujqësi, edukim, shëndetësi, politika sociale etj.”, -shprehet ai.

Megjithatë, Zef Preçi nënvizon se disa propozime “të forta” nga ana e PD-së, si p.sh. ulja e propozuar e tatim-fitimit nga 15 në 9 për qind, është e nevojshme të elaborohen më në detaje.

Ai sugjeron që “të shihet ekonomia kombëtare si një e tërë, pa patur nevojë për ndërhyrje të sforcuara siç ishte edhe heqja e ‘taksës së sheshtë’ tre vjet më parë…”.

Pa përjashtuar kontekstin elektoral, eksperti i ekonomisë vëren se, “shoqëria e sotme shqiptare ka nevojë për më shumë realizëm ekonomik nga çdo formacion politik, për më shumë ekspertizë dhe transparencë etj”.

Projekti fiskal

Një lëvizje e fortë në projektin e demokratëve është edhe kthimi te taksa e sheshtë dhe ulja e saj në nivelin 9% në të gjithë komponentët e saj, përfshi kontributin e sigurimeve shoqërore, ulja e shpenzimeve buxhetore nën 31% të PBB dhe rikthimi i borxhit publik nën 60%.

Në të njëjtën kohë, edhe pse devijon nga programi i saj dhe bie në populizëm të pastër, PD-ja parashikon masivizimin falas të arsimimit, si dhe ka huazuar premtimin e mazhorancës për shëndetësi po falas.

Ekonomistët e saj parashikojnë 100 milionë euro në vit subvencione të drejtpërdrejta për fermerët, blegtorët dhe peshkatarët, rritje të ndjeshme të nivelit të investimeve (të paktën 3% të PBB-së, mbi 400 milionë dollarë në vit) si për rrjetin kombëtar ashtu edhe rrjetin dytësor, rritje e pagesës për ndihmën ekonomike, subvencionim të plotë të faturës së energjisë deri në masën 200 kilovat për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike, si dhe krijimin e një fashe mbrojtëse për shtresat në nevojë.

Me pak fjalë, rritje të ekonomisë e lirisë së saj e kombinuar me një ekuilibër social.

E parë në këtë drejtim, gjithçka duket ngadhënjyese. Por a i ka PD zgjidhjet dhe fondet për të realizuar këtë projekt ambicioz?

Për drejtuesin e politikave ekonomike të Conrad Adenauer, Matthias Schafer gjithçka arrihet nëse punohet fort.

“Ne nuk bëjmë dot magji në politikë, por ajo që mund të bëjmë është që të punojmë fort…”, -tha ai në tryezën ekonomike të pak ditëve më parë.

Dhe sa duket mëngët janë përveshur edhe pse pikëpyetjet mbeten.

***

Sfida e paketës fiskale të PD-së mbetet ulja e TVSH-së në nivelin 15%, e cila në vetvete është taksa që sjell më shumë të ardhura në buxhet.

As PS-ja e cila premtoi uljen e TVSH-së për mallrat e shportës dhe energjinë nuk e realizoi dot. Në këtë kuptim, ulja e nivelit të TVSH-së mbetet një ndërmarrje e guximshme.

“Ne do të punojmë fort që kjo të jetë ditëlindja e fundit e kësaj shkalle tatimore…”, -shprehet Mima, teksa kujton se kjo shkallë u vendos me këmbënguljen e FMN-së në vitin 1997.

Por pse PD-ja kërkon nivelin 15% në një kohë kur edhe mesatarja e vendeve të BE-së është rreth 17%?

“Ka një dakordësi mes administratorëve të taksave dhe hartuesve të politikave fiskale, dakordësi që thotë se nëse do ta ulësh TVSH gjysmë pike apo një pikë me synim për të ndikuar në çmimet fundore të mallrave e shërbimeve, më mirë mos e ndërmerr atë masë pasi ndikimi i kësaj ulje në uljen e çmimeve do të jetë 0. Por nëse ulja është substanciale, si në rastin tonë, patjetër që çmimet e mallrave dhe shërbimeve do të bien, çka do të sillte që konsumi të arrijë nivele të panjohura më parë”, -sqaron ai.

Mima nënvizon se Shqipëria aktualisht gjeneron rreth 9% të PBB-së nga ky tatim.

“Sipas standardeve të FMN ky nivel nuk duhet të ishte më shumë se sa 8%. Pra jemi një pikë përqindjeje më lart dhe kjo pikë është afërsisht sa 120 milionë dollarë që padrejtësisht u merret konsumatorëve shqiptare”, -shton ai.

Duke nënvizuar se, në radhët e ekonomistëve ekziston një perceptim i gjerë dhe jo pa bazë se ndërhyrjet fiskale të qeverisë aktuale kanë përkeqësuar klimën e të bërit biznes në vend, Zef Preçi çmon se janë interesante disa propozime të tjera të alternativës ekonomike të demokratëve që lidhen me përcaktimin e nivelit të shpenzimeve buxhetore, me peshën specifike të investimeve publike ndaj GDP-së, po ashtu edhe për nivelin/tavanin e borxhit publik edhe pse analizon ndër radhë se çështje të tilla varen nga rrethanat konkrete të çdo viti fiskal apo edhe nga gjendja e përgjithshme e ‘shëndetit’ të ekonomisë.

Pikat kryesore të projektit të PD

Taksa e sheshtë- 9%

Ulja e normës së TVSH- në 15%

Ulje të shpenzimeve buxhetore- nën 31% të PBB

Rikthimi i borxhit publik- nën 60%

Për fermerët- 100 mln euro subvencione

Investime në ujitje dhe kullim- 50 mln euro në vit

Investime në infrastrukturë- 400 mln dollarë në vit

Për familjet me ndihmë ekonomike- Energjia subvencionim deri në 200 kw

Shkruar Nga
More from revista mapo

Henri Çili, e majta, e djathta dhe rotacioni

Nga Arnold Grabocka -Kritika ndaj kritikës Sot rastisa të lexoj një analizë...
Read More