Uashingtoni është larguar nga Ballkani, Hahn: Nuk është problem

 

Vëzhguesit e vëmendshëm të politikës mund ta kenë vënë re që roli i SHBA në rajon nuk është më si dikur. Por tashmë e përditshmja e njohur amerikane, Washington Post, shkruan se Uashingtoni është larguar nga Ballkani. Por Komisioneri për Zgjerimin i BE, Johannes Hahn thotë për gazetën se ky nuk është problem.

Që prej luftërave të viteve ’90 në rajon, Uashingtoni ka qenë shoferi që ka drejtuar rajonin, jo Brukseli. Hahn thotë se tani është e kundërta.

“SHBA janë shumë mbështetës për Bashkimin Europian në rajon. Mendoj se ata janë të lumtur që tanimë jemi ne në drejtim në rajon”, thotë Hahn.

Shqetësimi më i madh në këto momente lidhet me qasjen e SHBA ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Gazeta shkruan se SHBA e kanë kundërshtuar vazhdimisht idenë e shkëmbimit të territoreve, por tashmë thonë se do mbështesin çdo zgjidhje mes palëve.

Hahn thotë se “në këtë moment, askush nuk mund të parashikojë se cila do jetë marrëveshja finale”.

“Shkëmbimi i mundshëm i territoreve mund të jetë në çdo rast, nëse ju pëlqen, një pako përfundimtare e një tabloje më të madhe”.

“Kushti që kemi ngritur ne është që çdo marrëveshje dypalëshe të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Por a rrezikon rajoni destabilizimin tashmë që SHBA nuk janë liderë në rajon? Hahn ofron një panoramë tjetër, duke thënë se Ballkani është rikthyer në heshtje në normalitet.

“Situata ka ndryshuar. Nëse e sheh në një kornizë më të gjatë kohore, ka përparim në rajon. Sot për shembull, nëse në terren ka përplasje mes Kosovës dhe Serbisë, në të shkuarën mund të çonte lehtësisht në dhunë. Sot liderët kapin telefonat dhe telefonojnë njëri-tjetrin”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Pse fëmijët gënjejnë, dhe si duhet të sillen prindërit

Nuk ekziston asnjeri në botë që nuk ka thënë në jetën e...
Read More